Kapitulli 10
Kërkimi Ynë për të Vërtetën
“Është një kërkesë që na bëhet, si anëtarë të kësaj Kishe, për të njohur mirë atë që Zoti ka zbuluar, që ne të mos çohemi në udhë të gabuar. … Si do të ecim ne në të vërtetën, në qoftë se nuk e dimë atë?”
Nga Jeta e Jozef Filding Smithit
Kur Jozef Filding Smithi ishte tetë vjeç, babai i tij i dha një kopje të Librit të Mormonit dhe i kërkoi atij ta lexonte. “Unë e mora këtë anal nefit me falënderim”, tregoi ai më vonë, “dhe iu vura detyrës që më ishte caktuar mua.” Dashuria e tij për librin e nxiti atë t’i bënte shpejt punët e tij të përditshme dhe nganjëherë edhe t’i linte ndeshjet e bejsbollit para se të mbaronin, me qëllim që të mund të gjente vende të qeta për të lexuar. Në më pak se dy vjet pas marrjes së dhuratës nga i ati, ai e lexoi librin dy herë. Për atë studim të hershëm, ai më vonë tha: “Ka pjesë të caktuara që më janë rrënjosur në mendjen time dhe nuk i kam harruar kurrë ato”1. Ai gjithashtu lexoi libra të tjerë. “Unë lexoja librat që u përgatitën për fëmijët e Fillores dhe për fëmijët e Shkollës së të Dielës në ato ditë në hershme”, tha ai, “dhe zakonisht pata një libër në duart e mia kur isha në shtëpi. … Më vonë lexova Historinë e Kishës siç u shënua në Millennial Star [Ylli i Mijëvjeçarit]. Lexova edhe Biblën, Librin e Mormonit, Perlën me Vlerë të Madhe, Doktrina e Besëlidhje dhe literaturë tjetër që më ra në dorë.”2
Presidenti Smith e ruajti etjen e tij për diturinë e ungjillit gjatë gjithë jetës së tij. Kur mësoi vetë të vërtetat e ungjillit, ai u foli të tjerëve për to dhe, kur ishte e nevojshme, i mbrojti ato. Tre vjet pasi u shugurua apostull, ai mori një bekim priftërie që përfshiu këshillën e mëposhtme: “Ti je bekuar me aftësinë për të kuptuar, për të analizuar dhe mbrojtur parimet e së vërtetës më tepër se shumë prej miqve të tu dhe koha do të vijë kur provat e grumbulluara, që ti i ke mbledhur, do të qëndrojnë si një mur mbrojtjeje ndaj atyre që po kërkojnë dhe do të kërkojnë t’i shkatërrojnë provat e hynisë së misionit të Profetit Jozef; dhe në këtë mbrojtje, ti nuk do të ngatërrohesh kurrë dhe drita e Shpirtit do t’i derdhë rrezet e tij mbi zemrën tënde, me po aq butësi sa edhe vesat që bien nga qielli dhe ai do të shpalosë në të kuptuarin tënd shumë të vërteta lidhur me këtë punë”3. Ai jetoi me vërtetësi ndaj këtyre fjalëve profetike. Si një dijetar, mësues dhe shkrues i ungjillit, ai punoi me zell për t’i shpjeguar dhe mbrojtur doktrinat e ungjillit. Presidenti Hiber J. Grant njëherë e thirri atë “burri më i ditur për shkrimet e shenjta” mes të gjithë Autoriteteve të Përgjithshme.4
Pranë fundit të jetës së tij, Presidenti Smith shpesh mendoi thellë rreth bekimeve që kishte marrë nëpërmjet studimit të tij të ungjillit:
“Gjithë jetën time i kam studiuar parimet e ungjillit dhe kam medituar për to dhe jam përpjekur t’i jetoj ligjet e Zoti. Si rrjedhojë, më ka hyrë në zemër një dashuri e madhe për të dhe për punën e tij dhe për gjithë ata që kërkojnë t’i çojnë më tej qëllimet e tij në tokë.”5
“Gjatë gjithë ditëve të mia i kam studiuar shkrimet e shenjta dhe kam kërkuar udhërrëfimin e Shpirtit të Zotit për të arritur në një kuptueshmëri të domethënies së tyre të vërtetë. Zoti ka qenë i mirë me mua dhe unë gëzohem në dijen që ai më ka dhënë dhe në privilegjin që ka qenë dhe është i imi për t’ua mësuar të tjerëve parimet e tij shpëtuese.”6
Mësime të Jozef Filding Smithit
1
Ne duhet të kërkojmë të vërtetë në shumë fusha, por dija më e rëndësishme është dija e ungjillit.
