Mësime të Presidentëve
Kapitulli 21: Shpallja e Ungjillit në Botë


Kapitulli 21

Shpallja e Ungjillit në Botë

“Ne i kemi shijuar frytet e ungjillit dhe e dimë se janë të mira, dhe dëshirojmë që të gjithë njerëzit do të marrin të njëjtat bekime dhe të njëjtin shpirt që është derdhur me kaq bollëk mbi ne.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Jozef Filding Smith dhe gruaja e tij, Luia, nuk u çuditën kur morën një letër, të nënshkruar nga Presidenti Lorenco Snou, që e caktonte Jozefin të shërbente një mision me kohë të plotë. Në ato ditë të hershme të Kishës, burrat e martuar shpesh shërbenin larg shtëpisë. Pra, kur ajo letër mbërriti më 17 mars 1899, rreth një muaj përpara përvjetorit të tyre të parë të martesës, Jozefi dhe Luia e pranuan mundësinë me besim dhe kurajë, të përzier me trishtim nga mendimi se do ndaheshin për dy vjet.

Plaku Smith shërbeu në Angli, rreth 4.700 milje (gati 7.600 km) nga shtëpia. Ai dhe Luia i dërgonin shpesh letra njëri-tjetrit – letra të mbushura me shprehje dashurie dhe dëshmi. Në një nga letrat e para të Plakut Smith për Luinë ai shkroi: “E di se puna që jam thirrur të bëj është puna e Perëndisë ose nuk do të qëndroja këtu as edhe një minutë, jo, nuk do ta kisha lënë shtëpinë. Por e di se lumturia jonë varet nga besnikëria ime ndërsa jam këtu. Unë duhet të jem i gatshëm të bëj kaq shumë për dashurinë ndaj njerëzimit, kur Shpëtimtari ynë mundi të vuante ashtu siç vuajti për ne. … Unë jam në duart e Atit tonë Qiellor dhe ai do të kujdeset për mua dhe do të më mbrojë nëse bëj vullnetin e tij. Dhe ai do të jetë me ty ndërsa unë jam larg, dhe do të kujdeset për ty e do të të mbrojë në të gjitha gjërat.”1

Plaku Smith dhe shokët e tij misionarë ishin shërbëtorë të përkushtuar të Zotit. Në një letër drejtuar Luisë, ai raportoi se, çdo muaj, ai dhe misionarë të tjerë shpërndanin rreth 10.000 pamfleta, ose broshura, dhe vizitonin rreth 4.000 shtëpi. Megjithatë, ai e vijoi këtë raport me një vërejtje të matur: “Nuk besoj se është lexuar një ose më shumë se një pamflet nga njëqind prej tyre”2. Gjatë kohës që Plaku Smith ishte në Angli, shumë pak njerëz atje e pranuan mesazhin e ungjillit të rivendosur. Në dy vitet e tij të shërbimit, “ai nuk pati as edhe një të kthyer në besim, nuk pati mundësinë të kryente as edhe një pagëzim, megjithëse konfirmoi një të kthyer në besim”3. Duke mos pasur mundësinë të shihte shumë rezultate të punës së tij, ai gjeti ngushëllim në njohurinë se ai po bënte vullnetin e Zotit dhe se po ndihmonte që t’i përgatiste njerëzit, të cilët mund ta merrnin ungjillin më vonë në jetën e tyre.

