Kapitulli 25
Lindja e Jezu Krishtit: “Lajme të Mira Gëzimi të Madh”
“Çfarë ndodh me këtë histori të mrekullueshme? A e kemi lejuar që ajo ta përshkojë dhe të ndikojë në jetën tonë? A e kemi pranuar në tërë domethënien e saj pa rezerva?”
Nga Jeta e Jozef Filding Smithit
Gjatë stinës së Krishtlindjes të 1971-shit, një reporter gazete pati rastin të kalojë një kohë me Presidentin Jozef Filding Smith dhe anëtarët e familjes së tij. Reporteri tregoi pak nga jeta e profetit:
“Krishtlindja është një kohë e veçantë për Presidentin Jozef Filding Smith. Ajo është një ditë për familjen dhe një ditë për të kujtuar. Por, para së gjithash për Presidentin Smith, Krishtlindja është një ditë për fëmijët.
‘Unë mendoj se gjëja që pëlqej më shumë rreth Krishtlindjes janë fëmijët’, tha Presidenti Smith, ndërsa shtrëngonte stërmbesën më pranë vetes.
Me një Bibël të madhe me figura mbi prehrin e tij, Presidenti Smith dhe dy nga stërmbesat e tij, Shana Mek-Konki, 4 vjeç dhe Sheri, 2 vjeç, kthenin fletët që tregonin për lindjen e Krishtit fëmijë. Ato mbetën për një kohë të gjatë te faqja me pikturën e skenës së grazhdit. Atje kishte një afërsi midis Presidentit Smith dhe vajzave. …
Presidenti Smith ka gëzuar shumë vizitorë të familjes gjatë stinës së Krishtlindjes. ‘Krishtlindja është një kohë për familjet që të jenë së bashku’, thoshte ai.”1
Për Presidentin Smith, traditat e Krishtlindjes përqendroheshin te lindja e Shpëtimtarit, shërbesa dhe Shlyerja. Në përgjigje të përshëndetjeve të Krishtlindjes që mori nga anëtarët e Kishës, ai tha: “Unë e vlerësoj përkujdesjen e atyre që dërgojnë kartolina Krishtlindjeje. Unë i konsideroj ato si një shprehje të dashurisë dhe një kujtesë për lindjen e Shpëtimtarit të cilin ne e nderojmë dhe e adhurojmë si kreun e kishës. Mesazhi i Tij ishte për paqe dhe vullnet të mirë. Ky është urimi im për bashkëqeniet e mia kudo.”2
Në dhjetor 1970, Presidenti Smith botoi një mesazh Krishtlindjeje për anëtarët e Kishës kudo në botë. Ndër të tjera ai thoshte:
“Unë ju përshëndes në këtë Stinë Krishtlindjeje, në dashuri dhe shoqëri, dhe me një lutje që Ati ynë i Përjetshëm të shohë poshtë mbi ju në mëshirë dhe t’i derdhë bekimet e Tij të bollshme mbi ju.
Në këto kohëra kur paudhësia gëlon, kur ka mundime të mëdha në tokë, kur ka luftëra dhe pëshpëritje për luftëra, ne të gjithë kemi nevojë, si kurrë më parë, për drejtimin dhe kujdesin ruajtës të Zotit.
Ne duhet të dimë se megjithë shqetësimet dhe të këqijat që na ndodhin, përsëri Zoti i drejton punët e tokës dhe se nëse ne i mbajmë urdhërimet e Tij dhe jemi të vërtetë dhe besnikë ndaj ligjeve të Tij, Ai do të na bekojë këtu dhe tani dhe do të na shpërblejë me jetë të përjetshme në mbretërinë e Tij në kohën e duhur. …
… Unë lutem tani që në këtë Stinë Krishtlindjeje, dhe në të gjitha kohërat, ne të mund ta përqendrojmë besimin tonë te Biri i Perëndisë dhe të arrijmë për vete atë paqe që kapërcen imagjinatën.”3
Mësime të Jozef Filding Smithit
1
Historia e lindjes së Shëlbuesit tonë është shprehëse në thjeshtësinë e saj të përulur.
