Jini si Nefi
Kur Nefi i tha babait të tij: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar” (1 Nefi 3:7), ai na dha një shembull frymëzues besimi dhe bindjeje të zellshme. Zotimi i Nefit për të shkuar dhe bërë i kishte rrënjët te dy cilësi të rëndësishme që të gjithë ne mund të zhvillojmë: dëshmia e tij vetjake për Zotin e profetët e Tij dhe forca e tij shpirtërore.
Zhvillimi i një Dëshmie
Nefi ishte i bindur sepse e kishte kërkuar dhe marrë nga babai i vet dëshminë e tij për urdhërimet e Zotit (shih 1 Nefi 2:16–20). Ai e dinte se detyra për të marrë fletët prej tunxhi do të ishte e vështirë. Por ndryshe nga vëllezërit e tij, ai e dinte se Zoti do të ishte me të dhe do të përgatiste një mënyrë që ata ta përmbushnin atë.
Ky besim te Perëndia dhe profeti i Tij e bekoi dhe e mbështeti Nefin gjatë gjithë jetës së vet dhe e ndihmoi atë të përmbushte gjëra të mrekullueshme. Ashtu si Nefi, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme në jetë kur përpiqemi fort t’i bindemi këshillës që marrim nga profetët e gjallë, pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë dhe shkrimet e shenjta. Për shembull, profeti i Zotit sot, Presidenti Rasëll M. Nelson, na ka kërkuar që të ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin dhe të përgatitemi për kthimin e Shpëtimtarit.1
Ndërsa e studiojmë fjalën e Perëndisë dhe i bindemi asaj, besimi ynë do të rritet dhe do të ndiejmë në zemrat tona një vendosmëri që të vazhdojmë të jemi të bindur, madje edhe kur e dimë se gjërat janë të vështira.
Zhvillimi i Forcës Shpirtërore
Shembulli i Nefit gjithashtu na mëson për cilësinë e forcës si të Krishtit – të vazhdojmë përmes sfidave në vend që të kërkojmë rrugën më të lehtë për të dalë nga situata. Ka raste në të gjithë jetën tonë kur na kërkohet të bëjmë gjëra të vështira dhe të mundimshme. Në këto situata, nëse mbështetemi te besimi ynë në Krisht dhe zgjedhim “të drejtën më të vështirë në vend të së gabuarës më të lehtë”2, ne do të bekohemi.
Kur gjendeni duke u përballur me një vendim ose detyrë të vështirë, pasja e qëndrimit “shko dhe … bëj” do t’ju ndihmojë të këmbëngulni. Përgjigjja me besnikëri ndaj udhërrëfimit që merrni i tregon Zotit se Ai është në gjendje të mbështetet te ju dhe ta rritë besimin tuaj te Jezu Krishti.
Ndërsa punoni me besim për ta zhvilluar dëshminë tuaj, forcën shpirtërore, dhe qëndrimin “shko dhe … bëj”, Zoti do t’ju bekojë, forcojë dhe mbështetë këtë vit dhe gjatë gjithë jetës suaj.