Për rreth dy javë të misionit të tij, Plaku Smith u shtrua në spital me katër misionarë të tjerë. Të pesë pleqtë [misionarët] ishin prekur nga lia, prandaj ata u mbajtën në karantinë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Megjithëse Plaku Smith e quajti qëndrimin e tyre një “burgosje”, ai dhe shokët e tij bënë çfarëdo punë misionare që mund të bëhej. Ata madje e ndanë ungjillin me personelin e spitalit. Në fund të izolimit të tyre, Plaku Smith shkroi raportin vijues në ditarin e tij: “Ne jemi bërë miq me infermieret dhe të tjerë që na vizituan gjatë burgosjes tonë. Shumë herë kemi pasur biseda me ta rreth ungjillit; gjithashtu iu lamë libra që t’i lexonin. Kur u larguam nga spitali ne kënduam një apo dy himne, të cilat midis të tjerash, iu bënë përshtypje atyre që i dëgjuan, sepse i lamë me lot në sytë e tyre. Mendoj se kemi lënë përshtypje të mirë në spital, veçanërisht tek infermieret, të cilat rrëfejnë se ne nuk jemi njerëzit që ato menduan se ne ishim dhe [se] tani do të na mbrojnë gjatë gjithë kohës.”4

Plaku Smith e përfundoi misionin e tij në qershor 1901. Shtatëdhjetë vjet më vonë, ai u kthye në Angli si President i Kishës për të kryesuar në një konferencë zone. Deri në atë kohë, farat që kishin mbjellë ai dhe të tjerët, kishin mbirë e lulëzuar. Ai u gëzua që shihte kaq shumë shenjtorë britanikë të vinin në mbledhje.5 Ai tha: “Disa kunje të Sionit, një tempull që i është përkushtuar Zotit, një numër i konsiderueshëm ndërtesash për lagjet dhe kunjet, dhe një punë misionare goxha e suksesshme – të gjitha dëshmojnë për faktin se Kisha po piqet në Britaninë e Madhe”. Dhe ai tha se ky përparim në Britaninë e Madhe ishte një shembull i asaj që do të ndodhte kudo nëpër botë. Ai shpalli se ungjilli është për të gjithë njerëzit dhe se “Kisha do të themelohet kudo, në të gjitha kombet, madje deri në fundet e tokës, përpara ardhjes së dytë të Birit të Njeriut”6.

"Smith, Joseph Fielding, 1876-1972."

Plaku Jozef Filding Smith në 1910-ën, pak pasi u shugurua Apostull

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Vetëm ne e kemi plotësinë e ungjillit të rivendosur, dhe dëshirojmë që të gjithë njerëzit të marrin të njëjtin bekim.

Në urtësinë e tij të pafundme dhe për të përmbushur besëlidhjet e premtimet e bëra profetëve të lashtë, Zoti ka rivendosur në këto ditë të fundit plotësinë e ungjillit të tij të përjetshëm. Ky ungjill është plani i shpëtimit. Ai u shugurua dhe u themelua në këshillat e përjetësisë, përpara se të hidheshin themelet e kësaj toke, dhe është zbuluar sërish në kohën tonë për shpëtimin dhe bekimin e të gjithë fëmijëve të Atit tonë kudo. …

Pothuaj gjashtëqind vjet përpara Krishtit – d.m.th., ardhjes së tij – profeti i madh Nefi i tha popullit të tij: “… ka një Perëndi dhe një Bari në tërë tokën.

Dhe koha vjen që ai do t’u shfaqet të gjitha kombeve. …” (1 Nefi 13:41–42.)

Ajo ditë e premtuar tani po agon. Kjo është koha e caktuar për predikimin e ungjillit në të gjithë botën dhe për ngritjen e mbretërisë së Zotit në çdo komb. Ka njerëz të mirë dhe të drejtë në të gjitha kombet që do t’i përgjigjen së vërtetës; që do të vijnë në Kishë; dhe që do të bëhen dritë për të udhëhequr vetë popullin e tyre. …

… Ungjilli është për të gjithë njerëzit dhe Zoti pret nga ata që e pranojnë atë, t’i jetojnë të vërtetat e tij dhe t’ia ofrojnë ato njerëzve të kombit dhe gjuhës së tyre.

