Mësime të Presidentëve
Kapitulli 24: Puna e Grave Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme: ‘Përkushtim Bujar ndaj kësaj Kauze të Lavdishme’


Kapitulli 24

Puna e Grave Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme: “Përkushtim Bujar ndaj kësaj Kauze të Lavdishme”

“Nuk ka kufi për të mirën që motrat tona mund të bëjnë.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Në një mbledhje të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës më 2 tetor 1963, Presidenti Jozef Filding Smith tha: “Ne, Vëllezërit e Kishës, i nderojmë dhe i respektojmë motrat tona të mira për përkushtimin e tyre bujar ndaj kësaj kauze të lavdishme”1.

Kur e bëri këtë deklaratë, Presidenti Smith foli prej vitesh përvoje. Ai kishte kaluar një jetë të tërë duke shërbyer krahpërkrah grave besnike shenjtore të ditëve të mëvonshme. Ky shërbim filloi në fundin e viteve 1880, kur ai ishte rreth 10 vjeç. Në atë kohë, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme u nxitën të merrnin arsimim në mjekësi dhe në kujdesin shëndetësor. Nëna e tij, Xhulina L. Smith, e ndoqi këtë këshillë dhe mori trajnim për të shërbyer si mamí. Ajo shpesh e zgjoi atë në mes të natës, që ai të mund të ngiste karrocën e tyre të tërhequr nga kali te një shtëpi ku një foshnjë ishte gati për t’u lindur. Duke shërbyer me nënën e tij në këtë mënyrë, i riu Jozef Filding Smith pa një shembull të forcës dhe të dhembshurisë së grave të Kishës.2 Motra Smith më vonë shërbeu si këshilltare në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës.

Presidenti Smith pati respekt të madh për Shoqatën e Ndihmës, e cila tha ai “është një pjesë jetike e mbretërisë së Perëndisë në tokë”3. Bashkëshortja e tij e dytë, Etheli, shërbeu si anëtare e bordit të përgjithshëm të Shoqatës së Ndihmës për 21 vjet. Motra Emi Braun Lajmën, që shërbeu me Ethelin në bord dhe më vonë shërbeu si presidente e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tha: “Motra Smith ishte një nga gratë më të shkëlqyera që njoha ndonjëherë. E konsideroj atë shkrimtaren dhe folësen më të mirë [në] bord.”4 Ndërsa shërbente në këtë thirrje, Etheli mori pjesë në konferenca kunji për t’u dhënë udhëzim motrave të Shoqatës vendore të Ndihmës. Ajo dhe Presidenti Smith kryen disa detyra të Kishës së bashku dhe të dy së bashku shpesh e ndanë katedrën për t’iu dhënë mësim anëtarëve.5

Pasi vdiq Etheli, Presidenti Smith u martua me Xhesi Evans. Xhesi e shoqëronte pothuajse çdo herë që ai udhëtonte për t’i mësuar shenjtorët. Ajo kishte një zë të bukur për të kënduar dhe Presidenti Smith gjithmonë donte që ajo të këndonte në mbledhjet ku merrnin pjesë. Plaku Frensis M. Gibëns, i cili shërbeu si sekretar i Presidencës së Parë, shkroi: “Sa herë që Jozef Filding kryesoi, ai donte që ajo të këndonte, qoftë edhe për asnjë arsye tjetër nga ajo që ai nuk lodhej kurrë së dëgjuari të kënduarin e saj. Për më tepër, megjithatë, zëri i saj i stërvitur mirë prej kontraltoje, duke kënduar himne të shenjtë, u shtoi një ndjenjë të veçantë shpirtërie mbledhjeve, duke i frymëzuar dëgjuesit dhe duke i rritur vetë aftësitë e tij në paraqitjen e fjalëve të folura. Më vonë, përmes nxitjes këmbëngulëse dhe shakatare të gruas së tij, Jozefi me raste bashkohej me Xhesin në një duet, duke e bashkuar zërin e tij të mirë të baritonit me zërin e saj. Në këto raste, ata zakonisht do të uleshin së bashku në stolin e pianos, ndërsa Xhesi luante shoqërimin, duke e ndryshuar zërin e saj të zakonshëm, të thellë, në mënyrë që të mos e mbyste të kënduarin e burrit të saj.”6

