Fëmijët dhe Rinia:Një Përqendrim për Jetën e Përditshme
Mund të jesh befasuar që [nisma] Fëmijët dhe Rinia nuk përfshin një listë të plotë e të hollësishme të çdo synimi që duhet të kesh. Ti tashmë je duke bërë kaq shumë gjëra të hatashme! Ndaj, kjo qasje e individualizuar u krijua që të të ndihmojë t’i afrohesh më shumë Shpëtimtarit në mënyra që frymëzohen nga nevojat dhe interesat e tua individuale.
Qëllimi kryesor i nismës Fëmijët dhe Rinia është që të të ndihmojë ta forcosh besimin tënd te Jezu Krishti. Lluka 2:52 na mëson se në rininë e Tij, Jezu Krishti “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”. Ai jetoi një jetë të baraspeshuar dhe ashtu mundesh edhe ti. Duke u përqendruar tek aspektet shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale të jetës tënde, ti mund të bëhesh më shumë si Shpëtimtari.
Si Funksionon Kjo
[Nisma] Fëmijët dhe Rinia të nxit që të rritesh nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale duke të përfshirë në të mësuarit e ungjillit, shërbimin dhe aktivitetet si dhe zhvillimin vetjak.
Të Mësuarit e Ungjillit
Ashtu si Shpëtimtari “rritej në dituri” (Lluka 2:52), ti mund ta shtosh njohurinë dhe kuptueshmërinë tënde për ungjillin. Çdo parim i ungjillit që mëson, do të të ndihmojë të dish se si Shpëtimtari mund të të forcojë dhe bekojë në të gjitha fushat e jetës tënde.
Ne kemi shumë burime që mund t’i përdorim për të mësuar më shumë rreth parimeve të ungjillit dhe të bërit si Shpëtimtari. Për shembull, lutja, studimi i shkrimeve të shenjta dhe Shpirti përbëjnë themelin. Familja dhe udhëheqësit e tu të Kishës mund të të ndihmojnë të mësosh më shumë rreth Shpëtimtarit. Programi mësimor Eja, Më Ndiq dhe seminari mund të të ndihmojnë për të të udhëzuar në studimin tënd. Ndërsa i përdor burimet e tua për të mësuar rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, marrëdhënia jote me Të do të përmirësohet.
Shërbimi dhe Aktivitetet
Shërbimi ndaj të tjerëve është një nga gjërat kryesore që bëri Shpëtimtari ndërsa ishte në tokë. Duke gjetur mënyra të thjeshta dhe të natyrshme për t’i ndihmuar njerëzit në familjen dhe komunitetin tënd, ti po ndjek shembullin e Tij dhe po zotohesh për t’u bërë më shumë si Ai.
Aktivitetet domethënëse në grup mund të të ndihmojnë ty dhe të rinjtë e të rejat e tjera që të gjeni mënyra për t’u shërbyer të tjerëve si dhe të rriteni shpirtërisht së bashku. Aktivitetet argëtuese, lartësuese janë të shëndetshme. Dhe kur mblidhesh së bashku si një grup të rinjsh, shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme, ti shpesh mund të mësosh dhe të arrish më shumë sesa mund të arrish i/e vetëm/me.
Zhvillimi Vetjak
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të kanë thellësisht përzemër ty dhe njeriun që po bëhesh. Ndërsa vë synime që të arrish të jesh njeriu që Ati Qiellor dëshiron që ti të bëhesh, ti mund t’i afrohesh më shumë Atij dhe Birit të Tij.
Gjithkush është unik, ndaj synimet e tua për t’u përmirësuar personalisht duhet të përshtaten me nevojat e tua. Për shembull, nëse dëshiron të mësosh që të luash himne në piano, ti mund të vësh një synim për t’u ushtruar përditë. Nëse dëshiron që të përmirësohesh në studimin e shkrimeve të shenjta, ti mund të gjesh një kohë të caktuar çdo ditë për të lexuar. Kërkoje udhërrëfimin e Shpirtit që të vish me një plan që do të funksionojë më mirë për ty.
Nisma Fëmijët dhe Rinia Është për TY
Personi që përfiton më shumë je ti! Ndërsa vendos synimet e tua vetjake për ta studiuar dhe jetuar ungjillin, merr pjesë në shërbime dhe aktivitete dhe zhvillohesh personalisht, ti do të mësosh më shumë për veten dhe se kush je në të vërtetë. Puna për t’u bërë një dishepull/e i/e Jezu Krishtit mund të jetë sfiduese, por është synimi më shpërblyes që mund të vendosim për veten.