Kështu që tani, në shpirtin e dashurisë dhe vëllazërisë, ne i ftojmë të gjithë njerëzit kudo t’ua vënë veshin fjalëve të jetës së përjetshme të zbuluara në këtë kohë nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ne i ftojmë fëmijët e tjerë të Atit tonë të “[vijnë] te Krishti dhe [të] përsos[en] në të”, dhe t’i mohojnë vetes “çdo ligësi”. (Moroni 10:32.)

Ne i ftojmë ata të besojnë në Krisht dhe ungjillin e tij, të vijnë në kishën e tij dhe të jenë një me shenjtorët e tij.

Ne i kemi shijuar frytet e ungjillit dhe e dimë se janë të mira, dhe dëshirojmë që të gjithë njerëzit do të marrin të njëjtat bekime dhe të njëjtin shpirt që është derdhur me kaq bollëk mbi ne.7

E kuptoj që ka njerëz të mirë dhe të devotshëm midis të gjitha sekteve, grupeve dhe besimeve, dhe ata do të bekohen e shpërblehen për të gjithë të mirën që bëjnë. Por qëndron fakti se vetëm ne e kemi plotësinë e atyre ligjeve dhe ordinancave të cilat i përgatisin njerëzit për plotësinë e shpërblimit në banesat lart. Dhe ndaj ne u themi njerëzve të mirë dhe fisnikë, të drejtë dhe të devotshëm kudo: “Mbajeni gjithë të mirën që keni; kapuni pas çdo parimi të vërtetë që tani është i juaji; por ejani dhe merrni nga drita dhe njohuria e mëtejshme, të cilën ai Perëndi që është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë po e derdh sërish mbi popullin e tij”8.

Lutem që qëllimet e Zotit në tokë, si brenda edhe jashtë Kishës, të mund të ndodhin shpejt; që ai do t’i bekojë shenjtorët e tij besnikë; dhe që zemrat e një morie njerëzish që kërkojnë të vërtetën dhe zemrat e të cilëve janë të drejta para Zotit, të mund të bëhen trashëgues të plotësisë së bekimeve të ungjillit të rivendosur bashkë me ne.9

2

Të gjithë anëtarët e Kishës kanë përgjegjësi për të përdorur forcën, energjinë, mjetet dhe ndikimin e tyre për të shpallur ungjillin.

Kemi dëgjuar se ne të gjithë jemi misionarë. … Ne të gjithë jemi veçuar, jo me anë të vënies së duarve; ne nuk kemi pasur një thirrje të veçantë; ne nuk jemi thirrur individualisht për të bërë punë misionare, por si anëtarë të Kishës, duke ia zotuar veten tonë përparimit të ungjillit të Jezu Krishtit ne bëhemi misionarë. Kjo është pjesë e përgjegjësisë së çdo anëtari të Kishës.10

Me një zemër plot dashuri për të gjithë njerëzit, unë u kërkoj anëtarëve të Kishës që të mësojnë dhe ta jetojnë ungjillin, dhe të përdorin forcën, energjinë dhe mjetet e tyre për shpalljen e tij në botë. Ne kemi marrë një urdhër nga Zoti. Ai na ka dhënë një mandat hyjnor. Ai na ka urdhëruar të shkojmë përpara me zell të palodhur dhe t’u ofrojmë fëmijëve të tij të tjerë ato të vërteta shpëtuese të zbuluara Profetit Jozef Smith.11

Misioni ynë, them unë, është, për aq sa është brenda mundësive tona, të shërojmë, të sjellim në pendim sa më shumë fëmijë të Atit tonë në qiell që të jetë e mundur për ne. … Ai është një detyrim që Zoti e ka vendosur mbi Kishën dhe më veçanërisht mbi kuorumet e priftërisë së Kishës, dhe ende ky detyrim i përket çdo shpirti.12

