Kapitulli 12
Betimi dhe Besëlidhja e Priftërisë
“Bekimet e Zotit u ofrohen shenjtorëve dhe botës nëpërmjet shërbimeve të atyre që mbajnë priftërinë e tij të shenjtë, të cilët e përfaqësojnë atë.”
Nga Jeta e Jozef Filding Smithit
Më 9 prill 1951, pasi shërbeu për 41 vjet si apostull, Jozef Filding Smithi u mbështet si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Jo shumë kohë pas votës mbështetëse, Presidenti Smith iu drejtua bashkësisë. Ai foli shkurtimisht për ndjenjat e veta rreth thirrjes së tij:
“E kuptoj që pozita, të cilën jam thirrur ta përmbush, është një pozitë me rëndësi të madhe. Ajo më bën të përulur. …
Falënderoj Zotin për ungjillin e Jezu Krishtit, për anëtarësinë time në Kishë, për mundësinë që më ka ardhur për të dhënë shërbim. Kam vetëm një dëshirë, i dobët siç jam, dhe ajo është që ta lartësoj thirrjen që është e imja, sa më të mirë që të jem i aftë.”1
Presidenti Smith i nxiti shpesh mbajtësit e priftërisë që t’i lartësonin thirrjet e tyre. Edhe pse publikisht ai e tregoi dëshirën e vet për t’i lartësuar thirrjet e tij në priftëri2, rrallëherë foli rreth përpjekjeve të tij për ta bërë atë. Megjithatë, njëherë ai reflektoi rreth shërbimit priftëror që kishte dhënë me mikun e tij Xhorxh F. Riçards, i cili e kishte paraprirë atë si President i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve:
“Për dyzet vjet u ula në këshill, mora pjesë në konferenca dhe shërbeva në mënyra të ndryshme me Presidentin Xhorxh F. Riçards. …
Kemi udhëtuar së bashku te shumë kunje të Sionit. Në ditët e hershme, ne, vëllezërit e autoriteteve të përgjithshme, shkuam dy e nga dy në vizitat për te kunjet e Sionit. Atje ku nuk na çonin hekurudhat, dhe vende të tilla ishin të shumta, ne zakonisht udhëtonim me ato që njiheshin si ‘çatibardhat’, që ishin karroca të lehta pranverore. Udhëtimet e largëta zakonisht do të thoshin takime në dy kunje, shpesh në tre ose katër.
Në udhëtime të tilla, mbledhje u mbajtën çdo ditë ndërmjet konferencave të kunjit në vendbanime, ose lagje, të ndryshme të kunjeve. Udhëtime të tilla ishin në rrugë plot gunga, nganjëherë thjesht shtigje, përmes pluhurit të rëndë në verë dhe të ftohtit të hidhur të dimrit, shpesh përmes baltës së rënduar ose dëborës së dendur.”3
Plaku Frensis M. Gibons, i cili shërbeu si sekretar i Presidencës së Parë, tregoi një këndvështrim rreth mënyrës se si e lartësoi Presidenti Smith thirrjen e tij në priftëri: “Ndërsa ishte tërësisht i ndërgjegjshëm për autoritetin e vet, ai ishte gjithmonë i përulur dhe i matur në mënyrën e ushtrimit të tij. Karakterit të tij i mungonte kryelartësia, shtirja ose vetëmburrja. Ai kurrë nuk u mburr, kurrë nuk u krekos me privilegjet e detyrës së tij.”4
Si President i Kishës, Jozef Filding Smithi foli në pesë sesione priftërie të konferencës së përgjithshme, duke i nxitur vëllezërit t’i lartësonin thirrjet e tyre në priftëri. Mësimet në këtë kapitull u morën nga katër prej atyre predikimeve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë një bisede që Presidenti Smith dha më 3 tetor 1970. Duke qenë se predikimet u mbajtën në mbledhjet e priftërisë, fjalët në këtë kapitull u drejtohen meshkujve. Megjithatë, këto fjalë përfshijnë një mirëkuptim se fuqia e priftërisë është një bekim i madh për të gjithë anëtarët e Kishës. Në një nga predikimet, Presidenti Smith tha: “Mendoj se ne të gjithë e dimë që bekimet e priftërisë nuk kufizohen vetëm te meshkujt. Këto bekime vijnë me shumicë edhe mbi bashkëshortet e bijat tona dhe mbi të gjitha gratë besnike të Kishës. Këto motra të mira mund ta përgatisin veten, nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve dhe nëpërmjet shërbimit në Kishë, për bekimet e shtëpisë së Zotit. Zoti u ofron bijave të tij çdo dhuratë dhe bekim shpirtëror që mund të fitohet nga bijtë e tij, sepse as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin në Zotin [shih 1 Korintasve 11:11].”5
Mësime të Jozef Filding Smithit
1
Burrat duhet të kenë një kuptim të qartë të besëlidhjes që bëjnë, kur ata marrin detyra në priftëri.
Dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj ndaj betimit dhe besëlidhjes së Priftërisë Melkizedeke. Mendoj se, në qoftë se kemi një kuptim të qartë të besëlidhjes që bëjmë kur marrim detyra në priftëri, dhe të premtimit që Zoti jep nëse i lartësojmë thirrjet tona, atëherë ne do të kemi një nxitje më të madhe për t’i bërë të gjitha gjërat që duhet të bëjmë për të fituar jetë të përjetshme.
Do të doja gjithashtu të thoja se çdo gjë e lidhur me këtë priftëri më të lartë krijohet dhe ka për qëllim të na përgatisë për të fituar jetë të përjetshme në mbretërinë e Perëndisë.
Në zbulesën për priftërinë, të dhënë Jozef Smithit në shtator 1832, Zoti thotë se Priftëria Melkizedeke është e përjetshme; se ajo administron ungjillin, gjendet në kishën e vërtetë në të gjitha brezat dhe mban çelësat e dijes së Perëndisë. Ai thotë se ajo i jep mundësi popullit të Zotit që të shenjtërohet, të shohë fytyrën e Perëndisë dhe të hyjë në prehjen e Zotit, “prehje e cila është plotësia e lavdisë së tij”. (Shih DeB 84:17–24.)
Më pas, duke folur për të dyja priftëritë, Aarone dhe Melkizedeke, Zoti tha: “Sepse cilëtdo që janë besnikë në marrjen e këtyre dy priftërive për të cilat kam folur, dhe në lartësimin e thirrjes së tyre, shenjtërohen me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave të tyre.
Ata bëhen bijtë e Moisiut dhe të Aaronit, dhe fara e Abrahamit, dhe kisha e mbretëria, dhe të zgjedhurit e Perëndisë.
Dhe gjithashtu gjithë ata që e pranojnë këtë priftëri, më pranojnë mua, thotë Zoti;
Sepse ai që pranon shërbëtorët e mi, më pranon mua;
Dhe ai që më pranon mua, pranon Atin tim;
Dhe ai që pranon Atin tim, pranon mbretërinë e Atit tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij.
Dhe kjo është sipas betimit dhe besëlidhjes që i përkasin priftërisë.
Si rrjedhim, gjithë ata që e pranojnë priftërinë, pranojnë këtë betim dhe besëlidhje nga Ati im, që ai nuk mund ta thyejë, ajo as nuk mund të ndryshohet.”
Dënimi për thyerjen e besëlidhjes dhe për largimin tërësisht prej saj, jepet më pas, së bashku me këtë urdhërim: “… hapni sytë për veten tuaj, t’u vini veshin me zell fjalëve të jetës së përjetshme.
Sepse ju do të jetoni me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.” (DeB 84:33–44.)6
Ata prej jush që mbajnë Priftërinë Aarone, nuk e kanë marrë akoma këtë betim dhe besëlidhje që i përket Priftërisë Më të Lartë, por ju vërtet keni fuqi dhe autoritet të madh, që ju është dhënë nga Zoti. Priftëria Aarone është një priftëri përgatitore që na edukon dhe trajnon për të qenë të denjë për këto bekime të tjera të mëdha që vijnë më vonë.
