2023
Babi i Mahnitshëm i Manjolës
Korrik 2023


“Babi i Mahnitshëm i Manjolës”, Miku, korrik 2023, f. 40–41.

Babi i Mahnitshëm i Manjolës

“Disa fëmijë thanë se ne nuk jemi një familje e mirë ngaqë babi nuk është anëtar i kishës sonë.”

Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.

Familje duke lexuar Biblën

“Manjola! Lili!” – thirri babi. “Erdhi koha e shkrimeve të shenjta dhe e lutjes!”

Manjola u ul vrap në dysheme pranë qenit të tyre, Pikëshiut. Lili u struk në batanijen e saj të parapëlqyer.

Koha e shkrimeve të shenjta me familjen ishte argëtuese. Nganjëherë ata i interpretonin së bashku me role historitë nga shkrimet e shenjta. Kjo e ndihmonte Manjolën që t’i përfytyronte ato. Për më tepër, Pikëshiu gjithmonë ndihmonte kur kishte kafshë nëpër tregime!

Babi i hapi shkrimet e shenjta dhe lexoi një varg. Më pas, ai ia kaloi Biblën e madhe e të rëndë Manjolës. Ata lexuan të gjithë me radhë.

“Por jini të mirë … nj[ë]ri me tjetrin”, – lexoi Manjola.*

Ajo rrudhi vetullat. Njerëzit nuk ishin gjithnjë të mirë me të në kishë.

“Mami, babi, a mund të flas me ju për diçka?” – pyeti ajo.

“Sigurisht”, – tha mami. “Çfarë ka?”

“Dje në Fillore, disa fëmijë më thanë se ne nuk jemi një familje e mirë ngaqë babi nuk është anëtar i kishës sonë.”

Babi i Manjolës i përkiste një kishe tjetër. Ai shkonte në mbledhjen e sakramentit me familjen të dielave. Ai dha biseda rreth Frymës së Shenjtë në pagëzimet e Lilit dhe Manjolës. Të gjithë thanë se ai bëri një punë të shkëlqyer. Ai ishte një baba i mahnitshëm.

“Ajo që thanë ata, gati më bëri të qaj.” Manjola rrufiti hundët. “Pse duhet të jenë njerëzit kaq të këqij?”

Mami dhe babi vështruan njëri-tjetrin.

“Gëzohem që na e tregove atë që ndodhi”, – tha babi. “Mami dhe unë e duam njëri-tjetrin shumë. Dhe familja jonë është shumë e rëndësishme për ne.”

Mami pohoi me kokë. “Dhe familja jonë është e rëndësishme edhe për Atin Qiellor. Ai i do të gjithë fëmijët e Tij.”

Pikëshiu u struk pranë Manjolës. Ajo ia kroi veshët.

“Ati Qiellor na njeh dhe Ai e di që ne e duam njëri-tjetrin”, – tha babi. “Asnjë familje nuk është e përsosur, por ne mund të vazhdojmë të përpiqemi për më të mirën tonë.”

“Por gjithsesi më lëndon kur njerëzit thonë gjëra të këqija për familjen tonë”, – tha Manjola. “Jezusi na mësoi të jemi të mirë me gjithkënd. Kur themi gjëra të këqija nuk duket sikur e ndjekim Jezusin.”

“Ke të drejtë”, – tha babi. “Ndoshta kur të vjen të thuash diçka të keqe, mund të kujtosh se si u ndjeve kur të tjerët nuk u sollën mirë me ty. Më pas mund të thuash diçka të mirë në vend të asaj.”

Manjola mori frymë thellë. “Në rregull.” Ajo u gëzua që mundi të fliste me mamin dhe babin.

“Koha për një përqafim si familje!” Babi e tërhoqi Lilin dhe Manjolën në një përqafim të madh dhe i shtrëngoi ato fort. Mami u hodhi krahët të treve. Pikëshiu vraponte rrotull të gjithëve.

Familje në një përqafim në grup

“Nuk marr dot frymë!”– bëri shaka Lili. Manjola qeshi.

“Tani ma kujtoni, kush e ka radhën për të lexuar?” – pyeti babi. Ai i lëshoi vajzat dhe mori shkrimet e shenjta.

“E kam unë!” – tha Lili. “Dhe e ka babi radhën për lutje.”

Kur mbaruan së lexuari, të gjithë u gjunjëzuan për t’u lutur. Manjola u ndje në paqe ndërsa e dëgjoi babin të bënte lutjen. Ajo e dinte se Ati Qiellor e donte familjen e saj.

Alt text

Ilustrimet nga Constanza Basaluzzo