Mësime të Presidentëve
Kapitulli 15: Martesa e Përjetshme


Kapitulli 15

Martesa e Përjetshme

“Plotësia dhe bekimet e Priftërisë dhe të Ungjillit priten nga martesa Çelestiale. Kjo është ordinanca kurorëzuese e Ungjillit dhe ordinanca kurorëzuese e tempullit.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Jozef Filding Smithit 18-vjeçar i ishte thënë se një vajzë e re, e quajtur Lui Emili Shërtlif, do të vinte për të jetuar me familjen Smith, ndërkohë që ajo ndiqte kolegjin. Por ai ishte ende i habitur – dhe i kënaqur – kur erdhi në shtëpi nga puna një ditë dhe e gjeti Luinë duke luajtur një himn në pianon e familjes së tij. Duke filluar nga ajo ditë, në verën e vonë të 1894-rës, Jozefi dhe Luia zhvilluan një miqësi që dalëngadalë u thellua derisa ranë në dashuri. Ata u vulosën në Tempullin e Solt-Lejkut në 26 prill 1898.1

Luia dhe Jozefi patën një marrëdhënie plot dashuri. Kur ai u thirr të shërbente një mision dyvjeçar në Angli pak kohë pasi u martuan, ajo punoi për babanë e saj që ta mbështeste atë financiarisht. Ajo gjithashtu e mbështeti atë emocionalisht dhe shpirtërisht duke i dërguar letra inkurajimi. Pasi ai u kthye, ata krijuan një shtëpi të lumtur dhe mirëpritën dy bija në familjen e tyre. Por pas 10 vitesh martese, Luia u sëmur rëndë gjatë shtatëzënisë së tretë dhe vdiq në moshën 31-vjeçare.

Jozefi gjeti ngushëllim në sigurinë se Luia ishte larguar “për një botë më të mirë” dhe shënoi në ditarin e tij një lutje që ai do të “ishte i denjë për ta takuar atë në lavdi të përjetshme, për t’u bashkuar përsëri me të”2. Por pavarësisht nga ngushëllimi dhe shpresa që gjeti në ungjillin, atë e merrte malli tmerrësisht për Luinë. Gjithashtu shqetësohej për bijat e tij që ishin pa një nënë në shtëpi. Shpejt pas vdekjes së Luisë, Jozefi takoi Ethël Xhorxhina Rejnoldsin. Edhe pse dashuria e tij për Luinë nuk ishte pakësuar, ai arriti ta dojë Ethëlin dhe po ashtu e deshën bijat e tij. Me miratimin e prindërve të tij, të prindërve të Luisë dhe prindërve të Ethëlit, Jozefi i kërkoi Ethëlit të martohej me të. Ata u vulosën më 2 nëntor 1908. Ata patën një jetë të gëzueshme dhe plot ngjarje së bashku, ndërkohë që patën nëntë fëmijë të tjerë. Shtëpia e tyre karakterizohej nga rregulli, puna e zellshme, respekti, pastërtia, disiplina e dhembshur, dashuria dhe hareja e shëndetshme.3

Pas 29 vjet martese, Ethëli vdiq nga një sëmundje ligështuese që ia kishte kapitur fuqinë për 4 vjet. Edhe një herë, Jozefi ishte i vetmuar, por i ngushëlluar nga siguria e martesës së përjetshme.4 Dhe përsëri, ai u takua me dikë me të cilën mund ta ndante jetën. Ai dhe Xhesi Evans u vulosën në 12 prill 1938. “Gjatë 33 viteve të tyre të jetës së bashku, ajo e shoqëroi atë pothuajse kudo, afër dhe larg. Ai si shkëmbim e ndihmoi atë të bënte pazarin e ushqimeve, të thante pjatat e darkës dhe të konservonte fruta në vjeshtë. Ai nuk kishte asnjë skrupull rreth të qenit një apostull me përparëse veshur.”5 Xhesi shpesh tha për burrin e saj: “Ai është burri më i mirë që kam njohur ndonjëherë. Nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë ndonjë fjalë të pasjellshme.” Ai do t’i përgjigjej, me buzëqeshje: “Unë nuk di asnjë fjalë të pasjellshme”6.

