Kapitulli 20
Dashuria dhe Kujdesi për të Gjithë Fëmijët e Atit Tonë
“Unë mendoj se nëse të gjithë njerëzit do ta dinin dhe do ta kuptonin se cilët janë, dhe do të kishin parasysh burimin hyjnor nga i cili erdhën, … ata do të kishin ndjenja shpirtmirësie dhe lidhjeje të afërt me njëri-tjetrin që do ta ndryshonin gjithë mënyrën e tyre të jetesës dhe do të sillnin paqe në tokë.”
Nga Jeta e Jozef Filding Smithit
Jozef Filding Smith i Riu Dhe Xhon J. Stjuart vërejtën: “Është te gjërat e vogla përkujdesëse në jetë ku Jozef Filding Smithi i vërtetë mund të shihet më qartë”. Atëherë ata treguan tre shembuj të “gjërave të vogla përkujdesëse” që ai kishte bërë:
“Një ditë, në një konferencë kishe në Tabernakullin Mormon në Sheshin e Tempullit, një djalë 12-vjeçar, i emocionuar që ishte atje për herë të parë, kishte ardhur herët që të siguronte një ndenjëse përpara. … Pikërisht përpara se mbledhja të fillonte dhe kur të gjitha ndenjëset ishin zënë, një shoqërues i kërkoi djalit ta linte ndenjësen në mënyrë që një Senator i Shteteve të Bashkuara i ardhur së fundi të mund të ulej. Butësisht djali pranoi dhe qëndroi në korridor, i zhgënjyer, i turpëruar dhe në lot.” Presidenti Jozef Smith “e vuri re të riun dhe i bëri shenjë të vinte [te presidiumi]. Kur djali i tha atij çfarë i kishte ndodhur, ai tha: ‘Ai shoqërues nuk kishte të drejtë të ta bënte këtë. Por ulu këtu, pranë meje’, dhe ndau ndenjësen e tij me të, në mes të apostujve të Kishës.
“Një ditë ndërsa po intervistonte një grup të rinjsh që largoheshin në misione dyvjeçare për Kishën, [ai] vuri re një djalë ferme që ishte caktuar për në Kanadanë lindore. ‘Bir, është ftohtë atje. A ke një pallto të mirë të ngrohtë?’ ‘Jo zotëri, nuk kam.’ Ai e mori djalin matanë rrugës për në një dyqan të madh dhe i bleu pallton më të ngrohtë që gjendej.”
“Ditën që u mbështet në konferencë si president i Kishës, një vajzë e vogël e çau shtegun nëpër turmë pas mbledhjes dhe arriti të kapte dorën e tij. Aq i prekur ishte ai nga gjesti saqë u përkul poshtë dhe e mori fëmijën në krahët e tij. Ai mësoi se emri i saj ishte Venus Hobs, … së shpejti do të mbushte katër vjeç. Në ditëlindjen e saj Venusi mori një thirrje telefonike befasuese: Jozef Filding Smithi dhe bashkëshortja e tij duke telefonuar së largu për t’i kënduar vajzës ‘Shumë Urime për Ty’.”1
Këto veprime shpirtmirësie nuk ishin ndodhi të veçuara por pjesë e një modeli të tërë jetës. Presidenti Smith ishte “një burrë me ëmbëlsi dhe dhembshuri të madhe. Jeta e tij ishte me shembuj të përsëritur njëri pas tjetrit të të ndihmuarit të nevojtarëve, ngushëllimit të të brengosurve, këshillës ndaj të pështjelluarve dhe i mishërimit të asaj dashurie hyjnore që është ‘dashuria e pastër e Krishtit’. [Moroni 7:47.]”2
Mësime të Jozef Filding Smithit
1
Me njohurinë se Perëndia është Ati i të gjithë njerëzve, ne dëshirojmë t’i duam dhe t’i bekojmë të tjerët.
Unë mendoj se nëse të gjithë njerëzit do ta dinin dhe do ta kuptonin se cilët janë, dhe do të ishin në dijeni për burimin hyjnor nga i cili erdhën, dhe për potencialin e pafundmë që është pjesë e trashëgimisë së tyre, ata do të kishin ndjenja shpirtmirësie dhe lidhjeje afërsie për njëri-tjetrin që do ta ndryshonin gjithë mënyrën e tyre të jetesës dhe do të sillnin paqe në tokë.
