Mësime të Presidentëve
Kapitulli 8: Kisha dhe Mbretëria e Perëndisë


Kapitulli 8

Kisha dhe Mbretëria e Perëndisë

“Të gjithë njerëzit le ta dinë me siguri se kjo është Kisha e Zotit dhe se ai po drejton punën e saj. Ç’privilegj që është të jesh i anëtarësuar në një institucion të tillë hyjnor!”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Shërbesa e Jozef Filding Smithit si President i Kishës, nga 23 janari 1970 deri më 2 korrik 1972, ishte kulmimi i një jete përkushtimi në mbretërinë e Zotit. Ai thoshte me shaka se detyra e tij e parë në Kishë i erdhi kur ishte foshnjë. Kur ishte nëntëmuajsh, bashkë me të atin, Presidentin Jozef F. Smith, shoqëruan Presidentin Brigam Jang në Seint-Xhorxh të Jutas, për të marrë pjesë në përkushtimin e Tempullit të Seint-Xhorxhit.1

Në rini Jozef Filding Smithi shërbeu një mision kohëplotë dhe më vonë u thirr president i një kuorumi të priftërisë dhe anëtar i bordit të përgjithshëm të Shoqatës së Përmirësimit Reciprok të Të Rinjve (pararendësja e organizatës së sotme të Të Rinjve). Gjithashtu punoi si nëpunës në zyrën e Historianit të Kishës dhe heshturazi e ndihmoi të atin si një sekretar jozyrtar kur i ati ishte President i Kishës. Përmes këtyre mundësive të shërbimit, Jozef Filding Smithi arriti të çmonte organizimin e frymëzuar të Kishës dhe rolin e saj në udhëheqjen e individëve e të familjeve drejt jetës së përjetshme.

Jozef Filding Smithi u shugurua Apostull i Zotit Jezu Krishti më 7 prill 1910. Shërbeu si pjesëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve thuajse për 60 vjet, përfshirë thuajse 20 vjet si President i atij Kuorumi. Si Apostull ai ndihmoi për të drejtuar Kishën anembanë botës. Mori pjesë në shumë aspekte të misionit të Kishës, duke shërbyer si Historian i Kishës, president i Tempullit të Solt-Lejkut, president i Shoqatës Gjenealogjike të Jutas dhe Këshilltar në Presidencën e Parë.

Joseph Fielding Smith holding open scriptures.

Presidenti Jozef Filding Smith, një shërbëtor i përkushtuar në mbretërinë e Zotit.

Si njeri i thjeshtë e pa pretendime, Jozef Filding Smithi nuk i kërkoi asnjëherë këto detyra. Por, kur Zoti e thërriste për të shërbyer, ai bindej me gatishmëri dhe entuziazëm. Ai e shfaqi heshturazi këtë përkushtim një ditë kur, në moshë 89-vjeçare, shkoi në një mbledhje. Duke vajtur në këmbë nga shtëpia e tij, ai rrëshqiti dhe ra nga një palë shkallë. Megjithëse e lëndoi këmbën, eci rreth një çerek miljeje [400 m] – “duke çaluar si një i moshuar”, tha ai – në mënyrë që të përmbushte përgjegjësitë e tij. Pas mbledhjes u kthye në këmbë në shtëpi, ku ai më në fund lejoi që ta vizitonte një doktor. Doktori zbuloi se këmba e Presidentit Smith kishte fraktura në shumë vende. Presidenti Smith më vonë komentoi mbi ngjarjen e përjetuar. “Mbledhja zgjati ca si shumë”, tha ai. “Por pastaj, shumica e mbledhjeve zgjasin.”2

Në një mesazh drejtuar rinisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, Presidenti Smith tregoi arsyen pse ishte aq i përkushtuar në punën e Kishës:

“Unë e di se Perëndia jeton. Unë e di që Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur në mish i Atit tonë. Kam një besim të përkryer në misionin e Profetit Jozef Smith dhe të atyre që kanë ardhur pas tij.