Ka midis nesh shumë shpirtra të ndershëm që kurrë nuk e kanë pranuar mundësinë apo kurrë nuk e kanë marrë mundimin për të kërkuar, që të mund t’i gjejnë këto të vërteta të lavdishme, të cilat janë bërë të njohura në zbulesat e Zotit. Ata nuk mendojnë për kësisoj gjërash, ata jetojnë midis nesh, ne shoqërohemi me ta dhe jemi në kontakt të përditshëm me ta. Ata mendojnë se ne jemi një grup njerëzish shumë të mirë, por të çuditshëm në pikëpamjet tona fetare dhe si pasojë nuk i kushtojnë vëmendje besimit tonë, dhe prandaj kjo punë e madhe misionare që po vazhdon tani në kunjet e Sionit është duke mbledhur një korrje të shpirtrave të ndershëm e besnikë pikërisht midis atyre që kurrë më parë nuk e kishin shfrytëzuar mundësinë, them unë, që ka qenë e tyre, për të dëgjuar ungjillin.13

Two native elder missionaries walking down a dirt road.

“Çdo njeri që merr dritën e ungjillit bëhet dritë dhe udhëzues për të gjithë ata të cilëve mund t’u japë mësim.”

Ne, të cilët e kemi marrë të vërtetën e ungjillit të përjetshëm, nuk duhet të kënaqemi me asgjë që është më pak se më e mira, dhe më e mira është plotësia e mbretërisë së Atit; dhe për këtë unë shpresoj dhe lutem, që ne do të jetojmë dhe japim shembuj drejtësie për të gjithë njerëzit që asnjë të mos pengohet, që asnjë të mos gabojë, që asnjë të mos largohet nga shtegu i drejtësisë, për shkak të ndonjë gjëje që mund të themi apo bëjmë.14

Ka një ndikim që rrezaton jo vetëm nga individi por edhe nga Kisha. Unë besoj se suksesi ynë në botë varet kryesisht nga sjellja e shenjtorëve. Nëse do të ishim plotësisht të bashkuar, në mendim, në vepra, në punët tona; nëse do ta donim fjalën e së vërtetës, nëse do të jetonim sipas mësimeve të saj ashtu si Zoti do të donte që ne të jetonim, atëherë do të rrezatonte nga ky komunitet, nga [bashkësitë] e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në të gjitha këto komunitete, nëpër të gjithë botën, një ndikim që do të ishte i parezistueshëm. Më shumë burra dhe gra të ndershme do të ktheheshin në besim, sepse Shpirti i Zotit do të shkonte përpara nesh për të përgatitur udhën. … Nëse ata, ky popull, do t’i mbante urdhërimet e Zotit do të ishte një forcë, fuqi e ndikim që do të shkatërronte kundërshtimin dhe do t’i përgatiste njerëzit për të marrë dritën e Ungjillit të përjetshëm; dhe kur ne nuk arrijmë ta bëjmë atë, ne marrim mbi vete një përgjegjësi që është e frikshme në pasojat e saj.

Si do të ndihem unë ose si do të ndiheshit ju, kur të thirremi përpara fronit të gjykimit, nëse dikush do të drejtojë gishtin e tij nga unë ose ju dhe do të thotë se “nëse nuk do të ishte për veprimet e këtij njeriu ose të këtij grupi, unë do ta kisha pranuar të vërtetën, por isha i verbër sepse ata, që pretendonin se kishin dritën, nuk e jetuan atë”15.

Zoti thotë se nëse punojmë në gjithë ditët tona dhe shpëtojmë qoftë edhe një shpirt, sa i madh do të jetë gëzimi ynë me të [shih DeB 18:15]; nga ana tjetër, sa i madh do të jetë hidhërimi ynë dhe dënimi ynë nëse nëpërmjet veprave tona ne kemi larguar një shpirt nga kjo e vërtetë!16

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme, kudo që mund të jenë, janë dhe duhet të jenë një dritë për botën. Ungjilli është një dritë që ndriçon në errësirë, dhe çdo njeri që merr dritën e ungjillit, bëhet dritë dhe udhëzues për të gjithë ata të cilëve mund t’u japë mësim.

