Mësime të Presidentëve
Kapitulli 7: Jozef dhe Hajrëm Smithi, Dëshmitarë për Jezu Krishtin


Kapitulli 7

Jozef dhe Hajrëm Smithi, Dëshmitarë për Jezu Krishtin

“Ne jemi shumë mirënjohës për jetën dhe shërbesën e Profetit Jozef Smith, të Hajrëm Smith Patriarkut, dhe të profetëve e apostujve, dhe të burrave e grave të drejta që kanë ndërtuar mbi themelin që ata hodhën.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Që nga koha kur ishte shumë i ri, Jozef Filding Smithi e dinte se familja e tij kishte një lidhje të veçantë me Profetin Jozef Smith. Ai u frymëzua nga shembulli i gjyshit të tij, Hajrëm Smithit, një vëlla më i madh dhe një mik besnik i Profetit Jozef. Hajrëmi shërbeu besnikërisht në krah të vëllait të tij, si udhëheqës në Kishë. Ai gjithashtu ndihmoi për botimin e Librit të Mormonit dhe u thirr për të qenë një nga Tetë Dëshmitarët e librit. Më 27 qershor 1844, Jozefi dhe Hajrëmi u martirizuan në Kartheixh të Ilinoisit, duke vulosur dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij. “Në jetë nuk u ndanë dhe në vdekje nuk u veçuan!” (DeB 135:3.)

Jozef Filding Smithi nuk i njohu kurrë gjyshërit e tij Smith. Gjyshi i tij Hajrëmi, u martirizua kohë përpara se ai të lindte. Gruaja e Hajrëmit, Meri Filding Smith, gjithashtu vdiq e re. Jozef Filding Smithi tha: “Kurrë nuk e njoha Gjyshen time Smith. Kam ndier gjithmonë keqardhje për këtë, sepse ajo ishte një nga gratë më fisnike që ka jetuar ndonjëherë, por njihja motrën e saj të mirë, tezen time, Mersi Tompson, dhe kur isha fëmijë shkoja dhe e takoja në shtëpinë e saj dhe ulesha në prehrin e saj, ku ajo më tregonte histori rreth Profetit Jozef Smith, dhe, oh, sa mirënjohës jam për atë përvojë.”1

Jozef Filding Smithi mësoi edhe nga shembulli i atit të tij, Jozef F. Smithit, i cili e kishte njohur personalisht Profetin Jozef Smith. Lidhur me të atin, Jozef Filding Smithi tha: “Nuk kishte element dyshimi apo pasigurie në dëshminë e tij. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë kur ai fliste për hyjninë e Shpëtimtarit tonë apo misionin e profetit Jozef Smith.”2

Këta shembuj dhe këto mësime bënë që Jozef Filding Smithi të kishte një dëshmi të ungjillit të rivendosur që në fëmijërinë e tij. “Nuk më kujtohet koha kur nuk besoja në misionin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, as në misionin e Profetit Jozef Smith”3, tha ai më vonë. Kur jepte mësim ungjillin, ndonjëherë ai e shprehte dëshminë e tij me fjalë që i përdorte familja e tij: “A e dua Profetin Jozef Smith? Po, e dua, siç e donte babai im përpara meje. E dua atë sepse ai ishte shërbëtor i Perëndisë dhe për shkak të rivendosjes së ungjillit dhe për shkak të të mirave dhe bekimeve që më kanë ardhur mua dhe familjes time, juve dhe familjeve tuaja, nëpërmjet bekimeve që u derdhën mbi këtë burrë dhe mbi ata që u shoqëruan me të.”4

Megjithëse Presidenti Smith ishte mirënjohës për mësimet dhe trashëgiminë e familjes së tij, dëshmia e tij ishte vetjake. Ai tha: “Kam qenë gjithmonë shumë mirënjohës për dëshminë që erdhi tek unë nëpërmjet Shpirtit të Zotit, se Jozef Smithi, Profeti i Perëndisë, u thirr për të qëndruar në krye të Periudhës Ungjillore të Plotësisë së Kohëve”5. Në një rast tjetër ai dëshmoi: “Është njohuria ime, që erdhi nëpërmjet dhuratës së Perëndisë, se Jozef Smithi në vitin 1820 pa Atin dhe Birin; se Ati i prezantoi Birin e tij; se Biri i foli, e pyeti se çfarë donte të dinte, dhe i dha këshillë; i tregoi çfarë të bënte, me premtimin se përfundimisht njohuri tjetër do të zbulohej dhe plotësia e ungjillit, e cila atëherë nuk ishte mbi faqen e tokës, do të rivendosej”. Pastaj ai ndau bindjen se të gjithë njerëzit mund të merrnin të njëjtën dëshmi: “Çdo shpirt mbi faqen e tokës që ka dëshirë të dijë e ka privilegjin, sepse çdo shpirt që do ta përulë vetveten dhe në thellësitë e përulësisë e të besimit, me një shpirt të penduar shkon përpara Zotit, do ta marrë atë njohuri me po aq siguri sa ai jeton”6.