E di që ne kemi të vërtetën e ungjillit të përjetshëm të Jezu Krishtit, po ashtu siç e di që jetoj. Nëse nuk do ta dija, nuk do të dëshiroja të isha këtu apo të kisha të bëja ndopak me këtë punë. Por e di në çdo ind të trupit tim. Ma ka zbuluar Perëndia.”3

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Pas shekujsh errësire e braktisjeje shpirtërore Zoti e ka rivendosur ungjillin e Tij dhe ka organizuar Kishën e Tij mbi tokë.

Zoti e [ka] rivendosur ungjillin dhe e ka organizuar sërish Kishën e tij mbi tokë. Arsyeja e një organizimi dhe rivendosjeje të tillë është fakti se bota për shekuj ka qenë në errësirë shpirtërore, pa autoritetin dhe pa kuptimësinë; nuk dinin si ta adhuronin Perëndinë e gjallë. …

Besëlidhja e përjetshme qe thyer; kuptimi i saktë i parimeve të ungjillit qe zhdukur përmes braktisjes; e drejta për të kryer detyrat në ordinancat e ungjillit kishte mbaruar midis njerëzve. U bë e domosdoshme që e gjithë kjo të rivendosej dhe që besimi të mund të shtohej mes njerëzve nëpërmjet një hapjeje të qiejve dhe një rivendosjeje të ungjillit.

Kështu, Zoti dërgoi nga prania e tij lajmëtarët e vet, me plotësinë e ungjillit e me fuqinë dhe autoritetin e priftërisë që t’ua jepnin njerëzve, dhe u dha urdhërime … ngaqë Zoti i dinte fatkeqësitë që do t’i vinin botës, dhe ishte vullneti i tij që njerëzve t’u jepej paralajmërimi i duhur dhe mundësia e pranimit të ungjillit, që ata të mund të pendoheshin e të ktheheshin nga udhët e tyre të liga dhe t’i shërbenin Zotit [shih DeB 1:17–23].4

Ne shpallim se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë, i vetmi vend ku njerëzit mund të vijnë e të mësojnë doktrinat e vërteta të shpëtimit dhe të gjejnë autoritetin e priftërisë së shenjtë.5

Të dashur vëllezër e motra të mia: Jam mirënjohës sa nuk mund ta shpreh me fjalë për bekimet që Zoti më ka dhënë mua dhe anëtarëve besnikë të kësaj kishe në kombe të ndryshme të tokës dhe të gjithë fëmijëve të tij kudo.

E falënderoj atë çdo ditë të jetës sime që ka rivendosur në këto ditë të fundit ungjillin e tij të përjetshëm për shpëtimin e të gjithë atyre që do të besojnë e do t’u binden ligjeve të tij.6

2

Vetë Zoti e drejton punën e Kishës dhe është privilegji ynë të kemi në të anëtarësi.

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është në realitetin e mirëfilltë mbretëria e Perëndisë në tokë.7

Dëshiroj të them se asnjë njeri nuk mundet ta udhëheqë vetë këtë kishë. Ajo është Kisha e Zotit Jezu Krisht; ai është kreu. Kjo kishë mban emrin e tij, ka priftërinë e tij, shërben ungjillin e tij, predikon doktrinën e tij dhe bën punën e tij.

Ai i zgjedh njerëzit dhe i thërret që të jenë mjete në duart e tij për të përmbushur qëllimet e tij, dhe i udhëheq e i drejton ata në punët e tyre. Por njerëzit janë veçse mjete në duart e Zotit dhe nderi e lavdia për gjithçka që kryejnë shërbëtorët e tij, i njihen dhe duhet t’i njihen atij përgjithmonë.

Nëse kjo do të ishte vepra e njeriut, ajo do të dështonte, por është vepra e Zotit dhe ai nuk dështon. Dhe e kemi sigurinë që, nëse i zbatojmë urdhërimet e jemi guximtarë me dëshminë e Jezusit dhe jemi të vërtetë në çdo gjë që ai na beson, Zoti do të na udhëheqë e drejtojë neve dhe kishën e tij në shtigjet e drejtësisë, për plotësimin e të gjitha qëllimeve të tij.8

