Mësime të Presidentëve
Kapitulli 5: Besimi dhe Pendimi


Kapitulli 5

Besimi dhe Pendimi

“Ajo që na duhet në Kishë, si edhe jashtë saj, është pendimi. Ne kemi nevojë për më shumë besim dhe më shumë vendosmëri për t’i shërbyer Zotit.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim: “Falja e mëkateve vjen nëpërmjet besimit dhe pendimit të sinqertë”1. Ai tha se “është e nevojshme, jo thjesht që të besojmë, por që të pendohemi”, dhe ai gjithashtu dha mësim se kur kryejmë vepra të mira me besim deri në fund, ne do të “marrim shpërblimin e besnikut dhe një vend në mbretërinë Çelestiale të Perëndisë”2. Me dëshirën që të gjithë njerëzit ta marrin këtë shpërblim, ai dëshmoi për Jezu Krishtin dhe predikoi pendim gjatë gjithë shërbesës së tij.

Në fillimet e shërbimit të tij si Aposull, ai tha: “Kam menduar se ka qenë misioni im, duke qenë kaq i nxitur, mendoj, nga Shpirti i Zotit në udhëtimet e mia në kunjet e Sionit, për t’u thënë njerëzve se tani është dita e pendimit, dhe që t’u bëj thirrje shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për të kujtuar besëlidhjet e tyre, premtimet që kanë bërë me Zotin, për të mbajtur urdhërimet e tij dhe për të ndjekur mësimet dhe udhëzimet e pleqve të Izraelit – profetëve të Perëndisë – siç janë shkruar në këto shkrime të shenjta. Në të gjitha gjërat ne duhet të ecim me përulësi dhe me kujdes përpara Zotit, që të mund të bekohemi dhe udhëhiqemi nga Shpirti i tij i Shenjtë. Mendoj se kjo është dita e paralajmërimit. Ka qenë një kohë paralajmërimi që nga dita kur profeti mori për herë të parë shfaqjen nga qiejtë se ungjilli do të rivendosej.”3

Në një mbledhje sakramenti, një të diel, Presidenti Smith i tregoi bashkësisë së njerëzve përse ai fliste me një zë paralajmërimi. Djali i tij Jozefi, që mori pjesë në atë mbledhje, më vonë shkroi: “Më kujtohen qartësisht disa nga përshtypjet që [babai im] bëri në atë rast. ‘Kush është miku juaj ose kush ju do më shumë?’ e pyeti ai bashkësinë. ‘Njeriu që ju thotë se gjithçka është mirë në Sion, që bollëku po vjen, apo njeriu që ju paralajmëron për fatkeqësitë dhe vështirësitë që janë premtuar veç nëse jetohen parimet e ungjillit? Dua të dini se unë i dua anëtarët e Kishës dhe nuk dua që ndonjëri prej tyre të më tregojë me gisht duke më akuzuar kur të kalojmë përtej velit të ekzistencës në vdekshmëri dhe të thotë: ‘Sikur vetëm të më kishe paralajmëruar, nuk do të isha në këtë gjendje të vështirë’. Dhe kështu unë ngre zërin paralajmërues me shpresën se vëllezërit dhe motrat e mia të mund të përgatiten për mbretërinë e lavdisë.’”4

Pamja
President Joseph Fielding Smith sitting in his office, wearing a white shirt, a dark suit, a dotted tie, and glasses.

Presidenti Jozef Filding Smith tregoi arsyen e tij për thirrjen e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në pendim: “I dua anëtarët e Kishës”.

