Kapitulli 16
Rritja e Fëmijëve në Dritë e të Vërtetë
“Detyra e parë në lidhje me mësimin e fëmijëve të Kishës i përket shtëpisë.”
Nga Jeta e Jozef Filding Smithit
Presidenti Jozef Filding Smith e përshkroi atin e tij, Presidentin Jozef F. Smith, si: “Një nga të cilët unë kisha më shumë besim sesa te ndonjë tjetër që kam njohur në këtë botë”1. Ai rikujtoi se ati i tij e mblidhte shpesh familjen, “duke i udhëzuar fëmijët e tij me parimet e ungjillit. Ata të gjithë pa përjashtim gëzoheshin në praninë e tij dhe qenë mirënjohës për fjalët këshilluese dhe udhëzimin që jepte. … Ata nuk i kanë harruar kurrë ato që iu mësuan dhe mbresat kanë qëndruar me ta dhe me gjasa do të qëndrojnë kështu përgjithmonë.”2 Ai tha gjithashtu: “Babai im ishte njeriu më i dashur që kam njohur ndonjëherë. … Midis kujtimeve të mia më të dashura janë orët që kam kaluar pranë tij duke diskutuar për parimet e ungjillit dhe duke marrë udhëzim siç mundej ta jepte vetëm ai. Në këtë mënyrë themeli për vetë njohurinë time u vendos tek e vërteta, kështu që unë gjithashtu mund të them se e di që Shëlbuesi im jeton, dhe se Jozef Smithi është, ishte dhe gjithmonë do të jetë një profet i Perëndisë së gjallë.”3
Jozef Filding Smithi foli gjithashtu me dashuri për nënën e tij, Xhulina L Smith dhe mësimet prej saj. Ai tha: “Që fëmijë, unë qeshë mësuar nga nëna ime ta doja Profetin Jozef Smith dhe ta doja Shëlbuesin tim. … Unë jam mirënjohës për mësimin që mora dhe u përpoqa ta ndjek këshillën që më qe dhënë nga ati im. Por unë nuk duhet t’ia jap atij të gjithë meritën. Unë mendoj se një pjesë e mirë e saj, një pjesë shumë e madhe e saj, duhet t’i shkojë nënës sime, pranë gjunjëve të së cilës unë ulesha zakonisht si fëmijë dhe dëgjoja historitë e saj rreth pionierëve. … Ajo e kishte zakon të më mësonte dhe të më vinte në duar, kur qeshë rritur aq sa të lexoja, libra që mund t’i kuptoja. Ajo më mësoi të lutem [dhe] të jem i vërtetë dhe besnik në besëlidhjet dhe detyrimet e mia, të shërbej në detyrat e mia si dhjak dhe si mësues … dhe më vonë si prift. … Unë pata një nënë që ishte e kujdesshme që unë të lexoja dhe unë lexoja dhe më pëlqente të lexoja.”4
Kur Jozef Filding Smithi u bë baba, ai ndoqi shembullin e prindërve të tij. Vajza e tij Amelia tha:
“Babai qe studenti dhe mësuesi i përsosur, i cili jo vetëm na mësoi nga bagazhi i madh i njohurive të tij por na nxiti të mësonim vetë. …
Me fëmijët e tij ai ndoqi këshillën që gjendet te DeB 93:40: ‘Por unë ju kam urdhëruar t’i rrisni fëmijët tuaj në dritë e të vërtetë’.