Biografi Xhon J. Stjuart shkroi për shpirtmirësinë dhe dhembshurinë e Presidentit Smith ndaj Xhesit: “Nga katedra ai i këshillonte bashkëshortët të ishin të dashur dhe të përkushtuar ndaj bashkëshorteve të tyre. Por predikimi që më frymëzon mua, është ngjitja e tij nëntë blloqe lart në rrugët shumë të pjerrëta veriore të Solt-Lejk-Sitit për te Spitali Shenjtor i Ditëve të Mëvonshme, në një ditë të nxehtë korriku të vitit 1971 dhe kalimi i përvjetorit të 95-të të ditëlindjes së tij ulur pranë shtratit të gruas së tij të sëmurë, Xhesit. Ndërsa gjendja e saj u keqësua, ai qëndroi atje me të ditë dhe natë për shumë javë, duke qëndruar rojë plot merak, duke i dhënë asaj deri në fund çfarëdo ngushëllimi dhe inkurajimi që mundi t’i jepte.”7

Xhesi vdiq më 3 gusht 1971. Dy muaj më vonë, Presidenti Smith mbajti fjalimin e hapjes në konferencën e përgjithshme. Dëshmia e tij tregoi se trishtimi i tij u qetësua nga besimi në Zotin dhe nga shpresa për jetë të përjetshme:

“E ndiej t’ju them sikurse Jobi i lashtësisë, dija e të cilit erdhi nga i njëjti burim prej të cilit ka ardhur edhe imja: ‘Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë’ dhe që ‘në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin. …’ (Jobit 19:25–27.)

Dhe ndërsa e bashkoj dëshminë time me atë të Jobit, më lejoni të bashkohem me të në falënderim, për thirrjen, e shqiptuar nga ankthi dhe hidhërimi i shpirtit të tij: ‘… Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit’. (Jobit 1:21.)

Lutem që ne të gjithë të mund të udhëhiqemi nga fuqia e Shpirtit të Shenjtë, që ne të mund të ecim drejt përpara Zotit dhe që ne të mund të trashëgojmë jetë të përjetshme në shtëpitë e mëdha dhe mbretëritë që përgatiten për të bindurit.”8

Pas ligjëratës së Presidentit Smith, Presidenti Harold B. Li, i cili po drejtonte mbledhjen, tha: “Unë jam i sigurt se të gjithë anëtarët e Kishës kudo, duke i kuptuar rrethanat nën të cilat ai e ka dhënë këtë mesazh të fuqishëm, janë lartësuar shumë nga fuqia dhe forca që ka treguar ai përpara nesh këtu këtë mëngjes. Faleminderit, Presidenti Smith, nga thellësia e zemrave tona.”9

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Martesa çelestiale është ordinanca kurorëzuese e ungjillit të Jezu Krishtit.

Nuk ka asnjë ordinancë që lidhet me Ungjillin e Jezu Krishtit, të një rëndësie më të madhe, të një natyre më solemne dhe më të shenjtë, dhe më të nevojshme për gëzimin [tonë] të përjetshëm … sesa martesa.10

Plotësia dhe bekimet e Priftërisë dhe të Ungjillit priten nga martesa Çelestiale. Kjo është ordinanca kurorëzuese e Ungjillit dhe ordinanca kurorëzuese e tempullit.11

Dua t’iu kërkoj vëllezërve dhe motrave të mia të mira, anëtarëve të mirë të Kishës, të shkojnë në tempull për t’u martuar për kohën dhe gjithë përjetësinë.12

2

Ndryshe nga zakonet e botës, martesa zgjat përgjithmonë në planin e ungjillit.

