2020
Fëmijët dhe Rinia: Ta Fillojmë Fuqishëm
Janar 2020


Fëmijët dhe Rinia: Ta Fillojmë Fuqishëm

Udhëheqësit e Kishës tregojnë se si prindërit dhe lagjet mund t’i ndihmojnë fëmijët të bëhen si Shpëtimtari.

father and daughter

Qoftë nëse jeni i emocionuar apo paksa në ankth për përpjekjen e re të Kishës – Fëmijët dhe Rinia – ju ndoshta keni disa pyetje: “Si do t’i ndihmojë ajo fëmijët e mi?” “Si e bëjmë ne këtë?” “Cili është roli im në të?”

Udhëheqësit e Kishës japin disa përgjigje.

Përse po e bën Kisha këtë ndryshim?

Motra Boni H. Kordën: Siç ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, të gjithë ne kemi nevojë ta rritim aftësinë tonë për të marrë zbulesë.1 [Nisma] Fëmijët dhe Rinia është hartuar që t’i ftojë individët dhe familjet për të kërkuar frymëzim nga Shpirti mbi mënyrën se si të përparojmë dhe të gjejmë gëzim në shtegun e besëlidhjes. Është një paralele e mrekullueshme me atë që profeti ka si vizion për secilin prej nesh.

Vëllai Stiven W. Ouen: Presidenti Nelson gjithashtu po na mëson se ne jemi një Kishë e përqendruar te shtëpia, pavarësisht se çfarë pamje kanë shtëpitë tona.2 Ne nuk jemi një Kishë e përqendruar te programet. Udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës mund t’i ndihmojnë fëmijët tanë që ta mësojnë dhe jetojnë doktrinën, por ajo përgjegjësi fillon në shtëpi dhe është një përgjegjësi e përditshme.

Ashtu siç ka dhënë mësim profeti, na nevojitet të kërkojmë zbulesë e ta ndjekim Shpirtin dhe [nisma] Fëmijët dhe Rinia do të na ndihmojë ta bëjmë atë – pjesërisht sepse është një thjeshtim. Në të kaluarën ka pasur qindra kërkesa që prindërit t’i ndiqnin dhe t’i kuptonin te Përparimi Personal, Detyrë ndaj Perëndisë, Besim në Perëndi dhe programe të tjera nga Kisha teksa fëmijët e tyre përparonin gjatë viteve të tyre të adoleshencës. Kjo qasje e re i fton rininë dhe fëmijët që të kërkojnë frymëzim teksa vënë synime sipas nevojave dhe interesave të tyre.

Motra Xhoi D. Xhons: Kjo është një mundësi emocionuese për fëmijët dhe rininë tonë, brezin e ri, që ta thellojnë besimin e tyre te Jezu Krishti. Teksa ata mësojnë ta kërkojnë dhe të reagojnë ndaj udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë, ata do t’i kuptojnë më mirë identitetin dhe qëllimin e tyre të përjetshëm dhe mënyrën se si mund të përparojnë dhe ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor për ta. Përqendrimi i [nismës] Fëmijët dhe Rinia mund t’i bekojë dhe forcojë të rinjtë e të rejat tona e familjet e tyre duke krijuar dhe ushqyer marrëdhënie në shtëpitë e tyre, në kishë dhe me Atin e tyre Qiellor.

Cilët janë hapat e parë që mund të ndërmarrin familjet që të fillojnë ta zbatojnë [nismën] Fëmijët dhe Rinia?

Motra Xhons: Të luten së bashku për udhërrëfimin e Shpirtit. Prindërit mund të fillojnë duke folur me pjesëtarët e familjes mbi tri fushat e zbatimit në [nismën] Fëmijët dhe Rinia: të mësuarit e ungjillit, shërbimi dhe aktivitetet si dhe zhvillimi vetjak. Çfarë po bëjnë ata aktualisht? Si mund të rriten si individë dhe si familje në këto tri fusha? Në ç’mënyrë përqendrimi te vargu Lluka 2:52 ndihmon tʼi udhërrëfejë ata për planet dhe vendosjen e synimeve të tyre që ta kujtojnë dhe ta ndjekin Shpëtimtarin? Çfarë mundësie e mrekullueshme për t’i forcuar rininë, shtëpinë dhe familjen në mënyra shumë të thjeshta, të qëndrueshme dhe kuptimplota!