Si President i Kishës, Jozef Filding Smithi rregullisht punoi me Motrën Bell S. Spaford, presidenten e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. Motra Spaford më vonë foli për përvojën e saj të të punuarit me të: “Presidenti Jozef Filding Smith, një burrë me ndjeshmëri dhe dashuri të madhe për njerëzit, shfaqi gjatë gjithë kohës një thellësi kuptueshmërie për punën e grave të Kishës dhe ai ia kaloi këtë presidencës së Shoqatës së Ndihmës herë të panumërta dhe në mënyra të shumta, duke na e hapur këndështrimin dhe duke na i drejtuar udhët”7.

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Shkrimet e shenjta tregojnë për gra besimtare që kanë pasur përgjegjësi në Kishën e Zotit.

Ne mund të lexojmë te Perla me Vlerë të Madhe se, pas pasojave të sjella mbi Adamin dhe Evën nga rënia, Eva predikoi ligjëratën. Është e shkurtër, por në mënyrë të mrekullueshme plot kuptim dhe është si vijon:

“… Po të mos ishte për shkeljen tonë, ne kurrë nuk do të kishim patur farë dhe kurrë nuk do të kishim njohur të mirën dhe të keqen, dhe gëzimin e shëlbimit tonë, dhe jetën e përjetshme që Perëndia ua jep gjithë të bindurve”. [Moisiu 5:11.]

“Dhe Adami dhe Eva e bekuan emrin e Perëndisë dhe [ata] ua bënë të gjitha gjërat të njohura bijve dhe bijave të tyre.” [Moisiu 5:12; shkrimi kursiv i shtuar.]

Nga kjo mësojmë se Eva, si edhe Adami, morën zbulesë dhe urdhërim për t’i mësuar fëmijët e tyre në rrugët e jetës së përjetshme.8

Ne lexojmë se në ditët [e hershme] të Izraelit, gratë ishin të përfshira dhe kishin detyra për të kryer [shih Eksodi 15:20; Gjykatësve 4–5].9

Në Dhiatën e Re lexojmë për një numër të madh grash besnike, që kërkuan dhe dhanë këshillë. Shumë prej tyre e ndoqën Zotin dhe i shërbyen atij [shih Lluka 8:1–3; 10:38–42].10

A woman and her daughter delivering a basket to another woman in the Philippines.

Përmes gjithë historisë së Kishës, gratë kanë luajtur role thelbësore në punën e Zotit në ditët e mëvonshme.

2

Në ditët e mëvonshme, motrat e Shoqatës së Ndihmës luajnë role jetike në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit.

Në ditën e 17të të marsit, 1842, Profeti Jozef Smith u takua me një numër motrash të Kishës në Navu dhe i organizoi ato në një shoqatë, së cilës iu dha emri “Shoqata Femërore e Ndihmës e Navusë”. … Që kjo organizatë u krijua me anë të zbulesës, nuk mund të ketë asnjë dyshim. Kjo e vërtetë është treguar dendur përmes viteve dhe sot vlera dhe domosdoshmëria e saj vihen dendur në provë.11

Sigurisht, Kisha e Jezu Krishtit nuk do të ishte organizuar në mënyrë të plotë, nëse kjo organizatë e mrekullueshme nuk do të kishte ardhur në jetë. … Kjo rivendosje nuk do të kishte qenë e plotë pa Shoqatën e Ndihmës, në të cilën motrat janë në gjendje të plotësojnë një shërbim të caktuar në mënyrë hyjnore, kaq thelbësor për mirëqenien e Kishës.12

