“Guxim nga Fryma e Shenjtë”, Miku, korrik 2023, f. 29.
Shkruar nga Ti
Guxim nga Fryma e Shenjtë
Kur isha i vogël, doktorët u thanë prindërve të mi se unë kisha mutizëm selektiv. Ai është një çrregullim i ankthit që ta bën të vështirë t’u flasësh të tjerëve. Mundesha t’u flisja vetëm pjesëtarëve të ngushtë të familjes.
Ndihesha në ankth gjatë gjithë kohës, veçanërisht nëse dikush më fliste. Lutja më bënte gjithnjë të ndihesha më mirë dhe më qetësonte. U takova me një këshillues në shkollë për ndihmë. Por ndihesha sikur nuk po përmirësohesha fare. Ndjeva sikur isha gati të dorëzohesha, por vazhdova të kisha besim.
Ditëlindja ime e tetë po afrohej. Prindërit e mi më sfiduan të lexoja Librin e Mormonit dhe të lutesha për të më ndihmuar të vendosja a duhej ose jo të pagëzohesha. Çdo natë lutesha për të pyetur a duhet të pagëzohesha. Gjithmonë mora të njëjtën përgjigje, një ndjenjë të ngrohtë, të qetë në zemër. E dija se Fryma e Shenjtë po më thoshte që pagëzimi ishte zgjedhja e duhur.
Kur m’u dha dhurata e Frymës së Shenjtë pas pagëzimit tim, dëgjova fjalë shprese, dashurie dhe inkurajimi. E dija se Fryma e Shenjtë do të më ngushëllonte dhe do të më jepte guxim.
Vendosa të përpiqesha t’i flisja shokut tim të ngushtë, Çarlit. U përpoqa gjithë javën, por ishte tepër e vështirë. Por një ditë Çarli dhe unë ishim vetëm në kopshtin e shkollës. Bëra një lutje të heshtur në mendjen time. Atë Qiellor, të lutem më ndihmo të them të paktën një fjalë.
Pastaj hapa gojën dhe thashë: “Ej, Çarli!” Ai u befasua shumë. Sa u lumturova!
Pas asaj dite, ishte më e lehtë të përfundoja më shumë synime. Shpejt, fillova t’u flisja pak a shumë të gjithëve! Jam mirënjohës që Fryma e Shenjtë më dha guximin për t’i folur Çarlit.