Motra Kordën: E fillojmë pak nga pak. Ecja në shtegun e besëlidhjes vërtet që është thjesht të ecësh hap pas hapi. Vini një synim. Fillojeni thjesht. Librat udhëzues për rininë dhe fëmijët do të na japin një model të mrekullueshëm që ta ndjekim.

Vëllai Ouen: Nuk duhet ta ndërlikojmë shumë këtë. Kjo është shumë e thjeshtë. Lexojeni vargun Lluka 2:52. Fillojeni atje. Një prind mund të ulet atëherë me fëmijën apo të riun/renë e vet në shtëpi dhe të flasë për të. “Si do të të ndihmojmë të rritesh në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve?” “Çfarë mund të mësojmë ose të bëjmë së bashku?” “Çfarë synimesh mund të vendosësh?” Vetëm veproni thjesht.

boy holding scriptures

Nëse ka një gjë që ju dëshironi që ta dinë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat teksa kjo vihet në zbatim, çfarë do të ishte ajo?

Motra Kordën: Kjo është një mundësi e shkëlqyer për t’u rritur ashtu si u rrit Shpëtimtari! Nëse vrasim mendjen: “Ku të përqendrohem?” mund të sjellim ndërmend se tashmë po i bëjmë shumë gjëra që të bëhemi si Ai. Të mësuarit e ungjillit po ndodh në shumë shtëpi dhe në Kishë. Ne po shërbejmë dhe po marrim pjesë në aktivitete. Kjo përpjekje e re është thjesht një mënyrë që të kemi qëllim dhe përgjegjshmëri për të vepruar sipas asaj që po mësojmë – dhe të përqendrohemi te rritja në katër fushat ku u rrit Shpëtimtari: shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale (shih Lluka 2:52). Kjo do të na sjellë të gjithëve ne gëzim, paqe dhe lumturi të qëndrueshme teksa e ndjekim Shpëtimtarin!

Motra Xhons: Zhvillimi përqendrohet te Shpëtimtari, qendërzohet te familja dhe përkrahet nga Kisha. Ky është thjeshtim dhe individualizim teksa shkëputemi nga programet e kaluara. Rritja do të vijë në mënyrë individuale. Shpresoj që fëmijët, rinia, udhëheqësit dhe familjet e tyre do ta kuptojnë se kjo është një mënyrë e arritshme, që përshtatet lehtë, për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor përqark globit që të përparojnë së bashku dhe të përjetojnë gëzim të përhershëm në shtegun e besëlidhjes. Ky nuk do të jetë një ndryshim i madh apo një kthesë e vështirë për të mësuar. Është të bëjmë më shumë nga sa po bëjmë tashmë, teksa udhërrëfehemi nga Shpirti, kështu që përpjekjet tona të sinqerta të mund ta zgjerojnë aftësinë tonë për ta ndjekur Shpëtimtarin me dashuri dhe efikasitet.

Përse është e rëndësishme që rinia e fëmijët të zhvillohen si Shpëtimtari?

Motra Xhons: E para dhe kryesorja, ata kanë bërë besëlidhje që gjithmonë ta ndjekin Atë. Ata kanë bërë besëlidhje që të “qëndro[jnë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9). Kështu që ata kanë nevojë të zhvillohen ashtu si bëri Ai: nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike, intelektuale. Besëlidhjet e tyre jo vetëm që janë arsyeja pse ata duhet ta bëjnë këtë, por ato gjithashtu japin aftësinë fuqizuese që t’i ndihmojë t’i arrijnë synimet e tyre.