Ata që punuan afër me Presidentin Smith panë se prapa paralajmërimeve të tij të ashpra, ishte një njeri me shqetësim të dhembshur për njerëzit që luftonin me mëkatin. Plaku Frensis M. Gibons, i cili shërbeu si sekretar në Presidencën së Parë, ishte shpesh i pranishëm kur Presidenti Smith merrej me çështjet e disiplinës së Kishës. Plaku Gibons kujtoi: “Vendimet e tij gjithmonë u ndërmorën me mirësi e dashuri, dhe me tolerancën më të madhe të mëshirës që rrethanat mund të justifikonin. Nuk ishte e pazakontë për të, që kur mësonte për rrethanat e një çështjeje të rëndë të thoshte: ‘Përse njerëzit nuk dinë të sillen?’ Kjo nuk thuhej duke i akuzuar ose duke i dënuar, por me trishtim dhe keqardhje.”5 Presidenti Spenser W. Kimball, i cili shërbeu me Presidentin Smith si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Shumë herë kemi thënë se meqenëse Të Dymbëdhjetët do të jenë gjykatësit e Izraelit, cilido prej nesh do të ishte i lumtur të binte në duart e tij, sepse gjykimi i tij do të ishte i butë, i mëshirshëm, i drejtë dhe i shenjtë”6. Kur Presidenti Smith shuguronte peshkopët, ai shpesh këshillonte: “Kujtoni, çdokush ka dobësi dhe ka të paktën dy anë për çdo histori. Nëse gaboni në gjykim, sigurohuni që të gaboni në anën e dashurisë dhe mëshirës.”7

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Parimi i parë i ungjillit është besimi në Zotin Jezu Krisht.

Besimi ynë përqëndrohet në Zotin Jezu Krisht dhe nëpërmjet tij tek Ati. Ne besojmë në Krisht, e pranojmë atë si Birin e Perëndisë dhe kemi marrë mbi vete emrin e tij në ujërat e pagëzimit.8

Le të jetë më e rëndësishmja në mendjen tuaj, tani dhe në të gjitha kohët, se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, i cili erdhi në botë për të dhënë jetën e tij që ne të mund të jetojmë. Kjo është e vërteta dhe është thelbësore. Mbi këtë është ndërtuar besimi ynë. Nuk mund të shkatërrohet. Ne duhet t’i përmbahemi këtij mësimi pavarësisht mësimeve të botës dhe mendimeve të njerëzve; sepse kjo është më e lartë, kjo është thelbësore për shpëtimin tonë. Zoti na shëlbeu me gjakun e tij, ai na dha shpëtim, na siguroi – dhe është ky kusht që ne nuk duhet të harrojmë – që do të mbajmë urdhërimet e tij dhe gjithmonë do ta kujtojmë atë. Nëse do ta bëjmë këtë atëherë do të shpëtohemi, ndërsa idetë dhe marrëzitë e njerëzve do të shuhen nga toka.9

Me anë të besimit ne vijmë te Perëndia. Nëse nuk do të besonim në Zotin Jezu Krisht, nëse nuk do të kishim besim në Të ose në shlyerjen e Tij, ne nuk do të ishim të prirur t’u kushtonim ndonjë vëmendje urdhërimeve të Tij. Është për shkak se e kemi atë besim që ne sillemi në harmoni me të vërtetën e Tij, dhe kemi dëshirë në zemrat tona për t’i shërbyer Atij. …

… Parimi i parë i ungjillit është besimi në Zotin Jezu Krisht; dhe natyrisht ne nuk do të kemi besim në Zotin Jezu Krisht pa pasur besim në Atin e Tij. Atëherë, nëse kemi besim në Perëndinë Atin e Birin dhe udhëhiqemi, ashtu siç duhet të jetë, me anë të Frymës së Shenjtë, ne do të kemi besim te shërbëtorët e Zotit nëpërmjet të cilëve Ai ka folur.10

2

Besim do të thotë veprim.

“Besimi është shkaku lëvizës i të gjitha veprimeve.” [Lectures on Faith, leksioni 1.] Nëse ndaloni të mendoni për një moment, mendoj se do të bini dakord se kjo është absolutisht e vërtetë si për gjërat materiale, ashtu edhe për gjërat shpirtërore. Është e vërtetë për ne në veprimet tona vetjake si edhe me veprimet e Perëndisë. …

“Besimi, pa vepra, është i vdekur” [Jakobi (Bibla) 2:26] – me fjalë të tjera, ai nuk ekziston. Mendoj se domethënia e Jakobit qartësisht është: “Më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe nuk do të rezultojë asgjë; por unë do të tregoj besimin tim me veprat e mia dhe diçka do të përmbushet”. [Shih Jakobi (Bibla) 2:18.] Besim do të thotë veprim. … Besimi, prandaj, është më i fortë se bindja vetjake. …