Martesa konsiderohet nga një numër i madh njerëzish si thjesht një kontratë ose marrëveshje civile midis një burri dhe një gruaje, që ata do të jetojnë së bashku në lidhjen e martesës. Ajo është, në fakt, një parim i përjetshëm mbi të cilin varet vetë ekzistenca e njerëzimit. Zoti ia dha këtë ligj njeriut që nga fillimi i botës, si pjesë e ligjit të Ungjillit, dhe martesa e parë duhej të zgjaste përherë. Sipas ligjit të Zotit çdo martesë duhet të zgjasë përgjithmonë. Nëse i gjithë njerëzimi do të jetonte në bindje të përpiktë ndaj Ungjillit dhe në atë dashuri që jepet nga Shpirti i Zotit, gjithë martesat do të ishin të përjetshme. …

… Martesa, siç kuptohet nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme, është një besëlidhje e shuguruar për të qenë e përhershme. Është themeli për ekzaltimin e përjetshëm, sepse pa të nuk mund të ketë përparim të përjetshëm në mbretërinë e Perëndisë.13

A black couple.  The man is sitting in a chair and looking back at his wife who is behind the chair.  She has her arms on his shoulders.

“Martesa, siç kuptohet nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme, është një besëlidhje e shuguruar për të qenë e përhershme.”

Është shumë e dukshme për ne të gjithë që lexojmë gazetat, që dëgjojmë ngjarjet e lajmeve në radio dhe që shohim çfarë shfaqet në televizion, se goxha shumë vetë nuk e mbajnë martesën dhe njësinë familjare me atë respekt që e ka ndërmend Zoti.14

Martesa është një besëlidhje e shenjtë, por prapë në shumë raste bëhet objekti i shakave të rëndomta, një tallje, një trill kalimtar, nga njerëz vulgarë dhe të papastër, dhe, gjithashtu, nga shumë që mendojnë për veten si me shije të hollë, por të cilët nuk e përfillin shenjtërinë e këtij parimi të madhërishëm.15

Zoti na ka dhënë ungjillin e tij të përjetshëm për të qenë një dritë dhe një flamur për ne dhe ky ungjill përfshin urdhërin e shenjtë të Zotit për martesën, i cili nga natyra është i përjetshëm. Ne nuk duhet t’i ndjekim zakonet martesore të botës. Ne kemi dritë më të madhe nga ç’ka bota dhe Zoti pret më shumë nga ne se sa pret prej tyre.

Ne e dimë se cili është urdhri i duhur i martesës. Ne e dimë vendin e njësisë familjare në planin e shpëtimit. Ne e dimë se duhet të martohemi në tempull dhe se duhet ta mbajmë veten tonë të pastër dhe të dëlirë, që kështu të mund të fitojmë vulën miratuese të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit mbi lidhjet tona martesore.

Ne jemi fëmijë shpirtërorë të Atit tonë të Përjetshëm, i cili shuguroi një plan të shpëtimit, me anë të të cilit ne mund të vijmë në tokë dhe të përparojmë e të zhvillohemi, dhe të bëhemi si ai; kështu, ai na dha një plan të ungjillit, i cili do të na bëjë të aftë të kemi njësi të përjetshme familjare për veten tonë dhe të gëzojmë jetë të përjetshme.16

Martesa kurrë nuk kishte për qëllim nga Zoti t’i jepte fund vdekjes së trupit të vdekshëm; por t’u shtonte nder, sundim, fuqi palëve të besëlidhjes dhe ta shtonte njësinë e vazhdueshme dhe të përjetshme të familjes në mbretërinë e Perëndisë. Bekime të tilla mbahen në ruajtje për ata që janë të gatshëm t’i binden kësaj besëlidhjeje, ashtu siç e ka zbuluar Zoti. Nuk është thjesht një ortakëri midis një burri dhe një gruaje, sepse siç ka thënë Zoti, në martesë ata bëhen një mish i vetëm dhe hyjnë në ortakëri me Perëndinë.17

3

Besnikëria ndaj besëlidhjes së martesës sjell lumturi dhe çon te bekime të lavdisë së përjetshme.