Ai na mësonte duke na treguar histori nga shkrimet e shenjta ndërsa hanim mëngjes dhe kishte aftësinë ta bënte secilën të tingëllonte e re dhe emocionuese edhe pse e kishim dëgjuar shumë herë më parë. Ankthi që ndieja duke pyetur veten nëse ushtarët e faraonit do ta gjenin kupën e artë në thesin me grurë të Beniaminit është edhe sot i vërtetë. Ne mësonim rreth Jozef Smithit që gjente fletët prej ari dhe vizitës së Atit dhe të Birit. Nëse babai do kishte kohë të ecte me ne për në shkollë, historitë vazhdonin. Ne ecnim duke kaluar Tempullin [e Solt-Lejkut) gjatë rrugës për në shkollë dhe ai na tregonte rreth Engjëllit Moroni. Ne mësonim se tempulli ishte një vend shumë i veçantë, që ju duhej të ishit i mirë për të shkuar atje, dhe kur martoheshit atje, ju martoheshit përgjithmonë. Ai na mësonte me gjërat për të cilat lutej në lutjet tona familjare kur uleshim në gjunjë pranë karrigeve tona përpara mëngjesit dhe përsëri në vaktin e drekës. …
Sot mësimet e tij jo vetëm i ngrenë dhe i mbështesin pasardhësit e tij, por gjithashtu një numër pafund anëtarësh besnikë të Kishës. Çfarë privilegji dhe bekimi i madh ka qenë të jesh bija e tij.”5
Mësime të Jozef Filding Smithit
1
Për t’i rezistuar ndikimit të kundërshtarit, prindërit duhet t’i rrisin fëmijët e tyre në dritë dhe të vërtetë.
Rëndësia e bashkimit familjar – dashurisë dhe vlerësimit për njëri-tjetrin në familje – duhet të theksohen pa rezerva. Solidariteti shpirtëror në marrëdhëniet familjare është themeli i sigurt mbi të cilin Kisha dhe vetë shoqëria do të lulëzojnë. Ky fakt është i mirënjohur dhe i vlerësuar nga kundërshtari dhe, si kurrë më parë, ai po përdor çdo mjet, ndikim dhe fuqi dinake brenda pushtetit të tij për ta minuar dhe shkatërruar këtë institucion të përjetshëm. Vetëm ungjilli i Jezu Krishtit i zbatuar në marrëdhëniet familjare do të ndalojë këtë forcë shkatërruese djallëzore.6
Ka shumë rreziqe të mëdha dhe reale të cilat duhen menduar dhe ato që na shqetësojnë më shumë se të gjitha të tjerat së toku lidhen me fëmijët tanë. E vetmja mbrojtje e vërtetë apo e përshtatshme mund të jepet nga shtëpia dhe ndikimet e saj.7
Fëmijëve tanë do të duhet t’u mësohet që të bëjnë dallimin midis të mirës dhe të keqes, ndryshe në shumë drejtime nuk do të jenë në gjendje të kuptojnë përse nuk u lejohet të kënaqen në veprimtari që janë të zakonshme te fqinjët e tyre. Pa u udhëzuar me doktrinat e Kishës, ata ndoshta nuk do të kuptojnë përse ka ndonjë dëm në koncertin e së dielës, në një teatër, film, lojë me top, apo diçka të tillë të së dielës, kur shokët e tyre të lojës, pa kufizim dhe të nxitur, kënaqen në këto gjëra të ndaluara nga Zoti në ditën e Tij të shenjtë. Prindërit janë përgjegjës për mësimin e duhur të fëmijëve të tyre, [dhe] Zoti do t’i dënojë prindërit nëse fëmijët e tyre rriten jashtë ndikimit të parimeve të ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.8
Zoti na ka urdhëruar, secilin dhe të gjithëve, t’i rrisim fëmijët tanë në dritë dhe të vërtetë. Atje ku është ky shpirt, mungesa e harmonisë, mosbindja dhe shpërfillja e detyrave të shenjta nuk mundet dhe nuk do të ketë sukses.9
2
Prindërit janë në radhë të parë përgjegjës për edukimin e fëmijëve të tyre.
Ati nuk ka hequr kurrë dorë nga kërkesa e tij ndaj fëmijëve të lindur në këtë botë. Ata janë ende fëmijët e Tij. Ai i ka vendosur ata në kujdesin e prindërve të vdekshëm me paralajmërimin që ata të rriten në dritë dhe të vërtetë. Përgjegjësia e parë, dhe në themel e tillë, është mbi prindërit që t’i mësojnë fëmijët e tyre në dritë dhe të vërtetë.10
Detyra e parë në lidhje me mësimin e fëmijëve të Kishës i përket shtëpisë. Është përgjegjësia e prindërve që t’i rrisin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë dhe Zoti ka thënë se atje ku dështojnë ta bëjnë këtë, ata do të qëndrojnë përpara bankës së gjykimit për t’u përgjigjur. 11
Zoti tha në një zbulesë dhënë Kishës në 1831-shin:
“Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion ose në ndonjë nga kunjat e saj që organizohen, të cilët nuk u mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve.