Të gjithë anëtarëve të Kishës anembanë botës dëshiroj t’u them se kjo kishë ka për të kryer një mision të caktuar hyjnisht nën drejtimin dhe udhëheqjen e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë dhe se asgjë nuk do t’i ndalë planet e tij në lidhje me të. Ajo do të përmbushë planet e Atit tonë qiellor. Shpresoj se shenjtorët anembanë botës e falënderojnë përditë Zotin që janë anëtarë të kishës së tij si dhe për misionin e Profetit Jozef Smith në rivendosjen e ungjillit për gëzimin dhe lumturinë tonë.9

Të ndershmëve në zemër, në të gjitha kombet, u themi: Zoti ju do. Ai dëshiron që ju të merrni bekimet e plota të ungjillit. Ai tani po ju fton që ta besoni Librin e Mormonit, ta pranoni Jozef Smithin si profet dhe të vini te mbretëria e tij tokësore e nëpërmjet saj të bëheni trashëgimtarë të jetës së përjetshme në mbretërinë e tij qiellore.10

Që nga organizimi i Kishës, asnjëherë nuk ka pasur një kohë kur Kishën e udhëhoqi njeriu. Nuk ishte ashtu në ditët e Jozef Smithit, as të Brigam Jangut; nuk ka qenë ashtu që atëherë. Kjo është vepra e Zotit dhe mos harroni se është I Plotfuqishmi që do ta bëjë këtë vepër e jo njeriu.11

E di që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë mbi tokë dhe që ajo, sikurse është organizuar e udhëhequr në këtë kohë, ka miratimin e Zotit dhe po ecën në rrugën e drejtuar në atë mënyrë.

Të gjithë njerëzit le ta dinë me siguri se kjo është Kisha e Zotit dhe se ai po drejton punën e saj. Ç’privilegj që është të jesh i anëtarësuar në një institucion të tillë hyjnor!12

3

Kisha është organizuar që t’i ndihmojë anëtarët të gjejnë gëzim e lumturi në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në jetën që vjen.

Zoti i ka vënë të gjitha gjërat në rregull dhe na ka dhënë një sistem të përkryer. Njerëzit nuk mund ta përmirësojnë atë. Nëse do ta zbatonim atë që Zoti ka zbuluar, ashtu si e ka zbuluar, atëherë të gjitha gjërat do të ishin të përkryera, sepse organizimi është një organizim i përkryer; teoria e tij – plani i tij – është pa të metë.13

Zoti ka ngritur në kishën e tij një organizatë të priftërisë të kryesuar nga apostuj e profetë. Dhe ai ka dhënë gjithashtu organizata të tjera … që të mbështesin e të ndihmojnë priftërinë.

Në çdo periudhë ungjillore ka nevoja të veçanta për t’u plotësuar, probleme për t’u zgjidhur dhe ndihmë që duhet të jepet për t’i ndihmuar e mbështetur anëtarët e Kishës në punën e shpëtimit të tyre “me frikë e me dridhje” para Zotit. (Shih Filipianëve 2:12.) Prandaj kemi organizata ndihmëse [Shoqatën e Ndihmës, Të Rinjtë, Të Rejat, Filloren dhe Shkollën e së Dielës] që ta mbështesin e ta ndihmojnë priftërinë. Ato janë organizuar në mënyrë të tillë që t’u përgjigjen nevojave të njerëzve në çfarëdo gjendjeje shoqërore që mund të ketë. Ato janë pjesë e qeverisjes së Perëndisë dhe janë ngritur për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës që të përsosin jetën e tyre e që të bëjnë ato gjëra të cilat u sigurojnë gëzim e lumturi në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në jetën që vjen. …

Kisha dhe sektorët e saj administrativë përbëjnë, në fakt, një organizatë shërbimi për të ndihmuar familjen dhe individin. Mësuesit e shtëpisë, udhëheqësit e priftërisë dhe peshkopët caktohen që t’i udhëheqin ata me të cilët punojnë drejt jetës së përjetshme në mbretërinë e Atit tonë, dhe organizatat ndihmëse caktohen që të mbështesin e të ndihmojnë në këtë vepër të madhe të shpëtimit.