Motrat Binjake e Vënë në Zbatim Nismën Fëmijët dhe Rinia
Të rinjtë dhe të rejat si ty tashmë kanë filluar t’i shohin bekimet e përpjekjes së fortë për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti në jetën e tyre të përditshme. Danika dhe Natasha R., 15 vjeçe, nga Ohajo, SHBA–ja, janë motra binjake që vendosën ta bënin pikërisht këtë. Babai i tyre është nga Tajlanda dhe ngaqë ndonjëherë e vizitojnë familjen atje, Danika dhe Natasha vendosën se donin të mësonin më shumë për ushqimin dhe gjuhën tajlandeze.
Danika vuri një synim që të mësonte të gatuante disa receta supe tajlandeze. Ajo bleu përbërësit dhe i ushtroi teknikat e reja të gatimit me babanë e vet. Natasha dëshironte të mësonte që të komunikonte me familjen e saj në Tajlandë, ndaj vendosi një synim që të mësonte një fjalë të re në tajlandisht çdo ditë. Ajo përdori një faqe interneti që ta ndihmonte me studimin e gjuhës dhe u ushtrua për shqiptimin e fjalëve me babanë e vet.
Ndërsa Danika dhe Natasha punuan me synimet e tyre, ato dëshironin t’ua tregonin ato që mësuan të rejave të tjera në lagjen e tyre. Udhëheqëset e tyre i ndihmuan të organizonin një aktivitet për të mësuar më shumë për Tajlandën. Në aktivitet, Danika gatoi supë për këdo ndërsa Natasha u mësoi atyre disa fjalë tajlandisht.
Motrat përfshinë edhe shoqen e tyre, Grejsin, në aktivitet. Grejsi kishte një synim vetjak që të përmirësohej në fjalimet publike, ndaj bëri një paraqitje mbi mënyrën se si t’i përdornin shkopinjtë që të mund të hanin supën e tyre!
Nga vënia në praktikë e synimeve të veta dhe nga puna me udhëheqëset e tyre dhe të reja të tjera, Danika dhe Natasha ishin në gjendje të planifikonin një mbrëmje argëtuese që të kënaqeshin me shoqet e tyre.
Bekimet e Pjesëmarrjes te Nisma Fëmijët dhe Rinia
Danika dhe Natasha tregojnë se kanë marrë shumë bekime nga përpjekja e fortë për të mësuar më shumë për trashëgiminë e tyre dhe për ta kremtuar atë me familjen e tyre dhe të reja të tjera. Përvojat e tyre nuk ishin pa sfida. Natasha shpjegon: “Unë isha në shkollë ndërsa po mësoja tajlandisht, ndaj ndonjëherë ishte e vështirë të gjeja kohë për ta bërë atë”. Danika shton: “Në aktivitet, pata pak probleme për ta bërë vetë supën duke qenë se babai im nuk ishte atje”. Por të dyja motrat janë dakord që në fund ia vlejti.
Danika thotë: “Më pëlqen që arrita të kaloja kohë me babanë dhe kjo më ndihmoi të ndihem më afër familjes sime”. Ajo gjithashtu shpjegon: “Vënia dhe mbajtja e synimeve të mia vetjake më ndihmuan të vija më afër Jezu Krishtit duke më dhënë një vështrim të qartë për të ndihmuar veten dhe të tjerët. Në vend që të sillesha rrotull pa e vrarë mendjen për net të tëra, unë duhej të vija synime që t’i ndiqja dhe t’i zbatoja, dhe kjo më dha më shumë kohë për të menduar për Krishtin.”
Natasha thotë se vënia dhe zbatimi i synimit të saj “vërtet më bëri të mendoja thellësisht për atë që kisha nevojë dhe dëshiroja të bëja për t’u afruar më shumë me Krishtin”. Ajo gjithashtu vëren se edhe pse e kishte zhvendosur vëmendjen te një synim i ri, ishte e frymëzuar që të vazhdonte të mësonte tajlandisht: “Synimi im fillestar ishte të mësoja tajlandisht që të mund të flas me familjen time në Tajlandë, ndaj dëshiroj të vazhdoj të mësoj tajlandisht që të mund të flas me ta”.
Qasja e baraspeshuar e Danikës dhe Natashës për zhvillimin e tyre vetjak, i ndihmoi ato të mësonin më shumë për kulturën e babit të tyre, të argëtoheshin me shoqet dhe të afroheshin më tepër me familjen dhe Shpëtimtarin e tyre – dhe ky është i gjithë qëllimi i nismës Fëmijët dhe Rinia.
Pjesëmarrja juaj në nismën Fëmijët dhe Rinia mund t’ju ndihmojë edhe të ndërtoni marrëdhënie me familjen tuaj, të rinj e të reja dhe anëtarë të tjerë të lagjes dhe veçanërisht me Shpëtimtarin ndërsa përqendroheni te mënyra se si të bëheni më të mirë.