“Kulla e Besimit”, Miku, korrik 2023, f. 10–11.
Kulla e Besimit
Deshanela donte që besimi i saj te Krishti të ishte i madh dhe i fortë.
Kjo histori ndodhi në Xhamajkë.
Deshanela e ndihmoi vëllanë e saj më të madh ta nxirrte kekun me arra nga furra. Sa aromë të mirë mbante!
Pastaj dëgjoi një trokitje në derë. “Erdhën misionarët!” – thërriti motra e saj.
Deshanela vrapoi për te dera. Asaj i pëlqente shumë kur vinin misionarët. Kishte gjithmonë një ndjesi të mirë kur ata vinin për vizitë. Nganjëherë ata sillnin lojëra që të luante ajo dhe motra dhe vëllai i saj.
“Tajreli bëri kek me arra prapë!” – tha Deshanela. Vëllait të saj i pëlqente të gatuante për misionarët.
“Mezi po pres të provoj pak”, – tha Plaku Kolas. Ai dhe Plaku Jusaki hynë brenda dhe u ulën mbi dysheme. Deshanela, vëllai dhe motra e saj dhe mami u ulën përballë tyre.
“Çfarë do të bëjmë për mësimin sot?” – pyeti Deshanela.
Plaku Jusaki nxori një pirg gotash. “Do të ndërtojmë një kullë besimi. Secila nga këto gota përfaqëson diçka që mund të bëjmë për të ndërtuar besimin tonë te Jezu Krishti.”
Plaku Jusaki filloi t’i vinte gotat njëra mbi tjetrën në formën e një kulle. Deshanela pa që gotat kishin fjalë si “lutja”, “studimi i shkrimeve të shenjta” dhe ‘kisha” të shkruara mbi to.
“Këto janë të gjitha gjërat që na keni kërkuar të bëjmë si familje”, – tha ajo.
“Ashtu është”, – tha Plaku Kolasi. “Kur i bëni këto gjëra, ju po ndërtoni besimin tuaj te Jezu Krishti.”
Deshanela, vëllai dhe motra e saj i ndërtuan me radhë kullat e veta me gota ndërkohë që dëgjonin mësimin.
Pasi misionarët u larguan, Deshanela mendoi rreth asaj që ata kishin dhënë mësim. Ajo donte që besimi i saj te Krishti të ishte i madh dhe i fortë, njësoj si kulla që ndërtoi.
Ndërsa muajt kaluan, Deshanela mësoi gjithnjë e më shumë rreth ungjillit nga misionarët. Ajo filloi të shkonte në Kishë me familjen e saj. Ajo e përfytyroi kullën e saj të besimit që bëhej gjithnjë e më e lartë.
Një ditë, pasi u larguan misionarët, Deshanela foli me mamin. “A mund të pagëzohem?” – pyeti ajo.
“A je e sigurt se je gati?” – pyeti mami.
“Po”, – tha Deshanela. “Dua ta ndjek Jezusin.”
“Në rregull”, – tha mami. “Mund të pagëzohesh nëse do.”
Vëllai dhe motra e Deshanelës gjithashtu zgjodhën të pagëzoheshin. Mami tha se ende nuk ndihej gati për t’u pagëzuar.
Në ditën e pagëzimit të tyre, Deshanela, vëllai dhe motra e saj u veshën me rroba të bardha. Secili prej tyre priti me durim për t’u pagëzuar.
Kur erdhi radha e Deshanelës, Plaku Jusaki e ndihmoi të futej në ujë. Më pas, ai tha fjalët e lutjes së pagëzimit dhe e zhyti atë nën ujë. Kur Deshanela doli nga uji, nuk ndalonte dot së buzëqeshuri! Ajo ndihej e lumtur dhe e pastër. Nuk donte ta harronte kurrë atë ndjesi.
Deshanela vazhdoi të bënte gjëra për ta ndërtuar besimin e saj te Jezu Krishti. Ajo i lexoi shkrimet e shenjta me familjen e saj. Iu lut Atit Qiellor. Bëri gjëra të mira për të tjerët. Dhe asaj iu kujtua se si u ndje kur u pagëzua. Ajo donte që dhe mami ta kishte atë ndjesi.
“Mami, pse nuk pagëzohesh?” – e pyeti Deshanela një ditë.
Mami nuk bëri zë për një çast. “Ti më ke dhënë një shembull të mirë. Tani duhet të të jap unë shembull ty”, – tha ajo. “Edhe unë dua të pagëzohem.”
Në ditën e pagëzimit të mamit, Deshanela ishte tejet e lumtur. Kur mami doli nga uji, të gjithë po buzëqeshnin. Tani të gjithë pjesëtarët e familjes së Deshanelës mund ta ndërtonin kullën e tyre të besimit së bashku.