Mësime të Presidentëve
Kapitulli 9: Dëshmitarët e Librit të Mormonit


Kapitulli 9

Dëshmitarët e Librit të Mormonit

“Mua më duket se cilido anëtar i kësaj Kishe kurrë nuk do të kënaqet, derisa ai ose ajo ta ketë lexuar Librin e Mormonit herë pas here dhe ta ketë marrë tërësisht në konsideratë, në mënyrë të tillë që ai ose ajo mund të japë dëshmi se ai është me të vërtetë një anal me frymëzimin e të Plotfuqishmit mbi të.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Presidenti Jozef Filding Smith shërbeu si historiani dhe dokumentuesi i Kishës nga mars 1921 deri në shkurt 1970. Në këtë detyrë, ai pati një rol të rëndësishëm për sigurimin e dokumenteve origjinalë me rëndësi historike për Kishën. Një nga këto dokumente ishte një dëshmi e shkruar me dorë dhe e nënshkruar nga Dejvid Uitmer, një nga tre dëshmitarët e veçantë të Librit të Mormonit. Presidenti Smith pati gjithashtu privilegjin të punonte me një dëshmi të shkruar me dorë nga Oliver Kaudri, një tjetër nga Tre Dëshmitarët e Librit të Mormonit. Pasi i kopjoi këto dy dokumente me dorë, Presidenti Smith i lexoi ato në të paktën dy fjalime publike – një herë në mars 1939 dhe përsëri në konferencën e përgjithshme të Kishës në tetor 1956.

Edhe pse Presidenti Smith ndjeu se këto dëshmi të shkruara ishin mjaft domethënëse për t’u ndarë, ai foli më shpesh për një dëshmi tjetër të Librit të Mormonit: dëshminë e tij, të cilën e mori shumë kohë përpara edhe se të punonte në Zyrën e Historianit të Kishës. Ai tha: “Fillova ta lexoj Librin e Mormonit përpara se të arrija moshën për të qenë dhjak dhe jam duke e lexuar atë që atëherë dhe e di se është i vërtetë”1. “E kam lexuar atë shumë, shumë herë”, u tha ai shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. “Nuk e kam lexuar mjaftueshëm. Ai akoma përmban të vërteta që unë akoma mund t’i kërkoj e gjej, sepse nuk e zotëroj me mjeshtëri atë, por e di se është i vërtetë.”2

Gjatë ndarjes së këtyre dëshmive për Librin e Mormonit, qëllimi i Presidentit Smith ishte që t’i nxiste të tjerët për të marrë vetë dëshmitë e tyre. Ai shpalli: “Ju jap dëshmi se Zoti ma ka bërë shumë të qartë me anë të zbulesës që kam marrë dhe shumë prej jush, që jeni të pranishëm këtu, mund të jepni dëshmi të ngjashme, se këto gjëra janë të vërteta dhe se është privilegji i çdo njeriu të sinqertë, i cili do të bëjë përpjekje për ta lexuar me një shpirt plot lutje dhe dëshirë për ta ditur nëse libri është i vërtetë apo jo; dhe ai do ta marrë atë dëshmi në përputhje me premtimin që u bë nga Moroni, i cili e vulosi analin për të ardhur në dritë në Periudhën Ungjillore të Plotësisë së Kohëve”3.

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Libri i Mormonit është një anal i shenjtë që përmban ungjillin e përjetshëm dhe jep dëshmi për Jezu Krishtin.

Libri i Mormonit është historia e shenjtë e banorëve të lashtë të kontinentit amerikan dhe përmban parashikimet e profetëve të tyre, urdhërimet e Zotit për ta dhe historinë e fatin e atyre popujve të lashtë. Është vëllimi amerikan i shkrimit të shenjtë dhe është po aq i shenjtë dhe i frymëzuar sa është Bibla, e cila përmban analet e shenjta të racës së hebrenjve në hemisferën lindore.4

Profetët nefitë në lutje plot zell kërkuan që shkrimet e tyre duhej të ruheshin që të dilnin në dritë dhe të flisnin sikur të ishin prej së vdekuri, për t’i dhënë dëshmi mbetjes së Lehit dhe gjithashtu judenjve dhe johebrenjve, se Perëndia u kishte zbuluar atyre plotësinë e Ungjillit. Shqetësimi i tyre ishte që në këto ditë të fundit njerëzit të mund të silleshin në pendim dhe besim te Perëndia, nëpërmjet dëshmisë së dhënë shumë shekuj më parë këtyre profetëve nefitë. Në fakt, ne mësojmë nga Libri i Mormonit se ky është synimi kryesor i Librit të Mormonit, siç thuhet në shumë prej pjesëve të tij. …