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Dy tema ishin shumë të rëndësishme për Presidentin Jozef Filding Smith: që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe që Jozef Smithi ishte një profet.

Ne dallojmë një lidhje midis emrit të Jezu Krishtit dhe atij të Jozef Smithit. Krishti është Zoti; ai kreu sakrificën shlyese; ai është ringjallja dhe jeta; nëpërmjet tij të gjithë njerëzit ngrihen në pavdekshmëri, ndërsa ata që besojnë dhe u binden ligjeve të Tij do të marrin edhe jetë të përjetshme.

Jozef Smithi ishte një profet, i thirrur në këto ditë të fundit për të marrë me anë të zbulesës të vërtetat shpëtuese të ungjillit dhe për të qëndruar si administrator ligjor, duke pasur fuqi nga lart, për të administruar ordinancat e ungjillit.

Meqenëse këto të vërteta të zbuluara prej tij janë ato që do të shkojnë te çdo komb përpara Ardhjes së Dytë, bën pak çudi që e gjejmë Moronin duke i thënë Jozef Smithit se “emri [i tij] do të mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve, fiseve dhe gjuhëve, ose që do të flitej si për mirë, edhe për keq mes gjithë popujve”. [Joseph Smith – Historia 1:33.]

As nuk është e habitshme kur më vonë e gjejmë Zotin duke i thënë Profetit: “Skajet e tokës do të pyesin për emrin tënd dhe të marrët do të të përqeshin e ferri do të tërbohet kundër teje;

Ndërsa të pastrit në zemër dhe të urtët, dhe fisnikët, dhe të virtytshmit do të kërkojnë këshillë dhe autoritet dhe bekime vazhdimisht prej dorës tënde”. (DeB 122:1–2.)

Skajet e tokës tani po fillojnë të pyesin për emrin e Jozef Smithit, dhe shumë njerëz në shumë kombe janë duke u gëzuar në ungjillin e rivendosur nëpërmjet ndihmës së tij.

Që nga fillimi i kësaj periudhe ungjillore, dëshmia e Jezusit, siç iu zbulua Jozef Smithit, është predikuar në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Britaninë e Madhe, në pjesën më të madhe të Europës dhe në ishujt e Paqësorit.

Në vitet e fundit ka pasur një shtrirje pothuajse të pabesueshme të punës në Meksikë, në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Amerikën e Jugut.

Dhe Azia është duke u hapur tani [në 1971-shin] ndaj mesazhit të ungjillit në një mënyrë që ia tejkalon çdo gjëje në të kaluarën. Kisha po vendoset në Japoni e Kore, në Taivan e Hong Kong, dhe ne po bëhemi gati të fillojmë punën misionare në Tailandë, Singapor dhe Indonezi.

Dhe do të vijë dita, në përkujdesin e Zotit, kur kombet e tjera, tani të mbyllura ndaj mesazhit të së vërtetës, do t’i hapin dyert e tyre për ne, dhe pleqtë e Izraelit do të shkojnë t’u tregojnë të ndershmëve në zemër në ato kombe rreth Krishtit dhe ungjillit të mbretërisë së tij, që ka ardhur mbi tokë në këtë kohë nëpërmjet Profetit Jozef Smith.7

Jozef Smithi është zbuluesi i njohurisë për Krishtin dhe i shpëtimit të botës për këtë kohë dhe brez.8

Dy tema që duket se kanë qenë gjithmonë të rëndësishme për mua. Që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, i cili u sakrifikua për mëkatet e botës, dhe që Jozef Smithi ishte një profet i thirrur dhe i caktuar për të drejtuar në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve. Ky është mesazhi im për botën.9

2

Zoti e thirri Jozef Smithin për të qëndruar në krye të kësaj periudhe ungjillore të lavdishme.

