2020
Një Kapitull i Ri i Madhërishëm
Janar 2020


Një Kapitull i Ri i Madhërishëm

chapter of life

Ilustrim nga Carolyn Vibbert

E mbylla një kapitull në jetën time kur u bëra e ve në tetor 2010. Në atë kohë, po punoja si mësuese kopshti në jugun e Francës. Një aksident në punë ma kufizoi aftësinë time për të lëvizur dhe u acarova që nuk munda ta rifitoja shpejt shëndetin dhe forcën time. Kisha shijuar një jetë shpërblyese në profesion për 11 vjet. E doja punën time. Kisha shumë shokë e shoqe. Por nuk mund t’i përmbushja më kërkesat e vendit tim të punës.

Duhet ta pranoj që, pas më shumë se 33 vjetësh që e ushtroja Fjalën e Urtësisë, vrava mendjen se përse nuk isha në gjendje të “vrapoj[a] e [mos] të lodhe[sha]” ose “të ec[ja] e [mos] të këpute[sha]” (shih Doktrina e Besëlidhje 89:20). Së fundi, m’u desh të dilja në pension më herët nga sa e prisja, duke mbyllur një tjetër kapitull në jetën time.

Po jetoja bashkë me bijën time, kur ajo mori njoftim se puna e saj po e transferonte në zonën e Parisit. Vendosa se duhej të shkoja me të dhe të hapja një kapitull të ri në jetën time, në një vend të ri.

Pak kohë pasi mbërritëm, që të dyja u thirrëm të punonim në Tempullin e Parisit në Francë. Thirrja ime për të shërbyer në tempull ma vërtetoi se isha në vendin e duhur në kohën e duhur sepse Zoti më kishte sjellë këtu. Kam gjetur shumë gëzim duke shërbyer rregullisht në shtëpinë e Zotit dhe është fantastike të kem çaste të përbashkëta në tempull me bijën time. Kjo ma mbush zemrën me gëzim!

Sot, e shoh bekimin e madh që në fillim ishte fshehur pas një pikëllimi. Të kisha aftësi më të zvogëluara në lëvizje, pamundësi që ta ushtroja profesionin tim dhe të isha e detyruar të dilja në pension më herët, ishte e vështirë. Por e di se Zoti ynë Jezu Krishti më ka mbartur. Ai më ka ndihmuar ta ngadalësoj ritmin dhe të gjej pushim, shpresë e paqe që janë tani një pjesë kaq e madhe e jetës sime.

Çdo herë që eci përmes dyerve të tempullit, e ndiej Frymën e Shenjtë. Në kohë të vështira, me kaq shumë trysni nga bota mbi ne, është e mrekullueshme ta dish që Zoti na ka dhënë vende të shenjta ku çdo gjë është e rregullt dhe e bukur. Ndiej mirënjohje të pamasë për këtë kapitull të ri të jetës sime të shërbimit në tempull. Është e madhërishme!