“Shoqata Femërore e Ndihmës e Navusë” u organizua nga Profeti Jozef Smith i ndihmuar nga Plaku Xhon Tejlor. Zoti kishte zbuluar se gratë e Kishës duhej të organizoheshin në një shoqatë, sepse kishte punë të rëndësishme për to që të bënin për të ndihmuar të “filloni[n] e të ngrini[n] kauzën e Sionit”. [DeB 6:6.] Kjo punë e motrave fillimisht duhej të ishte për përfitimin, inkurajimin dhe përparimin e grave të Kishës, që ato të mund të përgatiteshin në të gjitha gjërat për një vend në mbretërinë çelestiale. Atyre iu dha edhe përgjegjësia për të ndihmuar në punën e mëshirës dhe të lehtësimit nga shqetësimi dhe vuajtja për të varfrit, të sëmurët dhe të brengosurit në të gjithë Kishën. Gjatë gjithë viteve që nga ai organizim, motrat e kësaj shoqate kanë qenë të vërteta ndaj thirrjes së tyre dhe e kanë lartësuar vetveten në besnikërinë e tyre në atë punë. Asnjë detyrë e caktuar nuk ka qenë shumë e vështirë; asnjë përgjegjësi nuk është lënë pas dore dhe përmes shërbimeve të tyre mijëra vetë janë bekuar.13

Shoqata e Ndihmës … është rritur derisa është bërë një fuqi në Kishë. Tërësisht e nevojshme – ne flasim për të si një ndihmëse, por Shoqata e Ndihmës është më shumë se aq. Ajo është e nevojshme.14

Dëshiroj t’i lavdëroj motrat e kësaj organizate të madhe për integritetin moral dhe besnikërinë e tyre, të cilët janë shfaqur vazhdimisht që nga ditët e Navusë.15

Zoti është i kënaqur me punën tuaj. Ju, përmes shërbimit tuaj, keni ndihmuar për ta ngritur dhe forcuar mbretërinë e Perëndisë. Po aq e nevojshme është puna e Shoqatës së Ndihmës në Kishë, sa është – a ta them? – ajo me kuorumet e Priftërisë. Tani disa mund të ndiejnë se po e shpreh këtë paksa shumë fort, por vetë gjykimi im është që puna që ju, motrat tona të mira, po bëni, e gjen vendin e saj dhe është po aq e rëndësishme në ngritjen e kësaj mbretërie, në forcimin e saj, për ta bërë atë të zgjerohet, për krijimin e një themeli mbi të cilin ne të gjithë mund të ngremë, po aq shumë sa është për vëllezërit që mbajnë Priftërinë e Perëndisë. Ne nuk mund t’ia dalim mbanë pa ju.16

[Motrat e Shoqatës së Ndihmës] janë anëtare të organizatës më të madhe të grave në botë, një organizatë që është pjesë jetësore e mbretërisë së Perëndisë në tokë dhe që hartohet dhe vihet në funksionim në mënyrë të tillë që të ndihmojë anëtaret e saj besnike për të fituar jetë të përjetshme në mbretërinë e Atit tonë. …

Shoqata e Ndihmës u krijua me anë të shpirtit të frymëzimit, është udhëhequr nga ai shpirt [që atëherë] dhe i ka rrënjosur në zemrat pa numër të motrave tona të mira ato dëshira për drejtësi, të cilat kanë qenë të kënaqshme për Zotin.17

A woman teaching in Relief Society.  She is using the Gospel Principles manual.

Shoqata e Ndihmës është “organizata më e madhe e grave në botë, një organizatë që është pjesë jetike e mbretërisë së Perëndisë në tokë”.

3

Motrat e Shoqatës së Ndihmës ndihmojnë për t’u kujdesur për mirëqenien materiale dhe shpirtërore të fëmijëve të Perëndisë.

Zoti, nëpërmjet urtësisë së tij, i ka thirrur motrat tona për të qenë ndihmëse të Priftërisë. Për shkak të mirëkuptimit, ndjeshmërisë së zemrës dhe mirësisë së tyre, Zoti i sheh [gratë] dhe u jep atyre detyrat dhe përgjegjësitë e të qenit shërbyese ndaj nevojtarëve dhe të brengosurve. Ai ka shënuar shtegun, të cilin ato duhet të ndjekin, dhe ua ka dhënë atyre këtë organizatë të madhërishme ku ato kanë autoritet për të shërbyer nën drejtimet e peshkopëve të lagjeve dhe në harmoni me peshkopët e lagjeve, duke u kujdesur për interesat e njerëzve tanë si shpirtërisht ashtu dhe materialisht.

