Mësime të Presidentëve
Kapitulli 22: Lutja – Një Urdhërim dhe një Bekim


Kapitulli 22

Lutja – një Urdhërim dhe një Bekim

“Pak gjëra në jetë janë aq të rëndësishme sa të biseduarit me Hyjninë në lutje.”

Nga Jeta e Jozef Filding Smithit

Presidenti Jozef Filding Smith na mësoi se ne duhet ta bëjmë shpirtin e lutjes “pjesë të vetë qenies sonë”1. Ai dha një shembull të këtij parimi nëpërmjet mënyrës se si jetoi dhe nëpërmjet mënyrës se si u lut – vetëm, me anëtarë të familjes dhe në publik.

Pas vdekjes së gruas së tij të parë, Luisë, ai e shkroi përgjërimin e tij të dhembshur në ditarin e tij, duke dhënë një përshtypje të shpejtë për lutjet e tij vetjake: “O Ati im në qiell, më ndihmo, të lutem Ty, që të jetoj në mënyrë të tillë, që unë të jem i denjë ta takoj atë në lavdi të përjetshme, të bashkohem me të përsëri, për të mos u ndarë më kurrë sërish, përmes epokave të panumërta të përjetësisë. Më ndihmo të jem i përulur, të kem besim në Ty. Më jep urtësi dhe dije për gjëra hyjnore, që të mund të kem fuqi për t’i bërë ballë gjithë ligësisë dhe për të qëndruar i patundur ndaj së vërtetës Tënde. O Zot, më ndihmo, më jep jetë të përjetshme në Mbretërinë tënde. M’i udhëhiq hapat e mia në drejtësi, jepmë Tërë Shpirtin Tënd. Më ndihmo t’i rris foshnjat e mia të çmuara, që ata të mbeten të pastër dhe të panjollë gjatë gjithë jetës së tyre dhe, kur ta kemi përfunduar udhën, na merr në Mbretërinë tënde Çelestiale, të lutemi ty. Në emrin e Shëlbuesit tonë, ashtu u bëftë, Amen.”2

Biri i Presidentit Smith, Jozef i Riu, tregoi për një lutje të paharrueshme që bëri Presidenti Smith kur ata të dy ishin rrugës për në shtëpi në Solt-Lejk-Siti, pas një udhëtimi në Jutën lindore. Ata “u përfshinë në një stuhi të rëndë shiu dhe morën një kthesë të gabuar”, duke përfunduar në një vend të quajtur Kanioni Indian. “Stuhia u bë më e fortë dhe rruga shumë me baltë dhe rrëshqitëse, kaq shumë sa që nuk ishte vetëm e rrezikshme, por edhe e pamundur të udhëtohej më tej. Mjegulla e rëndë mbuloi hendekun e thellë anash rrugës me një korsi dheu të pashtruar dhe Jozefi, i Riu, dhe Dr. Dejvid E. Smith, që ishin pasagjerë, u përpoqën ta shtynin dhe ta drejtpeshonin makinën, nga frika e rrëshqitjes poshtë në kanionin e thellë. Rrotat filluan të vërtiteshin në baltë dhe më së fundi makina ngeli në vend. … Jozefit, i kujto[hej] që i ati tha: ‘Kemi bërë gjithçka mundemi. Patjetër do t’i thërrasim Zotit.’ Ai e uli kokën në lutje, duke iu drejtuar Zotit që të përgatiste mënyrën, se si ai mund ta ndreqte gabimin e tij dhe të dilnin nga kanioni i rrezikshëm e të vazhdonin udhëtimin për në shtëpi. Ai i tha Zotit se kishte detyra të rëndësishme që kishin nevojë për vëmendjen e tij të nesërmen, dhe se ishte e domosdoshme që të kthehej në Solt-Lejk-Siti. Mrekullisht, stuhia u qetësua, një erë filloi, duke e tharë rrugën mjaftueshëm që ata të ishin në gjendje … më së fundi të ktheheshin përsëri në autostradë. Sapo kishin arritur në një vend më të lartë, atëherë stuhia filloi përsëri, duke e vonuar trafikun në zonën përreth për disa orë. Kur vazhduan të zbrisnin Kanionin e Provos në drejtim të Solt-Lejk-Sitit, pas shumë orësh udhëtimi shtesë, ata u ndaluan nga një polic patrulle në autostradë, i cili i pyeti se nga kishin ardhur. Kur mësoi se kishin ardhur përmes Kanionit Indian, oficeri tha: ‘Është e pamundur! Është raportuar se të gjitha urat në atë zonë janë prishur nga ujërat.’ Për habinë e tyre, titujt e artikujve të gazetës së ditës së nesërme raportuan 200 makina që kishin humbur rrugën nga zona prej së cilës ata ishin larguar.”3