Besimi është një dhuratë nga Perëndia. Çdo gjë e mirë është një dhuratë nga Perëndia. Ky është një mësim i shkrimeve të shenjta siç gjendet në kapitullin e 11 të Hebrenjve – kapitull i cili është një tezë shumë e shkëlqyer mbi besimin – [dhe] te zbulesat që Zoti na ka dhënë te Doktrina e Besëlidhje dhe në shkrimet e tjera të shenjta. Besimi nuk mund të fitohet me anë të mosveprimit apo nëpërmjet bindjeve mospërfillëse ose pasive. Dëshira e thjeshtë për të fituar besim nuk do të sjellë besim, ashtu sikurse dëshira për t’u aftësuar në muzikë ose pikturë nuk do të sjellë rrjedhshmëri në këto gjëra pa veprim inteligjent. Ky është burimi i shqetësimit tonë. Ne marrim një dëshmi për Ungjillin, ne besojmë te Jozef Smithi, ne besojmë te Jezu Krishti, ne besojmë te parimet e Ungjillit, por sa shumë jemi duke punuar për to?

… Nëse duam të kemi një besim të gjallë e të qëndrueshëm, ne duhet të jemi aktivë në kryerjen e çdo detyre si anëtarë të kësaj Kishe. …

Oh, sikur të kishim besimin e treguar nga Nefi! Lexoni në kapitullin e 17 të 1 Nefit, ku vëllezërit e tij po e kundërshtonin atë dhe po talleshin me të sepse ai do të ndërtonte një anije, duke thënë:

“Vëllai ynë është një budalla, pasi ai mendon se mund të ndërtojë një anije; po, dhe ai gjithashtu mendon se mund të kalojë këto ujëra të mëdha”. [1 Nefi 17:17.]

Nefi iu përgjigj atyre:

“Po të më kishte urdhëruar Perëndia të bëja të gjitha gjërat, unë mund t’i bëja ato. Në qoftë se ai do të më urdhëronte që unë t’i thoja këtij uji: bëhu tokë, ai do të bëhej tokë; dhe në qoftë se unë do ta thoja atë, do të bëhej.” [1 Nefi 17:50.]

Ky ishte besimi i tij.11

Ne nuk po ecim tani nëpërmjet vizionit, siç bëmë përpara se të vinim në këtë botë, por Zoti pret që ne do të ecim nëpërmjet besimit [shih 2 Korintasve 5:7]; dhe duke ecur nëpërmjet besimit ne do të marrim shpërblimin e të drejtit, nëse u qëndrojmë atyre urdhërimeve që janë dhënë për shpëtimin tonë.12

Një njeri, po të mos mbështetet në doktrinë dhe të ecë me besim, duke e pranuar të vërtetën dhe duke i zbatuar urdhërimet siç janë dhënë, do ta ketë të pamundur që të marrë jetën e përjetshme, s’ka rëndësi sa shumë mund të rrëfejë me buzët e tij se Jezusi është Krishti, ose beson se Ati i tij e dërgoi atë në botë për shëlbimin e njeriut. Pra, Jakobi ka të drejtë kur thotë se demonët “besojnë dhe dridhen”, por nuk pendohen [shih Jakobi (Bibla) 2:19].13

3

Pendimi është parimi i dytë i ungjillit dhe është thelbësor për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë.

Pendimi është parimi i dytë themelor i ungjillit dhe rezultat i besimit.14

Ajo që na duhet në Kishë, si edhe jashtë saj, është pendimi. Ne kemi nevojë për më shumë besim dhe më shumë vendosmëri për t’i shërbyer Zotit.15

A është e vërtetë që disa prej nesh mendojnë se nuk ka rëndësi që mëkatojmë për aq kohë sa nuk është një mëkat i rëndë, një mëkat vdekjeprurës, që ne ende do të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë? Nefi e pa kohën tonë. Ai tha se njerëzit do ta thoshin këtë [shih 2 Nefi 28:7–9]. Por unë ju them juve, ne nuk mund të largohemi nga shtegu i së vërtetës dhe drejtësisë dhe të ruajmë udhëheqjen e Shpirtit të Zotit.16