Ne besojmë në dinjitetin dhe prejardhjen hyjnore të njeriut. Besimi ynë bazohet në faktin se Perëndia është Ati ynë dhe që ne jemi fëmijët e Tij, dhe që të gjithë njerëzit janë vëllezër dhe motra në të njëjtën familje të përjetshme.
Si anëtarë të kësaj familjeje, ne banonim me Të përpara se të hidheshin themelet e kësaj toke, dhe Ai shuguroi dhe krijoi planin e shpëtimit nga i cili ne fituam privilegjin e ecjes dhe të përparimit ndërsa përpiqemi ta realizojmë.
Perëndia që ne adhurojmë është një Qenie i përlëvduar tek i Cili qëndron e gjithë fuqia dhe përsosja, dhe Ai ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës dhe pamjes së Vet, me ato karakteristika dhe cilësi që ka Ai Vetë.
Pra, besimi ynë te dinjiteti e fati i njeriut është një pjesë thelbësore edhe e teologjisë sonë edhe e mënyrës sonë të jetës. Është vetë baza e mësimdhënies së Zotit tonë që “urdhërimi i parë dhe i madhi” është: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”; dhe urdhërimi i dytë i madh është: “Ti do ta duash të afërmin tënd porsi vetveten”. (Shih Mateu 22:37–39.)
Për shkak se Perëndia është Ati ynë, ne kemi një dëshirë të natyrshme ta duam dhe t’i shërbejmë Atij dhe të jemi anëtarë të denjë të familjes së Tij. Ne ndiejmë një detyrim që të bëjmë atë që ai do që ne të bëjmë, t’i mbajmë urdhërimet e Tij dhe të jetojmë në përputhje me standardet e ungjillit të Tij – të cilët janë të gjithë pjesë thelbësore të adhurimit të vërtetë.
Dhe ngaqë të gjithë njerëzit janë vëllezërit tanë, ne kemi një dëshirë që t’i duam dhe t’i bekojmë dhe të shoqërohemi me ta – dhe edhe këtë ne e pranojmë si pjesë thelbësore të adhurimit të vërtetë.
Prandaj, çdo gjë që bëjmë në Kishë përqendrohet rreth ligjit të shenjtë që ne duhet ta duam dhe ta adhurojme Perëndinë dhe t’u shërbejmë bashkëqenieve tona.
Nuk është çudi, atëherë, që si kishë e tillë dhe si njerëz ne kemi një shqetësim të thellë dhe të qëndrueshëm për mirëqenien e të gjithë fëmijëve të Atit tonë. Ne kërkojmë mirëqenien e tyre materiale dhe shpirtërore krahas tonës. Ne lutemi për ta siç bëjmë për veten dhe përpiqemi të jetojmë në një mënyrë të tillë që, duke parë punët tona të mira, ata të mund të marrin shkas të përlëvdojnë Atin tonë që është në qiell. [Shih Mateu 5:16.]3
2
Ndërsa e duam dhe e mbështesim njëri-tjetrin në Kishë, ne bëhemi një fuqi për të mirë në botë.
“Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.” [Gjoni 14:15.]
