Kapitulli 6
Kuptimi i Sakramentit
“Marrja e këtyre simboleve përbën një nga ordinancat më të shenjta e më të shenjtëruara të Kishës.”
Nga Jeta e Jozef Filding Smithit
Më 5 tetor 1929, pas 19 vitesh shërbimi si Apostull, Plaku Jozef Filding Smith u ngrit që të mbante fjalimin e tij të 39-të në konferenca të përgjithshme, në Tabernakullin e Solt-Lejkut. Ai tha: “Ka një a dy mendime që dëshiroj të paraqes lidhur me çështjen e sakramentit, më hollësisht lidhur me mbledhjet që janë përcaktuar në Kishë me anë të zbulesës, me urdhërimin e Zotit, për marrjen e këtyre simboleve që përfaqësojnë trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit”. Si hyrje për këtë temë, ai shprehu ndjenjat e tij për sakramentin:
“Në gjykimin tim mbledhja e sakramentit është mbledhja më e shenjtëruar, më e shenjta, e të gjitha mbledhjeve të Kishës. Kur mendoj për mbledhjen e Shpëtimtarit dhe të apostujve të tij në atë natë të paharrueshme kur e filloi sakramentin, kur mendoj për atë rast solemn, më mbushet zemra me habi dhe më vijnë ndjenja prekëse. E konsideroj atë mbledhje si një nga më solemnet e më të mrekullueshmet që nga fillimi i kohës.
Aty Shpëtimtari u mësoi për sakrificën që po i vinte, të cilën ata, në hutimin e tyre, nuk mund ta kuptonin. Ai me qartësi u tregoi për vdekjen e tij dhe se gjaku i tij duhej të derdhej, dhe kjo gjë u tha se do të ishte pikërisht në kohën e agonisë së tij për mëkatet e botës. Ishte një rrethanë shumë solemne; aty sakramenti u krijua dhe dishepujt u urdhëruan të takoheshin shpesh së bashku e të përkujtonin vdekjen dhe vuajtjet e Jezu Krishtit, sepse sakrifica e tij ishte për shëlbimin e botës.
Ai ishte gati të merrte mbi vete përgjegjësinë e pagimit të borxhit që iu soll botës nëpërmjet rënies, me qëllim që njerëzit të mund të shëlboheshin nga vdekja dhe nga ferri. Ai u kishte mësuar njerëzve se duhet të ngrihej lart që të mund t’i tërhiqte te vetja të gjithë njerëzit dhe se të gjithë ata që do të pendoheshin e do të besonin tek ai, duke i zbatuar urdhërimet e tij, nuk duhej të vuanin, sepse ai do t’i merrte mbi vete mëkatet e tyre.”1
Mësime të Jozef Filding Smithit
1
Zoti na ka urdhëruar të mblidhemi shpesh për të marrë sakramentin.
Marrja e këtyre simboleve [bukës dhe ujit] përbën një nga ordinancat më të shenjta e më të shenjtëruara të Kishës, një ordinancë e cila ka zëvendësuar therjen dhe ngrënien e qengjit të pashkëve që [simbolizonte] sakrificën e Shëlbuesit tonë në kryq. … Që nga koha e eksodit prej Egjiptit deri në kryqëzimin e Shëlbuesit tonë, izraelitët ishin urdhëruar të kremtonin pashkën çdo vit në një kohë të caktuar. Në natën solemne përpara kryqëzimit, Zoti e ndryshoi këtë ordinancë dhe dha në vend të saj sakramentin. Jemi urdhëruar të takohemi shpesh, jo thjesht një herë çdo vit, dhe të shkojmë te shtëpia e lutjes e atje ta kujtojmë Shëlbuesin tonë e të bëjmë me Të besëlidhje duke marrë shpesh nga kjo ordinancë e shenjtë.2
Personi i cili mungon te mbledhja e sakramentit javë pas jave dhe muaj pas muaji dhe nuk e pengon asgjë që të vijë, nuk është besnik ndaj së vërtetës. Ai nuk e do atë. Nëse do ta donte, ai do të ishte i pranishëm që t’i merrte këto simbole – pikërisht një copëz bukë, një gotëz ujë. Do të dëshironte që ta bënte këtë për të treguar dashurinë e tij për të vërtetën dhe shërbimin e tij besnik ndaj Birit të Perëndisë.3
