A do ta Kuptonte Ai?
Në vitin 2005, linda parakohe trinjakë: Milenën, Mateon dhe Nelsonin. Milena u lind e shëndetshme, por dy djemtë e vegjël vuajtën nga ndërlikime. Mateoja vdiq për shkak të këtyre ndërlikimeve tre muaj pasi u lind.
Një muaj pasi e humbëm Mateon, Nelsonit i përcaktuan si diagnozë paralizë cerebrale dhe shurdhëri. U rrënuam [shpirtërisht]. Mjekët na thanë se ai nuk do të ecte kurrë. Në atë çast, ishim mirënjohës për njohurinë tonë për ungjillin e Jezu Krishtit. Ai na ndihmoi ta kuptonim se përse përjetojmë fatkeqësi në këtë jetë.
Nëpërmjet besimit dhe punës së vështirë, Nelsoni mësoi të ecë dhe të komunikojë me anë të gjuhës së shenjave. Ai ka arritur rezultate shumë më të mira nga sa parashikuan ndonjëherë mjekët e tij. Ai është rritur i lumtur në familjen tonë dhe në ungjill.
Me gjithë kufizimet e tij, ne kemi pasur disa synime për Nelsonin: që ai ta kuptonte domethënien e pagëzimit përpara se të pagëzohej, që ai ta merrte Priftërinë Aarone në moshën 12 vjeç dhe që ai të shkonte në tempull për të bërë pagëzime për të vdekurit.
Në vitin 2017, Nelsoni mbushi 12 vjeç. Ne e ndihmuam të përgatitej që të bënte pagëzime për të vdekurit. Qe një sfidë që ai ta kuptonte se ata që kanë vdekur pa pagëzim, kanë nevojë për ndihmën tonë. Shpejt pas ditëlindjes së Nelsonit, ai, Milena, vëllai e motra e tij më të mëdhenj, Franko dhe Brenda, si dhe të rinj e të reja të tjerë nga lagjja jonë, shkuan në Tempullin e Kordovës në Argjentinë. Presidenti i tempullit i përshëndeti ata dhe u foli për rëndësinë e pagëzimit me mëkëmbës. Unë u ula me Nelsonin dhe ia përktheva në gjuhën e shenjave. Pa kaluar shumë kohë, ishte radha e tij. Kur ai hyri në vaskën e pagëzimit, ne vramë mendjen, a do ta kuptonte vërtet?
Teksa hyri në ujë, Nelsoni u emocionua. Në atë çast, Fryma e Shenjtë na e shfaqi se ai vërtet e kuptoi se po bënte diçka për paraardhësit e tij të vdekur që ata nuk mund ta bënin për veten. E dinim që ai e kuptoi se pjesëtarët e familjes në anën tjetër të velit ishin të lumtur që ai po i ndihmonte. Shpirti na e shfaqi gjithashtu që Mateoja ishte atje për t’i shoqëruar vëllanë dhe motrën e tij. Kur Nelsoni doli nga uji, ai ishte shumë i lumtur.
Që atëherë, Nelsoni është pagëzuar e konfirmuar për shumë pjesëtarë të familjes, përfshirë babanë tim që ndërroi jetë në vitin 2016. Ne e duam shumë tempullin. Shërbimi atje është bërë një nga traditat tona familjare. Sa herë që shkojmë, e kujtojmë atë ditë të veçantë.