Jozef Smithi … erdhi dhe nën drejtimin e lajmëtarëve të shenjtë hodhi themelin për mbretërinë e Perëndisë dhe të kësaj vepre të mrekullueshme dhe çudie, që bota të mund të përgatitej për ardhjen e Zotit.10

The Prophet Joseph Smith, Jr. in the Sacred Grove (in Manchester, New York) when he received the First Vision. Joseph is depicted kneeling before God the Father and Jesus Christ. Both God the Father and Christ are portrayed wearing white robes. The Father is presenting Christ to Joseph. There are trees in the background. (Joseph Smith - History 1:15-20)

“Jozef Smithi ishte një profet i thirrur dhe i caktuar për të drejtuar në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve.”

E di se ai [Jozef Smithi] u thirr, u caktua nga Ati ynë në qiell; se ai mori zbulesë dhe udhëheqje nga Biri i Perëndisë, që do të ishin të dobishme dhe një bekim për të gjithë njerëzit, nëse ata do ta pranonin atë.11

Nuk ka dyshim në mendjen time se Zoti e frymëzoi Profetin Jozef Smith dhe i dha atij zbulesë, urdhërim, i hapi atij qiejt dhe e thirri që të qëndronte në krye të kësaj periudhe ungjillore të lavdishme. Jam plotësisht i bindur se në rininë e tij, kur shkoi të lutej, ai pa dhe qëndroi në praninë e vërtetë të Perëndisë Atit dhe të Birit të tij Jezu Krishtit; nuk ka dyshim në mendjen time – e di se kjo është e vërtetë. E di se më vonë ai u vizitua nga Moroni, mori Priftërinë Aarone nga duart e Gjon Pagëzorit, Priftërinë Melkizedeke nga duart e Pjetrit, Jakobit e Gjonit, dhe se Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua më 6 prill 1830, nëpërmjet urdhrit hyjnor.12

Gjatë zgjedhjes së një përfaqësuesi për të qëndruar në krye të kësaj “vep[re] [të] [madhe e të] mrekullueshme [që] është duke ardhur midis fëmijëve të njerëzve” [shih DeB 4:1], Zoti nuk përzgjodhi një njeri që ishte i arsimuar në mësimet dhe traditat e botës. Udhët e tij nuk janë udhët e njeriut, as mendimet e tij nuk janë si mendimet e njerëzve [shih Isaia 55:8]. Një njeri i mësuar në diturinë e botës do të kishte shumë për të çmësuar nga traditat dhe filozofitë e njerëzve. Në urtësinë e tij të madhe, Zoti zgjodhi një fëmijë pa përvojë – një djalë katërmbëdhjetë vjeçar. Zoti i zbuloi këtij të riu plotësinë e ungjillit, të cilën bota nuk do ta pranonte për shkak të mosbesimit. Nëpërmjet viteve të udhëheqjes qiellore – sepse ai u mësua nga lajmëtarë që vinin nga prania e Zotit – ky djalë i ri, Jozef Smithi, u përgatit për të drejtuar punën e rivendosjes së Ungjillit dhe të ndërtimit të Mbretërisë së Perëndisë.13

3

Zoti tha se ky brez do ta kishte fjalën e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Në çdo periudhë kur ungjilli është mbi tokë, ai duhet t’u zbulohet profetëve të Zotit, dhe ata duhet të thirren për të shërbyer si administrues ligjor për të kryer e drejtuar përmbushjen e ordinancave të shpëtimit për bashkëqeniet e tyre.

Jozef Smithi është profeti të cilin Zoti e thirri në këtë kohë për të rivendosur të vërtetat e shpëtimit dhe për të marrë çelësat dhe fuqitë që të administrojë këto të vërteta shpëtuese.

