2020
Mënyra se si Libri i Mormonit i Hapi Qiejt për Mua
Janar 2020


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë në Moshë Madhore

Mënyra se si Libri i Mormonit i Hapi Qiejt për Mua

Teksa e studiojmë Librin e Mormonit këtë vit, dëshiroj të tregoj se unë e kam një dëshmi për fuqinë dhe ndikimin që ai mund të ketë në jetën tuaj.

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Kam pasur një dëshmi për Librin e Mormonit që herën e parë kur e lexova, kur isha më e re në moshë. Por vërtet, “studimi” im i shkrimeve të shenjta në muajt përpara konferencës së përgjithshme të tetorit 2018, ishte më tepër si një cekje rastësore. Kështu që, kur Presidenti Nelson u bëri sfidë grave të Kishës që ta lexonin Librin e Mormonit brenda fundit të vitit, dukej pikërisht si ftesa që më nevojitej.

Ftesa e tij erdhi bashkë me disa premtime të fuqishme gjithashtu. Ai tha: “Teksa studioni plot lutje, ju premtoj se qiejt do të hapen për ju” (“Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit”, Liahona, nëntor 2018, f. 69).

Teksa dëgjova, u emocionova që të rizotohesha ndaj librit që kisha arritur ta doja kaq shumë, dhe mezi po prisja që qiejt të hapeshin për mua.

Dhe ato u hapën. Në aq shumë mënyra. Pasi e përfundova këtë sfidë për Librin e Mormonit, kalova kohë duke përsiatur për përvojën që pata dhe kam ende. Jam e mrekulluar nga ajo që mësova, si u ndjeva dhe njeriu që po bëhem duke studiuar faqet e tij të frymëzuara.

Ajo që Mësova

Teksa e lexova Librin e Mormonit me një ritëm më të shpejtë nga sa jam mësuar, tregimi vërtet u bë i gjallë. Ndjeva kaq shumë lidhje me ata njerëz dëshmitë dhe përvojat e të cilëve e përbëjnë këtë libër.

Nga vëllai i Nefit, Sami, mësova se drejtësia e heshtur është fisnike. Nga Alma mësova që të mos heq dorë kurrë nga besimin tim. Nga biri i tij, që nuk është kurrë tepër vonë për t’iu qasur Krishtit dhe për të përjetuar fuqinë pastruese të Shlyerjes së Tij të pafundme (shih Mosia 27; Alma 36). Ati i mbretit Lamoni më frymëzoi të bëj më shumë sakrifica për Perëndinë (shih Alma 22:15, 18). Pahorani më mësoi të jem e qetë dhe si Krishti kur ndiej se më kanë keqkuptuar (shih Alma 61). Nga vëllai i Jaredit mësova që, ndërkohë që veprimi nga ana jonë është thelbësor, kjo nuk mjafton; ne kemi nevojë për ndihmën dhe fuqinë aftësuese të Krishtit (shih Ethëri 2–3). Nga Moroni mësova që ndonëse mund të ndihemi vetëm, në të vërtetë nuk jemi kurrë vetëm (shih Mormoni 8:3, 5).

Mësova ta pyet Zotin shpesh, të lutem me ngulm dhe me besim. Mësova rëndësinë që ka mbajtja e dokumenteve, dhënia e dëshmisë dhe mënyra e duhur për t’u penduar. Mësova se Perëndia kujdeset, se Krishti është i mëshirshëm dhe se Ata janë një në qëllim.

Mësova se “ushq[yerja] me bollëk me fjalët e Krishtit” (2 Nefi 32:3) më jep drejtimin që më nevojitet për jetën time.

Mësova, sërish, se Jozef Smithi nuk e shkroi – dhe nuk mund ta shkruante – këtë libër.

Si u Ndjeva

A ishte rastësi që e lexova psalmin e Nefit (2 Nefi 4) në një ditë kur ndihesha e mbërthyer nga papërshtatshmëritë dhe dobësitë e mia? Natyrisht që jo. A ishte një rastisje fatlume që e hasa shpalljen e mbretit Limhi: “O, sa të mrekullueshme janë veprat e Zotit dhe sa gjatë ai vuan me këtë popull” (Mosia 8.20) kur ndihesha e vetme në sprovat e mia? Jo! Me Perëndinë nuk ka rastësi, vetëm mëshira të dhembshura të harmonizuara përsosurisht dhe unë isha ajo që mora shumë prej tyre teksa lexova. Unë vërtet e ndjeva dashurinë e Atit Qiellor për mua dhe një ndjesi të pakrahasueshme paqeje teksa u zhyta në Librin e Mormonit.

Ishte fuqia shëruese e Shpëtimtarit që e ndjeva më së shumti gjatë leximit tim të Librit të Mormonit. Varg pas vargu dëshmohet për hirin, mëshirën, dhembshurinë dhe dashurinë e pafundme të Tij. Teksa lexova për Jezu Krishtin, u ndjeva e pushtuar nga mirënjohja për flijimin e Tij. Një nga mrekullitë më të mëdha që përjetova teksa lexoja, ishte ndjenja e faljes së plotë për një varg zgjedhjesh të dobëta të bëra vite më parë. U ndjeva sikur Shpëtimtari po më fliste drejtpërsëdrejti teksa lexoja. Në zemër ndjeva fjalët: Është koha për të shkuar më tej. Krishti po më jepte me plot kuptimin e fjalës, shërimin që më nevojitej.

Edhe pse unë nuk e pashë Krishtin e ringjallur siç e panë nefitët (shih 3 Nefi 11), e ndjeva praninë e Tij në jetën time teksa lexova për Të në Librin e Mormonit. Ai vërtet e kupton secilin prej nesh dhe sfidat tona të pashoqe dhe Ai e ka fuqinë që të na shpëtojë, ngushëllojë dhe shërojë.

Cila po Bëhem

Teksa zhytem përditë në Librin e Mormonit, jam më e duruar, më e dhembshur, më mirënjohëse dhe më optimiste. Prirem të jem më pak egoiste dhe më pak e shqetësuar për gjërat e botës.

Për shkak të Librit të Mormonit dhe Shpirtit që ai sjell në jetën time, jam një nënë, bashkëshorte, bijë dhe mike më e mirë. Jam një dishepulle më e zotuar e Jezu Krishtit.

Si mundet që një libër t’i ketë të gjitha përgjigjet? Si mundet që një libër të përmbushë kaq shumë?

Vetëm një libër i hartuar nga Perëndia e ka atë lloj fuqie. Dhe unë e di që është vërtet nga Perëndia.

Pikërisht ashtu si premtoi Presidenti Nelson, qiejt vërtet që u hapën për mua, në më shumë mënyra nga sa mund ta kisha përfytyruar ndonjëherë. Kështu që unë do të vazhdoj ta lexoj dhe studioj Librin e Mormonit. Do të vazhdoj të kërkoj në faqet e tij dhe ta gjej Krishtin atje, sepse ky libër vërtet është i gjithi për .