“Shqetësim në Park”, Miku, gusht 2023, f. 46–47.
Shqetësim në Park
Hanteri mori frymë thellë. “Unë nuk i them ato fjalë.”
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Hanteri vrapoi nëpër park me shokët e tij. Ai e vuri buzën në gaz teksa ndjeu erën që t’i kalonte pranë. U ndje kaq i shpejtë dhe i lehtë.
Kajlli e preku gardhin i pari. “Fitova”, – bërtiti ai.
Hanteri e arriti gardhin një sekondë më vonë. “S’është e drejtë! Ti u nise i pari.”
“Po”, – tha Migeli. “Bëjmë garë deri te pema!”
Hanteri filloi të vraponte sërish. Këtë radhë ai e preku pemën i pari. Por Migeli ishte pikërisht pas tij.
“Fitova”, – tha Migeli.
“Jo, fitoi Hanteri”, – tha Pajpëri.
“Po”, – tha Kajlli.
Migeli mblodhi krahët. Pastaj tha një fjalë të keqe.
Fëmijët e tjerë qeshën. Migeli e tha fjalën sërish dhe ata qeshën edhe më shumë.
Hanteri u ndje i trishtuar brenda vetes. Ai e dinte se nuk ishte fjalë e mirë për t’u thënë. Por nuk donte që ta tallnin. Nuk tha asgjë.
Pajpëri tha një fjalë tjetër të keqe. Pastaj Kajlli tha një fjalë tjetër.
“Tani ti thuaj një, Hanter”, – tha Kajlli.
“Po, jepi”, – tha Migeli. “Thuaj një fjalë tjetër të keqe.”
Hanteri mori frymë thellë. “Unë nuk i them ato fjalë.”
“Të thuash një fjalë nuk të lëndon”, – tha Kajlli.
“Nuk dua”, – tha Hanteri.
“Ke shumë frikë?” – qeshi Migeli.
Fytyra e Hanterit u skuq e tëra. “Do të shkoj të luaj diku tjetër.”
Pjesa tjetër e fëmijëve vazhdoi të qeshte dhe të thoshte fjalë të këqija. Hanteri donte të largohej. Parku nuk dukej si një vend argëtues tani. “Shihemi më vonë”, – tha ai nëpër dhëmbë.
Hanteri i futi duart në xhepa dhe ngadalë eci pranë gjithë fëmijëve të tjerë. Ai nuk u ndje më i shpejtë apo i lehtë. Ai ndjeu një peshë të rëndë.
I gjeti mamin dhe babin të ulur në një stol. Babi e vuri librin mbi stol. “A je mirë?”
Hanteri ngriti supet. “Ata filluan të thoshin fjalë të këqija. Nuk doja ta bëja atë gjë, prandaj u largova.”
Mami buzëqeshi. “Kjo është gjë e guximshme.”
“Jemi krenarë për ty”, – tha babi. “Është e vështirë të bësh zgjedhje të mira kur njerëzit përreth teje nuk i bëjnë ato.”
Hanteri psherëtiu. Ai ishte i lumtur që bëri zgjedhjen e drejtë, por akoma nuk ndihej mirë.
“A dëshiron të shkosh në shtëpi?” – e pyeti mami.
Hanteri u mendua. “Ende jo”, – tha ai. E hodhi vështrimin te një grup tjetër fëmijësh që po luanin te litarët rrëshkitës. “Do të shkoj atje.”
Teksa Hanteri eci për atje, njëri nga djemtë ia bëri me dorë. “Tjeta, unë jam Davidi.”
“Unë jam Hanteri. A mund të luaj me ty?”
“Sigurisht!”
Hanteri e bëri radhën e tij me litarin rrëshkitës dhe ndjeu erën që i kaloi pranë me nxitim. Teksa luante me Davidin dhe të tjerët, ai u ndje i shpejtë dhe i lehtë përsëri. Ai kishte bërë atë që ishte e drejtë, edhe pse ishte e vështirë. Ishte i lumtur që kishte bërë një zgjedhje të mirë.