Nuk ka histori po aq të bukur, apo që mund ta gjallërojë shpirtin e të përulurit deri në thellësi, siç bën kjo histori e lavdishme e lindjes së Shëlbuesit tonë. Asnjë fjalë që mund të shqiptojë njeriu nuk mund ta zbukurojë apo përmirësojë apo t’i shtojë diçka shprehjes së thjeshtësisë së saj të përulur. Ajo nuk vjetrohet kurrë pavarësisht sa shpesh tregohet dhe tregimi i saj është shumë shumë i rrallë në shtëpitë e njerëzve. Le të përpiqemi ta përfytyrojmë veten jashtë me barinjtë që po ruanin tufën e tyre asaj nate të paharrueshme. Këta qenë njerëz të përulur që nuk e kishin humbur besimin e baballarëve të tyre, zemrat e të cilëve nuk qenë ngurtësuar si zemrat e sundimtarëve të judenjve në ditët e shërbesës së Zotit tonë, sepse po të ishte ashtu, engjëjt nuk do t’u qenë shfaqur atyre me lajmin e tyre të lavdishëm. Le ta përsërisim këtë histori mahnitëse.
“Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.
Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.
Por engjëlli u tha atyre: ‘Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;
sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.
Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd.’
Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:
‘Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!’
Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t’u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: ‘Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti’.
Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.” [Lluka 2:8–16.]
A mundet ndonjë shpirt ta lexojë këtë dhe të mos preket me shpirtin e përulësisë dhe t’i lërë mbresë e vërteta e thjeshtë e historisë? 4
2
Edhe pse Jezu Krishti ishte Biri i Perëndisë, Ai erdhi në këtë botë si një foshnjë dhe përparoi nga hiri në hir gjersa mori një plotësi.
Unë mendoj se ne të gjithë e kuptojmë faktin se Jezu Krishti ishte Jehova, që e udhëhoqi Izraelin në ditët e Abrahamit dhe të Moisiut, dhe në fakt që nga ditët e Adamit. Gjithashtu që Jehova, apo Jezu Krishti, si personazh prej Shpirti iu shfaq Vëllait të Jaredit, dhe që ai u lind si foshnjë në këtë botë dhe u rrit në burrëri në këtë botë.5
Shpëtimtari ynë qe një Perëndi përpara se të lindte në këtë botë dhe Ai solli me vete të njëjtën pozitë kur erdhi këtu. Ai ishte po aq Perëndi kur lindi në botë saç ishte edhe më parë. Por përsa i përket kësaj jete, duket që ai duhej të fillonte njësoj si të gjithë fëmijët e tjerë dhe t’i fitonte njohuritë e tij pak nga pak. Lluka thotë se Ai:“rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”. [Lluka 2:52.] Gjoni shënon se “ai nuk e mori plotësinë që në fillim”, por duhej të përparonte “nga hiri në hir, derisa mori një plotësi”. [DeB 93:13.] …
Në mënyrë të spikatur, para se të bëhej 12 vjeç – sepse atëherë ai i habiste mjekët dhe dijetarët në tempull – ai kishte mësuar shumë rreth punëve të Atit të tij [shih Lluka 2:46–49]. Kjo njohuri mund të vinte tek ai me zbulesë, me vizita engjëjsh, apo në mënyra të tjera. Por njohuria e tij, kur bëhet fjalë për këtë jetë, duhej të vinte rresht pas rreshti dhe parim pas parimi. Pa dyshim ai ishte në komunikim, herë pas here, me Atin e tij Qiellor.
… “Dhe ndodhi që Jezusi u rrit me vëllezërit, dhe u bë i fortë, dhe priti nga Zoti që koha e shërbesës së tij të vinte. Dhe ai shërbeu nën atin e tij dhe nuk fliste si njerëzit e tjerë, as nuk mund të mësohej; pasi s’kishte nevojë që dikush ta mësonte. Dhe pas shumë vitesh, ora e shërbesës së tij u afrua.” [Joseph Smith Translation, Matthew 3:24–26.]
