Miku
Aktiviteti i Historisë Familjare
Pagëzimi dhe Konfirmimi


“Aktiviteti i Historisë Familjare”, Miku, gusht 2023, f. 30–31.

Aktiviteti i Historisë Familjare

“A mund të më tregosh një ngjarje tjetër të familjes?” – pyeti Lorena.

Kjo ngjarje ndodhi në Vanuatu.

Lorena buzëqeshi teksa këndoi fjalët e fundit të këngës. Sapo kishin mbaruar kohën e të kënduarit në Fillore. Tani ishte koha që të shkonin në klasë.

Por së pari, motra Taleo u ngrit në këmbë. “Dua t’ju them për një aktivitet të Fillores që do ta bëjmë së shpejti”, – tha ajo. “Duam që secili prej jush të mësojë rreth familjes së vet. Pyetini prindërit për histori të familjes. Më pas në aktivitet, secili prej jush mund të tregojë atë që mësuat.”

Kur Lorena u kthye në shtëpi pas kishës, ajo ishte e emocionuar. Gjeti një copë të madhe letre dhe e çoi tek tavolina. Ajo mezi priste të mësonte për familjen e vet!

Lorena vizatoi një pemë të familjes në letër. Mami dhe babi e ndihmuan që t’i shkruante të gjithë emrat. Më pas ajo ngjiti fotografi të pjesëtarëve të familjes në afishe.

alt text

“Emri i stërgjyshes tënde nga mami ishte Lorena gjithashtu”, – tha mami. “Të vumë emrin e saj.”

“Ua”, – tha Lorena.

“Gjyshe Lorena ishte një grua shumë e dashur.” Mami buzëqeshi. “Kur njerëzve të tjerë në fshat u mbaroheshin drutë për zjarret e tyre, gjyshe Lorena u jepte nga të vetat.”

Të mësuarit rreth familjes së saj ishte argëtuese! “A mund të më tregosh një ngjarje tjetër të familjes?” – pyeti Lorena.

“Babi mund të të tregojë për herën e parë kur shkoi në tempull”, – tha mami. “Ishte vetëm gjashtë vjeç. Ai dhe prindërit e vet ndërmorën një udhëtim të gjatë për në tempullin në Zelandën e Re.”

Lorenës i pëlqente shumë të dëgjonte rreth tempullit. “Tregoma historinë babi”, – tha ajo.

“Fillimisht hipëm në një aeroplan që të fluturonim për në Zelandën e Re. Pastaj morëm autobusin. Ishte udhëtim i gjatë.” Babi i tregoi Lorenës një fotografi të tempullit. “Më në fund unë dhe prindërit e mi shkuam brenda. U vulosëm si familje. Kjo do të thotë që ne mund të jemi së bashku përgjithmonë.”

Kjo e bëri Lorenën të ndiente ngrohtësi brenda vetes. Ishte e gëzuar që mund të dëgjonte histori rreth familjes së saj.

Më në fund erdhi mëngjesi i aktivitetit të Fillores. Lorena e ndihmoi mamin dhe motrën Taleo që të bënin gati gjithçka në godinën e kishës.

Atëherë ato dëgjuan disa lajme të hareshme. Një tempull do të ndërtohej në ishullin e tyre!

Lorena ishte kaq e lumtur. Kur të mbushte moshën për të shkuar brenda në tempull, asaj nuk do t’i duhej të udhëtonte aspak larg.

Atë natë, të gjithë shokët dhe shoqet e Lorenës ishin në aktivitetin e Fillores. Fëmijët me radhë treguan se çfarë mësuan rreth familjeve të tyre. Kur erdhi radha e Lorenës, ajo ngriti lart afishen e saj me pemën e saj familjare.

“Më pëlqeu vërtet të mësoja për familjen time”, – tha ajo. “Mësova se më kanë vënë emrin e stërgjyshes sime nga mami. Mësova edhe rreth herës së parë që familja ime shkoi në tempull. Tempulli mund t’i ndihmojë familjet tona që të jenë së bashku përgjithmonë.” Ndjenja e ngrohtë iu kthye sërish. “Jam kaq e emocionuar që do të kemi një tempull këtu në Vanuatu.”

Lorena u ul me një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Ishte mirënjohëse që mund të rritej më shumë si Jezusi. Dhe ishte mirënjohëse për tempullin! Mezi priste që të hynte brenda një ditë.

alt text
alt text here

Ilustrimet nga Emily Davis