Batbajari dhe Libri me Figura
Ishte një ditë me erë në Mongoli. Batbajari nëntëvjeçar, po shkonte për në shtëpi pas shkolle nga stacioni i autobusit. E mbërtheu pallton fort nga era. Fatmirësisht, nuk ishte larg shtëpisë së gjyshërve nga ana e nënës, ku edhe jetonte.
“Ç’kemi!” tha Batbajari ndërsa hyri brenda.
“Mirë se erdhe në shtëpi”, tha gjyshja. “Bëra pak khuushuur për vaktin e zemrës.”
“Faleminderit!” Batbajari u zgjat të merrte një nga pitet e ngrohta dhe pikante me mish.
“Prit! Mos ha asnjë derisa të vijnë misionaret”, tha gjyshi. “Ato do të vijnë nga çasti në çast.”
Batbajarit i pëlqente shumë kur misionaret e kishës [ku shkonte] gjyshi dhe gjyshja vinin për t’i vizituar. Ai gjithmonë mësonte shumë prej tyre. Por kishte vetëm një problem.
“A do të më kërkojnë të lexoj sërish nga Libri i Mormonit?” pyeti Batbajari. “E kam të vështirë të lexoj.”
“Për këtë arsye ato po të sjellin një libër tjetër sot”, tha gjyshja.
“Çfarë libri?” tha Batbajari.
“Do ta shohësh”, tha gjyshi.
Pas pak erdhën misionaret. Ata i hëngrën së bashku pitet e shijshme me mish të gjyshes. Pastaj Batbajari tha: “Gjyshja thotë se më keni sjellë një libër”.
“Mendoj se ky libër do të të pëlqejë”, tha motra Haitc. “Ka shumë figura.”
Batbajari pa kapakun. Thuhej Tregime të Librit të Mormonit. Një figurë në kapak tregonte njerëz që po ndërtonin një anije.
“Më kujtohet kjo histori”, tha Batbajari. “Ky njeri nuk dinte se si të ndërtonte një anije. Ndaj u lut. Dhe Perëndia e ndihmoi.”
“Ashtu është”, tha motra Enktuja. “A do të përpiqesh ta lexosh këtë libër? Pastaj mund të lutesh që të dish a është e vërtetë ajo që mëson aty.”
“Do ta bëj”, premtoi Batbajari.
Atë natë ai lexoi një pjesë nga libri me figura. Lexoi tregimin me anijen. Pastaj u lut. Ai ra në gjumë duke menduar për njeriun që e ndërtoi anijen dhe se si Perëndia e ndihmoi atë.
Nga ajo kohë e tutje, çdo natë Batbajari lexonte një tregim. Pastaj lutej. Dhe çdo natë, binte në gjumë duke menduar për atë që lexonte.
Kur motrat misionare erdhën sërish, ato i mësuan Batbajarit më shumë për Jezu Krishtin. Batbajari mësoi për profetët. Mësoi për urdhërimet e Perëndisë. Ai vazhdonte të shkonte në kishë me gjyshen dhe gjyshin. Dhe ai vazhdonte të lexonte dhe të lutej.
Një ditë Batbajari kishte diçka të rëndësishme për t’u treguar gjyshërve. “Kur i lexoj tregimet në librin me figura, më ngrohet zemra”, tha ai. “Kur lutem, e ndiej se ato janë të vërteta. Mendoj se duhet të pagëzohem.”
Sot, Batbajari është anëtar i Kishës. Ai është përmirësuar shumë në lexim. Dhe ende e lexon Librin e Mormonit çdo natë!