… Zoti ua bëri shumë të qartë profetëve nefitë se historia dhe profecitë e tyre do të ruheshin për të dalë në dritë në ditët e mëvonshme si dëshmi për Jezu Krishtin dhe për të rrënjosur mes njerëzve Ungjillin e tij. Nefi u profetizoi johebrenjve dhe judenjve për ditën tonë dhe la për ta dëshminë e tij në mënyrën më të theksuar dhe gjurmëlënëse. (2 Nefi 33.) Moroni bëri të njëjtën gjë. (Moroni 10:24–34.)5

Nefi, një nga profetët më të hershëm të kolonisë izraelite, parashikoi rreth gjashtëqind vjet para epokës së krishterë, se kur analet që përmbanin historinë e popullit të tij do të zbuloheshin nga pluhuri, do të ishte në një ditë kur njerëzit do të “moho[nin] fuqinë e Perëndisë, të Shenjti[t të] Izraelit” dhe do të thonin: “Na dëgjoni dhe i vini veshin parimit tonë; pasi vini re, nuk ka Perëndi sot, pasi Zoti dhe Shëlbuesi e ka bërë punën e tij dhe ai ua ka dhënë fuqinë e tij njerëzve”. [2 Nefi 28:5.] Përsëri, shumë mes tyre do të thonë, kur të paraqiten me një vëllim të ri shkrimi të shenjtë, i cili përmban historinë e njerëzve në këtë botë perëndimore: “Një Bibël! Një Bibël! Ne e kemi një Bibël dhe nuk mund të jetë ndonjë Bibël tjetër.” [2 Nefi 29:3.]

… Ky vëllim i ri i shkrimit të shenjtë do të ishte dëshmitar, jo vetëm për Krishtin dhe për të përmbajtur Ungjillin e përjetshëm, por gjithashtu do të ishte dëshmitar për shkrimet e shenjta judease – Biblën; dhe këto dy anale – sipas profetizimit të Nefit, atit të tij dhe gjithashtu Jozefit, birit të Izraelit – do të rriteshin së bashku duke dhënë dëshmi për ungjillin e përjetshëm [shih 2 Nefi 3:11–13; 29:10–14]. Si dëshmi e tillë, këto anale qëndrojnë sot duke dëshmuar për të vërtetën deri në dënimin e të gjithë atyre që nuk i pranojnë mësimet e tyre.6

E di se Jozef Smithi përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe se ai ka dalë në dritë “për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve”. [Faqja e titullit e Librit të Mormonit.]7

2

Në përputhje me ligjin e dëshmitarëve, Zoti thirri dëshmitarë të veçantë për të dëshmuar për Librin e Mormonit.

Ka një ligj të dhënë në mënyrë të pandryshueshme në shkrimet e shenjta, i cili përshkruan dëshminë dhe caktimin e dëshmitarëve. Këtë ligj Zoti e ka ndjekur gjithmonë në dhënien e zbulesës së re njerëzve.8

Përmes gjithë epokave ky ligj, [ligji i dëshmitarëve], ka qenë një ligj i përcaktuar dhe i pandryshueshëm. Nëse do të kishim anale të përsosura të të gjithë epokave, ne do të shihnim se kurdoherë që Zoti ka themeluar një periudhë ungjillore, ka pasur më shumë se një dëshmitar për të dëshmuar për të. Pali në letrën drejtuar Korintasve tha: “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve”. [2 Korintasve 13:1.]9

Në lidhje me daljen në dritë të Librit të Mormonit, Zoti tha se do të zgjidhte dëshmitarë. Do të kishte tre dëshmitarë të veçantë që do t’i sillnin dëshmi botës dhe ai tha:

“Dhe askush tjetër nuk do ta shohë atë, me përjashtim të disave sipas vullnetit të Perëndisë, për t’u dëshmuar fjalën e tij fëmijëve të njerëzve; pasi Zoti Perëndi ka thënë se fjalët e besnikëve duhet të fliten sikur të ishin nga të vdekurit.