Na është kërkuar që ta përkujtojmë këtë ngjarje të madhe [Shlyerjen e Jezu Krishtit] dhe ta mbajmë atë në mendje vazhdimisht. Për këtë qëllim ne mblidhemi së bashku një herë çdo javë që të marrim nga këto simbole, duke dëshmuar se vërtet e kujtojmë Zotin tonë, se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e tij dhe se do t’i zbatojmë urdhërimet e tij. Këtë besëlidhje na kërkohet ta përtërijmë çdo javë dhe ne nuk mund ta mbajmë Shpirtin e Zotit nëse nuk pajtohemi sistematikisht me këtë urdhërim. Nëse e duam Zotin, do të jemi të pranishëm në këto mbledhje me shpirtin e adhurimit e të lutjes, duke kujtuar Zotin dhe besëlidhjen që duhet të përtërijmë çdo javë nëpërmjet këtij sakramenti, siç ka kërkuar ai nga ne.4
2
Ne e marrim sakramentin në kujtim të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Është detyra e anëtarëve të Kishës të ecin përulësisht e besnikërisht me dijen dhe kuptimin për shlyerjen e Jezu Krishtit. … Kam ndjesinë, do të dëshiroja të gabohesha, por s’mendoj se gabohem, se një përqindje shumë-shumë e madhe e anëtarëve të Kishës nuk e kuptojnë se ç’do të thotë të hash një copëz të vogël bukë, të pish një gotëz të vogël ujë në kujtim të derdhjes së gjakut të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe sakrificës së tij në kryq.
Më lejoni të tërheq vëmendjen te bekimi [i bukës]. Po e lexoj atë me përulësi, që kështu ta kuptojmë se çfarë ka në të:
“O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të Birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë bukë shpirtrave të të gjithë atyre që marrin prej saj, që ata të mund të hanë në kujtim të trupit të Birit tënd dhe të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre, që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta. Amen.” [DeB 20:77.] …
Të hash në kujtim të tij. A do të thotë kjo se unë thjesht do të kujtoja që afro 2000 vjet më parë njerëz të ligj e morën, e varën në kryq, i ngulën gozhdë në duar e në këmbë dhe e lanë aty të vdiste? Për mua ajo ka një domethënie shumë më të thellë se kaq. Ta kujtosh atë – përse ishte ai në kryq? Çfarë e mire më vjen [mua] ngaqë ai ishte në kryq? Çfarë vuajtjeje kaloi ai në kryq që unë të mund të shëlbohem apo të lehtësohem nga mëkatet e mia?
Ja, në mënyrë të natyrshme një njeri do të mendonte: Atij i ngulën gozhdë në duar e në këmbë dhe mbeti atje i varur derisa vdiq. … Çfarë tjetër vuajti ai? Kjo është një gjë që mendoj se shumica prej nesh nuk e vënë re. Unë jam i bindur se vuajtja e tij më e madhe nuk ishte ngulja e gozhdëve në duart e këmbët e tij dhe varja në kryq, ndonëse ishte aq torturuese dhe aq e tmerrshme. Ai po mbante një ngarkesë tjetër që ishte shumë më kuptimplote e më e fuqishme. Në ç’mënyrë? Ne nuk e kuptojmë qartë, por e kam njëfarë kuptimi të saj.5
Nuk mendoj se ka ndonjë prej nesh që nuk ka bërë diçka të gabuar dhe më pas të mos i ketë ardhur keq e të dëshironte të mos e kishte bërë. Atëherë ndërgjegjja na vret dhe jemi ndier shumë-shumë të mjerë. E keni kaluar atë përvojë? Unë po. … Por ja ku gjendet Biri i Perëndisë që mban barrën e shkeljeve të mia dhe shkeljeve tuaja. … Tortura e tij më e madhe nuk ishin gozhdët në duart e këmbët e tij, ndonëse ishin aq të këqija, por tortura e mendjes në një mënyrë që nuk është e qartë për mua. Por ai e mbajti barrën – barrën tonë. Unë i shtova diçka asaj; ashtu edhe ju. Ashtu i shtoi edhe gjithkush tjetër. Ai mori përsipër të paguajë çmimin që unë t’i shpëtoja – që ju t’i shpëtonit – dënimit, me kusht që do të pranojmë ungjillin e tij dhe do të jemi të vërtetë e besnikë në të.