Nuk arrijmë ta theksojmë aq fort kërkesën e madhe të përdorimit të të gjitha këtyre programeve për të mirën dhe bekimin e gjithë fëmijëve të Atit tonë. …

Nëse ne të gjithë i bëjmë të gjitha gjërat që duhen nga ne në çuarjen përpara të programeve të Kishës, Zoti do të na bekojë e begatojë aq plot, saqë suksesi do t’i ndjekë punët tona dhe, prej gjithë kësaj, paqja e gëzimi do të jenë shpërblimi ynë këtu dhe lavdia e përjetshme paskëtaj.14

4

Shërbimi ynë në Kishë shpreh dashurinë për të tjerët dhe vlerësim për shërbimin e pafundëm të Zotit.

Zoti është me Kishën. Ai po na udhëheq. Shpirti i tij prehet mbi këtë popull. Ajo që kërkon ai nga ne, është që t’i shërbejmë me përulësi dhe me bashkim të zemrës e të shpirtit.15

Shpëtimtari ynë erdhi në botë që të na mësojë dashurinë për njëri-tjetrin dhe, meqenëse ai mësim i madh u shpalos nëpërmjet vuajtjes së tij të madhe dhe vdekjes së tij, që ne të mund të jetonim, a nuk duhet ta shprehim dashurinë për shoqi-shoqin nëpërmjet shërbimit që bëjmë për ta? A nuk duhet ta tregojmë vlerësimin tonë për shërbimin e pafundëm që ai na dha, duke dhënë shërbim në kauzën e tij?

Njeriu i cili në Kishë bën vetëm ato gjëra që i interesojnë vetëm vetvetes, nuk do ta arrijë kurrë ekzaltimin. Për shembull, njeriu që është i gatshëm të lutet, të paguajë të dhjetat dhe ofertat dhe të merret me detyrat e zakonshme që i përkasin jetës së tij vetjake dhe asgjë më shumë, nuk do t’ia arrijë kurrë synimit të përsosjes.16

Kurrë mos refuzoni të shërbeni. Kur një funksionar kryesues kërkon ndihmën tuaj, kënaquni që ta pranoni e të jepni më të mirën që ju keni për atë punë. Zoti e pret këtë nga ne dhe ne jemi nën besëlidhje që të veprojmë ashtu. Kjo mënyrë sjell gëzim e paqe dhe, njëkohësisht, ata të cilët shërbejnë marrin bekimin më të madh. Mësuesi merr më shumë se personi që mësohet; bekimi që na shpërblen kur pranojmë një thirrje për të punuar në Kishë, është shumë më i madh se bekimi që u japim të tjerëve. Ai që nuk pranon të kryejë ndonjë punë ose i shmanget përgjegjësisë kur ajo i jepet në Kishë, është në rrezik të madh që ta humbasë udhëheqjen e Shpirtit. Përfundimisht, ai bëhet i plogët e mospërfillës ndaj të gjitha detyrave dhe, porsi bima që nuk kultivohet e nuk ujitet, ai fishket dhe vdes shpirtërisht.17

Shërbimi juaj i aftë nuk kalon pa u vënë re nga ai Perëndi të cilit i shërbeni dhe në punën e të cilit jeni përfshirë.18

A young man and his mother working in a flower garden as an elderly woman looks on.

“Shërbimi juaj i aftë nuk kalon pa u vënë re nga ai Perëndi të cilit i shërbeni dhe në punën e të cilit jeni përfshirë.”

Lutja ime është që të gjithë ne, duke punuar së bashku si vëllezër e motra të vërteta në mbretërinë e Zotit, të mund të punojmë në mënyrë të tillë që ta përmbushim punën e madhe që shtrihet përpara.19

5

Në këtë periudhë ungjillore mbretëria e Perëndisë dhe puna e Zotit do të përhapen anembanë botës.