Kështu që, Zoti Perëndi do të vazhdojë të sjellë në dritë fjalët e librit; dhe do të vendosë fjalën e tij në gojën e aq shumë dëshmitarëve, sa i duket atij e përshtatshme; dhe mjerë ai që e hedh poshtë fjalën e Perëndisë!” (2 Nefi 27:13–14.)10

Pamja
Joseph Smith and two of the Three Witnesses kneel in the forest while an angel stands before them holding the opened gold plates.

Një engjëll ua tregoi fletët e arta Oliver Kaudrit dhe Dejvid Uitmerit, dy nga Tre Dëshmitarët, në praninë e Jozef Smithit. Engjëlli më vonë ia tregoi fletët Martin Harisit, dëshmitarit të tretë.

Tre burrat e thirrur për të shërbyer si dëshmitarë të veçantë të daljes në dritë të Librit të Mormonit me anë të fuqisë së Perëndisë, janë Oliver Kaudri, Dejvid Uitmer dhe Martin Herris. … Ata punuan me Jozef Smithin në themelimin e kësaj pune të mrekullueshme në këtë periudhë ungjillore. …

Dëshmia e tyre është se ata patën një vizitë nga një engjëll prej pranisë së Zotit, që vendosi para tyre analin e artë, nga i cili u përkthye Libri i Mormonit, dhe i udhëzoi ata. Ata i panë gdhendjet te fletët, ndërsa faqet ktheheshin një e nga një përpara tyre dhe zëri i Perëndisë u dëgjua prej tyre të shpallte nga qiejt se përkthimi ishte me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë, dhe t’i urdhëronte ata t’i sillnin dëshmi të gjithë botës. Këta tre dëshmitarë, përmes vështirësisë, përndjekjes dhe gjithë peripecive të jetës, gjithmonë mbetën të vërtetë ndaj dëshmisë së tyre, se ata i panë fletët në praninë e një engjëlli dhe e dëgjuan zërin e Perëndisë t’u fliste atyre nga qiejt.

Pati tetë dëshmitarë të tjerë, të cilët gjithashtu i panë fletët, i mbajtën ato në duar, i shqyrtuan me kujdes gdhendjet në to, siç iu treguan atyre nga Jozef Smithi. Dëshmia e tyre gjithashtu i jepet botës dhe shfaqet në secilin botim të Librit të Mormonit. Të gjithë këta tetë burra mbetën të vërtetë ndaj kësaj dëshmie deri në vdekje.

Këta dymbëdhjetë dëshmitarë [përfshirë Jozef Smithin], katër prej të cilëve panë engjëj e patën vegime qiellore dhe tetë që vëzhguan analin siç iu tregua atyre nga Jozef Smithi, janë të gjithë, sikurse duket, që Zoti i pa të nevojshëm për ta themeluar të vërtetën e Librit të Mormonit, ashtu siç premtoi nëpërmjet Nefit se do të bënte. “Dhe mjerë ai që e hedh poshtë fjalën e Perëndisë!” Dëshmitë e këtyre burrave bëjnë më shumë se të përmbushin ligjin.11

Pamja
The eight witnesses around Joseph Smith as he shows them the gold plates.

Jozef Smithi ua tregoi fletët e arta Tetë Dëshmitarëve.

Jozef Smithi … ishte i vetëm në vegimin e parë, i vetëm kur Moroni ia solli atij lajmin, i vetëm kur mori fletët; por më pas, ai nuk ishte i vetëm. Zoti thirri dëshmitarë të tjerë. Gjyshja Smith, [nëna e Jozef Smithit, Lusi Mek Smith], në historinë e saj thotë se Profeti erdhi në shtëpi duke qarë nga gëzimi pasi dëshmitarët i kishin parë fletët nën drejtimin e një engjëlli të Perëndisë, sepse, ai tha: “Barra është lehtësuar dhe unë nuk jam më i vetëm”12.

3

Tre Dëshmitarët mbetën besnikë ndaj dëshmive të tyre për Librin e Mormonit.