Nëse shërbeni me besnikëri si dhjak, si mësues dhe si prift, ju fitoni përvojën dhe merrni aftësitë dhe zotësitë që ju mundësojnë ta pranoni Priftërinë Melkizedeke dhe ta lartësoni thirrjen tuaj në të.7
2
Mbajtësit e priftërisë premtojnë që t’i lartësojnë thirrjet e tyre në priftëri dhe të jetojnë me çdo fjalë që del nga goja e Priftërisë.
Siç e dimë ne të gjithë, një besëlidhje është një kontratë dhe një marrëveshje midis të paktën dy palëve. Në rastin e besëlidhjeve të ungjillit, palët janë Zoti në qiell dhe njerëzit në tokë. Burrat bien dakord t’i zbatojnë urdhërimet dhe Zoti premton t’i shpërblejë ata siç duhet. Ungjilli vetë është besëlidhja e re dhe e përjetshme dhe i përfshin të gjitha marrëveshjet, premtimet dhe shpërblimet që Zoti i ofron popullit të tij.
Dhe kështu, kur marrim Priftërinë Melkizedeke, ne e bëjmë këtë me anë të besëlidhjes. Ne premtojmë seriozisht ta pranojmë priftërinë, t’i lartësojmë thirrjet tona në të dhe të jetojmë me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë. Zoti nga ana e tij na premton se, në qoftë se e zbatojmë besëlidhjen, ne do të marrim gjithçka që ka Ati, e cila është jetë të përjetshme. A mund të mendojë ndonjëri nga ne një marrëveshje më të madhe ose më të lavdishme se kjo?
Nganjëherë ne flasim pasaktësisht për lartësimin e priftërisë sonë, por ajo për çfarë flasin zbulesat është lartësimi i thirrjeve tona në priftëri, si pleq, të shtatëdhjetë, priftërinj të lartë, patriarkë dhe apostuj.
Priftëria e mbajtur nga burri është fuqia dhe autoriteti i Perëndisë për ta ngarkuar burrin në tokë që të veprojë në të gjitha gjërat për shpëtimin e njerëzimit. Detyrat ose thirrjet e priftërisë janë caktime shërbestare për të kryer shërbim të caktuar në mënyrë të veçantë në priftëri. Dhe mënyra për t’i lartësuar këto thirrje është të bëjmë punën e caktuar për t’u kryer nga ata të cilët mbajnë pozitën e caktuar që përfshihet.
Nuk ka rëndësi se çfarë detyre mbajmë, për aq kohë sa ne jemi të vërtetë dhe besnikë ndaj detyrimeve tona. Një detyrë nuk është më e madhe se një tjetër, edhe pse për arsye administrative një mbajtës i priftërisë mund të thirret për të kryesuar dhe për të drejtuar punët e një tjetri.
Babai im, Presidenti Jozef F. Smith tha: “Nuk ka asnjë detyrë e cila vjen prej kësaj priftërie, që është ose që mund të jetë më e madhe sesa vetë priftëria. Është nga priftëria që detyra përfton autoritetin dhe fuqinë e saj. Asnjë detyrë nuk i jep autoritet priftërisë. Asnjë detyrë nuk i shton gjë fuqisë së priftërisë. Por të gjitha detyrat në Kishë e përftojnë fuqinë e tyre, virtytin e tyre, autoritetin e tyre nga priftëria.”
Ne thirremi që t’i lartësojmë thirrjet tona në priftëri dhe për ta bërë punën që shoqëron detyrën që marrim. Dhe kështu Zoti thotë, në zbulesën për priftërinë: “Si rrjedhim, çdo njeri duhet të qëndrojë në detyrën e tij dhe të punojë në thirrjen e tij; … që sistemi të mund të mbahet i përsosur”. (DeB 84:109–110.)