Dhe Zoti mund t’i thërrasë motrat tona që të shkojnë nëpër shtëpi për të ngushëlluar nevojtarët, për të ndihmuar dhe për t’iu shtrirë dorën të brengosurve, për t’u gjunjëzuar me ta e për t’u lutur me ta dhe Zoti do t’i dëgjojë lutjet e motrave kur ato bëhen me sinqeritet në emër të të sëmurëve, po ashtu siç do t’i dëgjojë lutjet e pleqve të Kishës.18

Qëllimi dhe detyrat e Shoqatës së Ndihmës janë të shumta. … Babai im, Presidenti Jozef F. Smith [tha:] “Kjo është një organizatë që u krijua nga Profeti Jozef Smith. Është, si rrjedhim, organizata ndihmëse më e vjetër e Kishës dhe është e rëndësisë më të madhe. Ajo nuk duhet të merret vetëm me nevojat e të varfërve, të sëmurëve dhe të nevojtarëve, por pjesë e detyrës së saj – dhe pjesa më e madhe, gjithashtu – është të kujdeset për mirëqenien shpirtërore dhe shpëtimin e nënave dhe bijave të Sionit; të kujdeset që askush të mos lihet pas dore, por që të gjitha të mbrohen nga fatkeqësia, katastrofa, fuqitë e territ dhe të ligat që i kërcënojnë ato në botë. Është detyra e Shoqatave të Ndihmës të kujdesen për mirëqenien shpirtërore të vetes së tyre dhe të të gjithë anëtareve femra të Kishës.”19

Është detyra e Shoqatës së Ndihmës, jo vetëm të kujdesen për ato që janë anëtare të Shoqatës së Ndihmës, por puna e tyre duhet të shtrihet përtej atyre kufijve. Kudo ku dikush është në telashe, ka nevojë për ndihmë, është në vështirësi, i sëmurë ose i brengosur, ne i bëjmë thirrje Shoqatës së Ndihmës. … Ato mund të kryejnë një punë të madhe dhe të mrekullueshme duke i inkurajuar të pabindurit, duke i ndihmuar ata, duke i kthyer përsëri në aktivitet, duke i ndihmuar të kapërcejnë dobësitë ose mëkatet dhe papërsosmëritë e tyre dhe duke iu sjellë atyre kuptueshmërinë e së vërtetës. Unë them se nuk ka kufi për të mirën që motrat tona mund të bëjnë.

… Nuk e di se çfarë do të bënin në këtë botë presidentët e kunjeve dhe peshkopët tanë, nëse nuk do t’i kishin këto motra të mira të Shoqatës së Ndihmës tek të cilat mund të mbështeten; të cilat mund t’i thërrasin në shërbimin e tyre, shumë herë, që të merren me situata që do të ishin shumë delikate, domethënë për vëllezërit tanë, por që motrat tona mund t’i kryejnë me përparësinë më të madhe. Do të ishte gjë e mrekullueshme nëse të gjithë anëtarët e Kishës do të ishin të përsosur. Nëse do të ishte kështu, ne të gjithë do të kishim më pak përgjegjësi, si burrat dhe gratë, por ajo kohë nuk ka ardhur. Ne kemi anëtare mes motrave tona që kanë nevojë për inkurajim, për pak ndihmë shpirtërisht, si edhe materialisht, dhe askush nuk mund ta bëjë atë më mirë se motrat, të cilat i përkasin kësaj organizate të madhërishme dhe të mrekullueshme.

Në këtë punë motrat mund ta japin ndihmën e tyre për t’i inkurajuar dhe ndihmuar të pabindurit, mospërfillësit, të pakujdesshmit, po ashtu sikurse vëllezërit e Priftërisë thirren të bëjnë në emër të të pabindurve, të pakujdesshmëve dhe mospërfillësve mes vëllezërve. Ne të gjithë duhet të punojmë që të bëjmë të ndodhë drejtësia dhe të përpiqemi për t’i rikthyer në aktivitet ata që kanë ecur kuturu dhe i kanë lënë pas dore detyrat e Kishës.20

Nga fillimi [i saj] i përulur në kushtet më të vështira, kur anëtarësia e Kishës ishte e vogël, ne e kemi parë këtë Shoqatë të rritet. … E mira që është përmbushur në kujdesin për të varfrit, kujdesin për të sëmurët dhe të brengosurit, dhe atyre që kanë nevojë fizike, mendore ose shpirtërore, nuk do të njihet kurrë siç duhet. … E gjithë kjo është përmbushur nëpërmjet shpirtit të dashurisë në përputhje me shpirtin e vërtetë të ungjillit të Jezu Krishtit.21

4

Zoti pret që gratë të kërkojnë dritë dhe të vërtetë, që ato të mund të cilësohen për lavdi çelestiale.