Thënia e Zotit tonë se ai nuk mund të bënte veçse atë që pati parë të bënte Ati, do të thotë thjesht se atij i qe zbuluar çfarë pati bërë Ati i tij [shih Gjoni 5:19–20]. Pa asnjë dyshim, Jezusi erdhi në botë, i nënshtruar ndaj të njëjtit kusht që kërkohej nga secili prej nesh – Ai harroi gjithçka dhe iu desh të zhvillohej nga hiri në hir. Harresa e Tij, apo heqja e njohurisë së tij të mëparshme, do të ishte e nevojshme ashtu siç kërkohet për secilin prej nesh, për të plotësuar ekzistencën e tanishme tokësore.
Shpëtimtari nuk kishte plotësi fillimisht, por pasi mori trupin e tij dhe ringjalljen, e gjithë fuqia iu dha Atij edhe në qiell, edhe në tokë. Edhe pse ishte Perëndi, madje Biri i Perëndisë, me fuqi dhe autoritet për të krijuar këtë tokë dhe toka të tjera, përsëri kishte disa gjëra të munguara që nuk i mori deri pas ringjalljes së Tij. Me fjalë të tjera ai nuk e kishte marrë plotësinë derisa mori një trup të ringjallur.6
3
Jezu Krishti erdhi në këtë botë për të na shëlbuar nga vdekja fizike dhe shpirtërore.
Jezusi erdhi këtu për të përmbushur një mision të përcaktuar që i ishte caktuar përpara se themeli i kësaj toke të ishte shtruar. Për Të flitet në shkrimet e shenjta si “[Qengji], që ishte vrarë që nga krijimi i botës”. [Zbulesa 13:8.] Ai erdhi vullnetarisht, në Meridianin e Kohës, për t’i shëlbuar njerëzit nga rënia që do të vinte mbi ta nëpërmjet shkeljes së Adamit.
… Jezusi është i vetmi person i lindur në këtë botë që nuk pati një atë tokësor. Ati i trupit të Tij është gjithashtu Ati i Shpirtit të Tij, dhe Ati i shpirtrave të të gjithë njerëzve. Nga Ati i tij ai mori jetë të përjetshme; nga nëna e tij ai mori fuqinë për të vdekur, sepse nëna e tij ishte një grua e vdekshme. Nga ajo Ai mori gjakun e tij, dhe nga Ati i tij ai mori pavdekësinë e tij. Kështu, duke pasur fuqinë për të lënë jetën e tij dhe për ta marrë përsëri atë, ai ishte në gjendje të paguante çmimin e shkeljes së Adamit dhe të shëlbonte të gjitha krijesat nga varri.7
Shkaku i vërtetë për ardhjen e Jezu Krishtit në botë … ishte, së pari, t’i shëlbonte të gjithë njerëzit nga vdekja fizike, që Adami solli në botë, dhe së dyti, t’i shëlbonte të gjithë njerëzit nga vdekja shpirtërore apo dëbimi nga prania e Zotit në kushtet e pendimit dhe faljes së mëkateve dhe durimit nga ana e tyre deri në fund të provës në vdekshmëri.8
Ne gëzohemi në lindjen e Birit të Perëndisë midis njerëzve.
Ne jemi mirënjohës për sakrificën shlyese që Ai bëri duke derdhur gjakun e Tij.
Ne jemi mirënjohës që Ai na ka shëlbuar nga vdekja dhe ka hapur derën që ne të mund të fitojmë jetë të përjetshme.
Ne lutemi për paqe në tokë, për përhapjen e ungjillit dhe për ngadhënjimin përfundimtar të së vërtetës.
Ne u lutemi fëmijëve të Atit tonë kudo që të bashkohen me ne në bërjen e atyre gjërave që do të na japin të gjithëve paqe në këtë botë dhe lavdi të përjetshme në botën që vjen [shih DeB 59:23].9
4
Ne duhet të lejojmë që historia e lindjes së Shpëtimtarit ta përshkojë dhe të ndikojë në jetën tonë.
