2020
Mbledhja e Izraelit nëpërmjet Dhënies së Shërbesës
Janar 2020


Parimet e Dhënies së Shërbesës

Mbledhja e Izraelit nëpërmjet Dhënies së Shërbesës

Dhënia e shërbesës është një mundësi që ta ndjekim këshillën e profetit për ta mbledhur Izraelin.

people with missionaries at a picnic

Presidenti Rasëll M. Nelson na ka ftuar të ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin – “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot”1.

Për ata që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj pune të mbledhjes së Izraelit, dhënia e shërbesës mund të jetë një mundësi e mrekullueshme. Për shkak se puna e Zotit për shpëtim është e gjitha e njëjta punë, dhënia e shërbesës është një mënyrë e frymëzuar për t’ua ndryshuar jetën njerëzve. Qoftë nëse po u japim shërbesë anëtarëve më pak aktivë apo po i ftojmë ata të na ndihmojnë teksa u shërbejmë njerëzve jo të besimit tonë, dhënia e shërbesës jep mundësi për ta mbledhur Izraelin.

Mbajtja e Barrëve të Njëri‑Tjetrit

“Delet tona mund të jenë të lënduara, të kenë humbur ose madje të kenë shkuar me dashje në udhë të gabuar; si bariu i tyre, ne mund të jemi nga të parët që e shohin nevojën e tyre. Ne mund të dëgjojmë e të duam pa gjykuar dhe të ofrojmë shpresë e ndihmë me udhërrëfimin shques të Frymës së Shenjtë.” – Boni H. Kordën2

“E vështrova në heshtje gruan që ishte ulur pranë meje në fluturimin tim të orës 7:00 për në shtëpi. Ajo kishte porositur një pije alkoolike përpara se aeroplani të ngrihej dhe kur më pyeti nëse isha i martuar, gjykimet e mia negative për të filluan të mblidheshin.

‘Po, kam katër fëmijë dhe katër nipër e mbesa’, iu përgjigja me njëfarë krenarie.

Ajo më tha pastaj diçka që e ndryshoi gjithçka. Bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë një ditë më parë pasi kishte qenë në komë për pesë ditë. Ndonëse ishte mjeke urgjence, ajo nuk kishte qenë në gjendje ta shpëtonte atë pas humbjes së ndjenjave kur ishin me pushime.

U turpërova që gjykimi im i shpejtë ishte kaq i gabuar. Çfarë mund t’i thoshja asaj? Teksa mblodha veten, e ndjeva që Ati Qiellor e derdhi Shpirtin e Tij kështu që munda t’i jepja shërbesë kësaj gruaje dhe t’i tregoja disa nga të vërtetat e çmuara të ungjillit.

Mësova se edhe pse ajo nuk frekuentonte ndonjë kishë, ajo besonte te Jezu Krishti dhe e lexonte Biblën. Kur e pyeta nëse kishte njohuri për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, u përgjigj se dinte shumë pak. I tregova një mesazh të konferencës së përgjithshme nga Plaku Riçard G. Skot (1928–2015) me titull ‘Bekimet e Përjetshme të Martesës’ dhe pastaj i dëshmova për familjet e përjetshme dhe mënyrën se si Ati Qiellor e njeh dhe e do secilin prej nesh veçmas. Mësova se ajo po shkonte në Havai në SHBA ku ishte rritur dhe e nxita të vizitonte Tempullin e Lajes në Havai.

U ndamë në aeroportin e Solt‑Lejk‑Sitit në Jutë. Jam shumë mirënjohës që Zoti qe në gjendje të më përdorte, me gjithë mangësitë e mia, që ta ndihmoja një motër në nevojë për dashuri dhe ngushëllim.”

Xhon Tipets, Jutë, SHBA

Parime për t’u Marrë Parasysh

“Gjykimet negative”

Të qenit i shpejtë në gjykim mund të na pengojë të shohim potencialin hyjnor (shih Mateu 7:1).

“Derdhi Shpirtin e Tij”

Mirëbesojini premtimit të Perëndisë se do të na japë se çfarë të themi në çastin e duhur (shih Doktrina e Besëlidhje 100:5–6).

“Mësova”

Pyetni se çfarë besojnë të tjerët, dëgjoni me dhembshuri dhe trajtojini bindjet e tyre fetare me dinjitet.

“Dëshmova”

Kërkoni mundësi që të jepni dëshmi mbi mënyrën se si Zoti ka vepruar në jetën tuaj (shih Mosia 24:14).

“Nxita”

Ftojini ata të veprojnë sipas të vërtetës kështu që Fryma e Shenjtë të mund t’u dëshmojë atyre (shih Gjoni 7:17; Moroni 10:5).

women walking together

Shpëtimi i Anëtarëve të Kthyer në Aktivitet

“Me dashurinë si shtysë, do të ndodhin mrekulli dhe ne do të gjejmë mënyra për t’i sjellë motrat dhe vëllezërit e ‘humbur’ në përqafimin gjithëpërfshirës të ungjillit të Jezu Krishtit.” – Xhin B. Bingham3

“Kisha qenë jo aktive për të paktën gjashtë vjet kur bashkëshorti im dhe unë u shpërngulëm në një qytet të ri. Presidentja ime e re e Shoqatës së Ndihmës më vizitoi, duke më pyetur a mund të dërgonte një motër që të më vizitonte. Me pak ngurrim, rashë dakord. Kjo motër më vizitoi çdo muaj, pavarësisht nga alergjia e saj prej qenve – dhe unë kam një qen shumë miqësor! Dhënia e shërbesës prej saj vazhdoi për dy vjet dhe pati një ndikim të pamasë tek unë.

