“Gjerdani i Shndritshëm”, Miku, gusht 2023, f. 42–43.
Gjerdani i Shndritshëm
Karolina thjesht donte ta mbante gjerdanin pak më gjatë.
Kjo histori ndodhi në Argjentinë.
Karolina eci me të shpejtë nëpër oborr. Shoqja e saj, Izabela, ishte jashtë.
Izabela ia bëri me dorë. “Eja dhe luajmë!”
Karolina kaloi përmes oborrit drejt shtëpisë së Izabelës.
Izabela futi dorën në xhep. “Dua të të tregoj diçka”, – tha ajo. Pastaj nxori gjerdanin më të bukur që Karolina kishte parë ndonjëherë! Gurët e vegjël të çmuar ishin kaq të shndritshëm dhe shkëlqyes.
“Është e mamá-s sime”, – tha Izabela. “Ajo tha se mund të luaja me këtë sot. Shikoje në diell.”
Izabela e ngriti gjerdanin drejt dritës. Qindra ylbere u pasqyruan nga gurët e çmuar. Ishte kaq bukur!
“Tani le të luajmë hapa‑dollapa”, – tha Izabela.
“Në rregull”, – tha Karolina. “Mund të të ndihmoj ta ruash gjerdanin.”
“Faleminderit!” Izabela ia dha Karolinës gjerdanin dhe Karolina e futi në xhepin e saj.
Shpejt erdhi koha që Karolina të shkonte në shtëpi. Kur i tha mirupafshim, Izabela nuk ia kërkoi gjerdanin. Duhet të ketë harruar. Dhe Karolina nuk ia kujtoi.
Karolina u ndje disi keq që e mori gjerdanin në shtëpi. Por ajo donte ta mbante vetëm pak më gjatë. Ajo nuk e mori parasysh ndjenjën e keqe dhe e vuri gjerdanin nën jastëk.
Të nesërmen ishte e shtunë. Karolina bëri punët e saj të shtëpisë dhe shkoi të luante jashtë. E harroi fare gjerdanin.
“Karolina”, – thirri papá. “A mund të vish këtu?”
Karolina shkoi me vrap brenda. “Po?”
Papá mbante në dorë gjerdanin. “Mamá‑ja e gjeti këtë nën jastëkun tënd. I kujt është?”
“Është i Izabelës.” Karolinës iu mbushën sytë me lot. “Po e mbaja për siguri në xhep ndërkohë që luajtëm dje. Por pastaj vendosa ta merrja në shtëpi.”
Mamá u ul me Karolinën në divan. “Faleminderit që the të vërtetën. Ç’mendon se duhet të bësh tani?”
Karolina ishte e heshtur. Ajo mendoi për Jezusin. Ai do të donte që të ishte e ndershme dhe ta kthente gjerdanin.
“Duhet t’ia kthej sërish Izabelës dhe t’i kërkoj falje”, – tha Karolina. Sapo e tha këtë gjë, ndjenja e keqe iu largua. Ajo ndjeu ngrohtësi brenda vetes.
Karolina shkoi te shtëpia e Izabelës.
“Tjeta!” – tha Karolina. Ia dorëzoi Izabelës gjerdanin. “Më vjen keq që e mbajta këtë. A do të më falësh?”
“Po”, – tha Izabela. “Faleminderit që e solle.” Pastaj ajo buzëqeshi. “A do të luash sërish hapa‑dollapa?”
“Po! Ti numëro e para. Unë po shkoj të fshihem.”
Atë natë Karolina bëri një lutje. “I dashur Atë Qiellor, të lutem, më fal që e mbajta gjerdanin. Dhe të falënderoj Ty që më ndihmove ta rregulloj këtë gjë.”
Karolina e pati përsëri ndjenjën e ngrohtë. Ishte e gëzuar që mund të bënte atë që Jezusi donte që ajo të bënte.