I jam mirënjohës Zotit për njohurinë rreth përjetësisë së besëlidhjes së martesës, e cila i jep bashkëshortit të drejtën për ta kërkuar bashkëshorten e tij dhe i jep bashkëshortes të drejtën për ta kërkuar bashkëshortin e saj në botën që vjen, me kusht që ata të kenë shkuar te Shtëpia e Zotit dhe të jenë bashkuar për kohën dhe gjithë përjetësinë nga dikush që mban këtë fuqi vulosëse, sepse në asnjë mënyrë tjetër nuk mund të fitohet ky bekim i madh. Jam gjithashtu mirënjohës për njohurinë se marrëdhënia familjare dhe bashkësia e familjes do të vazhdojnë, atje ku organizohen siç duhet, në drejtësi në jetën që vjen.18

Dua të lutem me ata që kanë qenë në tempull dhe kanë qenë të martuar në këtë mënyrë, që të jenë besnikë dhe të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre dhe detyrimeve të tyre, sepse në Shtëpinë e Zotit ata kanë bërë besëlidhje solemne.19

Asgjë nuk do ta përgatisë njerëzimin për lavdi në mbretërinë e Perëndisë, me aq gatishmëri sa besnikëria ndaj besëlidhjes martesore. …

Nëse pranohet siç duhet, kjo besëlidhje bëhet mjeti i lumturisë më të madhërishme. Nderi më i madh në këtë jetë dhe në jetën që vjen, nder, sundim dhe fuqi në dashuri të përsosur, janë bekimet që rrjedhin prej saj. Këto bekime të jetës së përjetshme mbahen në ruajtje për ata që janë të gatshëm të durojnë në këtë dhe në të gjitha besëlidhjet e tjera të Ungjillit.20

Family looking at photo albums.

“Marrëdhënia familjare dhe bashkësia e familjes do të vazhdojnë, atje ku organizohen siç duhet, në drejtësi në jetën që vjen.”

Çfarë do të thotë martesa për anëtarët e Kishës? Do të thotë se ata po marrin në atë ordinancë bekimin më të madh, kurorëzues, bekimin e jetëve të përjetshme. Tani kjo është mënyra se si Zoti e shpreh atë, “jetëve të përjetshme”, që do të thotë se jo vetëm bashkëshorti dhe bashkëshortja hyjnë në jetë të përjetshme, por fëmijët e tyre, të cilët u lindën nën besëlidhje, po ashtu do të cilësohen nëpërmjet besnikërisë së tyre për jetë të përjetshme. Dhe për më tepër, që bashkëshorti dhe bashkëshortja pas ringjalljes prej së vdekuri nuk do të arrijnë te një fund. Nëpërmjet saj Zoti do të thotë që ata do të kenë një vazhdimësi të farës përgjithmonë dhe organizata e familjes nuk arrin te një fund. [Shih DeB 132:19–24.]21

Me qëllim që të përmbushim qëllimet e Atit tonë të Përjetshëm, duhet të ketë një bashkim, bashkëshortët dhe bashkëshortet duke marrë bekimet që u premtohen atyre që janë besnikë dhe të vërtetë, të cilat do t’i lartësojnë ata drejt Perëndishmërisë. Një burrë nuk mund të marrë plotësinë e bekimeve të mbretërisë së Perëndisë i vetëm, as gruaja nuk mundet, por të dy së bashku mund t’i marrin të gjitha bekimet dhe privilegjet që kanë lidhje me plotësinë e mbretërisë së Atit.22

4

Çdo shpirt, zemra e të cilit është e drejtë, do të ketë mundësinë për t’i marrë bekimet e jetës së përjetshme, qoftë në këtë jetë apo në atë që vjen.

Në planin e madhërishëm të shpëtimit asgjë nuk është lënë pas dore. Ungjilli i Jezu Krishtit është gjëja më e bukur në botë. Ai përqafon çdo shpirt, zemra e të cilit është e drejtë dhe që e kërkon me zell atë [Jezusin] dhe dëshiron t’iu bindet ligjeve dhe besëlidhjeve të tij. Si rrjedhim, nëse një njeriu i mohohet për ndonjë shkak privilegji i bindjes ndaj ndonjë prej besëlidhjeve, Zoti do ta gjykojë atë në bazë të qëllimit të zemrës. Ka mijëra anëtarë të Kishës [pa mundësi për të shkuar në tempuj] që janë martuar dhe i kanë rritur familjet e tyre në Kishë, të cilëve nuk iu lejua privilegji i të qenit “të vulosur” për kohën dhe gjithë përjetësinë. Shumë prej tyre kanë vdekur dhe bekimet e tyre iu jepen atyre në mënyrë mëkëmbëse. Ungjilli është një punë mëkëmbëse. Jezusi në mënyrë mëkëmbëse kreu një punë për ne të gjithë, ngaqë ne nuk mund ta bënim atë për veten tonë. Në mënyrë të ngjashme, ai iu ka dhënë anëtarëve të gjallë të Kishës që ata të mund të veprojnë si mëkëmbës për të vdekurit, të cilët vdiqën pa mundësinë e veprimit për veten e tyre.