Ungjilli ka po aq domethënie për motrat tona, sa ka edhe për vëllezërit. Ato janë po aq të përfshira në të, sa janë edhe vëllezërit. Dhe kur Zoti i tha Profetit Jozef Smith: “I hetoni këto urdhërime, sepse ato janë të vërteta e besnike dhe profecitë e premtimet që janë në to, të gjitha do të përmbushen”, [DeB 1:37] ai nuk e kufizoi atë urdhërim te anëtarët meshkuj të Kishës. … Është po aq e rëndësishme që motrat tona ta kuptojnë Planin e Shpëtimit, sa është edhe për burrat. Është po aq thelbësore që ato t’i zbatojnë urdhërimet. Asnjë grua nuk do të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë pa pagëzim për heqjen e mëkateve dhe pa vendosjen e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë. …

… Kur Zoti tha se asnjë njeri nuk mund të shpëtohet në padituri [shih DeB 131:6], mendoj se ai nënkuptoi gratë, ashtu sikurse nënkuptoi burrat, dhe mendoj se gratë e kishës janë nën të njëjtin detyrim për t’i studiuar shkrimet e shenjta.22

Zoti kërkon nga gratë, si edhe nga burrat në Kishë, që ato ta dinë vullnetin e tij hyjnor dhe të kenë një dëshmi lidhëse në zemrën e tyre për të vërtetën e zbuluar që lidhet me shpëtimin në mbretërinë e Perëndisë. Zoti nuk na e zbuloi Librin e Mormonit vetëm për të mirën e atyre që mbajnë Priftërinë, por për çdo shpirt që kërkon të vërtetën, njësoj për mashkullin dhe femrën.23

A woman kneeling at her bed praying.

“Zoti kërkon nga gratë … në Kishë, që ato ta dinë vullnetin e tij hyjnor dhe të kenë një dëshmi lidhëse në zemrat e tyre.”

Zoti pret që motrat të aftësohen me një dëshmi të së vërtetës për ta kuptuar doktrinën e Kishës, ashtu sikurse pret ai nga ata që mbajnë Priftërinë. Nëse fitojmë ekzaltimin, që shpresojmë të marrim, është e nevojshme që ne ta përgatisim veten tonë me anë të dijes, me anë të besimit, me anë të lutjes. Dhe kur Zoti tha: “Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij”, [Mateu 6:33; 3 Nefi 13:33] ai nuk po i fliste thjesht një grupi burrash, ai ishte një grumbullim i përzier.24

Çdo grua e pagëzuar në Kishë, i ka duart e pleqve të vendosura mbi kokën e saj për dhuratën e Frymës së Shenjtë, që ajo të mund të ketë udhërrëfimin e atij Shpirti në të gjithë të vërtetën. Është vullneti i Zotit që askush të mos jetë pa udhërrëfimin hyjnor, i cili do t’iu zbulojë atyre të vërtetën dhe do t’i aftësojë të dallojnë dritën nga errësira dhe, kështu, të forcohen dhe t’u jepet fuqi për t’u bërë ballë të gjitha doktrinave, teorive dhe ideve të rreme, që janë kaq mbizotëruese në botë sot.25

Motrat tona kanë po aq shumë të drejtë për frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë për nevojat e tyre sa kanë edhe burrat, çdo grimë. Ato kanë të drejtën e dhuratës së profecisë lidhur me çështje që mund të jenë thelbësore që të dihen prej tyre. … Kur luten, ato duhet të luten me zell, duke pritur që të marrin përgjigje për lutjet e tyre. Zoti do t’i dëgjojë ato, në qoftë se janë të zellshme, të vërteta, po ashtu si do t’i dëgjojë vëllezërit.26