Ne besojmë tek arsimimi. Si një popull ne gjithmonë e kemi kërkuar të mësuarin në çdo fushë dhe si Kishë kemi harxhuar shuma të mëdha dhe kemi bërë sakrifica mjaft të mëdha për t’i bërë mundësitë e arsimimit të vlefshme për anëtarët e Kishës. Dhe veçanërisht në këtë kohë kërkimi dhe zhvillimi shkencor. Ne mendojmë se të rinjtë tanë duhet të marrin sa më shumë arsimim dhe trajnim teknik që të jenë të nevojshëm në mënyrë të urtë.
Por mendojmë se ky kërkim i të mësuarit nga bota duhet të kalitet së bashku me një kërkim të të kuptuarit shpirtëror. Është më e rëndësishme, njëmijë herë më e rëndësishme, të kemi dije për Perëndinë dhe ligjet e tij, kështu që ne të mund të bëjmë gjërat që sjellin shpëtim, sesa është të kemi gjithë dijen botërore që mund të fitohet.7
Cilido duhet të mësojë diçka të re çdo ditë. Ju të gjithë keni mendje kureshtare dhe po kërkoni të vërtetën në shumë fusha. Me sinqeritet shpresoj që kërkimi juaj më i madh është në sferën e gjërave shpirtërore, sepse është atje që jemi të aftë të fitojmë shpëtim dhe të arrijmë përparimin që çon drejt jetes së përjetshme në mbretërinë e Atit tonë.
Dija më e rëndësishme në botë është dija e ungjillit. Është një dije e Perëndisë dhe e ligjeve të tij, e atyre gjërave që njerëzit duhet të bëjnë për të punuar për shpëtimin e tyre me frikë dhe duke u dridhur para Zotit [shih Filipianëve 2:12; Mormoni 9:27].8
Jo e gjithë e vërteta ka të njëjtën vlerë apo rëndësi. Disa të vërteta janë më të rëndësishme se të tjerat. E vërteta më e madhe, ose të vërtetat më të mëdha, ne i gjejmë në gjërat thelbësore të ungjillit të Jezu Krishtit. Para së gjithash, që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, Shëlbuesi i botës, i cili erdhi në këtë botë për të vdekur që njerëzit të mund të jetojnë. Atë të vërtetë duhet ta dimë. Është shumë më tepër e rëndësishme të dimë se Jezu Krishti është Shëlbuesi ynë, se ai na ka dhënë parimet e jetës së përjetshme, sesa është të dimë gjithçka që mund të fitohet nga arsimimi laik.9
Përsa u përket filozofisë dhe urtësisë së botës, ato nuk kanë asnjë lloj vlere, në qoftë se nuk pajtohen me fjalën e zbuluar të Perëndisë. Çdo doktrinë, qoftë ajo që vjen në emër të fesë, shkencës, filozofisë apo çfarëdo që mund të jetë ajo, nëse është në mosmarrëveshje me fjalën e zbuluar të Zotit, do të dështojë. Mund të duket bindëse. Mund t’ju jetë thënë në një gjuhë që ju tërheq dhe së cilës mund të mos jeni në gjendje t’i përgjigjeni. Mund të duket se është ngritur mbi prova që nuk mund t’i kundërshtoni, por gjithçka që keni nevojë të bëni është të prisni me durim. Koha do t’i sheshojë të gjitha gjërat. Ju do të mësoni se çdo doktrinë, çdo parim, pavarësisht se në ç’mënyrë mbizotëruese besohet, nëse nuk është në përputhje me fjalën hyjnore të Zotit, të dhënë shërbëtorëve të tij, do të shkatërrohet. As nuk është e nevojshme për ne të përpiqemi ta zgjasim fjalën e Zotit në një përpjekje të kotë, që ajo t’u përshtatet këtyre teorive dhe mësimeve. Fjala e Zotit nuk do të mbarojë e paplotësuar, por këto doktrina dhe teori të rreme do të dështojnë të gjitha. E vërteta, dhe vetëm e vërteta, do të mbetet kur gjithçka tjetër të jetë prishur.10
2
Zoti na ka urdhëruar të kërkojmë në shkrimet e shenjta.
