“Shishja e Thyer e Ujit”, Miku, gusht 2023, f. 38–39.
Shishja e Thyer e Ujit
Kadija kishte etje. Si mund të ndihmonte Sofia?
Kjo ngjarje ndodhi në Sierra-Leone.
Sofia dëgjoi me kujdes ndërkohë që mësuesja e saj shpjegonte një problemë matematike në dërrasën e zezë.
“Pra, sa bën nëntë herë katër?” – pyeti mësuesja.
Sofia ngriti dorën. “Tridhjetë e gjashtë”, – tha ajo.
Mësuesja buzëqeshi. “E saktë, Sofi!”
Pas orës mësimore, ishte koha për të shkuar në shtëpi. Sofia eci me shoqet e saj. Të gjithë nxorën shishet e ujit për të pirë ujin që u kishte mbetur. Ishte nxehtë atë ditë!
Por Sofia pa diçka të çuditshme. Shoqja e saj, Kadija, nuk po pinte ujë. Thjesht po ecte në heshtje përkrah tyre.
“Kadije, ku e ke shishen tënde të ujit?” – e pyeti Sofia. Të gjithë ishin gjithmonë të etur kur mbaronte shkolla.
“E theva dje dhe nuk mund të blej një të re”, – tha Kadija. “Prandaj tani nuk mund të marr ujë në shkollë.”
Sofia i uli sytë poshtë nga shishja e saj e ujit. Sa donte që t’i jepte asaj! Por e kishte mbaruar tërë ujin.
Gjithë ditën Sofia mendoi për Kadijen dhe shishen e saj të thyer. Nuk ishte e lehtë të gjenin ujë të pastër atje ku jetonin. Shumica e fëmijëve merrnin vetëm një shishe uji që ta përdornin gjithë vitin. E mbushnin në shtëpi nga një enë e madhe me ujë të pastër. Mund të sëmureshe po të pije ujë tjetër. Nëse Kadija nuk kishte një shishe uji, ajo nuk mund të merrte ujë nga shtëpia për ta pirë në shkollë.
Të nesërmen në mëngjes, Sofia mendoi se si mund ta ndihmonte Kadijen. Familja e Sofies kishte disa shishe plastike të mbushura me ujë. Sofia vendosi një shishe në çantën e shpinës, së bashku me shishen e saj metalike. E bëri ca më të rëndë çantën, por nuk e kishte problem.
Kur mbërriti në shkollë, e gjeti Kadijen.
“Kadije, a gjete tashmë një shishe të re uji?” – e pyeti Sofia.
Kadija tundi kokën me sytë përdhe.
“Nuk ka problem”, – tha Sofia. “Kam unë një për ty!”
Ajo ia dha Kadijes shishen me ujë. Kadija buzëqeshi.
“Faleminderit, Sofia!” Kadija e përqafoi fort shoqen e saj.
Gjatë orës mësimore Kadija piu ujë nga shishja e saj me fëmijët e tjerë. Sofia ishte e lumtur të shihte se shoqja e saj nuk kishte etje.
Çdo ditë atë javë Sofia solli një shishe tepër për shoqen e saj. Më pas një mëngjes nëna e Sofies e ngriti çantën e saj të shpinës.
“Hëë”, – tha mami. “Kjo është më e rëndë se zakonisht.” Ajo e hapi çantën e shpinës dhe nxori shishen shtesë të ujit.
“A e ke paketuar me qëllim për në shkollë këtë shishe shtesë me ujë, Sofia?” – e pyeti mami.
Sofia pohoi me kokë. “Kadijes iu thye shishja e ujit dhe ajo nuk mund të gjejë një tjetër. Prandaj ajo nuk kishte ujë në shkollë.”
“Sa kohë ke që merr ujë shtesë për të?” – e pyeti mami.
“Vetëm këtë javë”, – tha Sofia. “Nuk doja që Kadija të kishte etje.”
Mami buzëqeshi. “Është gjë shumë e mirë që ti të mendosh për shoqen tënde. Kjo është diçka që do ta bënte Jezusi. Jam e lumtur të shoh që ti po vepron si Jezusi.” Ajo e përqafoi Sofien. “Dhe mendoj se di një mënyrë tjetër se si mund të ndihmojmë.”
Mami i dha Sofies një shishe uji metalike. “Jepja këtë shoqes tënde në vend të shishesh plastike që të mund të vazhdojë ta përdorë sërish atë. Në këtë mënyrë nuk do të të duhet të marrësh një shishe plastike çdo ditë.”
“Me të vërtetë?” – e pyeti Sofia.
Mami pohoi me kokë. “Po. Thjesht i thuaj që të mos e dëmtojë.”
Sofia e çoi shishen e ujit në shkollë. Gjëja e parë që bëri ishte t’i jepte Kadijes shishen.
“Ua”, – tha Kadija. “Faleminderit, Sofia!” Kadija e përqafoi.
Sofia ndjeu ngrohtësi brenda vetes. Ajo e dinte se e kishte ndihmuar shoqen e saj, ashtu siç do të bënte Jezusi.