Zoti u ka premtuar të gjithëve, burrave dhe grave njësoj, dhuratën e Frymës së Shenjtë me kushtet e besnikërisë, përulësisë dhe pendimit të vërtetë. Atyre u kërkohet t’i studiojnë dhe t’i dinë të vërtetat e ungjillit dhe ta përgatisin veten e tyre me anë të studimit, besimit dhe bindjes ndaj gjithë urdhërimeve për të kërkuar dritë dhe të vërtetë, që të mund të cilësohen për lavdi çelestiale.27

5

Nëpërmjet priftërisë, Perëndia u ofron bijave të Tij çdo dhuratë dhe bekim shpirtëror që mund të fitohet nga bijtë e Tij.

Mendoj se ne të gjithë e dimë se bekimet e priftërisë nuk kufizohen vetëm te burrat. Këto bekime gjithashtu derdhen … mbi të gjitha gratë besnike të Kishës. Këto motra të mira mund ta përgatisin vetveten për bekimet e shtëpisë së Zotit, duke zbatuar urdhërimet dhe duke shërbyer në Kishë. Zoti u ofron bijave të tij çdo dhuratë dhe bekim shpirtëror që mund të fitohet nga bijtë e tij, sepse as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin në Zotin [shih 1 Korintasve 11:11].28

Ata janë të gjithë të vetëdijshëm që Zoti i tha Abrahamit se do të ishte atë i shumë kombeve dhe se fara e tij do të ishte në numër si yjet e qiellit dhe si rëra që është në bregdet, por ajo që duhet t’i japim rëndësi është që të njëjtat premtime iu bënë Sarës.

“Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: ‘Përsa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara. Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj.” [Zanafilla 17:15–16.]29

Zoti, duke folur për priftërinë dhe fuqinë e priftërisë, dhe ordinancat e Kishës që i marrim nëpërmjet priftërisë, pati këtë për të thënë: “Dhe kjo priftëri më e madhe administron ungjillin dhe mban çelësin e të fshehtave të mbretërisë, madje çelësin e dijes së Perëndisë”.

… Më lejoni ta lexoj atë përsëri: “Dhe kjo priftëri më e madhe administron ungjillin dhe mban çelësin e të fshehtave të mbretërisë, madje çelësin e dijes së Perëndisë. Si rrjedhim, në ordinancat e saj, shfaqet fuqia e Perëndishmërisë. Dhe pa ordinancat e saj dhe pa autoritetin e priftërisë, fuqia e Perëndishmërisë nuk u manifestohet njerëzve në mish; sepse pa këtë, askush nuk mund të shohë fytyrën e Perëndisë, madje Atit, dhe të jetojë.” [DeB 84:19–22.]

Kur lexojmë gjëra të kësaj natyre, duhet që çdo njeri mes nesh, që mban priftërinë, të gëzohet për të menduar se ne kemi atë autoritet të madh me anë të të cilit mund ta njohim Perëndinë. Jo vetëm burrat që mbajnë priftërinë, e dinë atë të vërtetë të madhe, por për shkak të asaj priftërie dhe të ordinancave të saj, çdo anëtar i Kishës, burra apo gra njësoj, mund ta njohin Perëndinë.30

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Çfarë mund të mësojmë nga përvojat e përshkruara në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”? Çfarë përvojash të ngjashme keni pasur ju?

  • Presidenti Smith foli për gra në epoka të ndryshme, të cilat kanë përmbushur përgjegjësi të rëndësishme në mbretërinë e Perëndisë (shih pjesën 1). Në çfarë mënyrash i keni parë gratë të japin ndihmesë për t’i forcuar familjet e tyre dhe Kishën?

  • A e keni parë se shërbimi i Shoqatës së Ndihmës është “thelbësor për mirëqenien e Kishës”? (Shih pjesën 2.) Në çfarë mënyrash punojnë së bashku motrat e Shoqatës së Ndihmës dhe mbajtësit e priftërisë për ta ngritur mbretërinë e Perëndisë?

