“Si u Pagëzova”, Miku, gusht 2023, f. 12–13.
Si u Pagëzova
Tjeta! Unë jam Aranoari. Jetoj në Tahiti. Jam 11 vjeç dhe jam krenar të them se jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Si mësove për Kishën?
Disa miq e ftuan familjen time në një aktivitet të Kishës. Gjithashtu na ftuan në pagëzimin e një fëmije. E pyeta mamin nëse mund të takohesha me misionarët, sepse vërtet dëshiroja të mësoja më shumë për Jezu Krishtin.
Si ishte takimi me misionarët?
Misionarët ishin vërtet të mirë. Isha gjithmonë i gëzuar të bëja mësime me ta rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Më pëlqenin historitë që më tregonin dhe lojërat që luanim për të më ndihmuar që të mësoja.
Si ishte pagëzimi yt?
Babi im na pagëzoi mamin tim dhe mua në ditëlindjen time të 11‑të. Isha shumë i lumtur. Ftuam shumë njerëz që i duam. Shokët dhe shoqet e klasës si dhe mësuesja ime erdhën për të më përkrahur.
Kur dola nga uji, u pushtova nga gëzimi. Buza më shkoi vesh më vesh! Isha kaq i lumtur që mund të ndiqja shembullin e Jezu Krishtit.
Si ishte kur shkove në Fillore për herë të parë?
Në fillim, isha kaq nervoz sa isha gati të qaja. Por më pas shkova në një aktivitet të Fillores. Arrita t’i njoh të gjithë dhe madje zura disa shokë.
Nëse je anëtar i ri ose anëtare e re, këshilla ime është që të shkosh në klasën e Fillores, edhe sikur të kesh frikë në fillim. Na pëlqejnë shumë njerëzit e rinj.
Si e ndjek ti Jezusin?
Lutem dhe shkoj në kishë çdo të diel. Flas me familjen time për ungjillin e Jezu Krishtit.
Përpiqem të kujdesem për njerëz të tjerë që kanë nevojë për ndihmë. Në shtëpi e ndihmoj mamin për punë të ndryshme. Ndihmoj babin në kopsht, për prerjen e drurëve dhe ndërtimin e gjërave. Disa muaj më parë lagjja jonë pati një shfaqje talentesh. Jam muzikant, kështu që i rashë tamburit tërë natën.