Atëherë, kjo është ajo për të cilën po përpiqem të mendoj. Kjo është ajo që jam duke kujtuar – agoninë torturuese kur ai në lutjen e tij i thërriste të Atit që ta lejonte kupën të ikte. Ai nuk po lutej thjesht për lehtësim nga ngulja e gozhdëve në [duar] apo në këmbë, ai kishte një torturë shumë më të sertë se e gjitha kjo, në njëfarë mënyre që unë nuk e kuptoj.6
Është e pamundur që vdekatarët e dobët, dhe ne jemi të gjithë të dobët, ta kuptojnë plotësisht nivelin e vuajtjes së Birit të Perëndisë. Nuk mund ta kuptojmë çmimin që Ai duhej të paguante. Profetit Jozef Smith Ai i tha:
“Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë; vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt; dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem – megjithatë, lavdi i qoftë Atit dhe unë mora pjesë e i mbarova përgatitjet e mia për fëmijët e njerëzve”. [DeB 19:16–19.]
Sidoqoftë, është brenda aftësisë sonë mendore që të dimë e të kuptojmë se kjo agoni torturuese e sakrificës së Tij na ka sjellë bekimin më të madh që do të ishte i mundur të jepej. Për më tepër, ne jemi në gjendje të kuptojmë se kjo vuajtje e skajshme – e cila ishte përtej fuqisë së njeriut të vdekshëm qoftë për ta kryer, qoftë për ta duruar – u ndërmor për shkak të dashurisë së madhe që Ati dhe Biri kishin për njerëzimin. …
… Nëse do t’i çmonim plotësisht bekimet e shumta të cilat janë tonat nëpërmjet shëlbimit që u bë për ne, nuk ka asgjë që Zoti mund të na kërkonte që ne nuk do ta bënim me etje dhe gatishmëri.7
Jam i sigurt se, nëse mund ta përfytyronim – siç jam përpjekur shumë herë ta përfytyroj – rastin solemn kur Shpëtimtari u takua me apostujt e tij; nëse mund t’i shihnim ata të mbledhur atje, Zotin në trishtimin e tij, duke u pikëlluar për mëkatet e botës, duke u pikëlluar për një nga apostujt e tij që do ta tradhëtonte, e, megjithatë, duke i mësuar këta të njëmbëdhjetë burra të cilët e donin e duke bërë besëlidhje me ta, jam i sigurt se në zemrën tonë do të ndienim se nuk do ta braktisnim kurrë atë. Nëse mund t’i shihnim ata të mbledhur atje dhe të mund ta kuptonim peshën e barrës që ishte mbi Zotin tonë; dhe, pas darkës së tyre dhe këndimit të një himni, nisjen e tyre, Zotin që do të tradhëtohej, tallej e përbuzej, dishepujt që do ta braktisnin në pikën më kulmore të sprovës së tij – nëse mund ta kuptonim gjithë këtë, sado e paplotë që të jetë, dhe e paplotë duhet të jetë, jam i sigurt, vëllezër e motra të mia, se përgjithmonë e më shumë do të dëshironim të ecnim në dritën e së vërtetës. Nëse mund ta shihnim Shpëtimtarin e njerëzve duke vuajtur në kopsht e në kryq dhe ta kuptonim plotësisht tërë domethënien e saj për ne, ne do të dëshironim t’i zbatonim urdhërimet e tij dhe do ta donim Zotin, Perëndinë tonë, me gjithë zemër, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë dhe në emrin e Jezu Krishtit do t’i shërbenim atij.8
3
Është detyra jonë ta mendojmë me maturi besëlidhjen që bëjmë kur marrim sakramentin.
Uroj që ne të mund t’i bëjmë anëtarët e Kishës t’i kuptojnë më qartë besëlidhjet që ata bëjnë kur marrin sakramentin në mbledhjet tona të sakramentit.9
Kam parë dy anëtarë të Kishës të ulur së bashku [në mbledhjen e sakramentit], ia fillonin një bisede, ndalonin aq sa të kërkohej bekimi për ujin ose për bukën, pastaj ia nisnin sërish bisedës së tyre. … Kjo është tronditëse për mua, dhe jam i sigurt se është edhe për Zotin.10
Është detyra jonë ta mendojmë me kujdes dhe maturi natyrën e lutjeve [të sakramentit] kur i dëgjojmë që bëhen në mbledhjet tona. Ka katër gjëra shumë të rëndësishme që ne besëlidhim për t’i bërë sa herë që marrim nga këto simbole, dhe, duke i marrë, është veprim që tregon se ne do të zotohemi plotësisht ndaj detyrimeve dhe, prandaj, ato bëhen kërkesë ndaj nesh. Ato janë si më poshtë:
1. Ne hamë në kujtim të trupit të Jezu Krishtit, duke premtuar se do ta kujtojmë gjithmonë trupin e Tij të plagosur që u vra në kryq.