Gjatë shërbesës 62-vjeçare si apostull të Presidentit Smith, shumë nga predikimet e tij përfshinë lutje publike në të cilat ai kërkoi bekimet e qiellit për anëtarë të Kishës dhe për njerëz kudo në botë. Për shembull, në konferencën e tij të parë, të përgjithshme si President i Kishës ai bëri kërkesë: “Unë lutem që Perëndia, Ati ynë Qiellor, do t’i hapë pragjet e qiellit dhe do të derdhë mbi fëmijët e tij në të gjithë tokën ato bekime të mëdha dhe të përjetshme, të cilat do ta përmirësonin gjendjen e tyre materialisht dhe shpirtërisht”4.

Lutjet e Presidentit Smith zbuluan thellësinë e dëshmisë së tij dhe të dashurisë së tij për Atin e tij në Qiell dhe për Shpëtimtarin e tij. Presidenti Bojd K. Paker, që u thirr për të shërbyer në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve kur Jozef Filding Smith ishte President i Kishës, tha: “Ishte një përvojë ta dëgjoje Presidentin Jozef Filding Smith të lutej. Edhe kur i kishte kaluar të nëntëdhjetat, ai do të lutej që të ‘mbante besëlidhjet dhe detyrimet e tij dhe që të duronte deri në fund’.”5

Mësime të Jozef Filding Smithit

1

Ne urdhërohemi që të afrohemi pranë Atit Qiellor në lutje.

Është një urdhërim nga Zoti që ta kërkojmë atë vazhdimisht në lutje të përulur. Kur Shpëtimtari ishte me dishepujt e tij, ai i mësoi të luten dhe u dha shembullin atyre në lutje të vazhdueshme drejtuar Atit të tij. Ne mund të jemi të sigurt, përderisa është një urdhërim nga Zoti, se ka meritë në lutje dhe kur e kërkojmë Zotin, duhet të jetë në shpirtin e përulësisë dhe të nderimit. …

… Është detyrë e prindërve t’i mësojnë fëmijët e tyre se si të luten, sapo ata fillojnë të kuptojnë. I lejoni të formojnë zakonin që t’i drejtohen Atit të tyre në qiell dhe që të kuptojnë arsyen për lutje. Nëse ky zakon krijohet në fëmijëri, ai mund të ruhet përgjatë viteve të pjekurisë dhe burri apo gruaja që e ka kërkuar me zell Zotin dhe e ka falënderuar atë për bekimet, mund të presë që Zoti nuk do ta braktisë atë në kohën e nevojës.6

A mother kneeling by her young son as he prays.

“Është detyrë e prindërve t’i mësojnë fëmijët e tyre se si të luten, sapo ata fillojnë të kuptojnë.”

Pyes veten, nëse ndalojmë ndonjëherë të mendojmë, përse Zoti na ka kërkuar të lutemi. A na kërkoi të lutemi, sepse dëshiron që të përkulemi përtokë dhe ta adhurojmë atë? A është ajo arsyeja kryesore? Nuk mendoj se është kjo. Ai është Ati ynë Qiellor dhe ne urdhërohemi ta adhurojmë atë dhe t’i lutemi atij në emrin e Birit të tij të Dashur, Jezu Krishtit. Por Zoti mund t’ia dalë mbanë pa lutjet tona. Puna e tij do të vazhdojë po njësoj, nëse ne lutemi apo nëse nuk lutemi. … Lutja është diçka për të cilën ne kemi nevojë, jo diçka për të cilën Zoti ka nevojë. Ai e di se si t’i kryejë punët e tij dhe se si të kujdeset për to pa ndonjë ndihmë prej nesh. Lutjet tona nuk kanë për qëllim t’i tregojnë atij se si ta drejtojë punën e tij. Nëse kemi ndonjë ide të tillë si ajo, atëherë sigurisht që kemi idenë e gabuar. Lutjet tona shqiptohen më shumë për interesin tonë, për të na lartësuar ne dhe për të na dhënë forcë e kurajë dhe për të rritur besimin tonë tek ai.