Zoti i tha atij: “… ky brez do ta ketë fjalën time nëpërmjet teje”. (DeB 5:10.) Dhe pastaj, duke iu referuar ungjillit të rivendosur nëpërmjet Jozef Smithit, Zoti tha: “Ky Ungjill i Mbretërisë do të predikohet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi ose shkatërrimi i të ligjve”. [Joseph Smith – Mateu 1:31.]14

Tani unë them –

Që të gjithë njerëzit në këtë kohë duhet të shohin te Jozef Smithi për të mësuar të vërtetën rreth Krishtit dhe ungjillit të tij;

Që përfundimisht emri i këtij profeti do të njihet në çdo cep të tokës dhe midis të gjithë njerëzve;

Që të ndershmit në zemër do ta pranojnë atë si profet dhe do të adhurojnë atë Zot që ai zbuloi;

Se kisha që ai organizoi me anë të urdhrit hyjnor përparon sepse ndjek zbulesat që erdhën nëpërmjet tij;

Dhe se të gjithë që i besojnë mësimet e Jozef Smithit dhe punojnë sipas drejtimit të vendosur prej tij do të vijnë në njohurinë se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, i cili u kryqëzua për mëkatet e botës.

Ashtu siç e di se Jezusi është Krishti – dhe kjo është nëpërmjet zbulesës nga Shpirti i Shenjtë – unë e di se Jozef Smithi është dhe qe, dhe do të jetë përgjithmonë një profet i Perëndisë. …

Me ndjenja të forta dëshmie dhe falënderimi, po [ndaj] këto fjalë të frymëzuara nga Doktrina e Besëlidhje: “Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të”. (DeB 135:3.)15

4

Jozef Smithi dhe vëllai i tij Hajrëmi u bashkuan në jetë dhe në vdekje.

Unë jam mirënjohës për rivendosjen e të vërtetës së përjetshme në këtë periudhë të fundit ungjillore; jam gjithashtu mirënjohës për misionin dhe shërbesën e Jozef Smithit, Profetit, dhe të gjyshit tim, Hajrëm Smithit, Patriarkut; dhe për faktin se çelësat e mbretërisë së Perëndisë i janë besuar sërish njeriut në tokë.16

Hyrum with his arm around Joseph with men pulling a boat ashore behind them.

Jozef dhe Hajrëm Smithi: “Në jetë nuk u ndanë dhe në vdekje nuk u veçuan!” (DeB 135:3.)

“Dhe përsëri, në të vërtetë unë të them ty, bekuar qoftë shërbëtori im Hyrum Smith; sepse unë, Zoti, e dua atë për shkak të integritetit të zemrës së tij dhe ngaqë ai e do atë që është e drejtë përpara meje, thotë Zoti.” [DeB 124:15.]

Kush nuk do të ishte i lumtur që t’i jepej një nderim i tillë besimi dhe lëvdimi, dhe që vjen nga Zoti? Hajrëm Smithi ishte midis të pagëzuarve të parë në këtë periudhë ungjillore. Gjatë jetës së tij, ai qëndroi përkrah vëllait të tij Jozef dhe e forcoi atë me anë të inkurajimit, besimit dhe dashurisë së përkushtuar. Hajrëmi ishte një burrë me një zemër mrekullisht të butë. Ai zotëronte përulësi të thellë dhe e donte vëllanë e tij më shumë se vetë jetën e tij. Kjo tregohet në vdekjen e tij nëpërmjet së cilës ai mori kurorën e martirit. Ai ishte i patrembur në mbrojtjen e tij ndaj së vërtetës. Vërtet ai e “do[nte] atë që është e drejtë”.

Hajrëm Smithi u lind më 9 shkurt 1800, dhe ishte pothuajse gjashtë vjet më i madh se Profeti. Jozef Smithi nuk mori asnjë nder që nuk e ndau me Hajrëmin, i cili gëzohej me vëllanë e tij në të gjitha bekimet që Zoti derdhi mbi të. E njëjta cilësi e dashurisë vëllazërore u tregua nga Profeti Jozef për vëllanë e tij Hajrëm. Ata kaluan së bashku nëpërmjet të njëjtave hidhërime dhe gëzime. Të dyve iu ranë të njëjtat persekutime. Ata ndanë të njëjtën birucë për hir të Ungjillit, dhe kur erdhi koha për vulosjen e dëshmisë së tyre, ata e ndanë së bashku kurorën e martirizimit. “Në jetë nuk u ndanë dhe në vdekje nuk u veçuan.” [DeB 135:3.] …

Kjo është një lëvdatë e merituar nga Profeti: “Vëlla Hajrëm, çfarë zemre besnike që ke! Oh, Jehovai i Përjetshëm të kurorëzoftë me bekime të përjetshme mbi kokën tënde, si shpërblim për kujdesin që ke pasur për shpirtin tim! Oh, sa të shumta janë hidhërimet që kemi ndarë së bashku; dhe përsëri, ne e gjejmë veten të prangosur nga dora e pamëshirshme e shtypjes. Hajrëm, emri yt do të shkruhet në Librin e Ligjit të Zotit, që ta shohin ata që vijnë pas teje, që të mund të kenë model veprat e tua.”