Ky është një nga synimet e mëdha drejt të cilave ne punojmë në programin e priftërisë në Kishë, t’i bëjmë pleqtë të kryejnë punën e pleqve, të shtatëdhjetët punën e të shtatëdhjetëve, priftërinjtë e lartë punën e priftërinjve të lartë dhe kështu me radhë, me qëllim që gjithë mbajtësit e priftërisë të mund t’i lartësojnë vetë thirrjet e tyre dhe të mbledhin bekimet e pasura të premtuara nga një drejtim i tillë.8
Ne jemi ambasadorë të Zotit Jezu Krisht. Mandati ynë është ta përfaqësojmë atë. Ne porositemi për ta predikuar ungjillin e tij, për t’i kryer ordinancat e shpëtimit, për ta bekuar njerëzimin, për të shëruar të sëmurët dhe ndoshta për të kryer mrekulli, për të bërë atë që ai do të bënte, në qoftë se do të ishte i pranishëm vetë – dhe e gjithë kjo ngaqë ne mbajmë priftërinë e shenjtë.
Si vepruesit e Zotit ne jemi të lidhur nga ligji i tij për të bërë atë që ai na dëshiron të bëjmë, pavarësisht nga ndjenjat vetjake apo dëshirat e botës. Nga vetja ne nuk kemi asnjë lajm shpëtimi, asnjë doktrinë që mund të pranohet, asnjë fuqi për të pagëzuar ose shuguruar apo martuar për përjetësinë. Të gjitha këto gjëra vijnë nga Zoti dhe çdo gjë që bëjmë duke iu referuar atyre, është rrjedhimi i autoritetit të ngarkuar.9
3
Premtimi i ekzaltimit i ofrohet çdo mbajtësi të Priftërisë Melkizedeke, i cili është i vërtetë ndaj betimit dhe besëlidhjes së priftërisë.
Tani më lejoni të them pak fjalë rreth betimit që shoqëron pranimin e Priftërisë Melkizedeke.
Të betohesh me një betim është forma më solemne dhe më lidhëse e të folurit, e njohur nga gjuha njerëzore; dhe ishte kjo lloj gjuhe që Ati zgjodhi ta përdorte në profecinë e madhërishme Mesianike rreth Krishtit dhe priftërisë. Për të ajo thotë: “Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: ‘Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut’”. (Psalmeve 110:4.)
Në shpjegimin e kësaj profecie Mesianike, Pali thotë se Jezusi pati “priftëri të patjetërsueshme” dhe përmes saj erdhi “fuqi[a e] jetës së pashkatërrueshme”. (Shih Hebrenjve 7:24, 16.) Josef Smithi tha se “të gjithë ata që shugurohen në këtë priftëri bëhen të ngjashëm me Birin e Perëndisë, duke mbetur prift vazhdimisht”, që është, po qe se ata janë besnikë dhe të vërtetë [shih Përkthimi prej Jozef Smithit, Hebrenjve 7:3].
Dhe kështu Krishti është modeli i madhërishëm atje ku përfshihet priftëria, ashtu sikurse është ai në lidhje me pagëzimin dhe të gjitha gjërat e tjera. Dhe kështu, po ashtu si Ati betohet me një betim se Biri i tij do t’i trashëgojë të gjitha gjërat nëpërmjet priftërisë, kështu ai betohet me një betim se ne të gjithë, që i lartësojmë thirrjet tona në atë priftëri të njëjtë, do të marrin gjithçka që ka Ati.
Ky është premtimi i ekzaltimit, i ofruar çdo burri që mban Priftërinë Melkizedeke, por është një premtim me kusht, një premtim i kushtëzuar nga lartësimi ynë i thirrjeve tona në priftëri dhe nga të jetuarit me çdo fjalë që del nga goja e Priftërisë.
Është tërësisht e qartë se nuk ka premtime më të lavdishme, që janë bërë ose mund të bëhen, se ato që na erdhën kur pranuam privilegjin dhe kur morëm mbi vete përgjegjësinë e mbajtjes së priftërisë së shenjtë dhe të qëndrimit si shërbestarë të Krishtit.
Priftëria Aarone është një priftëri përgatitore për të na kualifikuar të bëjmë besëlidhjen dhe të marrim betimin që e shoqëron këtë priftëri më të lartë.10
4
Bekimet e Zotit u ofrohen të gjithë njerëzve nëpërmjet shërbimeve të atyre që mbajnë priftërinë e Tij të shenjtë.