Nuk ka vend në Sion për mëkatarin që e bën mëkatin me paramendim. Ka një vend për mëkatarin e penduar, për njeriun që largohet nga ligësia dhe që kërkon për jetën e përjetshme dhe dritën e Ungjillit. Ne nuk duhet ta shohim mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit, po aq sa edhe Zoti mund të bëjë kështu, por ecni me drejtësi dhe me përsosmëri përpara Zotit.17

Njerëzit mund të shpëtohen dhe ekzaltohen në mbretërinë e Perëndisë vetëm në drejtësi; prandaj, ne duhet të pendohemi për mëkatet tona dhe të ecim në dritë siç Krishti është në dritë [shih 1 Gjoni 1:7], që gjaku i tij të mund të na pastrojë nga të gjitha mëkatet dhe që ne të mund të kemi shoqërimin me Zotin, dhe të marrim nga lavdia dhe ekzaltimi i tij.18

Ne kemi nevojë për pendim dhe kemi nevojë të na thuhet që të pendohemi.19

4

Në parimin e pendimit është shfaqur mëshira e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Pendimi është një nga parimet më ngushëlluese dhe të lavdishme të dhëna mësim në ungjill. Në këtë parim, mëshira e Atit tonë Qiellor dhe Birit të tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtit, është shfaqur ndoshta më fuqishëm sesa në ndonjë parim tjetër. Çfarë gjëje e frikshme do të ishte nëse nuk do të kishte falje të mëkatit dhe asnjë mjet për heqjen e mëkatit, për ata që janë pendues të përulur! Ne vetëm mund ta imagjinojmë pjesërisht tmerrin që do të na pushtonte, nëse do të na duhej të duronim ndëshkimin e shkeljeve tona përherë e përgjithmonë, pa shpresën e ndonjë lehtësimi. Si mund të merret ai lehtësim? Me anë të kujt mund të merret?

Zoti ynë ka thënë:

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.” [Gjoni 3:16–17; shih edhe vargjet 18–21.]

Nëse Ati nuk do ta kishte dërguar Jezu Krishtin në botë, atëherë nuk do të kishte pasur heqje të mëkateve dhe nuk do të mund të kishte lehtësim nga mëkati nëpërmjet pendimit.20

Pamja
A young man kneeling in prayer at his bedside.

“Pendimi është një nga parimet më ngushëlluese dhe të lavdishme të dhëna mësim në ungjill.”

Nëse me të vërtetë do ta kuptonim dhe do të mund t’i ndienim edhe në një shkallë të vogël dashurinë dhe gatishmërinë hirplotë nga ana e Jezu Krishtit për të vuajtur për mëkatet tona, ne do të ishim të gatshëm që të pendoheshim për të gjitha shkeljet tona dhe do t’i shërbenim atij.21

5

Pendimi përfshin pikëllim të sinqertë për mëkatin dhe kthesë të plotë nga mëkati.

Shkrimi i shenjtë thotë:

“Ofroji një flijim Zotit, Perëndisë tënd, në drejtësi, madje atë të një zemre të thyer dhe të një shpirti të penduar”. [DeB 59:8.]

Kjo do të thotë pendim.

… Pendimi, sipas përkufizimit të dhënë në fjalor, është pikëllim i sinqertë për mëkatin me vet-ndëshkim dhe kthesë të plotë nga mëkati. … Nuk mund të ketë pendim të vërtetë pa pikëllim dhe dëshirë për t’u çliruar nga mëkati.

Keqardhja e thellë është shfaqje e një shpirti të thyer apo të përulur për shkak të mëkatit e një kuptim i sinqertë i ligësisë së mëkatit, dhe ndërgjegjësim për mëshirën dhe hirin e Perëndisë të dhuruar ndaj mëkatarit të penduar. … Për atë arsye thotë Zoti, siç edhe e kam cituar tashmë, ne duhet të ofrojmë një sakrificë “në drejtësi, madje atë të një zemre të thyer dhe të një shpirti të penduar”. …

Pendimi është një dhuratë nga Perëndia. … Nuk është e lehtë për disa njerëz që të pendohen, por dhurata e pendimit dhe besimit do t’i jepet çdo njeriu që do ta kërkojë atë.22

Unë kam mësuar nga vetë përvoja ime se kur doni të ndryshoni, me të vërtetë doni të ndryshoni, ju mund t’ia dilni. Ndërgjegjja jonë dhe shkrimet e shenjta na tregojnë parimet sipas të cilave të jetojmë – dhe ato na tregojnë çfarë zakonesh duhet të ndryshojmë për mirëqenien dhe përparimin tonë të përjetshëm.23

6

Koha për t’u penduar është tani.