Përgjegjësia juaj … është që të jeni dëshmitarë të gjallë të së vërtetës dhe hyjnueshmërisë së punës. Shpresojmë që ju do ta jetoni ungjillin dhe do të punoni për shpëtimin tuaj, dhe që të tjerët duke parë veprat tuaja të mira të mund udhëhiqen për të lëvduar Atin tonë në qiej [shih Mateu 5:16].17

3

Kisha ka nevojë për më shumë misionarë që të shkojnë përpara në punën e Zotit.

Ne kemi nevojë për misionarë. … Fusha është e gjerë; e korra është e madhe; kurse punëtorë janë pak [shih Lluka 10:2]. Në të nëjtën mënyrë fusha është e bardhë dhe gati për t’u korrur [shih DeB 4:4]. …

… Misionarët tanë shkojnë përpara. Asnjë fuqi nuk ka mundur ta ndalojë punën që ata po bëjnë. Është provuar. U bënë përpjekje të mëdha në fillim fare kur kishte vetëm një grusht misionarësh, por përparimi i kësaj punë nuk mund të ndalohej. Nuk mund të ndalohet tani. Ajo duhet dhe do të shkojë përpara, që banorët e tokës të mund të kenë mundësinë për t’u penduar për mëkatet e tyre e për të marrë heqje të mëkateve të tyre, dhe për të ardhur në Kishë dhe në mbretërinë e Perëndisë, përpara se këto shkatërrime përfundimtare të vijnë mbi të ligjtë, sepse atyre u është premtuar. …

Dhe këta misionarë, pjesa më e madhe të rinj, të pastërvitur me mënyrat e botës, shkojnë përpara me këtë mesazh të shpëtimit dhe habisin të madhin dhe të fuqishmin, sepse ata kanë të vërtetën. Ata po e shpallin këtë ungjill; i ndershmi dhe i sinqerti po e dëgjojnë atë dhe po pendohen për mëkatet e tyre dhe po vijnë në Kishë.18

Ne shpresojmë ta shohim ditën kur çdo burrë i denjë dhe i kualifikuar shenjtor i ditëve të mëvonshme, do të ketë privilegjin që të shkojë përpara në punën e Zotit për të qëndruar si një dëshmitar i së vërtetës në kombet e tokës.

Ne tani kemi shumë dhe mund të përdorim shumë më tepër çifte të përkushtuara e të moshuara në këtë kauzë të madhe misionare, dhe shpresojmë se ata që janë të denjë e të kualifikuar do të vendosin rregull në punët e tyre, dhe do t’u përgjigjen thirrjeve për të predikuar ungjillin e do t’i përmbushin detyrimet e tyre në mënyrë të pranueshme.

Ne gjithashtu kemi dhe mund të përdorim shumë motra të reja në këtë punë, megjithëse ato nuk kanë të njëjtën përgjegjësi si vëllezërit, dhe shqetësimi ynë më i madh që u drejtohet motrave të reja është që ato të hyjnë në bashkime martesore të duhura në tempujt e Zotit.

Ne i ftojmë anëtarët e Kishës që të ndihmojnë financiarisht për ta mbështetur kauzën misionare dhe për të kontribuar me bujari nga mjetet e tyre për shpërndarjen e ungjillit.

Ne i përgëzojmë ata që po shërbejnë kaq trimërisht në kauzën e madhe misionare. Jozef Smithi tha: “Pas gjithçkaje që është thënë, detyra më e madhe dhe më e rëndësishme është të predikojmë Ungjillin”19.

A senior missionary couple reading the scriptures.

“Ne i përgëzojmë ata që po shërbejnë kaq trimërisht në kauzën e madhe misionare.”

4

Ne duhet t’i predikojmë doktrinat e shpëtimit siç janë shkruar në shkrimet e shenjta, me qartësi e thjeshtësi dhe siç udhëhiqemi nga Shpirti.