Të gjithë tre dëshmitarët [e veçantë] u ndanë nga Kisha dhe u larguan prej saj. Oliver Kaudri dhe Martin Herrisi u kthyen me përulësi, duke kërkuar anëtarësi në Kishë dhe që të dy vdiqën si anëtarë të plotë dhe të pranuar. Dejvid Uitmeri nuk u kthye më në Kishë; megjithatë, që të tre këta burra mbetën besnikë ndaj dëshmisë që i dhanë botës, e cila gjendet në çdo kopje të Librit të Mormonit.13

Kjo është një dëshmi e Dejvid Uitmerit, dhënë në Riçmond, Mizuri, më 19 mars 1881 – e kopjuar nga dokumenti origjinal, e cila u botua në Richmond Conservator në atë datë.

“Drejtuar të gjithë kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve, tek të cilët do të vijnë këto shkrime –

Që ishte paraqitur nga një farë Xhon Mërfi prej Polos [konteja Kalduell], Mizuri, se unë, në një bashkëbisedim me të verën e shkuar, e mohova dëshminë time si një nga tre dëshmitarët e Librit të Mormonit –

Për atë qëllim, që ai të më kuptojë tani, në qoftë se nuk më kuptoi atëherë, dhe që bota të mund ta dijë të vërtetën, unë dëshiroj tani, duke qëndruar ashtu sikurse është, pikërisht në perëndim të jetës, dhe me frikën e Perëndisë, njëherë e përgjithmonë të bëj këtë deklaratë publike:

Se unë kurrë, në asnjë kohë, nuk e kam mohuar atë dëshmi ose ndonjë pjesë të saj, e cila për shumë kohë që atëherë është botuar me atë libër, si një nga tre dëshmitarët.

Ata që më njohin më mirë, do ta dinë se unë gjithmonë kam qëndruar besnik ndaj asaj dëshmie – Dhe se askush nuk mund të mashtrohet ose të dyshojë për idetë e mia të tanishme lidhur me të njëjtën, tani përsëri vërtet u pohoj të vërtetën e të gjitha deklaratave të mia, siç u bënë dhe u botuan atëherë.”14

Tani më lejoni t’ju them diçka lidhur me Martin Harisin. … Ndërsa vazhdoi të ishte i vërtetë ndaj dëshmisë së tij për Librin e Mormonit, ai për shumë vjet u bë i pakënaqur me Kishën. Por pak kohë pasi shenjtorët erdhën në Juta, disa nga vëllezërit tanë të mirë shkuan ta kërkonin, e gjetën atë, i dhanë gjallëri dhe e sollën përsëri në Kishë. Ai erdhi këtu [në Juta], u ripagëzua dhe jetoi këtu për shumë vite, duke dëshmuar për dëshminë e tij mes kolonëve. Ai vdiq këtu dhe u varros [në Klarkston, Juta].

Tani vijmë tek Oliver Kaudri. Çfarë ndodhi me Oliver Kaudrin, më të rëndësishmin e të treve, i cili ishte me Jozef Smithin kaq shumë herë në shfaqjen e engjëjve dhe në rivendosjen e çelësave? Çfarë ndodhi me të? Ai u largua nga Kisha dhe u bë jashtëzakonisht i zemëruar, por kurrë nuk e mohoi dëshminë. Disa njerëz kanë thënë se ai e mohoi, por ai nuk e mohoi. Gjithmonë ishte i vërtetë ndaj asaj dëshmie. …

… Pasi shenjtorët u zbuan nga Nauvuja dhe ishin në rrafshnalta dhe gjithçka u duk më e zymta (Sidni Rigdon tha se ata kishin shkuar drejt shkatërrimit të tyre e nuk kishte më shpresë për ta dhe gazetat thanë se ata nuk mund të mbijetonin!), nën ato kushte, Oliver Kaudri … kërkoi të kthehej përsëri në Kishë. … Ai u mirëprit që u kthye dhe po përgatitej të ndërmerrte një mision në Britaninë e Madhe, kur u sëmur dhe vdiq. Ai vdiq në shtëpinë e Dejvid Uitmerit, duke dhënë dëshmi për të vërtetën.15

4

Secili anëtar i Kishës mund të jetë një dëshmitar i Librit të Mormonit.