Perëndia nuk do të shpëtojë çdo burrë dhe grua në mbretërinë çelestiale. Në qoftë se doni të arrini atje dhe keni dështime, nëse po bëni mëkate, nëse po thyeni urdhërimet e Zotit dhe e dini atë, tani është koha e duhur për t’u penduar dhe ndrequr, dhe mos mendoni se është një gjë kaq e vogël sa Zoti do t’ju falë, vetëm pak të rrahura, vetëm pak ndëshkim dhe ne do të falemi; sepse ju mund ta gjeni veten të dëbuar nëse këmbëngulni dhe vazhdoni në një drejtim të tillë.24

Zvarritja, siç mund të zbatohet për parimet e ungjillit, është vjedhësi i jetës së përjetshme, e cila është jeta në praninë e Atit dhe të Birit. Ka shumë midis nesh, madje anëtarë të Kishës, që ndiejnë se nuk ka nevojë të nxitohen për t’i zbatuar parimet e ungjillit dhe për t’i mbajtur urdhërimet. …

Le të mos i harrojmë fjalët e [Amulekut]: “Pasi vini re, kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë; po, vini re, dita e kësaj jete është dita për njerëzit që të kryejnë punët e tyre.

Dhe tani, sikurse ju thashë më parë, pasi keni hasur kaq shumë dëshmi, si rrjedhim, ju lutem shumë që të mos e shtyni ditën e pendimit tuaj deri në fund; pasi pas kësaj dite të jetës që na është dhënë për t’u përgatitur për përjetësi, vini re, në qoftë se ne nuk e përdorim më mirë kohën tonë ndërsa jemi në këtë jetë, atëherë vjen nata e errësirës, gjatë së cilës nuk mund të kryhet asnjë punë.

Ju nuk mund të thoni kur të çoheni në atë krizë të tmerrshme, se unë do të pendohem, se do të kthehem te Perëndia im. Jo, ju nuk do të mund ta thoni këtë; pasi i njëjti shpirt që zotëron trupat tuaj në kohën që ju largoheni nga kjo jetë, i njëjti shpirt do të ketë fuqi të zotërojë trupin tuaj në atë botë të përjetshme.” [Alma 34:32–34.]25

7

Ne i detyrohemi botës për të ngritur zërin e paralajmërimit.

Zoti do që njerëzit të jenë të lumtur – ky është qëllimi i tij – por njerëzit refuzojnë të jenë të lumtur dhe e bëjnë veten të mjeruar, sepse mendojnë se udhët e tyre janë më të mira se udhët e Perëndisë, dhe për shkak të egoizmit, lakmisë dhe ligësisë që është në zemrat e tyre; dhe ky është problemi me ne sot.26

Nga vëzhgimi që ne bëjmë ndërsa udhëtojmë nga një vend në tjetrin, dhe nga ajo çfarë lexojmë në shtypin publik, jemi të detyruar medoemos të arrijmë në përfundimin se pendimi nga mëkati është jashtëzakonisht thelbësor kudo në botë sot.27

Mos mendoni se kemi arritur në një gjendje ku gjërat nuk mund të jenë më keq. Po të mos ketë pendim, ato do të jenë më keq. Dhe prandaj unë i thërras pendim këtij populli, shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, … dhe kombeve të tokës kudo.28

Ne i detyrohemi botës, që të ngremë zërin e paralajmërimit dhe veçanërisht anëtarëve të Kishës [shih DeB 88:81].29