Në ditët e hershme të kësaj periudhe ungjillore, Zoti u tha atyre të thirrur në shërbesën e tij: “që çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës; … Që plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve e botës dhe përpara mbretërve dhe sundimtarëve”. (DeB 1:20, 23.)

Atyre që janë thirrur “që të shkojnë për të predikuar” ungjillin e tij dhe të gjithë “pleq[ve], priftërinj[ve] dhe mësues[ve]” të kishës së tij, ai u tha: Ata “do t’u mësojnë parimet e ungjillit tim, të cilat janë në Bibël dhe në Librin e Mormonit”, dhe shkrime të tjera të shenjta, “kur të drejtohen me anë të Shpirtit”. (Shih DeB 42:11–13.)

Si përfaqësues të Zotit, ne nuk jemi thirrur apo autorizuar për të dhënë mësim filozofitë e botës apo teoritë spekulative të epokës sonë shkencore. Misioni ynë është të predikojmë doktrinat e shpëtimit me qartësi dhe thjeshtësi siç na janë zbuluar dhe shkruar në shkrimet e shenjta.

Pasi na drejtoi për të dhënë mësim parimet e ungjillit që gjenden në veprat standarde, siç udhëhiqemi nga Shpirti, Zoti atëherë bëri atë deklaratë të madhe e cila qeveris të gjitha mësimet e ungjillit të tij nga çdonjëri në Kishë: “Dhe Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit; dhe nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim”. (DeB 42:14.)20

5

Ungjilli është shpresa e vetme e botës, e vetmja rrugë që do të sjellë paqe në tokë.

A e dini se cila është fuqia më e madhe, faktori më i fuqishëm në të gjithë botën, për vendosjen e përhershme të paqes në tokë? Meqë e bëra pyetjen do t’i përgjigjem asaj, të paktën do të shpreh pikëpamjen time në lidhje me të – duke mos thënë asgjë rreth lëvizjeve të tjera në botë. Faktori më i madh në të gjithë botën është fuqia e Priftërisë së Shenjtë dhe ajo është në zotërim të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Që nga fillimi, Zoti dërgoi në botë pleqtë [misionarët], duke i urdhëruar ata t’u bënin thirrje njerëzve duke thënë: “Pendohuni, ejani në Sion. Besoni në ungjillin tim dhe do të keni paqe”.

Paqja do të vijë, natyrisht, nëpërmjet drejtësisë vetjake, nëpërmjet drejtësisë së Zotit, nëpërmjet mëshirës së Perëndisë, nëpërmjet fuqisë që ai do të na japë, me anë të së cilës zemrat tona do të preken dhe ne do të kemi dashuri për njëri-tjetrin. Tani, detyra jonë është t’i shpallim këto gjëra midis të gjithë njerëzve, t’u bëjmë thirrje të vijnë në Sion, ku flamuri është ngritur – flamuri i paqes – dhe të marrin nga bekimet e shtëpisë së Zotit dhe ndikimin e Shpirtit të tij të Shenjtë që është shfaqur këtu. Dhe dua t’ju them se vetë ne, nëse do t’i shërbejmë Zotit, kemi fuqinë e mrekullueshme në lidhje me vendosjen e paqes në botë.

