Mendoj se ndonjëherë është e lehtë për të rinjtë në moshë madhore që të besojnë se pendimi është një gjë frikësuese. Është e vërtetë që mund të jetë frikësuese ta pranojmë atë që kemi bërë, nëse druajmë se kjo nënkupton humbjen e dashurisë nga njerëzit që kemi përzemër ose nga Ati ynë Qiellor. Me këtë pikëpamje për pendimin, ne mund të tundohemi të rrëfejmë “vetëm aq sa duhet” për ta kaluar atë që e mendojmë si një provë që të vazhdojmë te niveli tjetër. Megjithatë, kam mësuar nëpërmjet përvojave të mia se pendimi i vërtetë nuk është kështu. Pendimi nuk është përherë i rehatshëm, por nëse e kuptojmë se sa shumë na do Zoti dhe sa dëshiron të na ndihmojë, frika shkrihet ndërsa e ushtrojmë besimin tonë tek aftësia e Tij për të na bërë të pastër. Kam mësuar se ndërsa e ushtroj besimin tim te Krishti nëpërmjet pendimit, gabimet e mia të së shkuarës nuk kanë përse ta përcaktojnë të tashmen ose të ardhmen time (lexoni më shumë tek artikulli im në faqen 44).
Tek artikujt që janë vetëm në format elektronik, Evita vë në dukje se pendimi i vërtetë na sjell mirënjohje për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij dhe na jep forcë për t’i bërë ballë tundimit në të ardhmen. Lea shton se nuk kemi as përse të presim sakramentin të dielën – kthimi te Zoti nëpërmjet pendimit çdo ditë na jep fuqi për t’i hequr edhe zakonet e vogla që na largojnë prej Tij. Dhe nëse vërtet bëjmë gabime të rënda, Xhori tregon se procesi i pendimit mund të na mësojë për dashurinë e Shpëtimtarit për secilin prej nesh.
Pendimi është një dhuratë për të cilën jam mirënjohës që e kam në jetën time. Perëndia e di se jemi njerëzorë dhe se ndonjëherë bëjmë zgjedhje të pamenda. Sado të papërsosur të jemi, për ne ka shpresë. Nëse e vëmë mirëbesimin tonë te Shpëtimtari, Ai do të ecë me ne në rrugën për t’u kthyer tek Ati ynë në Qiell – sado kohë të na duhet.