Sepse ky do të jetë një ligj për banorët e Sionit, ose në ndonjë nga kunjat e tij, që organizohen.” [DeB 68:25–26.]
… Zoti e kërkon këtë nga ne.12
Prindërit do të jenë përgjegjës për veprimet e fëmijëve të tyre, nëse nuk kanë arritur t’i mësojnë fëmijët e tyre me anë të shembullit dhe rregullit.
Nëse prindërit kanë bërë gjithçka që varet prej tyre për t’i mësuar drejt fëmijët e tyre me anë të shembullit dhe rregullit dhe fëmijët më pas marrin rrugë të keqe, prindërit nuk do të mbahen përgjegjës dhe mëkati do të bjerë te fëmijët.13
3
Kisha i ndihmon prindërit në përpjekjet për t’i mësuar fëmijët e tyre.
Përgjegjësia kryesore për të bërë gjërat që çojnë në shpëtim qëndron te secili individ. Të gjithë ne jemi vendosur në tokë për t’iu nënshtruar përjetimeve provuese të vdekshmërisë. Ne jemi këtu për të parë nëse do t’i mbajmë urdhërimet dhe do ta kapërcejmë botën, dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi vetë.
Përgjegjësia e radhës për shpëtimin tonë qëndron te familjet tona. Prindërit janë vendosur të jenë dritat dhe udhëzuesit për fëmijët e tyre dhe janë urdhëruar t’i rrisin ata në dritë dhe të vërtetë, duke u mësuar ungjillin dhe duke vendosur shembuj të përshtatshëm. Fëmijët pritet të binden ndaj prindërve dhe t’i nderojnë dhe t’i respektojnë ata.
Kisha dhe nëndarjet e saj përbëjnë në fakt një organizatë shërbimi për të ndihmuar familjen dhe individin.14
Unë ju bëj thirrje, të dashur vëllezër dhe motra të mia, bashkëshortë dhe bashkëshorte, baballarë dhe nëna, që të përfitoni nga çdo mundësi që ka Kisha për t’i mësuar fëmijët tuaj në organizata të ndryshme që janë siguruar për ta me anë të zbulesës së Zotit: Fillorja, Shkolla e së Dielës, organizatat e Përmirësimit Reciprok [Të Rinj dhe Të Reja], dhe kuorumet e Priftërisë së Ulët nën drejtimin e peshkopatave tona. …
… Ne kemi kudo në Kishë, kudo që është e mundshme për ta pasur këtë mundësi, seminare dhe institute. … Vëllezër dhe motra, dërgojini fëmijët tuaj në këto seminare. Ata që po shkojnë në kolegj do të jenë aq të rritur, nëse kanë trajnimin e duhur në rininë e tyre, për të marrë pjesë në institutet e Kishës.15
4
Prindërit duhet të bëjnë gjithçka munden për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të kuptojnë dhe të jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit.
Dëshmia individuale, vetjake është dhe do të jetë gjithmonë forca e Kishës së Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Një dëshmi rritet në mënyrën më të mirë në mjedisin familjar. … Arritja dhe mbajtja e dëshmive duhet të jetë një projekt familjar. Mos shpërfillni asgjë që do të ndihmojë të forcohet dëshmia e cilitdo anëtari të familjes tuaj.16
Ne duhet t’i strehojmë [fëmijët] kundër mëkateve dhe ligësive të botës me sa mundemi në mënyrë që ata të mos dalin nga udhët e së vërtetës dhe drejtësisë.17
Ndihmojini fëmijët tuaj me çdo mënyrë që mundeni për t’u rritur me njohuri të ungjillit të Jezu Krishtit. Mësojuni të luten. Mësojuni të respektojnë Fjalën e Urtësisë, të ecin besnikërisht dhe përulësisht përpara Zotit në mënyrë që kur të arrijnë në moshë burri dhe gruaje të mund t’ju falënderojnë për atë që keni bërë për ta dhe të shohin prapa në jetën e tyre me zemra mirënjohëse dhe me dashuri për prindërit e tyre për mënyrën me të cilën ata prindër u kujdesën për ta dhe i përgatitën me ungjillin e Jezu Krishtit.18
Vendosni një shembull të drejtë
Ne u kërkojmë prindërve të vendosin një shembull drejtësie në vetë jetën e tyre dhe të mbledhin fëmijët e tyre rreth vetes dhe t’u mësojnë ungjillin, në mbrëmjet e tyre familjare dhe raste të tjera.19