Zoti i ka urdhëruar anëtarët e Kishës në këtë kohë ta kërkojnë atë me anë të lutjes, me anë të besimit dhe studimit. Ne jemi urdhëruar t’i studiojmë urdhërimet që ai na ka dhënë në Doktrina e Besëlidhje, në Librin e Mormonit dhe në të gjitha shkrimet e shenjta, me premtimin që “Çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje. Dhe në qoftë se një njeri fiton më shumë dije dhe inteligjencë në këtë jetë, nëpërmjet zellit dhe bindjes së tij, sesa një tjetër, ai do të ketë po aq më shumë përparësi në botën që vjen.” [DeB 130:18–19.] … Shpëtimtari u tha judenjve: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua”. [Gjoni 5:39.] Sa anëtarë të Kishës mendojnë në të njëjtën mënyrë, por dështojnë për ta përgatitur vetveten me anë të studimit dhe me anë të besimit?11
Më duket se një anëtar i kësaj Kishe nuk do të ishte në gjendje të prehej në paqe e rehati dhe të kishte një ndërgjegje të pastër, pa pasur dije me anë të studimit dhe me anë të besimit të veprave standarde të Kishës. Këto anale janë të paçmuar. Bota i përqesh ato, por nëpërmjet mësimeve të tyre ne lejohemi të vijmë më pranë Perëndisë, të fitojmë një kuptim më të mirë për Atin tonë Qiellor dhe Birin e tij, Jezu Krishtin, të njihemi më nga afër me ta dhe të dimë më shumë lidhur me planin e mrekullueshëm të shpëtimit të cilin ata na e kanë dhënë neve dhe botës.12
Profetë të lashtë, të cilët i panë kohët tona, kanë folur, jo në mënyrë të veçantë për përfitimin e njerëzve të kohës së tyre, por për përfitimin e njerëzve që jetojnë në kohët për të cilat flasin këto profeci.13
Unë ju them, vëllezërit dhe motrat e mia, ju nuk mund t’i zbatoni urdhërimet e Zotit dhe të ecni në drejtësi, në qoftë se nuk e dini se çfarë janë ato. Zoti na ka urdhëruar t’i hetojmë shkrimet e shenjta, sepse gjërat që ata përmbajnë, janë të vërteta dhe do të përmbushen [shih DeB 1:37]. … I hetoni shkrimet e shenjta; bëjeni veten tuaj ta dijë atë që Zoti ka zbuluar për shpëtimin tuaj, për shpëtimin e familjes suaj dhe të botës.14
3
Ne kemi një përgjegjësi të madhe për t’ia vënë veshin mesazhit të së vërtetës që Zoti po u zbulon tani shërbëtorëve të Tij.
Nëse do t’ua vëmë veshin fjalëve të Zotit e kërkojmë për veten tonë dhe fitojmë dije nga Libri i Mormonit, nga Bibla, nga Doktrina e Besëlidhje, nga Perla me Vlerë të Madhe dhe nga udhëzimi që na jepet herë pas here nga autoritetet e Kishës, dhe kërkojmë të bëjmë vullnetin e Zotit, duke i kujtuar lutjet tona dhe besëlidhjet tona para tij, ne vërtet nuk do të shkojmë në rrugë të shtrembër.15
Në Nenin e nëntë të Besimit ne shpallim se: “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë”. Kjo duke qenë e vërtetë, bëhet e nevojshme për ne që të kuptojmë gjithçka që Ai ka zbuluar dhe atë që Ai po zbulon tani; në të kundërt, ne nuk mbajmë lidhje me veprën e Tij dhe nuk mund ta dimë vullnetin e Tij për ne, sepse nuk e kuptojmë atë.16
Shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhet ta vendosin besimin e tyre tek udhëheqësit e tyre dhe t’i ndjekin mësimet e autoriteteve të Kishës, sepse ata u flasin atyre me zërin e profecisë dhe të frymëzimit. Zoti ka shpallur pikërisht në vetë seksionin e parë të Doktrina e Besëlidhjeve, se nëse ai flet me vetë zërin e tij apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të tij, është njësoj [shih DeB 1:38]. Si rrjedhim, ne kemi përgjegjësi dhe detyrim të madh për ta dëgjuar zërin e dikujt që qëndron në krye për t’i mësuar njerëzit, ose për ta dëgjuar zërin e pleqve të Izraelit, kur ata e çojnë mes njerëzve mesazhin e së vërtetës, sikurse jemi ne, [nëse] Zoti do të dërgonte nga prania e tij një engjëll apo do të zbriste vetë për të na i shpallur këto gjëra.17
4
Ne mund ta njohim të vërtetën e ungjillit me anë të studimit, besimit e bindjes dhe nëpërmjet udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë.