Për më tepër, ka mijëra të rinj, si edhe të reja, të cilët kanë kaluar në botën e shpirtrave pa mundësinë e këtyre bekimeve. Shumë prej tyre e dhanë jetën e tyre në luftë; shumë kanë vdekur në rininë e tyre të hershme; dhe shumë vdiqën në fëmijërinë e tyre. Zoti nuk do të harrojë as edhe një prej tyre. Të gjitha bekimet që i përkasin ekzaltimit do t’ju jepen atyre, sepse kjo është udha e drejtësisë dhe mëshirës. Kështu me ata që jetojnë në kunjet e Sionit dhe në hijet e tempujve tanë; në qoftë se ata janë lënë pa bekime në këtë jetë, këto bekime do t’ju jepen atyre gjatë mijëvjeçarit.23

Askush, i cili qëndron besnik, nuk mund të lihet pa ekzaltim. … Një bashkëshort që nuk e meriton, nuk mund ta pengojë një bashkëshorte besnike nga një ekzaltim dhe anasjelltas.24

5

Fëmijët dhe të rinjtë përgatiten për martesë të përjetshme, ndërsa mësojnë rreth besëlidhjes martesore, zhvillojnë besim durues dhe e mbajnë veten të pastër dhe të dëlirë.

Le të kujdesen të gjithë etërit dhe nënat shenjtore të ditëve të mëvonshme që t’u mësojnë fëmijëve të tyre shenjtërinë e besëlidhjes martesore. Le të lënë mbresa te fëmijët e tyre se në asnjë mënyrë tjetër nga nderimi i besëlidhjeve të Perëndisë, mes të cilave besëlidhja e martesës së përjetshme është një nga më të mëdhatë dhe më urdhërueset, nuk mund të fitojnë bekimet e jetës së përjetshme. 25

Kjo jetë është e shkurtër dhe përjetësia është e gjatë. Kur mendojmë se besëlidhja martesore do të zgjasë përgjithmonë, është mirë që asaj duhet t’i kushtohet vëmendje e kujdesshme. … Këshilla e duhur për rininë tonë është të marrin në shqyrtim me kujdes, me idenë se duhet ta zgjedhin mirë një shok ose shoqe me një besim të qëndrueshëm tek Ungjilli. Një njeri i tillë ka më shumë mundësi të dalë i vërtetë ndaj çdo betimi dhe besëlidhjeje. Kur i riu dhe e reja përqendrohen tërësisht në misionin hyjnor të Zotit tonë dhe e besojnë Ungjillin siç u zbulua nëpërmjet Jozef Smithit, Profetit, mundësitë janë të gjitha në favor të një bashkimi të lumtur që do të zgjasë përgjithmonë.26

Unë ju kërkoj juve, rinisë së Sionit kudo, ta mbani veten të pastër dhe të dëlirë, që ju të cilësoheni për të shkuar në shtëpinë e Zotit dhe, së bashku me shokun ose shoqen që zgjidhni vetë, që t’i gëzoni të gjitha këto bekime të mëdha që ju ofron Zoti.27