Profeti tha përsëri: “Mund të lutesha në zemrën time që të gjithë vëllezërit e mi të ishin si vëllai im i dashur Hajrëmi, i cili zotëron butësinë e një qengji dhe integritetin moral të Jobit dhe me pak fjalë, zemërbutësinë dhe përulësinë e Krishtit; dhe unë e dua atë me atë dashuri që është më e fortë se vdekja sepse nuk kam pasur kurrë rast për ta qortuar, as ai mua”17.

5

Jozef dhe Hajrëm Smithi i vulosën dëshmitë e tyre me gjakun e tyre.

Gjyshi im, Patriarku Hajrëm Smithi, u thirr për të mbajtur çelësat e kësaj periudhe ungjillore bashkë me Profetin Jozef, vëllanë e tij më të vogël. Zoti ka thënë se në gojën e dy dëshmitarëve do të qëndrojnë të gjitha gjërat [shih 2 Korintasve 13:1]. …

Jozef Smithi nuk do të mund të kishte qëndruar i vetëm, përndryshe puna e tij do të kishte dështuar, ashtu si edhe puna e Shpëtimtarit kërkonte vërtetimin e një dëshmitari tjetër, dhe kush tjetër mund të dëshmonte për Krishtin veçse Ati i tij? [Shih Gjoni 8:12–18.] Dhe kështu Zoti thirri një njeri tjetër për të qëndruar me Jozef Smithin dhe për të mbajtur çelësat e shpëtimit në këtë periudhë ungjillore si një dëshmitar me të. …

… Jo vetëm që [Hajrëmi] u thirr për t’u bërë Patriarku i Kishës, e cila ishte parëbirnia e tij, por në të njëjtën kohë Zoti i tha atij:

“Dhe që nga kjo kohë e tutje unë i caktoj atij që të mund të jetë një profet dhe shikues e zbulues i kishës sime, sikurse shërbëtori im Joseph;

Që ai të mund të veprojë gjithashtu në harmoni me shërbëtorin tim Joseph; dhe që ai do të marrë këshillë nga shërbëtori im Joseph, i cili do t’i tregojë atij çelësat me anë të të cilave ai mund të kërkojë e të marrë dhe të kurorëzohet me të njëjtin bekim dhe lavdi, dhe nder, dhe priftëri, dhe dhurata të priftërisë që dikur ishin vënë mbi atë që ishte shërbëtori im Oliver Cowdery;

Që shërbëtori im Hyrum të mund të japë dëshmi për gjërat që unë do t’i tregoj atij, që emri i tij të mund të kujtohet me nderim nga brezi në brez, përherë e përgjithmonë.” [DeB 124:94–96.]

Në përputhje me këtë thirrje dhe urdhërim, Profeti Jozef Smith i dha Hajrëm Smithit të gjithë çelësat, autoritetin dhe dhuratat e priftërisë të cilat ai, Profeti, mbante dhe që më parë ishin mbajtur nga Oliver Kaudri. Zoti gjithashtu i zbuloi Hajrëm Smithit gjithçka që ishte e nevojshme për ta bërë atë plotësisht dhe në çdo mënyrë, një dëshmitar me vëllanë e tij Jozef, si një profet, shikues, zbulues dhe president të Kishës, dhe për të qëndruar për gjithë kohën dhe përjetësinë në krye të kësaj periudhe ungjillore me vëllanë e tij Jozef, një dëshmitar për Jezu Krishtin.18

Me vëllanë e tij, gjyshin tim, Patriarkun Hajrëm Smithin, ai [Jozef Smithi] vulosi dëshminë e tij me gjakun e tij në burgun Kartheixh. Dhe unë, të paktën një herë, dua të jem një mjet në duart e Zotit, që t’ua bëj të ditur skajeve të tokës që shpëtimi është përsëri i disponueshëm sepse Zoti ngriti një shikues të fuqishëm në këtë kohë për të rivendosur mbretërinë e tij në tokë.19

Room in Carthage jail seen on slant; men with guns come through door; Joseph is heading for window which reveals crowd below; painting is bathed in reddish hues.