Është detyra jonë të kujdesemi për njëri-tjetrin, ta mbrojmë njëri-tjetrin, ta paralajmërojmë njëri-tjetrin për rreziqet, t’i mësojmë njëri-tjetrit parimet e Ungjillit të mbretërisë dhe të qëndrojmë së bashku me një front të bashkuar kundër mëkateve të botës.30

Nuk kam njohuri për asgjë tjetër që është më e rëndësishme apo e nevojshme në këtë kohë sesa të thërrasësh pendim, madje midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, dhe u bëj thirrje atyre si edhe njerëzve që nuk janë anëtarë të Kishës, që t’ua vënë veshin këtyre fjalëve të Shëlbuesit tonë. Tani ai e ka shpallur qartësisht se asgjë e papastër nuk mund të hyjë në praninë e tij. Vetëm ata që e provojnë veten e tyre besnikë dhe kanë larë rrobat e tyre në gjakun e tij nëpërmjet besimit të tyre dhe pendimit të tyre – askush tjetër nuk do ta gjejë mbretërinë e Perëndisë.31

“Vini re, të gjitha kombet, fiset, gjuhët dhe njerëzit do të jetojnë në siguri me të Shenjtin e Izraelit, nëse ata do të pendohen.” [1 Nefi 22:28.] Dhe lutem që ata do të pendohen. Dua që ata të jetojnë në siguri. Dua që ata të besojnë në Të Shenjtin e Izraelit, që erdhi në botë dhe shleu për mëkatet tona, për mëkatet e të gjithë njerëzimit, që na dha shëlbim nga vdekja, që na ka premtuar shpëtim dhe heqjen e mëkateve tona me kushtin e pendimit tonë.

Oh, uroj që i gjithë njerëzimi do të besonte në të, do ta adhuronte Atë dhe Atin e tij, dhe do t’i shërbente Zotit, Perëndisë sonë në emër të Birit, dhe atëherë paqja do të vinte, atëherë drejtësia do të mbizotëronte, atëherë Zoti do të vendoste mbretërinë e tij mbi tokë.32

I lutem botës që të pendohet dhe ta besojë të vërtetën, ta lërë dritën e Krishtit të ndriçojë në jetën e tyre, të mbajë çdo parim të mirë e të vërtetë që kanë, dhe t’i shtojë këtyre dritë dhe njohuri të mëtejshme që ka ardhur me anë të zbulesës në këtë kohë. Unë u lutem atyre të bashkohen me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe të korrin bekimet e ungjillit.

Unë u lutem anëtarëve të Kishës të bëjnë vepra drejtësie, të mbajnë urdhërimet, të kërkojnë Shpirtin, të duan Zotin, të vendosin të parat në jetën e tyre gjërat e mbretërisë së Perëndisë dhe kështu të punojnë për shpëtimin e tyre me frikë e me dridhje përpara Zotit [shih Filipianëve 2:12].33

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit” rishikoni komentet e Presidentit Smith rreth arsyes pse ai donte të “ngr[inte] zërin paralajmërimit.” Në ç’mënyrë është thirrja për t’u penduar një shprehje e dashurisë?

  • Çfarë do të thotë për ju ta përqendroni besimin tuaj në Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? (Shih pjesën 1.)

  • Përse besimi i vërtetë të çon gjithmonë në veprim? (Për disa shembuj, shih pjesën 2.) Cilat janë disa mënyra që ne mund të tregojmë besimin tonë me anë të veprimeve tona?

  • Në ç’mënyrë është pendimi një “rezultat i besimit”? (Shih pjesën 3.)

  • Reflektoni në heshtje për një kohë kur ju u penduat dhe ndiet mëshirën e dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit (shih pjesën 4). Çfarë mund të tregoni rreth mirënjohjes suaj për Shlyerjen e Shpëtimtarit?

  • Përse pendimi është i pamundur “pa pikëllim dhe dëshirë për t’u çliruar nga mëkati”? (Shih pjesën 5.) Si mund të sigurojnë shpresë dy paragrafët e fundit në pjesën 5 për dikë që ndien pikëllim për shkak të mëkatit?

  • Në çfarë mënyrash zvarritja është “vjedhësi i jetës së përjetshme”? (Shih pjesën 6.) Cilat janë rreziqet e zvarritjes së pendimit tonë?