Një periudhë e Ungjillit përkufizohet si lejim që funksionarëve të zgjedhur hyjnisht, nëpërmjet një mandati nga Perëndia, t’u jepet fuqi dhe autoritet për të shpërndarë fjalën e Perëndisë dhe për të drejtuar në të gjitha ordinancat e saj. …

Ka pasur kohë kur Ungjilli u është hequr njerëzve për shkak të shkeljeve të tyre. I tillë ishte rasti në ditët e Noeut. Izraeli iu largua Zotit dhe u la në terr për shumë breza që i paraprinë ardhjes së Jezu Krishtit dhe, kur ai erdhi mes njerëzve, ai e rivendosi plotësinë e Ungjillit. Ai dërgoi dishepujt e tij që të shpallnin mesazhin e tij në të gjithë botën, por nuk kaluan shumë shekuj para se njerëzit të binin rishtas në gabim dhe të humbisnin autoritetin për të vepruar në emrin e Zotit. Kjo e bëri të domosdoshme hapjen e qiejve dhe shpalosjen e një periudhe të re ungjillore që do të përgatiste ardhjen e dytë të Zotit tonë në retë e qiellit, për të mbretëruar në lavdi mbi tokë për një mijë vjet, ngjarje e cila është pranë, madje në pragjet tona.20

Vetë ungjilli ka qenë i njëjtë në të gjitha periudhat ungjillore; plani i shpëtimit është i njëjti për të gjithë fëmijët e Atit tonë, në çdo epokë. Herë pas here ai ka humbur nga braktisja, por, kurdoherë që Zoti ka pasur një popull në tokë, i janë ofruar po ato ligje e të vërteta të shpëtimit që ai na ka zbuluar neve.

Por ka një gjë të madhe shtesë që kemi marrë në këtë epokë, që nuk e kanë pasur kurrë më parë. Në këtë periudhë ungjillore Zoti ka shpallur se Kisha nuk do të largohet më kurrë nga udha e drejtë; këtë herë ungjilli është këtu për të qëndruar. Këtë herë e vërteta e zbuluar është paracaktuar të përgatisë një popull për ardhjen e dytë të Birit të Njeriut dhe Kisha do të zërë vend në të gjitha pjesët e tokës kur Zoti të vijë për të shpallur epokën mijëvjeçare të paqes dhe të drejtësisë.21

Ne jemi anëtarë të një kishe botërore, një kishe që ka planin e jetës dhe të shpëtimit, një kishe të ngritur nga vetë Zoti në këto ditë të fundit për t’ua çuar mesazhin e tij të shpëtimit të gjithë fëmijëve të tij në të gjithë tokën. …

Ne kemi arritur shtatin dhe fuqinë që po na mundësojnë të përmbushim mandatin që Zoti na ka dhënë nëpërmjet Profetit Jozef Smith se lajmin e mirë të rivendosjes duhet t’ia çojmë çdo kombi dhe të gjithë njerëzve.

E jo vetëm që do ta predikojmë ungjillin në çdo komb përpara ardhjes së dytë të Birit të Njeriut, por do të kthejmë njerëz në besim e do të themelojmë grumbullime shenjtorësh mes tyre.22

Mbretëria e Perëndisë dhe puna e Zotit do të përhapet gjithnjë e më shumë; ajo do të përparojë në botë më shpejt në të ardhmen, sesa ka përparuar në të kaluarën. Zoti e ka thënë atë dhe Shpirti jep dëshmi; dhe unë jap dëshmi për këtë, sepse vërtet e di që kjo është e vërtetë. Mbretëria e Perëndisë është këtu që ajo të rritet, të përhapet kudo, të zërë rrënjë në tokë dhe të mbetet aty ku Zoti e ka mbjellë me anë të vetë fuqisë së tij dhe të vetë fjalës së tij, për të mos u shkatërruar më kurrë, por që të vazhdojë derisa qëllimet e Të Plotfuqishmit të plotësohen – çdo parim për të cilin është folur nga profetët qëkurse bota filloi. Ajo është puna e Perëndisë, të cilën vetë ai, me urtësinë e vet dhe jo me urtësinë e njeriut, e ka rivendosur në tokë në ditët e mëvonshme.23

Ungjilli është për të gjithë njerëzit dhe Kisha do të ngrihet kudo, në të gjitha kombet, madje deri në skajet e tokës, përpara ardhjes së dytë të Birit të Njeriut.24

Unë e di dhe dëshmoj se qëllimet e Zotit në tokë do të ngadhënjejnë. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është këtu për të qëndruar. Puna e Zotit do të ngadhënjejë. Asnjë fuqi në tokë nuk mund ta pengojë përhapjen e së vërtetës dhe predikimin e ungjillit në çdo komb.25

Ju lë juve bekimin tim dhe bindjen time që Perëndia është me popullin e tij dhe që puna në të cilën jemi përfshirë do të ngadhënjejë e do të vazhdojë derisa qëllimet e përjetshme të Zotit të plotësohen.26

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Si mund ta ndjekim shembullin e Presidentit Smith në shërbimin tonë në Kishë? (Shih pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”.)