Këto fjalë iu drejtuan nga Mësuesi dishepujve të Tij vetëm pak orë përpara vdekjes së Tij, ndërsa ai i mblodhi për të ngrënë darkën e fundit dhe t’u jepte udhëzimin e fundit përpara se t’i duhej të vuante për mëkatet e botës. Në po atë rast, dhe pak përpara se të qenë bërë këto vërejtje, ai përmendi të njëjtën temë, kur tha:
“Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: ‘Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini’. Kështu tani po ju them edhe juve. Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.” [Gjoni 13:33–34.] …
… Ne nuk jemi thjesht miq; ne jemi vëllezër dhe motra, fëmijët e Perëndisë, të cilët kanë dalë, siç kam thënë, nga bota për t’u futur në besëlidhje, për të respektuar ligjet e Tij dhe për t’u qëndruar të gjitha gjërave që na janë dhënë nëpërmjet frymëzimit. Ne urdhërohemi ta falim njëri-tjetrin. “Një urdhërim të ri”, tha Zoti, dhe përsëri si shumë urdhërime të tjera ai është aq i vjetër sa përjetësia. Nuk ka pasur kurrë një kohë që ai urdhërim të mos ekzistonte dhe të mos ishte thelbësor për shpëtimin, dhe përsëri ai është gjithmonë i ri. Ai nuk vjetrohet kurrë, sepse ai është i vërtetë.4
Unë besoj se është detyra jonë solemne që ta duam njëri-tjetrin, të besojmë te njëri-tjetri, të kemi besim te njëri-tjetri, që është detyra jonë të mos i vërejmë gabimet dhe dështimet e njëri-tjetrit, dhe të mos i zmadhojmë ato në sytë tanë, as përpara syve të botës. Nuk duhet të ketë kritika, as thashetheme, as të folur me ligësi kundër njëri-tjetrit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ne duhet të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin dhe ndaj çdo parimi të fesë sonë dhe të mos jemi ziliqarë për njëri-tjetrin. Ne nuk duhet të jemi xhelozë për njëri-tjetrin, as të inatosur me njëri-tjetrin dhe nuk duhet të shfaqet në zemrën tonë ndjenja që ne nuk do t’i falim njëri-tjetrit shkeljet. Nuk duhet të ketë asnjë ndjenjë në zemrat e fëmijëve të Perëndisë për mosfalje ndaj çfarëdo njeriu, pavarësisht se cili mund të jetë ai. …
… Ne nuk duhet të ushqejmë ndjenja kundër njëri-tjetrit, por të kemi një ndjenjë faljeje dhe dashurie prej vëllai e motre për njëri-tjetrin. Le të kujtojë secili prej nesh dështimet dhe dobësitë e veta personale dhe të përpiqet t’i korrigjojë ato. Ne nuk kemi arritur ende në gjendje përsosmërie, është vështirë të pritet që ne do ta arrijmë në këtë jetë, dhe përsëri, me ndihmën e Frymës së Shenjtë, është e mundur që ne të qëndrojmë të bashkuar tok duke i parë drejtpërdrejt e duke i mposhtur mëkatet dhe mangësitë tona. Nëse do ta bëjmë këtë, duke i respektuar të gjitha urdhërimet e Zotit, ne do të jemi një fuqi për të mirë në botë; ne do të trondisim dhe mposhtim çdo ligësi, të gjithë kundërshtimin ndaj të vërtetës, dhe do të bëjmë të vijë drejtësia mbi faqen e dheut. Sepse ungjilli do të përhapet dhe njerëzit në botë do të ndiejnë ndikimin që do të përhapin njerëzit e Sionit dhe do të priren më shumë për t’u penduar për mëkatet e tyre dhe për të pranuar të vërtetën.5
3
Ne shprehim dashuri për bashkëqeniet tona duke u shërbyer atyre.
Shpëtimtari erdhi në botë për të na mësuar ta duam njëri-tjetrin dhe ndërsa ai mësim i madh u tregua me vuajtjen dhe vdekjen e Tij madhështore që ne të mund të jetojmë, a nuk duhet ta shprehim ne dashurinë tonë për bashkëqeniet tona nëpërmjet shërbimit të dhënë për ta? …
Shërbimi duhet të jepet në emër të të tjerëve. Ne duhet të shtrijmë dorën ndihmëse te fatkeqët, tek ata që nuk e kanë dëgjuar të vërtetën dhe janë në errësirë shpirtërore, te nevojtarët, te të shtypurit. A po dështoni? Le të mendojmë për fjalët e poetit, Uill L. Tomson. … Poema fillon kështu:
“A kam bërë ndonjë të mirë në botë sot?
E ndonjë nevojtar a e kam ndihmuar?
A e kam nxitur të trishtuarin,
A e kam bërë dikë të ndihet i gëzuar?
Nëse jo, vërtet kam dështuar.” [Hymns, nr. 223.]6
Misioni ynë është për të gjithë botën – për paqe, dhe shpresë, dhe lumturi, dhe shpëtim material dhe të përjetshëm të të gjithë fëmijëve të Atit tonë. … Me të gjithë fuqitë e mia bindëse unë e nxis këtë popull që të vazhdojë ta ndihmojë dhe ta bekojë jetën e të gjithë fëmijëve të Atit tonë kudo.7
4
Ne duhet t’i vlerësojmë dhe t’i duam njerëzit siç janë.