Një gjë … për të cilën do të doja t’ua tërhiqja vëmendjen – të rinjtë, kur martohen, nuk kënaqen duke e filluar me pak dhe përulësisht, por ata duan të marrin po aq sa kanë prindërit e tyre në atë kohë kur ata, fëmijët, martohen. … Duan t’ia fillojnë me çdo lehtësi në këtë tokë që do t’u sjellë rehati atyre. Mendoj se ky është një gabim. Mendoj se ata duhet ta fillojnë në mënyrë të përulur, duke e vendosur besimin e tyre në Zotin, duke ndërtuar pak këtu e pak atje, siç munden, duke grumbulluar pak e nga pak, derisa të mund të arrijnë një pozitë begatie si ajo që dëshirojnë të kenë.28

6

Teksa një bashkëshort e një bashkëshorte i zbatojnë me besim të gjitha ordinancat dhe parimet e ungjillit, gëzimi i tyre në martesë bëhet edhe më i ëmbël.

Martesa u shugurua nga Perëndia. Është një parim i drejtë kur merret dhe praktikohet në shenjtëri. Nëse sot burrat dhe gratë do të hynin në këtë besëlidhje me shpirtin e përulësisë, dashurisë dhe besimit, sikurse urdhërohen të bëjnë, duke ecur me drejtësi në udhët e jetës së përjetshme, nuk do të kishte as divorc, as shtëpi të shkatërruara; por një lumturi, një gëzim, përtej shprehjes.29

Dua të lë mbresë mbi të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia të mira, të cilët janë martuar në tempull, se ata nuk duhet t’i harrojnë kurrë bekimet e mëdha që u dhanë mbi ta: Se Zoti u ka dhënë atyre, nëpërmjet besnikërisë së tyre, të drejtën për t’u bërë bijtë e tij dhe bijat e tij, bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin, duke zotëruar, siç thuhet këtu, gjithçka që ka Ati [duke iu referuar Romakëve 8:13–19 dhe Doktrina e Besëlidhje 76:54–60].

Dhe përsëri, ka anëtarë të Kishës që nuk ia dalin ta kuptojnë këtë dhe pasi martohen për kohën dhe gjithë përjetësinë, … duke marrë premtimin e plotësisë së mbretërisë së Atit, ata i lejojnë të vijnë në jetën e tyre gjëra që sjellin mosmarrëveshje dhe i veçojnë ata. Dhe ata harrojnë se kanë bërë besëlidhje për kohën dhe gjithë përjetësinë me njëri-tjetrin; dhe jo vetëm aq, por ata kanë bërë besëlidhje me Atin e tyre në qiell.30

An older couple sitting together outdoors on a bench.  They are smiling and laughing.

Teksa një bashkëshort dhe një bashkëshorte e zbatojnë me besnikëri ungjillin së bashku, gëzimi dhe lumturia e tyre në martesë “rriten më të ëmbël”.

Nëse një burrë dhe bashkëshortja e tij do t’i zbatonin me zell dhe besnikëri të gjitha ordinancat dhe parimet e ungjillit, nuk mund të dilte ndonjë shkak për divorc. Gëzimi dhe lumturia që kanë të bëjnë me atë marrëdhënie martesore, do të bëhen më të ëmbla dhe bashkëshorti e bashkëshortja do të bëhen gjithnjë e më të lidhur me njëri-tjetrin ndërsa kalojnë ditët. Jo vetëm që bashkëshorti do ta dojë bashkëshorten e tij dhe bashkëshortja bashkëshortin, por fëmijët e lindur atyre do të jetojnë në një atmosferë dashurie dhe harmonie. Dashuria e secilit për të tjerët nuk do të dëmtohet dhe për më tepër dashuria e të gjithëve kundrejt Atit tonë të Përjetshëm dhe Birit të tij, Jezu Krishtit, do të ngulitet edhe më fort në shpirtrat e tyre.31

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Ky kapitull fillon me shembuj të gëzimit dhe trishtimit që mund të jenë pjesë e martesës dhe jetës familjare. Si mund të na mbështesë doktrina e familjeve të përjetshme gjatë kohëve të lumtura dhe të trishtuara të jetës sonë?

  • Çfarë ka martesa çelestiale që e bën atë “ordinancën kurorëzuese të tempullit”? (Shih pjesën 1.)

