2020
Të Zgjedhësh Përjetësinë
Janar 2020


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë në Moshë Madhore

Të Zgjedhësh Përjetësinë

E dija se tani ishte koha që unë të zgjidhja a do t’i mbaja apo jo vlerat e mia.

Kur dëgjova se kisha fituar një bursë studimi për të bërë shkëmbimin kulturor në Argjentinë, për të cilin kisha ëndërruar gjithmonë, nuk e kisha përfytyruar kurrë se do të ishte fillimi i një ndryshimi kaq të madh në jetën time.

Mbërrita në Rozario, në Argjentinë, ku jetova me një familje që ishte anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Dhe kështu fillova një vit me aventura shpirtërore, duke folur me misionarët dhe duke marrë pjesë në seminar dhe institut. Dëshiroja të dija gjithçka dhe mund ta ndieja se ajo që po mësoja për ungjillin, po më bekonte në kaq shumë mënyra.

Brenda një kohe të shkurtër qeshë në gjendje të fitoja një dëshmi të fuqishme për vërtetësinë e doktrinave që po më mësonin: besim, dashuri, durim, dashuri hyjnore, mirëbesim dhe bindje ndaj urdhërimeve të Zotit, të cilat Ai na i ka dhënë që të na mbrojë nga dhembja.

Ai nuk dëshiron që ne të kalojmë dhembje pa qëllim. Ai na do kaq shumë dhe Ai dëshiron shumë që të na e vërtetojë këtë. Por nganjëherë, prej vetë zgjedhjeve tona, ne e mbyllim atë derë, e ndajmë veten prej Tij dhe pastaj është në dorën tonë. Atëherë ne duhet ta ndërmarrim atë hap të parë drejt rigjetjes së paqes në zemrën tonë. Kjo është diçka që do ta përjetoja vetë.

Pas muajsh mësimi, mësimesh të misionarëve dhe orësh mësimore, e përjetova kundërshtinë në një nga format e saj më të dhembshme – kundërshti që të vë përballë me ndjenjat e së kaluarës, të tundon të marrësh vendime jo të duhura në të tashmen dhe përpiqet të të shkatërrojë të ardhmen për të cilën ke ëndërruar gjithmonë. Mësova se pikëllimi nganjëherë (dhe shumë herë) vjen nga ku nuk e prisje kurrë.

Të qenit e denjë dhe e virtytshme në mendime dhe në veprime ishte dukur gjithmonë pjesë e asaj që isha, deri në atë kohë. E dija se gjërat që isha gati të bëja, nuk ishin të drejta, që njerëzit të cilëve iu mirëbesoja dikur, ishin gati të dilnin nga rruga dhe se unë tashmë kisha filluar të krijoja vërtet një largësi mes meje dhe Atit tim Qiellor. E dija se tani ishte koha kur më nevojitej të zgjidhja a do ta vazhdoja këtë apo do t’i mbaja vlerat që i kisha respektuar gjithmonë. Kështu që m’u desh të gjeja brenda meje atë forcë që më tha se nuk mund t’i shkatërroja kaq lehtë këto ëndrra. Nuk mund ta shkatërroja shpresën time për një familje të përjetshme dhe një bashkëshort të dashur. Diçka në jetën time ishte e gabuar dhe e dija që duhej ndryshuar.

Ajo ndjenjë, së bashku me dëshminë e re që kishte filluar të lulëzonte në zemrën time, si dhe engjëjt e vërtetë në jetën time që ishin gjithmonë atje për të më ndihmuar, më shpëtuan që të mos humbja dhe më bënë sërish aq të fortë saqë munda të zgjidhja në kohën e duhur që të kthehesha drejt Zotit. Dhe e di që Ai gjithmonë ishte atje, duke më bekuar në përpjekjet e mia për ta dëgjuar zërin e Tij dhe për të mbetur e denjë për bekime të përjetshme.

Kur mendoj tani për atë kohë që kalova, mendoj për guximin falë të cilit nuk u dorëzova, guximin falë të cilit i kisha shfaqur gjithmonë vlerat e mia dhe për besimin që pata dhe që e kam ende.

Edhe pse koha e pendimit që vijoi, ishte një kohë dhembjeje, e dallimit të ndjenjave dhe çasteve të gabuara dhe e përulësisë, jam kaq mirënjohëse për të – dhe do të jem gjithmonë. Jam mirënjohëse për faktin që, në kohën e duhur, munda ta ndiej që Ati im Qiellor më kishte falur, që Ai vazhdon të më dojë dhe që do ta bëjë gjithmonë.

Pjesa që më kushtoi më së shumti, ishte të mësoja ta falja veten. Më kujtohet se si ndihesha, e padenjë dhe pa bukuri, as së jashtmi e as së brendshmi. Por Shpëtimtari im ishte gjithmonë atje, duke më dhënë forcë dhe frymëzim. Ai vendosi njerëzit e duhur në shtegun tim, të cilët më ndihmuan të mësoja edhe më shumë për Kishën, që kur u ktheva në Belgjikë. Ata më deshën për atë që jam dhe më ndihmuan ta doja veten sërish dhe ta dalloja që kjo përvojë nuk kishte pse të ishte një dhembje që e mbaj përgjithmonë në çantën e shpinës të jetës sime. Mund ta kuptoja se pata mundësinë të zgjidhja, të përjetoja se sa e fortë ishte tashmë dëshmia ime duke i mbrojtur vlerat e mia. Tani e kuptoj që, për shkak se punova për ta forcuar dëshminë time nëpërmjet kësaj përvoje, mund të jem një bekim në jetën e kaq shumë njerëzve, pranë dhe larg.

Mos kini frikë! Mos hiqni dorë kurrë dhe gjithmonë mbrojini vlerat tuaja! Gjithmonë mbajeni në mendje se sa bukur është dhe çfarë bekimi është ta shpërndash atë dashuri për Shpëtimtarin dhe ta kesh dashurinë e Tij të pastër si themel mbi të cilin të ndërtosh një marrëdhënie dhe një familje të ardhshme. Nëse zgjidhni të jeni i/e bindur dhe e zgjidhni Atin Qiellor në të gjitha gjërat, herët a vonë, bekimet e përjetshme do të vijnë. Mos u shqetësoni nëse nuk mund t’i shihni tani, por kini mirëbesim se çdo ditë, pak më shumë, ju do ta shihni dorën e Zotit në jetën tuaj. Pranvera do të nisë në zemrën tonë dhe lule të përjetshme do të fillojnë të lulëzojnë.

U pagëzova më 16 mars 2019 në lagjen time në Belgjikë dhe jam kaq e lumtur që e kam ndërmarrë këtë hap të parë në udhën time drejt përjetësisë. Po, do të has më shumë sfida përgjatë udhës – të gjithë do të hasim – por me dëshminë time në zemër, jam gati të përballem me to, meqë e di se Cilin të zgjedh.