Nuk ka asgjë në tërë këtë botë aq të rëndësishme për secilin prej nesh sesa vendosja në radhë të parë në jetën tonë e gjërave të mbretërisë së Perëndisë, si zbatimi i urdhërimeve, si lartësimi i thirrjeve tona në prifëri, si vajtja në shtëpinë e Zotit dhe të ofruarit e plotësisë së bekimeve të mbretërisë së Atit tonë.11
Bekimet e Zotit u ofrohen shenjtorëve dhe botës nëpërmjet shërbimeve të atyre që mbajnë priftërinë e tij të shenjtë, të cilët e përfaqësojnë atë, të cilët janë në të vërtetë shërbëtorët dhe vepruesit e tij dhe janë të gatshëm t’i shërbejnë atij dhe t’i zbatojnë urdhërimet e tij.12
Është lutja ime që ne të gjithë, që jemi thirrur për ta përfaqësuar Zotin dhe për të mbajtur autoritetin e tij, të mund të kujtojmë se cilët jemi dhe të veprojmë në përputhje me të.
… Unë jam përpjekur gjatë gjithë ditëve të mia për ta lartësuar thirrjen time në priftëri dhe shpresoj të duroj deri në fund në këtë jetë dhe të gëzoj shoqërimin e shenjtorëve besnikë në jetën që vjen.13
Ndjenjat e mia janë që t’i bekoj ata, si të rinj dhe të moshuar, të cilët po i lartësojnë thirrjet e tyre në priftëri, dhe t’i kërkoj Zotit të derdhë mbi ta gjërat e mira të Shpirtit të tij në këtë jetë dhe t’u sigurojë atyre pasuritë e përjetësisë në jetën që vjen. …
Ç’gjë e lavdishme është të dish se Zoti i ka ofruar secilit prej nesh plotësinë e priftërisë dhe na ka premtuar që, nëse vërtet do ta marrim këtë priftëri dhe do t’i lartësojmë thirrjet tona, ne do të fitojmë një trashëgimi të pafundme me të në mbretërinë e tij!14
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Presidenti Smith na mësoi se nëpërmjet priftërisë, “Zoti u ofron bijave të tij çdo dhuratë dhe bekim shpirtëror që mund të fitohet nga bijtë e tij” (“Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”). Cilat janë mendimet tuaja ndërsa meditoni për këtë thënie?
Presidenti Smith tha se mbajtësit e priftërisë kanë nxitje më të madhe që të përpiqen për jetë të përjetshme, kur ata i kuptojnë besëlidhjet e tyre dhe premtimet e Zotit (shih pjesën 1). Si është kjo e vërtetë për të gjithë anëtarët e Kishës?
Si ndryshon shpjegimi i Presidentit Smith për lartësimin e një thirrjeje (shih pjesën 2) nga përdorime të tjera të fjalës lartësoj? Si jeni bekuar nëpërmjet shërbimit të anëtarëve të Kishës, të cilët i kanë lartësuar thirrjet e tyre?
Presidenti Smith na mësoi: “Krishti është modeli i madhërishëm atje ku përfshihet priftëria” (pjesa 3). Çfarë mund të bëjmë për të ndjekur shembullin e Jezu Krishtit në shërbimin tonë ndaj të tjerëve?
Në pjesën 4, rishikojini fjalët e Presidentit Smith rreth bekimeve të ofruara në tempull. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre të përgatiten për bekimet e priftërisë që janë të disponueshme në tempull?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Hebrenjve 5:4; Alma 13:1–2, 6; DeB 20:38–60; 84:19–22; 107:99–100; Nenet e Besimit 1:5
Ndihmë për Mësimdhënien
“Një mësues i aftë nuk mendon: ‘Çfarë do të bëj sot në klasë?’ por pyet: ‘Çfarë do të bëjnë nxënësit e mi sot në klasë?’; jo: ‘Çfarë do të jap mësim sot?’ por përkundrazi: ‘Si do t’i ndihmoj nxënësit e mi për ta zbuluar atë që u nevojitet të dinë?’” (Virginia H. Pearce, “The Ordinary Classroom—A Powerful Place for Steady and Continued Growth”, Ensign, nëntor 1992, f. 12; shih edhe Teaching, No Greater Call [1999], f. 61).