Lutja është diçka që e përul shpirtin. Ajo e zgjeron kuptueshmërinë tonë; e gjallëron mendjen. Na tërheq më pranë Atit tonë në qiell. Ne kemi nevojë për ndihmën e tij; nuk ka asnjë dyshim për të. Neve na nevojitet udhëheqja e Shpirtit të tij të Shenjtë. Ne kemi nevojë të dimë cilat parime na janë dhënë, me anë të të cilave mund të kthehemi përsëri në praninë e tij. Ne kemi nevojë t’i kemi mendjet tona të gjallëruara me anë të frymëzimit që vjen prej tij; dhe për këto arsye ne i lutemi atij, që të na ndihmojë të jetojmë kështu që patjetër do ta dimë të vërtetën e tij dhe do të jemi në gjendje të ecim në dritën e saj, që ne, nëpërmjet besnikërisë sonë dhe bindjes sonë, të mund të kthehemi përsëri në praninë e tij.7

Pak gjëra në jetë janë po aq të rëndësishme sa të biseduarit me Hyjninë në lutje. Zoti ka hedhur mbi mendjet tona një perde harrese, kështu që ne nuk e kujtojmë atë dhe shoqërimin tonë me të si anëtarë të familjes së tij në jetën para vdekshmërisë. Lutja është udha e të biseduarit që ai ka siguruar për ne, që të mund të bashkëbisedojmë me të përsëri. Prandaj, një nga qëllimet kryesore të provës sonë të vdekshme është të shohim, nëse ne mund të mësojmë me shpirtin e lutjes gjithmonë në zemrat tona, kështu që kur Zoti të zgjedhë të na flasë, ne do ta dëgjojmë zërin e tij në shpirtrat tanë.8

2

Stina për lutje është gjithmonë.

“Dhe një urdhërim u jap unë atyre (domethënë, prindërve në Sion), se ai që nuk i kryen lutjet e tij përpara Zotit në stinën e tyre, ai duhet të mbahet në kujtesë përpara gjykatësit të popullit tim.” [DeB 68:33.]

Nuk mendoj se e kemi lexuar atë varg në këtë pjesë aq shumë dhe pyes veten nganjëherë, nëse e kuptojmë sa i rëndësishëm është ky urdhër në të vërtetë. Askush nuk mund ta mbajë Shpirtin e Zotit, në qoftë se nuk lutet. Askush nuk mund të ketë frymëzim nga Shpirti i Shenjtë, në qoftë se në zemrën e tij nuk gjendet ky shpirt i lutjes. …

Tani dua të qëndroj në këtë pjesë për një ose dy çaste. … Cila është koha e lutjes?

Disa prej nesh kanë mendimin se koha e lutjes është kur ne ngrihemi në mëngjes dhe kur jemi duke shkuar të flemë në darkë, kur puna jonë mbarohet dhe se nuk ka ndonjë kohë tjetër për lutje. Por ju them, dhe kam mbështetje të mirë për të, se koha për lutje është gjithmonë. Më lejoni t’jua lexoj. Ju e dini se më pëlqen ta vërtetoj atë që them; dëshiroj të sjell dëshmitarë që të tregojnë më tej rreth asaj që shpreh, dhe nuk u kërkoj njerëzve ta pranojnë atë që them, në qoftë se nuk është në përputhje, në mënyrë absolute, me atë që Zoti ka thënë, qoftë drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet profetëve të tij. Lexojmë në Librin e Mormonit fjalën e [Amulekut] drejtuar zoramitëve të varfër, të cilët ishin larguar nga e vërteta dhe ishin nxjerrë jashtë nga sinagogat e tyre, sepse ishin të varfër dhe, duke e ndier se ata mund të luteshin vetëm një e nga një, ndërsa ngjiteshin në rameumptom, siç quhet ai [shih Alma 31:12–23], ata nuk dinin se çfarë të bënin. [Amuleku] u mësoi atyre si vijon:

“Po, përgjërojuni atij për mëshirë; pasi ai është i fuqishëm të shpëtojë. Po, përuluni dhe vazhdoni në lutje ndaj atij. Përgjërojuni atij kur të jeni në fushat tuaja, po, për të gjitha grigjat tuaja. Përgjërojuni atij në shtëpitë tuaja, po, për të gjithë pjesëtarët e familjes suaj, si në mëngjes, në mesditë dhe në mbrëmje. Po, përgjërojuni atij kundër fuqisë së armiqve tuaj. Po, përgjërojuni atij kundër djallit i cili është armik i gjithë drejtësisë. Përgjërojuni atij për bereqetin e fushave tuaja, që ai t’ju sjellë begati. Përgjërojuni atij për tufat e fushave tuaja, që ato të mund të shtohen. Por, kjo nuk është e gjitha; ju duhet të derdhni shpirtrat tuaj në dhomëzat tuaja dhe në vendet tuaja të fshehta dhe në vendin tuaj të shkretë. Po, dhe kur ju të mos i përgjëroheni Zotit, le të jenë zemrat tuaja plot, të hapura në lutje tek ai vazhdimisht, për mirëqenien tuaj dhe gjithashtu për mirëqenien e atyre që janë rreth e përqark jush. Dhe tani vini re, vëllezërit e mi të dashur, unë ju them juve të mos mendoni se kjo është e gjitha; sepse, pasi t’i keni bërë të gjitha këto gjëra, në qoftë se ju nuk ndihmoni nevojtarët dhe të zhveshurit dhe nuk vizitoni të sëmurët dhe të mjeruarit dhe nuk u jepni nga gjëja juaj, në qoftë se keni, atyre që kanë nevojë – unë ju them juve, në qoftë se ju nuk bëni ndonjë nga këto gjëra, vini re, lutja juaj është e kotë dhe nuk ju vlen për asgjë dhe ju jeni si hipokritët që mohojnë besimin.” [Alma 34:18–28.]

Mendoj se ajo është doktrinë shumë e shkëlqyer dhe ua lexoj që të lë mbresë në mendjen tuaj për stinën e lutjes. Stina e lutjes është në mëngjes përpara se familja shpërndahet. Një kohë e mirë për lutje është kur mblidheni te tryeza përpara se të hani një vakt në mëngjes dhe i lejoni anëtarët e familjes ta bëjnë me radhë lutjen. Ajo është koha e lutjes. Koha e lutjes për tregtarin është në mëngjes kur shkon në vendin e tij të tregtimit dhe përpara se të fillojë ditën e tij të punës, për mallin e tij. Koha e lutjes për bariun është kur ai ndodhet jashtë me tufat e tij duke i ruajtur ato. Koha për fermerin për t’u lutur është kur ai shkon me plugun e tij në fushë, kur shkon të korrë drithin e tij dhe kur shkon të mbledhë të lashtat e tij. Dhe nëse një njeri do të lutet, sikurse urdhërohet të bëjë në këtë pjesë të shkrimit të shenjtë që kam lexuar, atëherë ai ka më tepër mundësi të gjendet në të gjitha gjërat duke i zbatuar me drejtësi urdhërimet e Zotit.9

Alma and Amulek in prison, with several men around them, look up as the roof is caving in.

Amuleku, i paraqitur këtu me Almën, i nxiti njerëzit t’i “përgjëro[hen] [Zotit] për mëshirë; pasi ai është i fuqishëm të shpëtojë” (Alma 34:18).

3

Gjithçka që bëjmë duhet të jetë në përputhje me shprehjet e lutjeve tona.

Nuk duhet të lutemi thjesht me buzët tona; por në çdo veprim, në bisedën tonë, në gjithçka që ndërmarrim të bëjmë, ne duhet të përpiqemi të veprojmë sipas shprehjeve të lutjeve tona dhe të jemi në përputhje me mendimet që i shpallim Zotit në përgjërimet tona të përditshme.10

A e kemi në zotërim shpirtin e lutjes? A e kemi bërë atë pjesë të vetë qenies sonë? A mbajmë lidhje me Atin tonë qiellor nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, apo jo?11

4

Në lutjet tona ne duhet t’i derdhim shpirtrat tanë plot falënderim.