Do të ishte mirë nëse ne do ta ndiqnim këshillën që Zoti na ka dhënë, e cila është: “Dhe kushdo që e mbledh fjalën time si thesar, nuk do të mashtrohet”. [Joseph Smith—Mateu 1:37.] Mbledhja e fjalës së tij si thesar është shumë më tepër se thjesht leximi i saj. Për ta mbledhur si thesar një njeri jo vetëm duhet ta lexojë dhe studiojë, por duhet të kërkojë me përulësi dhe bindje që t’i bëjë urdhërimet e dhëna dhe të fitojë frymëzimin që Shpirti i Shenjtë do të japë.18
Ne nganjëherë dëgjojmë ankimin: “Nuk kam kohë”. Por ne të gjithë kemi kohë të lexojmë dhe të studiojmë që është detyra jonë solemne. A nuk mund ta rregullojmë që të gjejmë të paktën pesëmbëdhjetë minuta çdo ditë për t’ia përkushtuar leximit dhe reflektimit në mënyrë të rregullt? Kjo do të ishte veçse një sasi e papërfillshme kohe, por prapë se prapë do të ishte një orë e dyzet e pesë minuta në javë; shtatë orë e gjysmë në muaj me tridhjetë ditë dhe nëntëdhjetë e një orë e një çerek në vit. …
… Shumë pak mes nesh lexojnë shumë; shumica prej nesh lexon shumë pak. Zoti ka thënë: “Dhe ngaqë jo të gjithë kanë besim, kërkoni me zell dhe i mësoni njëri-tjetrit fjalë urtësie; po, kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”. [DeB 88:118; 109:7.]19
Prej nesh pritet të studiojmë dhe të mësojmë gjithçka mundemi me anë të kërkimit dhe analizimit. Por ka kufij të aftësive tona për të mësuar në fushat e arsyes dhe të studimit. Gjërat e Perëndisë mund të njihen vetëm përmes Shpirtit të Perëndisë. Ne duhet të fitojmë dije me anë të besimit.20
Njerëzit mund të kërkojnë, ata mund të studiojnë, ata mund të mësojnë, sigurisht, shumë tepër gjëra; ata mund të ngrenë një rezervë të madhe informacioni, por nuk do të jenë kurrë në gjendje të arrijnë te plotësia e së vërtetës … në qoftë se nuk udhëhiqen nga Shpirti i së vërtetës, Fryma e Shenjtë, dhe në qoftë se nuk i mbajnë urdhërimet e Perëndisë.21
Besimi i vërtetë, i shoqëruar nga shpirti i përulësisë, do t’i udhëheqë njerëzit te një dije e së vërtetës. Nuk ka asnjë arsye të mirë përse njerëzit kudo mund të mos e dinë të vërtetën, e cila i bën njerëzit të lirë. Nuk ka asnjë arsye të mirë përse gjithë njerëzit nuk mund ta zbulojnë dritën e së vërtetës dhe nuk mund të dinë nëse Zoti ka folur përsëri apo jo në këto ditë të mëvonshme. Pali shpalli se njerëzit duhet “që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh”. [Veprat e Apostujve 17:27.] Madje në mes të errësirës shpirtërore dhe mungesës së besimit, e cila mbulon gjithë tokën, krahu i Zotit nuk shkurtohet. Ai do ta dëgjojë lutjen më të zellshme të kërkuesit të ndershëm pas së vërtetës; dhe askush nuk nevojitet të ecë pa dijen e së vërtetës hyjnore dhe se ku ta gjejë Kishën e Jezu Krishtit. Gjithçka që i duhet një njeriu është besim i përulur dhe një shpirt i penduar me vendosmërinë për të ecur në dritë dhe Zoti do t’ia zbulojë atij atë.22
Ne të gjithë mund ta dimë të vërtetën; ne nuk jemi pa përkrahje. Zoti e ka bërë të mundur për çdo njeri ta dijë me anë të zbatimit të ligjeve të [Tij] dhe nëpërmjet udhëheqjes së Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili dërgohet me qëllim për të na mësuar kur ta zbatojmë ligjin, kështu që ne të mund ta dimë atë të vërtetë që na bën të lirë [shih Gjoni 8:32].23
5
Ndërsa e vendosim jetën tonë në harmoni me të vërtetën, Zoti e shton dritën dhe të kuptuarin tonë.