  • Presidenti Smith e krahasoi pikëpamjen e Zotit për martesën me pikëpamjen e botës për martesën (shih pjesën 2). Çfarë është domethënëse për ju në këtë krahasim? Si mund ta mbrojmë e forcojmë martesën dhe familjen në botën sot?

  • Në pjesën 3, Presidenti Smith rendit të paktën pesë bekime që u vijnë atyre që janë “besnikë dhe të vërtetë” ndaj besëlidhjes martesore. Çfarë do të thotë për ju të jeni besnikë dhe të vërtetë ndaj besëlidhjes martesore?

  • Cilat janë disa nga gjërat që prindërit mund të bëjnë që t’u “mësojnë fëmijëve të tyre shenjtërinë e besëlidhjes martesore”? (Për disa ide, shih pjesën 5.)

  • Në pjesën 6, Presidenti Smith shpjegon se si mund të “bëhet më e ëmbël” një marrëdhënie martesore. Çfarë shembujsh të këtij parimi keni parë? Nëse jeni të martuar, mendoni rreth asaj që mund të bëni për të sjellë gëzim dhe dashuri më të madhe në martesën tuaj.

Shkrime të Shenjta Përkatëse

1 Korintasve 11:11; DeB 42:22; 131:1–4; Moisiu 3:18–24

Ndihmë për Mësimdhënien

“Pyetje të shkruara në dërrasë përpara se të fillojë mësimi do t’i ndihmojnë nxënësit të mendojnë rreth çështjeve madje përpara se mësimi të fillojë” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 93).

Shënime

  1. Shih Joseph Fielding Smith Jr. dhe John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 65–75; Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God (1992), f. 51–55.

  2. The Life of Joseph Fielding Smith, f. 162.

  3. Shih The Life of Joseph Fielding Smith, f. 214–241.

  4. Shih The Life of Joseph Fielding Smith, f. 249.

  5. The Life of Joseph Fielding Smith, f. 12–13.

  6. The Life of Joseph Fielding Smith, f. 268.

  7. John J. Stewart, në The Life of Joseph Fielding Smith, f. 11; edhe pse ky libër pati si bashkëautor Xhon J. Stjuart dhe Xhozef Filding Smith të Riun, ky koment është një vëzhgim personal nga Xhon J. Stjuart.

  8. “I Know That My Redeemer Liveth”, Ensign, dhjetor 1971, f. 27.

  9. Në Conference Report, tetor 1971, f. 7.

  10. “The Law of Chastity”, Improvement Era, shtator 1931, f. 643; shih edhe Doctrines of Salvation, red. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 2:58.

  11. Në “Lay Cornerstone at Provo Temple”, Deseret News, 22 maj 1971, B2.

  12. Në Conference Report, tetor 1951, f. 120.

  13. “The Perfect Marriage Covenant”, Improvement Era, tetor 1931, f. 704.

  14. “President Joseph Fielding Smith Speaks to 14,000 Youth at Long Beach, California”, New Era, korrik 1971, f. 7–8.

  15. The Restoration of All Things (1945), f. 259.

  16. “President Joseph Fielding Smith Speaks to 14,000 Youth at Long Beach, California”, f. 8.

  17. The Restoration of All Things, f. 259.

  18. Në Conference Report, prill 1915, f. 119.

  19. Në Conference Report, tetor 1951, f. 120.

  20. “The Law of Chastity”, f. 643; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:58–59.

  21. Në Conference Report, tetor 1951, f. 120–121.

  22. “Obedience to the Truth”, Relief Society Magazine, janar 1960, f. 6.

  23. Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. (1957–1966), 2:37–38.

  24. Letërkëmbim vetjak, cituar në Doctrines of Salvation, 2:65.

  25. Në Conference Report, tetor 1965, f. 30.

  26. “Marriage Ordained of God”, Young Woman’s Journal, qershor 1920, f. 307–308; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:77–78.

  27. “President Joseph Fielding Smith Speaks to 14,000 Youth at Long Beach, California”, f. 10.

  28. Në Conference Report, prill 1958, f. 30.

  29. The Restoration of All Things, f. 259.

  30. Në Conference Report, prill 1949, f. 135.

  31. Në Conference Report, prill 1965, f. 11.