Tani, ne jemi të gatshëm që lëvizje të tjera në këtë drejtim të vazhdojnë. Ne jemi në favor të gjithçkaje që do të sjellë paqe në botë; por le të mos e harrojmë faktin se ne, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, nëse do të lidhemi së bashku, dhe do të qëndrojmë si një duke i shërbyer Zotit dhe do ta dërgojmë fjalën e jetës së përjetshme midis kombeve, sipas gjykimit tim, do të kemi fuqi më të madhe për vendosjen e paqes në botë sesa ndonjë forcë tjetër. Jam shumë dakord me idenë që është shprehur se Zoti po përdor shumë grupe njerëzish; puna e tij nuk kufizohet me shenjtorët e ditëve të mëvonshme, sepse ai ka thirrur shumë në shërbimin e tij jashtë Kishës dhe u ka dhuruar atyre fuqi, i ka frymëzuar për të bërë punën e tij. … Megjithatë, vëllezërit e motrat e mia, le të mos e harrojmë faktin se ne jemi një fuqi për mirë në tokë e për shpërndarjen e së vërtetës dhe vendosjen e paqes midis të gjitha kombeve, fiseve, gjuhëve dhe njerëzve. … Misioni ynë ka qenë dhe është: “Pendohuni, sepse mbretëria e Perëndisë është pranë”. [Shih DeB 33:10.]

Ne duhet të vazhdojmë derisa të gjithë të drejtët të jenë mbledhur, derisa të gjithë njerëzit të jenë paralajmëruar, derisa ata që do të dëgjojnë do të dëgjojnë, dhe ata që nuk do të dëgjojnë gjithashtu do të dëgjojnë, sepse Zoti ka shpallur se nuk do të ketë asnjë shpirt që nuk do të dëgjojë, as edhe një zemër që nuk do të përshkohet [shih DeB 1:2], sepse fjala e tij do të shkojë përpara, nëse do të jetë fjala e pleqve të tij ose nga ndonjë mënyrë tjetër, nuk ka rëndësi, por në kohën e tij të duhur, ai do të shpejtojë punën e tij në drejtësi; ai do të vendosë të vërtetën e tij dhe do të vijë e mbretërojë mbi tokë.21

Ne i respektojmë fëmijët e tjerë të Atit tonë të të gjitha sekteve, grupeve, besimeve dhe nuk kemi dëshirë përveçse t’i shohim ata të marrin dritën dhe njohurinë e shtuar që na ka ardhur me anë të zbulesës, dhe për t’u bërë me ne trashëgimtarë të bekimeve të mëdha të rivendosjes së ungjillit.

Por ne kemi planin e shpëtimit; ne administrojmë ungjillin; dhe ungjilli është shpresa e vetme e botës, e vetmja rrugë që do të sjellë paqe në tokë dhe do të ndreqë gabimet që ekzistojnë në të gjitha kombet.22

Ne e dimë se nëse njerëzit do të kenë besim në Krisht, do të pendohen për mëkatet e tyre, do të bëjnë besëlidhje në ujërat e pagëzimit për të mbajtur urdhërimet e tij, dhe pastaj do të marrin Frymën e Shenjtë me anë të vendosjes së duarve nga ata që janë thirrur dhe shuguruar me këtë fuqi – dhe nëse atëherë do t’i mbajnë urdhërimet – ata do të kenë paqe në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që do të vijë [shih DeB 59:23].23

Nuk ka kurë për problemet e botës përveçse ungjilli i Zotit Jezu Krisht. Shpresa jonë për paqe, për përparim të përkohshëm e shpirtëror dhe për një trashëgimi të mundshme në mbretërinë e Perëndisë, gjendet vetëm në dhe nëpërmjet ungjillit të rivendosur. Nuk ka asnjë punë ku cilido prej nesh mund të përfshihet që është po aq e rëndësishme sa predikimi i ungjillit, ndërtimi i Kishës dhe i mbretërisë së Perëndisë në tokë.24

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Mendoni për mënyrën se si Jozef Filding Smithi reagoi ndaj sfidave si një misionar kohëplotë (shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”). Si mund të ndikojë shembulli i tij në shërbimin tuaj në Kishë?

  • Meditoni mbi bekimin e shijimit të “fryte[ve] [të] ungjillit” (pjesa 1). Mendoni rreth njerëzve me të cilët ju mund t’i ndani këto “fryte”.

