“Pastrimi i Kopshtit”, Miku, korrik 2023, f. 4–5.
Pastrimi i Kopshtit
“Kë mund të ftojmë që të na ndihmojë?”
Kjo ngjarje ndodhi në Angli.
Xhonahu hëngri kafshatën e fundit të ushqimit dhe buzëqeshi. Darka ishte gjithnjë më zbavitëse kur vinin misionaret për vizitë.
“Duam t’ju japim një mesazh rreth shërbimit”, – tha Motra Kërl. “Përse është i rëndësishëm shërbimi ndaj të tjerëve?”
“Sepse e bën Jezusin të lumtur!” – tha Eliza, motra e vogël e Xhonahut.
“Ke të drejtë. Kjo e bën Atë shumë të lumtur. Dhe kur i ndihmojmë të tjerët, kjo na bën edhe ne të lumtur”, – tha Motra Kristensen. “A njihni dikë që ka nevojë për ndihmë?”
Xhonahu u mendua për një çast. “Nuk më vjen ndërmend njeri, por për kopshtin tonë në shkollë mund të na duhet ca ndihmë.”
“Ide e mirë”, – tha mami.
Shkolla e Xhonahut kishte një kopsht ku ata mund të bënin veprimtari në natyrë. Por askush nuk ishte kujdesur për kopshtin prej një kohe të gjatë. Shkurret qenë rritur së tepërmi. Kishte edhe shumë barëra të këqija.
“Do të të ndihmojmë me gjithë qejf për këtë!” – tha Motra Kërl. “Kë mund të ftojmë që të na ndihmojë për ta pastruar?”
“Kushërinjtë tanë!” – tha Xhejkëbi, vëllai i Xhonahut.
“Dhe klasën tonë të Fillores”, – tha Xhonahu.
Të nesërmen, mami foli me dikë në shkollë për të marrë leje. Ata zgjodhën një ditë për ta pastruar kopshtin. Pastaj mami e ndihmoi Xhonahun dhe motrat e vëllezërit e tij që t’u telefononin kushërinjve dhe klasës së vet të Fillores.
Pak javë më vonë, Xhonahu dhe familja e tij u takuan me misionaret në shkollë. Kishin shkuar edhe kushërinjtë e tyre dhe shokët e shoqet e Fillores. Ishte koha për t’i hyrë punës!
Xhonahu veshi një palë doreza të mëdha kopshtarie prej gome. “Shikoje, mami. I kam duart të stërmëdha!”
Mami qeshi. “Mund t’i përdorësh ato duar të stërmëdha për krasitjen e këtyre shkurreve.”
Ajo i zgjati Xhonahut disa gërshërë krasitjeje që dukeshin si gërshërë gjigante. Më pas ajo e ndihmoi atë t’i priste degët e thara.
“Qenka qejf”, – tha Xhonahu.
Ndërkohë që Xhonahu krasiste, Eliza ndihmoi për gërmimin rreth e rrotull kopshtit. Xhejkëbi e ndihmoi babin të ndërtonte një shtëpi të re për zogjtë. Të tjerët shkulën barërat e këqija dhe mblodhën shkarpat. I futën ato në qese të mëdha plastike ngjyrë blu. Madje edhe vëllai më i vogël i Xhonahut, Ezra, ndihmoi duke mbledhur gurë.
Shpejt kopshti qe i pastër. Xhonahu i numëroi qeset që kishin mbushur. “Janë 13 qese!” – tha ai. “Sa shumë mbeturina hoqëm!”
Motra Kristensen buzëqeshi. “Tani na duhen muskujt e fortë të të gjithëve që të na ndihmojnë t’i çojmë këto deri te makina.”
Xhonahu, Xhejkëbi dhe Eliza morën nga një qese secili. Xhonahu u ndje i lumtur ndërsa ngriti qesen e fundit për ta futur në makinë. Ndihma ndaj misionareve kishte qenë argëtuese. Ai dëshironte që të ishte një misionar një ditë gjithashtu. Deri atëherë, kishte shumë mënyra se si ai mund të shërbente. Mezi po priste të mendonte për projektin e tij të radhës!