Kur [mëngjesi i Krishtlindjes] vjen, disa do të përkulin kokën në një përgjërim të përulur ndaj Atit të Dritave për bekimet që ata kanë marrë nëpërmjet vuajtjeve të Birit të Tij të dashur dhe do ta lexojnë historinë mahnitëse me lavdërim mirënjohës. Të tjerë, fatkeqësisht, që dinë pak, nëse dinë diçka, për borxhin që i kanë Birit të Perëndisë, do të festojnë, jo në lavdërim dhe lutje të përulur, por në shfrenim dehjeje, pa mendimin më të vogël për domethënien e lindjes së Burrit të Galilesë. …
Si mundet njeriu ta lexojë këtë histori prekëse të lindjes së Jezu Krishtit pa dëshiruar t’i braktisë mëkatet e tij? Në këtë stinë të vitit është mirë për cilindo dhe të gjithë – mbretin në pallatin e tij, nëse ka mbretër në pallate tani, fshatarin në kasollen e tij të përulur, të pasurin dhe të varfrin po ashtu – të përkulen në gjunjë dhe ta nderojnë atë që ishte pa mëkat, jeta e të cilit u vu në sakrificë dhe vuajtje për të mirën e bashkëqenieve të tij; gjaku i të cilit u derdh si sakrificë për mëkatin. …
… Çfarë ndodh me këtë histori të mrekullueshme? A e kemi lejuar që ajo ta përshkojë dhe të ndikojë në jetën tonë? A e kemi pranuar në tërë domethënien e saj pa rezerva? A besojmë se kjo foshnjë ishte në fakt Biri i vetëmlindur i Perëndisë në mish? A kemi besim të qëndrueshëm në misionin e Tij dhe a jemi të gatshëm ta ndjekim Atë me bindje? Nëse bota do t’u kishte besuar dhe do t’u vinte veshin mësimeve të Tij, atëherë nuk do të ishte shqyer copash e gjitha nga grindja dhe ligësia ndër shekuj. … Ka pasur me tepri premtime boshe midis të vetëquajturve ndjekës të Birit të Perëndisë dhe shumë pak adhurim të vërtetë bazuar te panjollësia e mësimeve të Tij.
Engjëlli u tha barinjve atë natë të lavdishme, se ai lajmëroi një gëzim të madh që ishte për të gjithë njerëzit [shih Lluka 2:8–10], por në përgjithësi të gjithë njerëzit kudo në faqen e dheut, nuk pranuan t’i merrnin bekimet e atij lajmi. Ata nuk qenë të gatshëm t’i braktisnin mëkatet e tyre, ta përulnin veten dhe ta vinin jetën e tyre në përputhje me mësimet e Mësuesit. …
Edhe një herë unë u lutem të gjithë njerëzve kudo: Largohuni nga mënyrat tuaja të liga drejt adhurimit të vërtetë të Birit të Perëndisë, që shpirtrat tuaj të mund të shpëtohen në mbretërinë e Tij.10
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Çfarë bëni në shtëpinë tuaj për ta kujtuar Shpëtimtarin në kohë Krishtlindjeje? Çfarë mund të mësojmë nga traditat e Krishtlindjes së Presidentit Smith? (Shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit.”)
Përse mendoni se historia e lindjes së Jezu Krishtit “nuk vjetrohet kurrë”? (Shih pjesën 1.)
Rishikojini fjalët e Presidentit Smith rreth ardhjes së Jezu Krishtit në botë si një foshnjë dhe durimit të vështirësive në vdekshmëri (shih pjesën 2). Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja ndërsa meditoni mbi gatishmërinë e Shpëtimtarit për ta bërë këtë?
Meditoni për lidhjen midis lindjes së Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Shpëtimtarit (shih pjesën 3). Si munden prindërit t’i ndihmojnë fëmijët ta arrijnë këtë kuptueshmëri? Si mund të ndikojë kjo kuptueshmëri tek traditat tona të Krishtlindjes?
Çfarë mund të bëjmë që të lejojmë që historia e lindjes së Shpëtimtarit ta “përshkojë dhe të ndikojë në jetën tonë”? (Shih pjesën 4.)
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Ndihmë për Mësimdhënien
Diskutimet në grupe të vogla “i japin një numri të madh njerëzish mundësinë që të marrin pjesë në mësim. Individët që janë zakonisht ngurrues për të marrë pjesë, mund të ndajnë në grupe të vogla ide që nuk do t’i shfaqnin përpara gjithë grupit” (Teaching, No Greater Call, [1999], f. 161).