“Klubi i Përmirësimit të Gjërave”, Miku, korrik 2023, f. 20–21.
Klubi i Përmirësimit të Gjërave
Xhozi dinte një mënyrë se si mund ta ndiqte shembullin e Jezu Krishtit.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Xhozi u ul me kushërirën e saj, Eshlinin, poshtë një peme jashtë shtëpisë së vet.
“Sikur të bënim diçka argëtuese për të fituar para”, – tha Xhozi.
“Ndoshta mund të fitojmë para duke bërë gjëra për njerëzit”, – tha Eshlini.
“Po sikur ta kthenim në një klub?” – u hodh përpjetë Xhozi me entuziazëm. “Si një klub përkujdesjeje për kafshët ose një klub për shëtitjen e qenve.”
“Mund të bëjmë lloj-lloj gjërash”, – tha Eshlini. “Njerëzit gjithmonë kanë nevojë për ndihmë. Dhe ata do të na paguajnë.”
Eshlini kishte të drejtë. Çdo ditë Xhozi shihte njerëz që kishin nevojë për ndihmë.
Papritur, Xhozit i erdhi një tjetër ide. Ajo ndjeu ngrohtësi brenda vetes. Ndjesia i kujtoi pagëzimin e vet vitin e kaluar. Ajo kishte premtuar se do ta kujtonte gjithmonë Jezusin dhe do ta ndiqte shembullin e Tij. Ajo e dinte një mënyrë se si mund ta bënte atë.
“Po sikur të krijonim një klub që i ndihmon njerëzit falas?” – pyeti Xhozi. Ndjenja e ngrohtë u bë më e fortë.
Eshlini i hapi sytë fort. “Do të ishte shumë qejf”, – tha ajo. “Ne mund të ndihmojmë njerëz në shkollë dhe në kishë, pak a shumë kudo.”
“Ne mund ta quajmë atë ‘Klubi i Përmirësimit të Gjërave’!” – i tha Xhozi. “Le t’ia fillojmë nesër në shkollë.”
Të nesërmen në pushim, Eshlini dhe Xhozi vrapuan deri në skajin e këndit të lojërave.
“A sheh ndonjë që mund ta ndihmojmë?” Eshlini u ngrit në majë të gishtave dhe pa drejt rrëshqitëses me gunga me ngjyrat e ylberit.
“Ende jo.” Xhozi kërkoi te shtyllat kacavjerrëse dhe te dyshja e kolovajzës. Fëmijët po rrëshqitnin dhe po lëkundeshin në kolovajzë. Ata po hidhnin topa dhe po luanin me litarë. Askush nuk dukej sikur kishte nevojë për ndihmë. Gjithkush dukej se e kishte një shok ose shoqe. Më pas, ajo pa një vajzë më të vogël që ishte krejt e vetmuar, me një litar.
Xhozi e kapi Eshlinin për krahu. “Vështro atje tej!”
Xhozi dhe Eshlini gjetën litarë dhe shkuan drejt vajzës.
“Tjeta. Unë jam Xhozi.”
“Dhe unë jam Eshlini. Si e ke emrin?”
Vajza dukej e habitur. “Unë jam Lezli.”
“A dëshiron të luash me ne?” Xhozi tundi litarin për t’u hedhur.
Lezli buzëqeshi. “Po!”
Eshlini dhe Xhozi i mësuan Lezlit disa mënyra të reja për t’u hedhur me litar. Kur ra zilja, ato u ndanë. Xhozi u ndje mirë brenda vetes. Ajo e dinte se ishte Fryma e Shenjtë.
Pas asaj, sa herë që Xhozi dhe Eshlini e shihnin Lezlin në korridor, e përshëndetnin atë.
Xhozi dhe Eshlini kërkuan njerëz të tjerë për t’i ndihmuar. Ndonjëherë ato u thoshin gjëra të këndshme njerëzve dhe përpiqeshin t’u jepnin zemër. Herë të tjera, ato ftonin fëmijë të luanin me to.
Një ditë, Xhozi i buzëqeshi një djali jashtë shkollës. “Më pëlqen bluza jote me dinozaur”, – tha ajo.
Djali vuri buzën në gaz dhe uli vështrimin për te bluza e tij. “Faleminderit.”
Ndërsa Xhozi u ul, ajo e kuptoi që nuk i kishte shkuar aspak në mendje ta bënte këtë për shkak të klubit! Ajo thjesht e bëri atë natyrshëm.
Xhozi mendoi për të gjithë shokët e shoqet që kishte zënë qëkurse ajo dhe Eshlini e filluan klubin e tyre. Xhozit i pëlqente vërtet t’i ndihmonte njerëzit. Kjo e bëri atë të kishte dëshirë të bënte më shumë gjëra të këndshme për të tjerët. “Klubi i Përmirësimit të Gjërave” po e bënte atë më të mirë. Dhe kjo e bënte të ndihej shkëlqyeshëm.