Këta nuk janë të gjithë dëshmitarët që mund të flasin për misionin hyjnor të Jozef Smithit apo për të vërtetën e Librit të Mormonit. Premtimi bëhet në Librin e Mormonit se ata që dëshirojnë të dinë nëse është i vërtetë dhe nëse përmban fjalën e Zotit, mund ta dinë se është i vërtetë, në qoftë se ata do të kërkojnë me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke patur besim në Krishtin, sepse ai do t’ua tregojë atë atyre nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë [shih Moroni 10:3–5]. Janë qindra mijëra njerëz që e kanë vënë këtë premtim në provë dhe me gjithë sinqeritetin mund të thonë se ata e kanë marrë atë dituri.16

Unë jam i bindur në mënyrë po aq të qëndrueshme se ky Libër i Mormonit nga i cili kam lexuar, është fjala e Perëndisë dhe u zbulua, sikurse deklaroi Jozef Smithi se u zbulua, sikurse jam i bindur që qëndroj këtu duke parë fytyrat tuaja. Çdo frymë mbi faqen e tokës, i cili ka inteligjencë të mjaftueshme për të kuptuar, mund ta njohë atë të vërtetë. Si mund ta njohë atë? Gjithçka që ai duhet të bëjë është të ndjekë formulën që u dha nga Zoti vetë, kur u shpalli judenjve se ata që do të bënin vullnetin e Atit të tij, do ta njihnin doktrinën, nëse vinte nga Perëndia ose nëse ai fliste nga vetja e tij [shih Gjoni 7:17]. Dëshmia ime për mbarë botën është se ky libër është i vërtetë. …

Unë e di se dëshmia e këtyre [tre] dëshmitarëve, e shënuar në secilën kopje të Librit të Mormonit, është e vërtetë, se ata qëndruan në praninë e një engjëlli të Perëndisë i cili u deklaroi se anali, siç u përkthye, ishte i saktë, se dëshmia e tyre që Perëndia u foli atyre nga qiejt, duke i thirrur të jepnin dëshmi për atë fakt, është e vërtetë dhe nuk ka asnjë frymë që nuk mund ta marrë atë dëshmi, në qoftë se ai dëshiron ta marrë, duke e lexuar këtë libër plot lutje dhe besim, me dëshirë për të ditur të vërtetën, ashtu siç ka deklaruar Moroni me anë të zbulesës. Ai do ta dijë të vërtetën përsa i përket rivendosjes së këtij shkrimi të shenjtë të dhënë banorëve të lashtë të këtij kontinenti.17

Mua më duket se cilido anëtar i kësaj Kishe kurrë nuk do të kënaqet, derisa ai ose ajo ta ketë lexuar Librin e Mormonit herë pas here dhe ta ketë marrë tërësisht në konsideratë, në mënyrë të tillë që ai ose ajo mund të japë dëshmi se ai është me të vërtetë një anal me frymëzimin e të Plotfuqishmit mbi të dhe se historia e tij është e vërtetë. …

… Asnjë anëtar i kësaj Kishe, i cili nuk e ka lexuar me seriozitet dhe plot kujdes Librin e Mormonit, nuk mund të qëndrojë i miratuar në praninë e Perëndisë.18

Kur e lexoni Librin e Mormonit, ju e dini se po lexoni të vërtetën. Përse? Sepse Perëndia udhëzoi burra t’i shkruanin ngjarjet siç ndodhën dhe Ai u dha atyre urtësinë dhe frymëzimin ta bënin këtë. Këto anale u shkruan nga burra që besonin te Perëndia. Këto anale nuk ranë kurrë në duart e braktisësve të fesë; por historianët shkruan dhe folën sikur të prekeshin në zemër nga Fryma e Shenjtë dhe ne e dimë se çka ata shkruan është e vërtetë, sepse Zoti e vuri vulën e miratimit mbi të [shih DeB 17:6].19

5

Ndërsa vazhdojmë ta lexojmë Librin e Mormonit me sinqeritet dhe plot lutje, ai na hyn gjithnjë e më shumë në zemër.

Të gjithë atyre, që e kanë lexuar sinqerisht Librin e Mormonit, iu ka lënë mbresa përmbajtja e frymëzuar e faqeve të tij. … Ka një frymëzim dhe ndjenjë gëzimi paqësor e kënaqësie, që e shoqërojnë leximin e sinqertë dhe plot lutje të këtij libri.20

Pamja
Hispanic mother and young daughter reading the Book of Mormon.

“Ka një frymëzim dhe ndjenjë gëzimi paqësor e kënaqësie, që e shoqërojnë leximin e sinqertë dhe plot lutje të këtij libri.”