Sa të kujdesshëm duhet të jemi që të kultivojmë, me anë të një jete plot lutje, një sjellje falënderuese. Unë besoj se një nga mëkatet më të mëdha, për të cilin banorët e tokës janë fajtorë sot, është mëkati i mosmirënjohjes, dëshira [ose mungesa] e pranimit, nga ana e tyre, të Zotit dhe të së drejtës së tij për të qeverisur e kontrolluar.12

Në lutjet tona, ne duhet t’i derdhim shpirtrat tanë plot falënderim për jetën dhe për ekzistencën, për flijimin shëlbues të Birit të Perëndisë, për ungjillin e shpëtimit, për Jozef Smithin dhe veprën e tij të fuqishme të rivendosjes që u bë e mundur të ndodhte nëpërmjet tij. Ne duhet ta njohim dorën e Zotit në të gjitha gjërat dhe ta falënderojmë atë për të gjitha gjërat, si materiale ashtu edhe shpirtërore.13

5

Ne duhet t’i përgjërohemi Atit Qiellor për gjithë dëshirat tona të drejta.

Ne duhet t’i përgjërohemi [Atit Qiellor] për besim e integritet moral dhe për çdo veti hyjnore, për ngadhënjimin dhe suksesin e punës së tij, për udhëheqjen e Shpirtit të tij të Shenjtë dhe për shpëtim në mbretërinë e tij. Ne duhet të lutemi për familjet tona, për bashkëshortet tona dhe fëmijët tanë, për ushqim, strehim dhe veshje, për shqetësime të biznesit tonë dhe për gjithë dëshirat tona të drejta.14

Lutem që bekimet e qiellit të mund të jenë dhe të qëndrojnë me ne dhe me të gjithë njerëzit.

O që qiejt të mund të derdhin poshtë drejtësi dhe të vërtetë mbi tërë botën!

O që gjithë njerëzit kudo të mund të kenë një vesh dëgjues dhe që ata të mund t’i dëgjojnë fjalët e së vërtetës dhe të dritës, të cilat vijnë nga shërbëtorët e Zotit!

O që qëllimet e Zotit mes gjithë njerëzve në çdo komb të mund të përmbushen me shpejtësi!

Unë lutem për anëtarët e Kishës, të cilët janë shenjtorët e Më të Lartit, që ata të mund të forcohen në besimin e tyre dhe që dëshirat për drejtësi të mund të rriten në zemrat e tyre, dhe që ata të mund të punojnë për shpëtimin e tyre me frikë dhe duke u dridhur para Zotit [shih Filipianëve 2:12; Mormoni 9:27].

Lutem për të mirin dhe të drejtin mes gjithë njerëzve, që ata të mund të udhëhiqen për të kërkuar të vërtetën, për ta mbështetur çdo parim të vërtetë dhe për të çuar përpara kauzën e lirisë dhe të drejtësisë.

Në këto kohë plot shqetësim dhe vështirësi, unë lutem që tërë njerëzit të mund të udhëhiqen nga ajo dritë, e cila e ndriçon çdo njeri që vjen në botë [shih Gjoni 1:9; DeB 93:2], dhe që ata të mund të fitojnë, si rrjedhim, urtësinë për t’i zgjidhur problemet që rrethojnë njerëzimin.

Unë i kërkoj me ngulm një Ati të hirshëm që t’i derdhë bekimet e tij mbi tërë njerëzit, mbi të rinjtë dhe të vjetrit, mbi ata që kanë arsye të vajtojnë, mbi të uriturit dhe të varfrit, mbi ata që kanë rënë në kurthin e rrethanave pa fat dhe të mjediseve të pashëndetshme, dhe mbi ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë, dhe përkrahje, dhe urtësi, dhe gjithë ato gjëra të mira dhe të madhërishme që vetëm ai mund t’i japë.