Prindërit duhet të përpiqen të jenë, ose të paktën të bëjnë përpjekjet më të mira për të qenë ashtu siç duan që fëmijët të jenë. Është e pamundur që të jeni shembull për atë çka ju nuk jeni.20
Ju duhet të jepni mësim me anë të shembullit si dhe rregullit. Ju duhet të uleni në gjunjë me fëmijët tuaj në lutje. Ju duhet t’u mësoni atyre, me gjithë përulësinë, për misionin e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ju duhet t’u tregoni atyre udhën, dhe ati që i tregon birit të tij udhën nuk do t’i thotë atij: “Bir, shko në Shkollën e së Dielës, ose shko në Organizatën Reciproke, ose shko në mbledhjen e priftërisë”, por ai do t’i thotë: “Eja të shkojmë bashkë”. Ai do të japë mësim me anë të shembullit.21
Filloni t’i mësoni fëmijët kur janë të vegjël
Asnjë person nuk mund të jetë tepër herët për t’i shërbyer Zotit. … Të rinjtë ndjekin mësimdhënien e prindërve të tyre. Fëmija, i cili mësohet në drejtësi që në lindje, me shumë gjasa do të ndjekë gjithmonë drejtësinë. Zakonet e mira formohen lehtësisht dhe ndiqen lehtësisht.22
Duhet të ketë lutje dhe besim dhe dashuri dhe bindje ndaj Perëndisë në shtëpi. Është detyra e prindërve t’ua mësojnë fëmijëve të tyre këto parime shpëtuese të ungjillit të Jezu Krishtit, kështu që ata do ta dinë përse duhet të pagëzohen dhe që të mund të kenë dëshirë në zemrat e tyre që të vazhdojnë të mbajnë urdhërimet e Perëndisë pasi të pagëzohen, që ata të mund të kthehen në praninë e tij. A i doni ju, vëllezër dhe motra të mira të mia, familjet tuaja, fëmijët tuaj; a doni që të jeni të vulosur me baballarët dhe nënat tuaja përpara jush, a doni ta keni këtë njësi familjare të përsosur kur ju, nëse ju lejohet, të hyni në mbretërinë çelestiale të Perëndisë? Nëse është kështu, atëherë duhet të filloni t’i mësoni që në djep.23
Mësojini fëmijët të luten
Çfarë është një shtëpi pa shpirtin e lutjes? Ajo nuk është shtëpi shenjtorësh të ditëve të mëvonshme. Ne duhet të lutemi; ne duhet të mos lejojmë të kalojë një mëngjes pa falënderuar Zotin të gjunjëzuar në rrethin familjar, duke falënderuar Atë për bekimet e Tij dhe duke kërkuar drejtim prej Tij. Ne nuk duhet të lejojmë të kalojë nata, nuk duhet të pushojmë gjersa të kemi mbledhur anëtarët e asaj familjeje përsëri dhe ta kemi falënderuar Zotin për mbrojtjen e Tij dhe të kemi kërkuar për drejtimin e Tij në çdo ditë të jetës sonë.24
Unë shpresoj se ju po i mësoni fëmijët tuaj në shtëpi që të luten. Unë shpresoj se ju po bëni lutje familjare, në mëngjes dhe në mbrëmje, që fëmijët tuaj të mësohen nga shembulli dhe rregulli të respektojnë urdhërimet që janë kaq të çmueshme dhe kaq të shenjta dhe që kanë shumë rëndësi për shpëtimin tonë në mbretërinë e Perëndisë.25
Njihini fëmijët me shkrimet e shenjta
Nuk ka shtëpi në çfarëdo pjese të botës ku Bibla nuk duhet të jetë. Nuk ka shtëpi ku Libri i Mormonit nuk duhet të jetë. Unë po flas për shtëpitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Nuk ka shtëpi ku Doktrina e Besëlidhjet dhe Perla me Vlerë të Madhe nuk duhet të jenë. Mos i mbani ato në rafte apo në dollape, por hapini ku mund të arrihen lehtësisht, që anëtarët e familjes të mund të shkojnë dhe të ulen dhe t’i lexojnë dhe t’i studiojnë parimet e ungjillit vetë.26
Mbani mbrëmje familjare
Fëmijët që rriten në shtëpi ku kanë marrë pjesë në mbrëmje familjare, ku dashuria dhe uniteti janë të bollshëm, hedhin themele të forta për qytetari të shëndoshë dhe për pjesëmarrje aktive në Kishë. Nuk ka trashëgimi më të madhe që prindërit mund t’u lënë fëmijëve të tyre sesa kujtimi dhe bekimet e një shtëpie të lumtur, të bashkuar dhe të dashur.
