“Qofte për Drekë”, Miku, korrik 2023, f. 12–13.
Qofte për Drekë
“Çfarë është ajo gjëja e çuditshme që po ha?”
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Roi u ul në tryezë dhe hapi qesen e ushqimit që kishte marrë për drekë. Familja e tij sapo ishte shpërngulur dhe kjo ishte dita e tij e parë në shkollën e re. Mami i kishte përgatitur ushqimin e tij të parapëlqyer, qofte tradicionale armene. Ishte shumë i entuziazmuar që do t’i hante!
Roi e hapi letrën me të cilën ishin mbështjellë qoftet. Ato ishin të gjata e të holla. Atij i pëlqente shumë aroma e erëzave të pjekura bashkë me mishin. Dhe vrima në mes të qoftes e bënte atë të dukej si bilbil. Ai e vuri atë mbi buzë dhe i fryu. Më pas hëngri një kafshatë. E shijshme!
“Ej”, – i tha një djalë në anën tjetër të tryezës. “Çfarë është ajo gjëja e çuditshme që po ha?”
Roi ndjeu se iu skuqën faqet. “Është dreka ime.”
“Epo, nuk ka pamje të bukur.” Djali qeshi.
Roi nuk dinte se ç’të thoshte. Ai nuk e dinte që askush këtu nuk hante qofte. Ai nuk donte që ata të mendonin se ai ishte i çuditshëm. Ndaj ai e shtyu mënjanë drekën dhe doli me vrap jashtë në pushim.
Pas shkolle, Roi e pa mamin duke hapur kutitë.
“Nuk dua të marr më qofte me vete në shkollë”, – tha Roi.
“Përse?” – e pyeti mami. “Ato janë të parapëlqyerat e tua.”
Roi i tregoi asaj atë që ndodhi në shkollë. “Më erdhi shumë turp!”
“Më vjen keq që ndodhi kjo”, – tha mami. “Shumica e njerëzve këtu nuk i kanë provuar ndonjëherë këto qofte. Po sikur t’u jepnim fëmijëve një mundësi për të provuar ca?”
“Përse?” – pyeti Roi. “Ata nuk kanë për t’i ngrënë.”
“Epo, ti nuk ke si ta dish derisa t’i pyesësh! E di që është e të vështirë të zësh shoqe e shokë të rinj. Por ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë. Nganjëherë thjesht na duhet të dimë më shumë rreth njëri-tjetrit.”
Roi u mendua rreth kësaj. Ai nuk donte që të tjerët të qeshnin me të. Por donte t’u jepte fëmijëve në drekë një mundësi më të mirë për ta kuptuar. Dhe ato qofte ishin vërtet të shijshme.
Ai pohoi me kokë. “Në rregull. Le të bëjmë qofte të tjera.”
Të nesërmen, në kohën e drekës, Roi mori frymë thellë. Ai u ul pranë djalit që kishte qeshur me të.
Roi i hapi qesen e drekës. “A do të donte ndonjëri nga ju të provonte pak ushqim armen?”
Fëmijët e tjerë iu mblodhën përreth ndërsa Roi po nxirrte qoftet.
“Do provoj pak”, – tha djali.
“Edhe unë”, – shtoi një vajzë. Roi i kaloi qoftet dorë më dorë që gjithkush të mund t’i provonte. Më pas të gjithë hëngrën një kafshatë.
“Qenka vërtet shumë e mirë!” – tha djali. “Si quhet kjo?”
“Qofte”, – tha Roi.
“E hatashme!” Djali buzëqeshi. “Unë jam Xhoni. A do të luajmë në pushim?”
Roi mundi veç të pohonte me kokë se e kishte gojën plot. Mami i tij kishte të drejtë, edhe ata ishin të gjithë fëmijë të Perëndisë! Ndarja e ushqimit me të tjerët e ndihmoi atë të zinte shokë në fund të fundit.