  • Mendohuni për mësimet e Presidentit Smith për Rivendosjen e ungjillit (shih pjesën 1). Çfarë ndieni kur mendoni se po jetoni në një kohë që Kisha e Zotit është e rivendosur në tokë?

  • Presidenti Smith dëshmoi se Jezu Krishti është kreu i Kishës (shih pjesën 3). Si mund t’ia tregonit dëshminë që keni për këtë të vërtetë dikujt që nuk është anëtar i Kishës?

  • Si ju kanë ndihmuar organizatat dhe programet e Kishës që të merrni bekimet që përmenden në pjesën 3? Si e kanë ndihmuar ato familjen tuaj?

  • Presidenti Smith tha: “Shpëtimtari ynë erdhi në botë që të na mësojë dashurinë për njëri-tjetrin” (pjesa 4). Në çfarë mënyrash mund ta ndjekim shembullin e dashurisë së Shpëtimtarit kur shërbejmë si mësues të shtëpisë apo mësuese vizitore?

  • Teksa shqyrtoni pjesën 5, vini re se ku ndryshon kjo periudhë ungjillore nga të tjerat. Si ndikon kjo kuptimësi në shërbimin tonë në Kishë? Çfarë ndieni kur mendoni mbi përgatitjen e botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mosia 18:17–29; DeB 1:30; 65:1–6; 115:4; 128:19–22

Ndihmë për Mësimdhënien

“Kur përdorni veprimtari të larmishme mësimore, nxënësit priren që t’i kuptojnë më mirë parimet e ungjillit e të mbajnë mend më shumë. Një metodë e përzgjedhur me kujdes mund ta bëjë një parim më të qartë, më interesant dhe më të paharrueshëm” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 89).

Shënime

  1. Shih Joseph Fielding Smith Jr. and John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 16.

  2. The Life of Joseph Fielding Smith, f. 4.

  3. “My Dear Young Fellow Workers”, New Era, janar 1971, f. 5.

  4. Në Conference Report, tetor 1944, f. 140–141.

  5. “Out of the Darkness”, Ensign, qershor 1971, f. 4.

  6. Në Conference Report, prill 1970, f. 4.

  7. “Use the Programs of the Church”, Improvement Era, tetor 1970, f. 3.

  8. Në Conference Report, prill 1970, f. 113.

  9. “For Thus Shall My Church Be Called”, Improvement Era, prill 1970, f. 3.

  10. “Counsel to the Saints and to the World”, Ensign, korrik 1972, f. 27.

  11. Në Conference Report, tetor 1968, f. 123.

  12. Në Conference Report, tetor 1970, f. 8.

  13. “The One Fundamental Teaching”, Improvement Era, maj 1970, f. 3.

  14. “Use the Programs of the Church”, f. 2–3.

  15. “The One Fundamental Teaching”, f. 3.

  16. Në Conference Report, prill 1968, f. 12.

  17. Në Conference Report, prill 1966, f. 102.

  18. Në Conference Report, prill 1970, f. 59.

  19. Në Conference Report, prill 1970, f. 114.

  20. “A Peculiar People: Gospel Dispensations”, Deseret News, 5 dhjetor 1931, seksioni për Kishën, f. 6.

  21. “A Call to Serve”, New Era, nëntor 1971, f. 5.

  22. Në Conference Report, Konferenca e Përgjithshme e Zonës Britanike 1971, f. 5.

  23. Në Conference Report, tetor 1968, f. 123.

  24. Në Conference Report, Konferenca e Përgjithshme e Zonës Britanike 1971, f. 176.

  25. “Counsel to the Saints and to the World”, f. 28.

  26. Në Conference Report, prill 1970, f. 148–149.