  • Si mund të na ndihmojnë fjalët e Presidentit Smith në pjesën 2 për ta ndarë ungjillin me të tjerët?

  • Presidenti Smith tha se Kisha ka nevojë për më shumë misionarë kohëplotë, duke përfshirë “çifte[t] [e] moshuara” (pjesa 3). Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar të rinjtë të përgatiten për të shërbyer? Çfarë mund të bëni ju për ta përgatitur vetveten për të shërbyer?

  • Në çfarë mënyrash fjalët dhe veprimet tona mund t’i komunikojnë qartësinë dhe thjeshtësinë e ungjillit? (Shih pjesën 4.) Kur e keni ndier Frymën e Shenjtë t’ju udhëheqë në këto përpjekje?

  • Cilat mësime në pjesën 5 janë veçanërisht frymëzuese për ju? Cilat janë ndjenjat tuaja kur mendoni të ndani “shpres[ën] e vetme [të] botës, [të] vetm[en] rrugë që do të sjellë paqe në tokë”?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 24:14; Marku 16:15; 1 Nefi 13:37; 2 Nefi 2:6–8; 3 Nefi 12:13–16; DeB 1:17–24; 4; 50:13–14; 88:81; 133:57–58

Ndihmë për Mësimdhënien

Kur një pjesëmarrës lexon me zë të lartë nga mësimet e Presidentit Smith, ftojini pjesëmarrësit e tjerë të “dëgjojnë dhe kërkojnë parime apo ide të veçanta. Nëse një fragment përmban fjalë ose fraza të pazakonta apo të vështira, shpjegojini këto përpara se të lexohet fragmenti. Nëse ndonjëri në grup mund të ketë vështirësi me leximin, kërkoni vullnetarë në vend që ta bëni me rradhë” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 56).

Shënime

  1. Jozef Filding Smithi për Luia Shurtlif Smithin, në Joseph Fielding Smith Jr. and John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 114–115.

  2. Jozef Filding Smith për Luia Shurtlif Smithin, në The Life of Joseph Fielding Smith, f. 102.

  3. Shih The Life of Joseph Fielding Smith f. 91.

  4. Ditari i Jozef Filding Smithit, 30 prill 1901, Biblioteka e Historisë së Kishës; pikësimi dhe përdorimi i germave të mëdha janë standardizuar.

  5. Shih Conference Report, Konferenca e Përgjithshme e Zonës Britanike 1971, f. 85.

  6. Në Conference Report, Konferenca e Përgjithshme e Zonës Britanike 1971, f. 176.

  7. “I Know That My Reedemer Liveth”, Ensign, dhjetor 1971, f. 26–27.

  8. “A Witness and a Blessing”, Ensign, qershor 1971, f. 109–110.

  9. “Out of the Darkness”, Ensign, qershor 1971, f. 4.

  10. Take Heed to Yourselves, përmb. Joseph Fielding Smith Jr. (1966), f. 27–28.

  11. Në Conference Report, tetor 1970, f. 5–6.

  12. Në Conference Report, prill 1944, f. 50; shih edhe Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:308.

  13. Në Conference Report, prill 1921, f. 42.

  14. Në Conference Report, prill 1923, f. 139.

  15. Në Conference Report, tetor 1933, f. 62–63.

  16. Në Conference Report, prill 1951, f. 153.

  17. Në Conference Report, Konferenca e Përgjithshme e Zonës Britanike 1971, f. 176.

  18. Në Conference Report, prill 1953, f. 19–20.

  19. Në Conference Report, tetor 1970, f. 7; shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 349.

  20. Në Conference Report, tetor 1970, f. 5.

  21. Në Conference Report, tetor 1919, f. 89–90.

  22. “To the Saints in Great Britain”, Ensign, shtator 1971, f. 3–4.

  23. Në Conference Report, tetor 1970, f. 7.

  24. “Counsel to the Saints and to the World”, Ensign, korrik 1972, f. 27.