Kur isha djalosh, kishim një pelë me emrin Xhuni. Ajo ishte një nga kafshët më inteligjente që kisha parë ndonjëherë. Ajo dukej thuajse njeri në aftësinë e saj. Nuk mund ta mbaja të kyçur në stallë sepse ajo vazhdimisht e zgjidhte rripin te dera e stallës së saj. Unë e kisha zakon ta vendosja rripin të lidhur te gjysmëdera e stallës mbi pjesën më të lartë të vendit, por ajo thjesht e hiqte atë me hundën dhe dhëmbët e saj. Atëherë, ajo dilte jashtë në oborr.
Në oborr ishte një çezmë për të mbushur koritën me ujë për kafshët tona. Xhuni e hapte këtë me dhëmbët e saj dhe pastaj e linte ujin të rridhte. Babai im kapej me mua ngaqë nuk mund ta mbaja në stallë atë pelë. Ajo nuk ikte kurrë; ajo thjesht hapte ujin dhe pastaj vinte rrotull oborrit ose në livadh apo nëpër kopsht. Në mes të natës, unë do të dëgjoja ujin që rridhte dhe pastaj do të më duhej të ngrihesha dhe ta mbyllja dhe ta mbyllja Xhunin përsëri.
Babai im thoshte se pela dukej më e zgjuar sesa unë. Një ditë ai vendosi ta mbyllte brenda në mënyrë të tillë që ajo të mos mund të dilte. Ai mori një rrip që zakonisht lakohej mbi pjesën më të lartë të vendit dhe e shtrëngoi rreth vendit dhe poshtë një shtylle tërthore, dhe pastaj tha: “Zonjushë, le të të shohim si do të dalësh prej andej tani!” Babai im dhe unë u larguam nga stalla dhe filluam të ecnim për te shtëpia; dhe përpara se të arrinim, Xhuni ishte përbri nesh. Ajo pastaj shkoi dhe hapi ujin përsëri.
Unë thashë se tani, ndoshta, ajo ishte thuajse po aq e zgjuar sa secili prej nesh. Ne thjesht nuk mund ta ndalonim Xhunin që të mos dilte nga stalla e saj. Por kjo nuk do të thoshte se ishte e keqe, sepse ajo nuk ishte. Babai nuk kishte ndërmend ta shiste apo këmbente, ngaqë ajo kishte aq shumë cilësi të tjera të mira që ia mbulonin këtë të metë të vogël.
Pela ishte po aq e besueshme dhe e sigurt në tërheqjen e kaloshinës sonë siç ishte e aftë të dilte nga stalla. Dhe kjo ishte e rëndësishme, sepse Nëna ishte një mamí e licensuar. Kur ajo thirrej për një lehoni në luginë, zakonisht në mes të natës, unë do të duhej të çohesha, të merrja fenerin dhe ta vija Xhunin në kaloshinë.
Unë isha vetëm rreth dhjetë apo njëmbëdhjetë vjeçar atëherë; dhe ajo pelë duhej të ishte edhe e butë edhe mjaft e fortë që të na çonte mua dhe Mamanë kudo në luginë, në të gjitha llojet e motit. Gjithsesi, një gjë që kurrë nuk mund ta kuptoj, ishte përse shumica e bebeve duhej të lindnin natën dhe aq shumë prej tyre në dimër.
Shpesh unë do të prisja në kaloshinë për Mamanë, dhe atëherë ishte e këndshme të kishe shoqërinë e Xhunit të butë plakë. Kjo përvojë me këtë pelë ishte shumë e mirë për mua, sepse herët në jetë m’u desh të mësoja ta doja dhe ta vlerësoja atë siç ishte. Ajo ishte një pelë e mrekullueshme me vetëm disa zakone të këqija. Njerëzit janë po njësoj. Asnjë nga ne nuk është i përsosur; përsëri secili prej nesh po përpiqet të bëhet i përsosur, madje si Ati ynë në qiell. Ne duhet t’i vlerësojmë dhe t’i duam njerëzit siç janë.