Së bashku, Jozef dhe Hajrëm Smithi i vulosën dëshmitë e tyre me gjakun e tyre.

Ne jemi shumë mirënjohës për jetën dhe shërbesën e Profetit Jozef Smith, të Hajrëm Smith Patriarkut, dhe të profetëve e apostujve, dhe të burrave e grave të drejta, që kanë ndërtuar mbi themelin që ata hodhën.20

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Smith tregoi për anëtarë të familjes, të cilët e ndihmuan të ushqente dëshminë e tij të fëmijërisë për misionin e Jozef Smithit (shih “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit”). Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar fëmijët të fitojnë një dëshmi për misionin e Profetit Jozef Smith?

  • Në çfarë mënyrash lidhet emri i Jezu Krishtit me atë të Jozef Smithit? (Shih pjesën 1.) Si ka ndikuar shërbesa e Profetit Jozef Smith në dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij?

  • Meditoni mbi vëzhgimet e Presidentit Smith rreth faktit që Zoti thirri Jozef Smithin në vend të “një njeri[u] që ishte i arsimuar në mësimet dhe traditat e botës” (pjesa 2). Si mund të na ndihmojë ky arsyetim kur ndihemi të papërshtatshëm për t’i përmbushur përgjegjësitë tona?

  • Në pjesën 3, Presidenti Smith citon Doktrina e Besëlidhje 5:10 dhe 135:3. Si mund t’ia shpjegoni këto vargje dikujt që nuk e njeh misionin e Jozef Smithit?

  • Çfarë mund të mësoni nga marrëdhënia midis Jozef Smithit dhe vëllait të tij Hajrëmit? (Shih pjesën 4.)

  • Cilat janë ndjenjat tuaja kur mendoni rreth Jozef dhe Hajrëm Smithit, që i vulosën dëshmitë e tyre me gjakun e tyre? (Shih pjesën 5.) Në çfarë mënyrash mund ta nderojmë sakrificën e tyre?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Përkthimi prej Jozef Smithit, Zanafilla 50:30–31; 2 Nefi 3:5–15; DeB 11:11–26; 76:22–24; 135

Ndihmë për Mësimdhënien

Një mënyrë për të inkurajuar nxënie të zellshme është të dëgjosh me kujdes kur dikush bën një pyetje ose një koment. “Dëgjimi është një shprehje dashurie. Ai shpesh kërkon sakrificë. Kur ne me të vërtetë i dëgjojmë të tjerët, shpesh heqim dorë nga ajo që duam të themi kështu që ata të mund të shprehin veten” ( Teaching, No Greater Call [1999], f. 66).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1962, f. 44.

  2. Në Bryant S. Hinckley, “Joseph Fielding Smith”, Improvement Era, qershor 1932, f. 459.

  3. Në Conference Report, prill 1962, f. 44.

  4. Në Conference Report, prill 1960, f. 73.

  5. Në Conference Report, prill 1962, f. 45.

  6. Në Conference Report, tetor 1949, f. 88–89.

  7. Në Conference Report, tetor 1970, f. 6.

  8. “The First Prophet of the Last Dispensation”, Ensign, gusht 1971, f. 7.

  9. Në Conference Report, prill 1920, f. 108–109.

  10. Në Conference Report, prill 1920, f. 107.

  11. Në Conference Report, tetor 1949, f. 88.

  12. “To Know for Ourselves”, Improvement Era, mars 1970, f. 3.

  13. Essentials in Church History (1950), f. 20–21.

  14. Në Conference Report, tetor 1970, f. 6.

  15. “The First Prophet of the Last Dispensation”, f. 7.

  16. “A Prophet’s Blessing”, Ensign, korrik 1972, f. 130.

  17. “Hyrum Smith: A Tribute by Joseph Fielding Smith”, Improvement Era, shkurt 1933, f. 201; origjinalit iu hoq shkrimi kursiv; shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 492.

  18. Në Conference Report, prill 1930, f. 91–93; shih edhe Doctrines of Salvation, bot. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 1:216–219.

  19. “The First Prophet of the Last Dispensation”, f. 7.

  20. “Ogden Temple Dedicatory Prayer”, Ensign, mars 1972, f. 9.