  • Në çfarë mënyrash kujdeset Shoqata e Ndihmës për mirëqenien shpirtërore të grave shenjtore të ditëve të mëvonshme? Në çfarë mënyrash e shtrijnë motrat e Shoqatës së Ndihmës ndikimin e tyre përtej organizatës së tyre? (Për disa shembuj, shih pjesën 3.)

  • Presidenti Smith theksoi se gjithë gratë dhe burrat kanë nevojë të kuptojnë doktrinat e ungjillit, të forcojnë dëshmitë e tyre dhe të marrin zbulesa (shih pjesën 4). Përse mendoni se është e rëndësishme për të gjithë ne që t’i kërkojmë këto dhurata?

  • Presidenti Smith na mësoi se bekimet e priftërisë “derdhen … mbi të gjitha gratë besnike të Kishës” (pjesa 5). Përse kanë nevojë gratë për bekimet e priftërisë që të kryejnë përgjegjësitë e tyre në shtëpi dhe në Kishë? Çfarë shembujsh të grave keni parë duke marrë dhurata shpirtërore?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Veprat e Apostujve 5:12–14; Alma 32:22–23; DeB 46:8–9

Ndihmë për Mësimdhënien

“Shpesh është e dobishme të fillosh të mendosh rreth një mësimi të ardhshëm shpejt pasi keni dhënë mësimin e mëparshëm. Ju ndoshta do të dini më shumë për ata, të cilëve u jepni mësim dhe nevojat e interesat e tyre, menjëherë pasi të keni qenë me ta” (Teaching, No Greater Call, [1999], f. 97).

Shënime

  1. “Purpose of the Relief Society”, Relief Society Magazine, janar 1964, f. 5.

  2. Për më shumë rreth ndihmës së Jozef Filding Smithit ndaj nënës së tij me detyrat e saj si mamí, shih kapitullin 20 në këtë libër.

  3. “Mothers in Israel”, Relief Society Magazine, dhjetor 1970, f. 883.

  4. Amy Brown Lyman, në Joseph Fielding Smith and John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 243.

  5. Shih Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God (1992), f. 261.

  6. Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God, f. 281.

  7. Belle S. Spafford, Latter-day Prophet-Presidents I Have Known (fjalim i dhënë në Universitetin “Brigam Jang”, 29 maj 1973), f. 4.

  8. Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. (1957–1966), 3:66.

  9. “The Relief Society Organized by Revelation”, Relief Society Magazine, janar 1965, f. 5.

  10. Answers to Gospel Questions, 3:67.

  11. “Purpose of the Relief Society”, f. 4.

  12. “The Relief Society Organized by Revelation”, f. 6.

  13. “Relief Society Responsibilities”, Relief Society Magazine, tetor 1954, f. 644.

  14. “Relief Society—An Aid to the Priesthood”, Relief Society Magazine, janar 1959, f. 4.

  15. “Relief Society Responsibilities”, Relief Society Magazine, tetor 1954, f. 646.

  16. “Relief Society—An Aid to the Priesthood”, f. 6; pikësimi i standardizuar.

  17. “Mothers in Israel”, f. 883.

  18. “Relief Society—An Aid to the Priesthood”, f. 5.

  19. “Teaching the Gospel”, Relief Society Magazine, janar 1966, f. 5; shih edhe Joseph F. Smith, në Conference Report, prill 1906, f. 3.

  20. “Relief Society Responsibilities”, Relief Society Magazine, mars 1954, f. 151−152.

  21. “Purpose of the Relief Society”, f. 5.

  22. “Obedience to the Truth”, Relief Society Magazine, janar 1960, f. 6−7.

  23. “Relief Society Responsibilities”, Relief Society Magazine, tetor 1954, f. 644.

  24. “Relief Society Responsibilities”, Relief Society Magazine, mars 1954, f. 152.

  25. “Relief Society Responsibilities”, Relief Society Magazine, tetor 1954, f. 644.

  26. “Obedience to the Truth”, f. 7.

  27. Answers to Gospel Questions, 3:68−69.

  28. Në Conference Report, prill 1970, f. 59.

  29. “Mothers in Israel”, f. 885.

  30. “And the Truth Shall Make You Free”, Deseret News, 30 mars 1940, seksioni i Kishës, f. 4; shih edhe Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 3:142–143.