Mbrëmjet familjare të planifikuara mirë mund të jenë burim gëzimi dhe ndikimi të përhershëm. Këto mbrëmje janë kohë për aktivitet në grup, për të organizuar, për të shprehur dashurinë, për të dhënë dëshmi, për të mësuar parime të ungjillit, për argëtim dhe çlodhje familjare dhe për të gjitha gjërat, për unitetin dhe solidaritetin familjar.
Baballarët dhe nënat që mbajnë besnikërisht mbrëmje familjare dhe që ndërtojnë unitet familjar në çdo mënyrë të mundshme, plotësojnë me nder më të madhen e përgjegjësive – atë të prindërimit.27
Baballarët nuk mund të japin udhëheqje më të madhe në mbretërinë e Perëndisë sesa të udhëheqin familjet e tyre në mbajtjen e mbrëmjeve familjare. Kur përvoja të tilla janë pjesë e jetës së shtëpisë atje formohet një unitet dhe respekt familjar që ndikon secilin drejt një drejtësie dhe lumturie më të madhe.28
Prindërit që e shpërfillin ndihmën e madhe të këtij programi [mbrëmjes familjare] janë duke luajtur me të ardhmen e fëmijëve të tyre.29
Jepini mësim virtytin, dëlirësinë dhe moralshmërinë.
Ju duhet t’u mësoni fëmijëve tuaj virtytin, dëlirësinë dhe ata duhet të mësohen qysh nga fëmijëria e hershme e tyre. Dhe ata duhet të paralajmërohen për kurthet dhe rreziqet që janë aq mbizotëruese kudo në botë.30
Ne kemi një shqetësim të madh për mirëqenien shpirtërore dhe morale të të gjithë të rinjve kudo. Moralshmëria, dëlirësia, virtyti, liria nga mëkati – këto janë dhe duhet të jenë baza e mënyrës sonë të jetës, për të realizuar qëllimin e plotë të saj.
Ne u lutemi baballarëve dhe nënave që të japin mësim personal pastërtie me anë të rregullit dhe shembullit dhe të këshillojnë fëmijët e tyre për gjithçka të tillë. …
Ne kemi besim në brezin e ri që rritet në Kishë dhe u lutemi atyre që të mos ndjekin modën dhe zakonet e botës, të mos marrin nga një shpirt rebel, të mos i braktisin udhët e së vërtetës dhe virtytit. Ne besojmë në mirësinë e tyre rrënjësore dhe presim që ata të bëhen shtylla të drejtësisë dhe ta kryejnë punën e Kishës me besim dhe efektshmëri në rritje.31
Përgatitini fëmijët që të jenë dëshmitarë të së vërtetës dhe të shërbejnë në misione.
Të rinjtë tanë janë ndër fëmijët më të bekuar dhe të favorizuar të Atit tonë. Ata janë fisnikëria e qiellit, zgjedhje dhe brez i zgjedhur që kanë një fat hyjnor. Shpirti i tyre është ruajtur për të ardhur në këtë ditë kur ungjilli është në tokë, dhe kur Zoti ka nevojë për shërbëtorë trima që ta vazhdojnë punën e tij të madhe të ditëve të mëvonshme.32
Ne duhet t’i përgatisim [fëmijët] të jenë dëshmitarë të gjallë të vërtetësisë e shenjtërisë së kësaj pune të madhe të ditëve të mëvonshme, dhe veçanërisht në rastin e bijve tanë, shihni që ata të jenë të denjë dhe të përshtatshëm për të shkuar në misione që të predikojnë ungjillin te fëmijët e tjerë të Atit tonë.33
Ndihmojini fëmijët të përgatiten për të pasur familje të përjetshme të tyre.