Ndërsa e lexoj [Librin e Mormonit], gjithnjë e më shumë më lënë mbresa shenjtëria e tij, mesazhi që ai përmban në mbrojtje të misionit të Zotit Jezu Krisht dhe ungjilli që është rivendosur në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve për shpëtimin e shpirtrave. Ky anal më hyn në zemër gjithnjë e më shumë, ditë pas dite, ndërsa shoh të shpaloset përmbushja e profecive të shqiptuara nga këta profetë, të cilët tani u flasin nga varri dhe nga pluhuri kombeve të tokës, duke u bërë atyre thirrje për pendim dhe duke u bërë thirrje të besojnë në Krisht.21

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Smith tha se ai nuk e kishe lexuar mjaftueshëm Librin e Mormonit (shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”). Çfarë mund të mësojmë nga ky vëzhgim?

  • Në këtë kapitull, pjesa 1 përfshin disa nga mësimet e Presidentit Smith rreth qëllimeve të Librit të Mormonit. Si janë përmbushur këto qëllime në jetën tuaj?

  • Edhe pse Oliver Kaudri, Martin Haris dhe Dejvid Uitmer u larguan nga Kisha, asnjëri prej tyre nuk e mohoi kurrë dëshminë vetjake për Librin e Mormonit (shih pjesët 2 dhe 3). Përse është domethënës ky fakt kur marrim parasysh dëshmitë e tyre?

  • Presidenti Smith tha se gjithë njerëzit mund të jenë dëshmitarë të Librit të Mormonit (shih pjesën 4). Si e keni fituar një dëshmi për librin? Çfarë mund të bëni për ta ndarë këtë dëshmi?

  • Për Librin e Mormonit Presidenti Smith tha: “Ky anal më hyn në zemër gjithnjë e më shumë, ditë pas dite” (pjesa 5). Si e keni vënë re që kjo është e vërtetë për ju? Çfarë mund të bëjë një njeri për ta forcuar dëshminë e tij ose të saj për Librin e Mormonit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Nefi 6:3–5; 2 Nefi 29:7–8; Jakobi 4:1–4; Enosi 1:13; DeB 20:8–12

Ndihmë për Mësimdhënien

“Jepni dëshmi kurdoherë që Shpirti ju nxit ta bëni këtë, jo vetëm në fund të çdo mësimi. Krijoni mundësi për ata që u jepni mësim, që të japin dëshmitë e tyre” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 45).

Shënime

  1. Në Conference Report, tetor 1961, f. 18.

  2. Në Conference Report, tetor 1949, f. 89; shih edhe Doctrines of Salvation, redakt. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 3:231.

  3. Në Conference Report, tetor 1956, f. 20; shih edhe Moroni 10:3–5.

  4. “Origin of the First Vision”, Improvement Era, prill 1920, f. 503; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:209.

  5. Church History and Modern Revelation (1953), 1:31–32.

  6. “Predictions in the Bible Concerning the Book of Mormon”, Improvement Era, shtator 1923, f. 958–959; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:228–229.

  7. Në Conference Report, tetor 1970, f. 8.

  8. “Testimonies of the Witnesses to the Book of Mormon”, Improvement Era, shtator 1927, f. 950; shih edhe Doctrines of Salvation, rish. redakt., 1:203.

  9. Doctrines of Salvation, rishik. redakt., 1:203; shkrimi kursiv i fshirë nga origjinali.

  10. Në Conference Report, tetor 1956, f. 19–20.

  11. “Testimonies of the Witnesses to the Book of Mormon”, f. 952–953; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:229–230.

  12. Doctrines of Salvation, rishik. redakt., 1:210–211.

  13. “Testimonies of the Witnesses to the Book of Mormon”, f. 952; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:229–230.

  14. Në Conference Report, tetor 1956, f. 20.

  15. Doctrines of Salvation, rishik. redakt., 1:226–228.

  16. “Testimonies of the Witnesses to the Book of Mormon”, f. 953; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:231.

  17. Në Conference Report, tetor 1949, f. 89; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:231–232.

  18. Në Conference Report, tetor 1961, f. 18.

  19. “History and History Recorders”, Revista Gjenealogjike dhe Historike e Jutas, prill 1925, f. 55; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:202.

  20. “Origin of the First Vision”, f. 503.

  21. Në Conference Report, prill 1925, f. 73.