Mund t’ju duhet ta kujtoni këtë kur i vlerësoni prindërit apo mësuesit tuaj apo udhëheqësit e lagjes dhe të kunjit apo miq – apo vëllezër dhe motra. Ky mësim ka qëndruar gjithmonë me mua – për të parë të mirën te njerëzit madje edhe pse po përpiqemi t’i ndihmojmë të kapërcejnë një apo dy zakone të këqija. …
Unë mësova herët në jetë që t’i dua dhe jo t’i gjykoj të tjerët, duke u përpjekur gjithmonë t’i kapërcej të metat e mia.8
5
Kur ne e duam Zotin me gjithë zemrën tonë dhe fqinjët tanë si veten tonë, ne jemi në përputhje me të gjithë ligjin e shenjtë.
“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde.
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.
Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.” (Mateu 22:37–40.)
Me fjalë të tjera, gjithçka që është zbuluar për shpëtimin e njeriut nga fillimi deri në kohën tonë është e përcaktuar, përfshirë këtu dhe një pjesë e këtyre dy ligjeve të mëdhenj. Nëse ne e duam Zotin me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin dhe me gjithë mendjen, dhe të afërmit tanë si veten, atëherë nuk ka më për t’u dëshiruar. Atëherë ne do të jemi në përputhje me tërë ligjin e shenjtë. Nëse do të donim të jetojmë sipas këtyre dy urdhërimeve të mëdha – dhe duhet të bëjmë kështu e në fund të fundit nëse jemi të denjë të jetojmë në praninë e Perëndisë – atëherë ligësia, xhelozia, ambicia, lakmia, gjakderdhja dhe të gjithë mëkatet e çdo natyre do të largohen nga toka. Atëherë do të vinte një ditë paqeje dhe lumturie të përjetshme. Çfarë ditë e lavdishme që do të ishte! Na është dhuruar arsyetim i mjaftueshëm që të dimë se një gjendje e tillë është shumë e dëshiruar dhe do të vendoste midis njerëzve Atësinë e Perëndisë dhe vëllazërinë e përsosur të njeriut.
… A mund të themi se ne e duam Zotin me gjithë shpirt? A mund të themi se jemi aq të shqetësuar për mirëqenien e të afërmit tonë siç jemi për tonën?9
Le ta duam Zotin sepse ky është themeli i të gjitha gjërave. Ky është urdhërimi i parë, dhe urdhërimi i dytë, të duam të afërmit tanë si veten tonë, është po ashtu, dhe kur e kemi bërë këtë, ne kemi zbatuar ligjin, sepse nuk ka gjë që do të mbetet pa u bërë.10
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Merrini parasysh “gjërat e vogla të përkujdesjes” që Presidenti Jozef Filding Smith bëri për të tjerët (shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smith”). Çfarë mund të bëjmë për të vendosur shembuj të ngjashëm shpirtmirësie në jetën tonë?
Si munden doktrinat në pjesën 1 të na ndihmojnë të jemi të mirë dhe të dashur ndaj atyre që na rrethojnë?
Çfarë ju bën përshtypje nga këshilla e Presidentit Smith në pjesën 2? Përse mendoni se do të jemi “një fuqi në botë për të mirë” ndërsa e ndjekim këtë këshillë?
Çfarë ka bërë Jezu Krishti për të “na mësuar ta duam njëri-tjetrin”? (Shih pjesën 3.) Në çfarë mënyrash mund ta ndjekim shembullin e Tij?
Rishikojeni historinë rreth pelës Xhuni (shih pjesën 4). Përse mendoni se është e rëndësishme “t’i vlerësosh dhe t’i duash njerëzit siç janë”? Çfarë mund të bëjmë që të shohim të mirën te të tjerët edhe nëse po përpiqemi t’i ndihmojmë të kapërcejnë zakone të këqija?
Çfarë do të thotë për ju të mbani urdhërimet te Mateu 22:37–40? (Për disa shembuj, shih pjesën 5.) Përse jemi “në përputhje me tërë ligjin e shenjtë” kur mbajmë këto urdhërime?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Veprat e Apostujve 17:28–29; Romakëve 8:16–17; 1 Gjonit 4:18–21; Mosia 2:17; 18:8–10; Moroni 7:45–48
Ndihmë për Mësimdhënien
Merrni parasysh t’i ftoni pjesëmarrësit të lexojnë nëntitujt te kapitulli dhe të zgjedhin një pjesë që është domethënëse për ta apo familjen e tyre. Ftojini ata të studiojnë mësimet e Presidentit Smith në atë pjesë, duke përfshirë çdo pyetje përkatëse në fund të kapitullit. Pastaj kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë atë që kanë mësuar.