“Një Dhuratë e Veçantë”, Miku, gusht 2023, f. 18–19.
Një Dhuratë e Veçantë
“Kjo duhet të jetë Fryma e Shenjtë”, – mendoi Mehrima.
Kjo histori ndodhi në Francë.
“Mehrima! Fatima! Erdhën misionarët”, – thirri mami.
Mehrima mbylli librin e vet të historive nga shkrimet e shenjta dhe vrapoi drejt dhomës së ndenjjes. Misionarët po i mësonin familjes së tyre rreth Jezu Krishtit. Mehrima dhe familja e saj do të pagëzoheshin së shpejti. Ajo mezi po priste.
Mehrima u ul me familjen e vet.
“Sot do të flasim për Frymën e Shenjtë”, – tha Plaku [Elder] Moea’i. “Ai na ndihmon të ndiejmë paqe dhe ngushëllim nga Ati Qiellor.”
“Ai gjithashtu na nxit të bëjmë gjëra të mira”, – shtoi Plaku [Elder] Kempbëll. “Dhe Ai na ndihmon të dimë se çfarë është e vërtetë. Ju ndoshta e keni ndier Frymën e Shenjtë më parë.”
Mehrima mendoi për kohën kur mësoi rreth Librit të Mormonit. Ishte ndier plot paqe dhe e lumtur. Prandaj e dinte se ishte i vërtetë. A ishte kjo Fryma e Shenjtë?
“Pasi të pagëzoheni, juve do t’ju jepet dhurata e Frymës së Shenjtë”, – tha Plaku [Elder] Moea’i. “Kjo do të thotë që Ai mund të jetë gjithmonë me ju që t’ju ndihmojë dhe t’ju udhërrëfejë.”
“Gjatë kësaj jave kushtojuni shumë vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja”, – tha Plaku [Elder] Kempbëll. “Kërkoni raste kur Fryma e Shenjtë po ju flet.”
Atë natë gjatë lutjes familjare, Mehrima vuri re se si u ndje brenda vetes. U ndje e qetë dhe plot paqe. Ishte sikur dikush po i jepte një përqafim të madh. Kjo duhet të jetë Fryma e Shenjtë, mendoi ajo.
Në Kishë të dielën Mehrima dëgjoi një këngë për Jezu Krishtin. U ndje e lumtur. Kjo e bëri të kishte dëshirë të ndihmonte njerëz të tjerë. Edhe kjo duhet të jetë Fryma e Shenjtë, mendoi ajo.
Përpara se të shkonte në shtrat, Mehrima lexoi librin e saj të historive nga shkrimet e shenjta. Motra e vet, Fatima, i kërkoi që të lexonin me radhë. Mehrima tha jo.
Mehrima vazhdoi të lexonte. Por u ndje keq që nuk ia dha të motrës.
“Më vjen keq”, – i tha ajo Fatimës. “Do që të lexojmë së bashku?”
Fatima u ul pranë saj. Ato lexuan me radhë. Mehrima pati një ndjenjë të ngrohtë e të lumtur. Kjo duhet të jetë Fryma e Shenjtë, mendoi ajo.
Më së fundi erdhi dita e pagëzimit të tyre. Mehrima dhe familja e saj shkuan në godinën e Kishës dhe veshën rroba të bardha.
Mehrima u pagëzua e para. Uji ishte i ftohtë, por ajo ishte e gëzuar që po bënte një besëlidhje me Atin Qiellor. Mami e mbështolli me peshqir. Pastaj ajo pa mamin, babin dhe Fatimën të pagëzoheshin.
Mehrima veshi prapë rrobat e saj të thata. Tani ishte koha që ajo të konfirmohej.
Misionarët i vendosën duart mbi kokën e Mehrimës. “Ne të konfirmojmë ty anëtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, – tha Plaku [Elder] Kempbëll, “dhe të themi, merre Frymën e Shenjtë.” Mehrima ndjeu ngrohtësi në të gjithë trupin teksa dëgjoi pjesën tjetër të bekimit.
Pasi Mehrima u konfirmua, nëna e përqafoi. “Si ndihesh?”
“Vërtet mirë”, – tha Mehrima. “Pasi i vendosën duart mbi kokën time, ndjeva diçka dhe ishte si një ndjenjë paqeje.” Ajo buzëqeshi. “Ndjeva sikur dikush po më thoshte të jetoja një jetë të mirë, t’i ndihmoja njerëzit dhe t’i zbatoja urdhërimet.”
“A e di se çfarë po ndien?” – e pyeti mami.
“Po, e di”, – tha Mehrima, me sytë që i shkëlqenin. “Ishte Fryma e Shenjtë!”