  • Ndërsa rishikoni pjesën 7, merrni në konsideratë se çfarë do të thotë “për të ngritur zërin e paralajmërimit”. Si mund të jemi të mirë dhe të dashur në përpjekjet tona për të paralajmëruar të tjerët?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Hebrenjve 11:1–6; Mosia 4:1–3; Alma 34:17; Ethëri 12:4; Moroni 7:33–34; DeB 18:10–16; Nenet e Besimit 1:4

Ndihmë për Mësimdhënien

“Janë nxënësit që duhet të vihen në veprim. Kur një mësues vihet në qendër të vëmendjes, bëhet ylli i shfaqjes, është ai që flet gjatë gjithë kohës dhe përveç kësaj merr përsipër të gjithë aktivitetin, është pothuajse e qartë që ai po ndërhyn në procesin e nxënies së anëtarëve të klasës” (Asahel D. Woodruff, Teaching the Gospel [1962], f. 37; në Virginia H. Pearce, “The Ordinary Classroom—A Powerful Place for Steady and Continued Growth”, Ensign, nëntor 1996, f. 12).

Shënime

  1. Answers to Gospel Questions,përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. (1957–1966), 1:84.

  2. “Faith and Works: The Clearing of a Seeming Conflict”, Improvement Era, tetor 1924, f. 1151; shih edhe Doctrines of Salvation,përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 2:311.

  3. Në Conference Report, tetor 1919, f. 88; kursivet në origjinal.

  4. Joseph Fielding Smith Jr., në Take Heed to Yourselves! (1966), f. v–vi.

  5. Francis M. Gibbons, Joseph Fielding Smith: Gospel Scholar, Prophet of God (1992), f. viii.

  6. Spencer W. Kimball, cituar nga Bruce R. McConkie në “Joseph Fielding Smith: Apostle, Prophet, Father in Israel”, Ensign, gusht 1972, f. 28.

  7. Në Joseph Fielding Smith Jr. and John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 10.

  8. Në Conference Report, prill 1970, f. 113.

  9. Në Conference Report, tetor 1921, f. 186; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:302.

  10. “Redemption of Little Children”, Deseret News, 29 prill 1939, seksioni i Kishës, f. 3; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:302–303.

  11. “Faith”, Deseret News, 16 mars 1935, seksioni i Kishës, f. 3, 7.

  12. Në Conference Report, prill 1923, f. 139.

  13. “Faith and Works: The Clearing of a Seeming Conflict”, f. 1151; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:311.

  14. The Restoration of All Things (1945), f. 196.

  15. “The Pearl of Great Price”, Utah Genealogical and Historical Magazine, korrik 1930, f. 104; shih edhe Doctrines of Salvation, 2:48.

  16. Në Conference Report, tetor 1950, f. 13.

  17. Në Conference Report, prill 1915, f. 120.

  18. Në Conference Report, tetor 1969, f. 109.

  19. “A Warning Cry for Repentance”, Deseret News, 4 maj 1935, seksioni i Kishës, f. 6; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:44.

  20. The Restoration of All Things, f. 196–197.

  21. The Restoration of All Things, f. 199.

  22. “Repentance and Baptism”, Deseret News, 30 mars 1935, seksioni i Kishës, f. 6.

  23. “My Dear Young Fellow Workers”, New Era, janar 1971, f. 5.

  24. “Relief Society Conference Minutes”, Relief Society Magazine, gusht 1919, f. 473, shih edhe Doctrines of Salvation, 2:17.

  25. Në Conference Report, prill 1969, f. 121, 123.

  26. “A Warning Cry for Repentance”, f. 6; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:35.

  27. Në Conference Report, tetor 1966, f. 58.

  28. Në Conference Report, tetor 1932, f. 91–92; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:31–32.

  29. Në Conference Report, prill 1937, f. 59; shih edhe Doctrines of Salvation, 3:49.

  30. Në Conference Report, prill 1915, f. 120.

  31. Në Conference Report, tetor 1960, f. 51.

  32. Në Conference Report, tetor 1919, f. 92.

  33. Në Conference Report, tetor 1970, f. 7–8.