2. Ne pimë në kujtim të gjakut i cili u derdh për mëkatet e botës, i cili shleu për shkeljen e Adamit dhe i cili na çliron nga mëkatet tona vetjake me kushtin e pendimit tonë të vërtetë.
3. Ne besëlidhim se do të jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Birit dhe ta kujtojmë Atë gjithmonë. Për zbatimin e kësaj besëlidhjeje, ne premtojmë se do të quhemi me emrin e Tij dhe nuk do të bëjmë kurrë ndonjë gjë që do të sjellë turp apo qortim mbi atë emër.
4. Ne besëlidhim se do t’i zbatojmë urdhërimet që Ai na ka dhënë; jo një urdhërim, por që do të jemi të gatshëm të “[jetojmë] me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”. [DeB 84:44.]
Nëse do t’i bëjmë këto gjëra, atëherë na premtohet udhëheqja e vazhdueshme nga Fryma e Shenjtë dhe, nëse nuk do t’i bëjmë këto gjëra, nuk do ta kemi atë udhëheqje.11
Dëshiroj t’ju bëj disa pyetje dhe u flas, natyrisht, të gjithë anëtarëve të Kishës. A mendoni se një njeri që vjen në shërbesën e sakramentit me shpirtin e lutjes, përulësisë dhe adhurimit dhe që merr prej këtyre simboleve që përfaqësojnë trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit, do t’i thyejë me vetëdije urdhërimet e Zotit? Nëse një njeri e kupton plotësisht çfarë do të thotë kur merr sakramentin, se ai besëlidh që të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe gjithmonë ta kujtojë atë e t’i zbatojë urdhërimet e tij, dhe ky betim të përtërihet javë për javë – a mendoni se një njeri i tillë do të mbesë pa paguar të dhjetën? A mendoni se një njeri i tillë do ta shkelë ditën e Shabatit apo do ta shpërfillë Fjalën e Urtësisë? A mendoni se ai do të harrojë të lutet rregullisht dhe se nuk do t’i ndjekë detyrat e kuorumit të tij dhe detyrat e tjera në Kishë? Më duket se një gjë e tillë si shkelja e këtyre parimeve dhe detyrave të shenjta është e pamundur kur një njeri e di se ç’do të thotë të bësh javë për javë betime të tilla ndaj Zotit dhe para shenjtorëve.12
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit” Presidenti Smith shpreh mendimet e tij për kohën kur Shpëtimtari krijoi sakramentin. Përse është kuptimplote për ju kjo ngjarje?
Ndërsa studioni pjesën 1, merrni parasysh rëndësinë e pjesëmarrjes në mbledhjen e sakramentit çdo javë. Si mund të përgatiteni për mbledhjen e sakramentit? Çfarë mund të bëjnë prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët të përgatiten?
Çfarë ju bën përshtypje nga mendimet e Presidentit Smith kur ai merrte sakramentin? (Shih pjesën 2.) Çfarë mund të bëjmë për ta kujtuar Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij kur marrim sakramentin?
Kushtojuni vëmendje besëlidhjeve të renditura te pjesa 3. Mendohuni në heshtje se si ndiheni për këto besëlidhje. Si ndikojnë në jetën tuaj këto besëlidhje?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Mateu 26:26–29; 1 Korintasve 11:23–29; 3 Nefi 18:1–13; Mormoni 9:29; Moroni 4–5; DeB 20:75–79; 59:9–12
Ndihmë për Mësimdhënien
“Caktoni pjesëmarrës që të lexojnë pyetje të përzgjedhura nga fundi i kapitullit (qoftë individualisht, ose në grupe të vogla). Thuajuni të kërkojnë në kapitull mësime që lidhen me pyetjet. Pastaj ftojini që mendimet dhe pikëpamjet e tyre t’ia tregojnë pjesës tjetër të grupit” (nga faqja VII e këtij libri).