A po i mësoni [fëmijët tuaj] në mënyrë të tillë që kur të martohen të duan të shkojnë në shtëpinë e Zotit? A po i mësoni në mënyrë të tillë që ata të duan të marrin indaumentin e mrekullueshëm që Zoti ruan për ta? A e keni ngulitur tek ata faktin se mund të vulosen si bashkëshortë dhe bashkëshorte dhe t’u jepet çdo dhuratë dhe çdo bekim që lidhet me mbretërinë çelestiale?34
Ne duhet … t’i drejtojmë dhe udhëheqim [fëmijët] në mënyrë që ata të zgjedhin shokë/shoqe të përshtatshme dhe të martohen në shtëpinë e Zotit dhe kështu të bëhen trashëgues të të gjitha bekimeve të mëdha për të cilat kemi folur.35
Le të përpiqemi përulësisht t’i mbajmë të pacenuara familjet tona, t’i mbajmë ato nën ndikimin e Shpirtit të Zotit, të mësuara me parimet e ungjillit që të mund të rriten në drejtësi dhe të vërtetë. … [Fëmijët] na janë dhënë që të mund t’i mësojmë në udhët e jetës, jetën e përjetshme, që ata të mund të kthehen përsëri në praninë e Perëndisë, Atit të tyre.36
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Në pjesën “Nga Jeta e Jozef Filding Smith”, shënojini shembujt e prindërve që tregojnë dashuri për fëmijët e tyre. Mendoni mënyra me të cilat mund t’i ndiqni këta shembuj, pavarësisht nga përgjegjësitë tuaja familjare. Si mund të organizohen vetë prindërit që të mund të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre?
Presidenti Smith përmendi rreziqe shpirtërore që ekzistonin gjatë jetës së tij (shih pjesën 1). Cilat janë disa rreziqe të tjera që ekzistojnë sot? Si munden prindërit dhe gjyshërit t’u ndihmojnë fëmijëve t’u rezistojnë këtyre ndikimeve?
Shqyrtoni besimin që Ati Qiellor vendos te prindërit kur Ai i lejon të kujdesen për fëmijët e Tij (shih pjesën 2). Çfarë drejtimi dhe ndihme ofron Ai?
Në çfarë mënyrash është Kisha “një organizatë shërbimi për të ndihmuar familjen dhe individin”? (Shih pjesën 3.) Si ju kanë ndihmuar organizatat e Kishës ju dhe familjen tuaj? Çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë të marrin pjesë plotësisht?
Pjesa 4 rendit disa mënyra për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë ta jetojnë ungjillin. Ndërsa e rishikoni këshillën, shqyrtojini pyetjet vijuese: Cilat janë disa gjëra që ju dhe familja juaj po i bëni mirë? Në cilat mënyra mund të përmirësoheni? Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar të rinjtë e Kishës që t’i forcojnë dëshmitë e tyre?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Ligji i Përtërirë 6:1–7; Psalmet 132:12; Mosia 1:4; 4:14–15; DeB 68:25–28; 93:36–40; shih edhe “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”
Ndihmë për Mësimdhënien
“Kini kujdes të mos i jepni fund një diskutimi të mirë tepër shpejt në përpjekje për të paraqitur të gjithë materialin që keni përgatitur. Edhe pse është e rëndësishme ta pasqyroni materialin, është më e rëndësishme t’i ndihmoni nxënësit të ndiejnë ndikimin e Shpirtit, të zbërthejnë pyetjet e tyre, të rrisin kuptueshmërinë e tyre për ungjillin dhe të forcojnë zotimin e tyre për të mbajtur urdhërimet.” Gjithsesi, është gjithashtu e “rëndësishme t’i përfundoni diskutimet në kohën e duhur. Shumë nga shpirti i një diskutimi lartësues humbet kur vazhdon tepër gjatë. … Kontrollojeni kohën. Dijeni se kur duhet të përfundojë mësimi. Lërini vetes kohë të mjaftueshme për të përmbledhur atë që është thënë dhe për të dhënë dëshminë tuaj” (Teaching, No Greater Call [1999], f. 64, 65).