Vëllai Ouen: I gjithë qëllimi ynë në jetë është t’i ndjekim Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe të bëhemi si Ata. Ne duam të jemi si Ata. Ne fillojmë ta praktikojmë këtë që në moshë të vogël, që të kemi një model për pjesën tjetër të jetës sonë. Dhe ne vërtet po e ndjekim Shpëtimtarin kur i bëjmë gjërat që bëri Ai.

Motra Kordën: Shpëtimtari është shembulli ynë në të gjitha gjërat. Ne i studiojmë jetën, misionin dhe mësimet e Tij sepse Ai është gjithçka që dëshirojmë të bëhemi. Por meqë secili prej nesh është i pashoq, ne kemi secili tipare dhe aftësi që na nevojitet t’i zhvillojmë për tʼu bërë si Ai. Kjo qasje e re u jep fëmijëve dhe rinisë një mundësi të përshtatur për ta që të rriten në këto mënyra të pashoqe, të zhvillojnë dhuntitë e tyre individuale dhe të përcaktojnë ato gjëra që ndihen të nxitur t’i bëjnë që të bëhen më shumë si Shpëtimtari. Kjo është ajo që e bën këtë kaq vetjake. Nuk është një listë kontrolli e hartuar. Synimet që vë secili prej nesh për të ecur përpara në shtegun e besëlidhjes, do të jenë të ndryshme, por së bashku ne do të jemi duke mësuar dhe duke u rritur, dhe duke shkuar më pranë Shpëtimtarit tonë.

Çfarë shpresoni ju se do të ndiejnë fëmijët dhe rinia kur të marrin pjesë?

Motra Kordën: Unë shpresoj që ata të marrin një kuptueshmëri më të thellë të identitetit të tyre të përjetshëm dhe ta ndiejnë se kujt i përkasin. Kur e dimë se cilët jemi dhe Kujt i përkasim, ne veprojmë ndryshe. Ata do të mësojnë ta dallojnë se ajo që thonë disa mjete të komunikimit shoqëror, nuk është e vërtetë, sepse ata e kanë përjetuar [tashmë] se si u flet Shpirti. Ata do të fitojnë besim në vetvete dhe në potencialin e tyre hyjnor si bija dhe bij të Perëndisë.

Motra Xhons: Ne dëshirojmë që ata të ndiejnë besim dhe shpresë te Jezu Krishti, ta ndiejnë paqen që vjen nga mbajtja e urdhërimeve, të përjetojnë marrëdhënie të shëndetshme, të mësojnë aftësinë për të qenë të fortë shpirtërisht, ta ndiejnë gëzimin e shërbimit ndaj të tjerëve dhe ta ndiejnë lumturinë dhe përmbushjen nga pjesëmarrja në punën e shpëtimit.

Vëllai Ouen: Shpresoj se fëmijët do ta kuptojnë ungjillin në një mënyrë aq sa ta çojnë atë nga mendja në zemër. Kjo nuk është thjesht një plotësim detyrash. Është një proces i të mësuarit dhe i të bërit si Shpëtimtari. Do të shpresoja vërtet që fëmijët tanë dhe ata të cilëve u japim shërbesë, do të ndiejnë mjaftueshëm vetëbesim në kuptueshmërinë e tyre të ungjillit sa t’ua japin mësim atë të tjerëve. Për shembull, do të shpresoja që ne të mund t’u bëjmë fëmijëve tanë një pyetje për ungjillin dhe të dëgjojmë një përgjigje shumë të thellë ngaqë e kanë mësuar atë gjë dhe është pjesë e tyre.

young woman standing in class

Si do ta dinë prindërit nëse [nisma] Fëmijët dhe Rinia ka sukses në shtëpinë e tyre?

Vëllai Ouen: Unë do të kërkoja frytet e Shpirtit të përmendura te Galatasve 5, të tilla si më shumë paqe në shtëpi. Mendoj se fëmijët e tyre do të jenë më të sjellshëm, më të dashur. Fëmijët e tyre do të dëshirojnë të rrinë me familjen. Do të ketë më shumë gjasa që ata të luten dhe të kërkojnë përgjigje. Ata do të shohin përmirësim jo vetëm shpirtërisht por edhe shoqërisht, fizikisht dhe intelektualisht.