Edhe pse vizitat e saj zakonisht ishin thjesht shoqërore, herë pas here ajo më bënte pyetje që na çuan në bashkëbisedime shpirtërore. Këto më bënë të ndihesha paksa jo rehat, por ato më nxitën të vendosja a doja të shkoja përpara në ungjill apo të qëndroja ku isha. Pata vështirësi për ta marrë këtë vendim, por zgjodha të takohesha me motrat misionare.

Ditën kur shkova të merrja pjesë në mbledhjen e sakramentit për herë të parë pas gjashtë vjetësh, kisha frikë të hyja brenda. Kur hyra në kishë, motra ime shërbestare po më priste dhe ajo eci bashkë me mua për te salla kishtare. Më pas, ajo më shoqëroi deri te makina ime duke më pyetur se çfarë mund të bënte që të më ndihmonte më së miri teksa i afrohesha Shpëtimtarit.

Koha dhe dashuria e motrës sime shërbestare më ndihmuan të më kthenin në aktivitet dhe i quaj përpjekjet e saj si një nga dhuratat më të mëdha që më kanë dhënë ndonjëherë. Jam shumë mirënjohëse që ajo ishte atje pranë meje në udhëtimin tim të kthimit te Kisha e Shpëtimtarit.”

Emri nuk jepet, Kolumbia Britanike, Kanada

Parime për t’u Marrë Parasysh

“Më vizitoi çdo muaj, pavarësisht nga alergjia e saj prej qenve”

Si mund ta tregoni që ju kujdeseni për ata të cilëve u jepni shërbesë, më shumë sesa për gjëra të tjera? (Shih Doktrina e Besëlidhje 121:44.)

“Pyetje”

Bërja e pyetjeve të duhura mund të ndihmojë që të na shtyjë për vlerësim të vetvetes. Kujtoni se dhënia e shërbesës prej nesh ka një qëllim që shkon përtej të qenit të shoqërueshëm.4

“Më priste”

Çdokush duhet të ndihet i mirëpritur (shih 3 Nefi 18:32).

“Atje pranë meje në udhëtimin tim të kthimit”

Përkrahja jonë mund të sjellë një ndryshim kuptimplotë tek ata që pengohen në rrugën e kthimit te Shpëtimtari dhe të shërimit (shih Hebrenjve 12:12–13).

Dhënia e Shërbesës dhe Mbledhja

“Në çfarëdo mënyre që duket e natyrshme dhe normale për ju, tregojuni njerëzve përse Jezu Krishti dhe Kisha e Tij janë të rëndësishme për ju. …

… Roli juaj është që të tregoni atë që është në zemrën tuaj dhe të jetoni në përputhje me bindjet tuaja.” – Plaku Diter F. Uhtdorf5

Dhënia e shërbesës dhe përhapja e ungjillit shkojnë krah për krah. Këtu janë disa mënyra se si mund t’i mbledhim miqtë dhe fqinjët tanë ndërkohë që japim shërbesë – ose të japim shërbesë ndërkohë që i mbledhim miqtë dhe fqinjët tanë:

  • Shërbeni së bashku. Kërkoni mundësi që ta ftoni një mik ose fqinj për të ardhur bashkë me ju për të dhënë shërbesë për dikë në nevojë. Kërkojuni atyre t’ju ndihmojnë të përgatitni një vakt ushqimi për një nënë të re, të punoni te kopshti i një fqinji të moshuar ose të pastroni shtëpinë e dikujt që është sëmurë.

  • Jepni mësim së bashku. Merreni parasysh ta ftoni një mik ose fqinj që nuk merr pjesë shpesh, që të presë misionarët në shtëpinë e tij për t’i dhënë mësim dikujt që po takohet me ta, t’ju përkrahë ju kur të zhvillohet një mësim në shtëpinë tuaj, apo të vijë me ju për një mësim në shtëpinë e dikujt tjetër.

  • Ndihmoni. Përveç që t’u jepni shërbesë atyre tek të cilët jeni caktuar, ju gjithashtu mund të ndihmoni të tjerë kur shihni një nevojë. Ofrojuni që t’i transportoni me makinë për në mbledhjet e Kishës. Ftojini fëmijët e tyre te veprimtaritë e rinisë ose të Fillores. Në çfarë mënyrash të tjera mund të jepni shërbesë dhe t’i mblidhni [ata]?

  • Përdorini burimet që sigurohen nga Kisha. Kisha ofron shumë burime për anëtarët që t’i ndihmojë ata për përhapjen e ungjillit. Mund të shfletoni pjesën “Misionari” te programi Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], të shihni materialet filmike “Ejani dhe Shikoni” (te ChurchofJesusChrist.org/go/12011) dhe të vizitoni ComeUntoChrist.org për ide mbi mënyrën se si ta mbledhim Izraelin në komunitetet tona.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  2. Boni H. Kordën, “Të Bëhesh Bari”, Liahona, nëntor 2018, f. 76.

  3. Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 106.

  4. Shih “Parimet e Dhënies së Shërbesës: Qëllimi që do ta Ndryshojë Dhënien e Shërbesës Sonë”, Liahona, janar 2019, f. 8–11.

  5. Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 17.