Është një kërkesë që bëhet prej nesh, si anëtarë të kësaj Kishe, për ta njohur mirë atë që Zoti ka zbuluar, që ne të mos çohemi në udhë të shtrembër. … Si do të ecim ne në të vërtetën, në qoftë se nuk e dimë atë?24
Synimi ynë i vetëm përsa u përket të vërtetave të shpëtimit, duhet të jetë të gjejmë atë që Zoti ka zbuluar dhe më pas të besojmë e të veprojmë sipas tyre.25
Nëse do ta ndjekim vërtet shpirtin e dritës, shpirtin e së vërtetës, shpirtin që bëhet i ditur në zbulesat e Zotit; nëse vërtet do të kërkojmë, nëpërmjet shpirtit të lutjes dhe përulësisë, udhëheqjen e Frymës së Shenjtë, Zoti do të na e shtojë dritën tonë dhe të kuptuarin tonë; kështu që ne do të kemi shpirtin e dallimit, do ta kuptojmë të vërtetën, do ta njohim mashtrimin kur e shohim dhe nuk do të mashtrohemi.
Kush është ai që mashtrohet në këtë Kishë? Nuk është burri që ka qenë besnik në kryerjen e detyrës; as burri që e ka mësuar veten e tij me fjalën e Zotit; as burri që i ka praktikuar urdhërimet e dhëna në këto zbulesa; por burri që nuk njihet me të vërtetën, burri që është në errësirë shpirtërore, burri që nuk i merr vesh dhe nuk i kupton parimet e Ungjillit. Një burrë i tillë do të mashtrohet dhe, kur këta shpirtra të rremë vijnë mes nesh, ai mund të mos kuptojë ose mund të mos jetë në gjendje të dallojë midis dritës dhe errësirës.
Por nëse vërtet do të ecim në dritën e zbulesave të Zotit, nëse vërtet do t’ia vëmë veshin porosive që na jepen nga ata që marrin pjesë në këshillat e Kishës, të fuqizuar për të na dhënë udhëzimet, ne sigurisht nuk do të shkojmë në udhë të shtrembër.26
Le t’i hetojmë shkrimet e shenjta, le ta dimë atë që ka zbuluar Zoti, le ta vendosim jetën tonë në përputhje me të vërtetën e Tij. Atëherë ne vërtet nuk do të mashtrohemi, por sigurisht do të kemi fuqi për t’i bërë ballë së ligës dhe tundimit. Mendja jonë do të gjallërohet dhe ne do të jemi në gjendje ta kuptojmë të vërtetën dhe ta veçojmë atë nga gabimi.27
Nëse ka ndonjë doktrinë ose parim që lidhet me mësimet e Kishës, të cilin nuk e kuptojmë, atëherë duhet të biem në gjunjë. Le të shkojmë përpara Zotit me shpirtin e lutjes, të përulësisë dhe të kërkojmë që mendja jonë të mund të ndriçohet që të mund të kuptojmë.28
“Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë” – ky është kyçi i situatës – “merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë.” [DeB 50:24.]