Motra Xhons: Ata do ta dinë se ka sukses teksa marrëdhëniet forcohen, teksa pjesëtarët e familjes përjetojnë përmirësim realist dhe vazhdojnë të përpiqen edhe kur kanë vështirësi, teksa shfaqin përkrahje reciproke dhe kujdes për njëri‑tjetrin, si dhe teksa e kërkojnë aktivisht ndikimin e Frymës së Shenjtë dhe ai është i pranishëm në shtëpinë e tyre. Pjesëtarët e familjes mund të shohin një lidhje më të qartë mes asaj që po bëjnë çdo ditë, dhe jetës së Krishtit. Ndoshta do të ketë vlerësim më të madh për lirinë e zgjedhjes dhe pendimin, sjellje të përmirësuara, rritje të vetëbesimit, përpjekje për t’u drejtuar ndaj të tjerëve në vend të kthimit drejt vetvetes, si dhe një vlerësim më të madh për Shpëtimtarin, jetën e Tij, mësimet e Tij, shembullin e Tij dhe Shlyerjen e Ringjalljen e Tij.

Çfarë këshille do t’u jepnit prindërve të cilët mund të ndihen paksa në ankth që po lënë pas programet e mëparshme të Kishës?

Motra Kordën: Sigurisht që na pëlqejnë shumë programet e mëparshme, sepse secili prej nesh u zhvillua dhe pati mundësi t’i shihte të tjerët të zhvilloheshin në ato programe. Ato ishin të frymëzuara për kohën e tyre. Por a nuk jemi mirënjohës për zbulesën e vazhdueshme? Zoti ka nevojë që ne të vazhdojmë të përparojmë e të ndryshojmë dhe Ai ka nevojë që programet tona të përparojnë dhe të ndryshojnë me qëllim që të plotësojnë nevojat e anëtarëve në mbarë botën. Ne gjithmonë përpiqemi fort të përmirësohemi dhe të bëhemi ajo Kishë dhe ai popull që Ati ynë Qiellor e njeh dhe ka nevojë që të bëhemi.

Motra Xhons: Ne jemi bekuar shumë nga programet e së shkuarës dhe mund të jemi mirënjohës për gjithçka që kemi mësuar dhe përjetuar. Kjo është një periudhë e re e mrekullueshme dhe është një mundësi që ta kërkojmë udhërrëfimin e Zotit për të mësuar dhe për t’u rritur në mënyra të reja dhe të frymëzuara.

Si munden udhëheqësit që t’i ndihmojnë fëmijët dhe rininë që të rriten në zhvillimin vetjak?

Vëllai Ouen: Para së gjithash, mendoj se udhëheqësit në moshë madhore kanë nevojë ta shohin atë fëmijë, ose atë të ri, ose atë të re, ashtu si Perëndia e sheh, domethënë ashtu si ai person mund të bëhet, jo thjesht si është tani. Filloni me qëllimin përfundimtar në mendje. Shiheni në një këndvështrim afatgjatë. Do të duhet kohë për këtë. Shihni se çfarë mund të bëhen fëmijët dhe të rinjtë e të rejat. Krijoni një lloj marrëdhënieje saqë kur të keni nevojë t’u flisni të rinjve dhe të rejave, ata t’ju respektojnë aq sa t’ju dëgjojnë.

Gjithashtu, njihuni me prindërit e tyre. Mësojeni prej tyre se si mund të ndihmoni. Respektojeni rolin e tyre si prindër.