Së bashku me të gjithë ju, unë kam dashuri dhe shqetësim e dhembshuri për fëmijët e Atit tonë në tërë tokën dhe lutem që kushtet e tyre të mund të përmirësohen si materialisht ashtu edhe shpirtërisht; unë lutem që ata të mund të vijnë te Krishti dhe të mësojnë për të, dhe të marrin mbi vete zgjedhën e tij, që ata të mund të gjejnë prehje për shpirtrat e tyre, sepse zgjedha e tij është e ëmbël dhe barra e tij është e lehtë [shih Mateu 11:29–30].

Unë lutem që shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe të gjithë që do të bashkohen me ta në zbatimin e urdhërimeve të Atit për ne të gjithë, të mund të jetojnë në mënyrë të tillë që të gjejnë paqe në këtë jetë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen [shih DeB 59:23] – të cilën të gjithën e kërkoj me përulësi dhe me falënderim, dhe në emrin e Zotit Jezu Krisht. Amen.15

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Pjesa “Nga Jeta e Jozef Filding Smithit” përmban katër shembuj lutjesh të ofruara nga Presidenti Smith. Çfarë mund të mësojmë nga secili prej këtyre shembujve?

  • Mendoni thellë rreth sjelljes suaj vetjake ndaj lutjes. Çfarë mund të bëjmë me qëllim që lutjet tona të na ndihmojnë për të qenë “më pranë Atit tonë në qiell”? (Shih pjesën 1.)

  • Presidenti Smith na mësoi: “Koha për lutje është gjithmonë” (pjesa 2). Në çfarë mënyrash mund ta ndjekim këshillën për t’u lutur gjithmonë?

  • Çfarë do të thotë për ju të “përpiqemi të veprojmë sipas shprehjeve të lutjeve tona”? (Shih pjesën 3.) Mendoni rreth asaj që mund të bëni për t’u përmirësuar në këtë fushë.

  • Si ndryshon sjellja jonë kur ne ia “derdhim shpirtrat tanë plot falënderim” Atit tonë Qiellor? (Shih pjesën 4.)

  • Ndërsa e studioni lutjen e Presidentit Smith në pjesën 5, merrni parasysh vetë lutjet tuaja. Në heshtje meditoni për këtë pyetje: Cilët njerëz dhe çfarë çështjesh duhet të përfshini më shpesh në lutjet tuaja?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Mateu 7:7–8; Filipianëve 4:6; 1 Thesalonikasve 5:17–18; Jakobi [Bibël] 1:5–6; 2 Nefi 32:8–9; Alma 34:38–39; 3 Nefi 18:18–21; DeB 10:5

Ndihmë për Mësimdhënien

“Për të nxitur diskutimin, përdorni pyetjet në fund të çdo kapitulli. Ju gjithashtu mund t’i hartoni vetë pyetjet tuaja posaçërisht për ata që u jepni mësim” (nga faqja VII në këtë libër).

Shënime

  1. Në Conference Report, prill 1918, f. 156.

  2. Në Joseph Fielding Smith Jr. dhe John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith (1972), f. 162–163; shkrimi kursiv në origjinal.

  3. Joseph Fielding Smith Jr. dhe John J. Stewart, The Life of Joseph Fielding Smith f. 232–233.

  4. Në Conference Report, prill 1970, f. 6.

  5. Boyd K. Packer, “Covenants”, Ensign, nëntor 1990, f. 84; shkrimi kursiv i hequr nga origjinali.

  6. Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëllime. (1957–1966), 3:83–85.

  7. Në Conference Report, prill 1968, f. 10; shkrimi kursiv në origjinal.

  8. “President Joseph Fielding Smith Speaks on the New MIA Theme”, New Era, shtator 1971, f. 40.

  9. Në Conference Report, tetor 1919, f. 142–143.

  10. Në Conference Report, tetor 1913, f. 73.

  11. Në Conference Report, prill 1918, f. 156.

  12. Në Conference Report, tetor 1969, f. 110.

  13. “President Joseph Fielding Smith Speaks on the New MIA Theme”, f. 40.

  14. “President Joseph Fielding Smith Speaks on the New MIA Theme”, f. 40.

  15. Në Conference Report, prill 1970, f. 149.