Pra ne kuptojmë nga kjo se burri që e kërkon Perëndinë dhe udhëhiqet nga Shpirti i së vërtetës, ose Ngushëlluesi, dhe vazhdon në Perëndinë, do të rritet në dije, në dritë, në të vërtetë, derisa më së fundi do të vijë tek ai dita e plotë e dritës dhe e së vërtetës.
Tani, ne vërtet nuk do ta marrim të gjithë atë në këtë jetë. Është e pamundur për një burrë ta arrijë atë qëllim në vitet e pakta të ekzistencës së vdekshme. Por çfarë mësojmë këtu, atë që është e përjetshme, atë që frymëzohet nga Shpirti i së vërtetës, do të vazhdojë me ne pas vdekjes dhe atëherë ne do të vazhdojmë, nëse ende vazhdojmë në Perëndinë, për të marrë dritë dhe të vërtetë derisa më së fundi ne do të vijmë tek ajo ditë e plotë.29
Premtimi u është bërë gjithë atyre që do ta marrin dritën e së vërtetës dhe nëpërmjet kërkimit dhe bindjes së tyre përpiqen ta njohin për veten Ungjillin, që ata vërtet do të marrin rresht pas rreshti, parim pas parimi, këtu pak e pak atje, derisa plotësia e së vërtetës do të bëhet vërtet pjesa e tyre; madje thesare të fshehura të mbretërisë do të bëhen vërtet të njohura për ta; “pasi kushdo që të lypë, merr; dhe ai që kërkon, gjen; dhe atij që do të trokasë, do t’i hapet”. [Mateu 7:8; 3 Nefi 14:8; shih edhe Isaia 28:10; DeB 76:1–10; 98:11–12.] Këta të gjithë janë trashëgimtarë të shpëtimit dhe ata vërtet do të kurorëzohen me lavdi, pavdekësi dhe jetë të përjetshme, si bij dhe bija të Perëndisë, me ekzaltim në mbretërinë e Tij çelestiale.30
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Ndërsa lexoni rreth përpjekjeve të Presidentit Smith për të mësuar ungjillin (shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”), mendoni thellë për vetë përpjekjet tuaja. Çfarë bekimesh ju kanë ardhur, ndërsa keni studiuar shkrimet e shenjta dhe mësime të tjera të ungjillit?
Çfarë mund të mësojmë nga pjesa 1 rreth ekuilibrit midis të mësuarit shpirtëror dhe të mësuarit laik? Si mund t’i ndihmojmë anëtarët e familjes dhe të tjerët që t’i japin përparësi dijes shpirtërore, ndërkohë që ndjekin synimet arsimore?
Si ju kanë ndihmuar shkrimet e shenjta “të njiheni më nga afër” me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? (Shih pjesën 2.) Mendoni për atë që mund të bëni për ta përmirësuar studimin tuaj të shkrimeve të shenjta.
Pas leximit të pjesës 3, mendoni rreth bekimeve që keni marrë, ndërsa keni ndjekur këshillën e udhëheqësve të Kishës. Si mund t’i ndajmë mësimet e profetëve të gjallë me familjet tona dhe të tjerët?
Çfarë do të thotë për ju ta mblidhni si thesar fjalën e Zotit? (Për disa ide, shih pjesën 4.) Në çfarë mënyrash mund të ndikojnë në jetën tonë “të paktën pesëmbëdhjetë minuta çdo ditë për t’ia përkushtuar leximit dhe reflektimit në mënyrë të rregullt”?
Meditoni se si këshilla në pjesën 5 zbatohet në jetën tuaj. Ndërsa informacioni i rremë bëhet më i egër dhe më i arritshëm, si mund të “dallojmë midis dritës dhe errësirës”? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar fëmijët dhe rininë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Psalmet 119:105; Gjoni 7:17; 2 Timoteut 3:15–17; 2 Nefi 4:15; 32:3; Helamani 3:29–30; DeB 19:23; 84:85; 88:77–80
Ndihmë për Mësimdhënien
“Edhe kur u jepni mësim shumë njerëzve njëkohësisht, ju mund t’i prekni individët. Për shembull, ju u drejtoheni individëve kur përshëndetni secilin person ngrohtësisht në fillim të orës së mësimit. … Ju gjithashtu u drejtoheni kur e bëni pjesëmarrjen ftuese dhe të sigurt” (Teaching, No Greater Call [1999] f. 35).