Motra Xhons: Fillorja nuk e ka strukturën e kuorumeve dhe të presidencave të klasave që i kanë të rinjtë dhe të rejat. Udhëheqësit dhe mësuesit e Fillores, ashtu si edhe vëllezërit dhe motrat shërbestare, sigurojnë ndihmë për fëmijët që nuk kanë përkrahje për ungjillin në shtëpitë e tyre. Megjithatë, është e rëndësishme që ne gjithmonë ta nderojmë marrëdhënien mes fëmijëve, të rinjve e të rejave dhe prindërve të tyre, pavarësisht se cila mund të jetë gjendja në shtëpi. [Nisma] Fëmijët dhe Rinia mund të sigurojë një mënyrë për ta ftuar të gjithë familjen që të vijë e të shohë dhe që të vijë e të ndihmojë. Mund të jetë një mjet për ta forcuar të gjithë familjen, qoftë nëse ata janë ose jo anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Motra Kordën: Kemi shumë fëmijë dhe të rinj e të reja që nuk i kanë prindërit në kishë të dielën, por që sidoqoftë kanë prindër të dashur. Do t’i nxitja udhëheqësit që të njihen me prindërit dhe ta mësojnë se çfarë ëndrrash dhe aspiratash kanë për fëmijët e tyre. Ne mund të ndihmojmë. Teksa punojmë bashkë me prindërit, ne do t’i forcojmë individët dhe shtëpitë e tyre si dhe do t’i nxitim gjithashtu fëmijët dhe të rinjtë e të rejat që t’i forcojnë shtëpitë e njëri‑tjetrit.

young woman with parents

Çfarë do t’u thoshit prindërve të mbingarkuar që druhen se nuk do të jenë në gjendje t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të kenë sukses në [nismën] Fëmijët dhe Rinia?

Motra Kordën: Gjëja e shkëlqyer është që ne tashmë po e bëjmë pjesën më të madhe. Familjet po e mësojnë tashmë ungjillin së bashku. Ne po bëjmë tashmë shërbim dhe aktivitete. Ne gjithmonë kemi pasur një përpjekje për zhvillimin vetjak; tani thjesht po përqendrohemi te mënyrat se si u rrit Krishti.

Teksa ulemi me fëmijët tanë, mendoj se vërtet do të gjejmë kënaqësi në të. Ju thjesht mund t’i dëgjoni dëshirat e fëmijëve tuaj në një mënyrë normale, të natyrshme. Ati ynë Qiellor dëshiron që fëmija juaj të rritet, të gjejë gëzim dhe të kthehet e të jetojë me Të. Ju do ta ndieni Frymën e Shenjtë t’ju udhërrëfejë teksa së bashku përpiqeni fort t’i bëni ungjillin dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krishtin pjesë të çdo aspekti të jetës suaj.

Motra Xhons: Fillojeni në atë mënyrë që funksionon për familjen tuaj. Kini mirëbesim se do të keni ndihmë nga qielli. Kërkojeni udhërrëfimin nga Shpirti. [Nisma] Fëmijët dhe Rinia do të jetë një mjet i çmuar për prindërim. Ka shumë kërkesa për prindërit sot teksa ata i udhërrëfejnë dhe i ushqejnë shpirtërisht familjet e tyre. Është e lehtë që të ndihesh nganjëherë i mbingarkuar. [Nisma] Fëmijët dhe Rinia do t’i ndihmojë prindërit ta ndajnë atë që është thelbësore nga ajo që është e rëndësishme. Ndihma ndaj familjeve tona që të mësojnë se si ta ndjekin Shpëtimtarin nëpërmjet frymëzimit të Frymës së Shenjtë, është jetike për të gjithë ne dhe do t’i sjellë dashurinë dhe bekimet e Zotit.

Vëllai Ouen: Mendoj se vërtet do të jeni në gjendje t’i ndihmoni fëmijët dhe të rinjtë e të rejat tuaja. Nuk ju duhet të bëni ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Në thelb është të jeni besnikë e plot lutje dhe të krijoni disa zakone të shenjta e rutina të drejta në familjen tuaj. Fillojeni me disa zakone bazë, të thjeshta, të drejta dhe do ta shihni se në jetën e fëmijëve tuaj do të ndodhin mrekulli.

Shënime

  1. Shih Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 93–96.

  2. Shih Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 6–8.