Miku
Asnjëherë Vërtet i Vetëm
Pagëzimi dhe Konfirmimi


“Asnjëherë Vërtet i Vetëm”, Miku, gusht 2023, f. 22–23.

Asnjëherë Vërtet i Vetëm

Po sikur Ithëni të lëndohej përsëri kur askush të mos ishte atje për ta ndihmuar?

Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.

alt text

Ithëni i lëvizi këmbët e tij në kolovajzë. Shkoi lart e më lart. Era e bëri të ndihej sikur po fluturonte.

Pastaj ra zilja. Ithëni psherëtiu. Nuk donte që pushimi të mbaronte.

Fëmijët u vunë në rresht që të ktheheshin brenda. Ithëni e la kolovajzën e tij që të ngadalësohej. Pastaj zbriti nga kolovajza që të kthehej në klasë.

Por kur shputa e këmbës së Ithënit preku tokën, ai ndjeu një dhembje të fortë në këmbë. Ra përtokë. U përpoq të ngrihej në këmbë, por ndjeu sikur këmba po i merrte flakë. I dhimbte kaq shumë.

“Ndihmë!” – bërtiti Ithëni. Lotët i rrodhën nëpër faqe. Fëmijët dhe mësueset vrapuan ta ndihmonin.

“Çfarë nuk shkon?” – e pyeti një mësuese.

“Theva këmbën.”

Nuk ishte hera e parë që Ithëni kishte thyer një kockë. Nuk ishte as hera e dytë apo e tretë. Ithëni kishte sëmundjen e kockave të brishta, sëmundje që bën që kockat e tij të thyhen me lehtësi. Edhe gjëra të vogla, si zbritja nga buza e trotuarit ose përplasja me dikë tjetër, mund t’i thyenin kockat e tij.

“Do të marrim në telefon prindërit e tu që të të çojnë te mjeku”, – tha mësuesja. “Gjithçka do të jetë në rregull.”

Ithëni ishte i gëzuar që atje kishte njerëz për ta ndihmuar. Këmba akoma i dhimbte shumë, por e dinte se do të ishte i sigurt.

Mami dhe babi shkuan në shkollë dhe e çuan Ithënin te mjeku. Atij i vunë një mbështjellëse allçie blu për këmbën dhe shkoi në shtëpi që të çlodhej.

Për shkak të këmbës së thyer, Ithëni kaloi shumë kohë në shtrat. Ai kishte shumë libra që t’i lexonte. Nganjëherë i erdhën shokët që të luanin lojra me të. Por akoma ishte i mërzitur.

Një natë, Ithëni u zgjua dhe nuk mund të binte më në gjumë. U përpoq të qetësohej, por vazhdoi të shqetësohej. Po sikur të thyej një kockë dhe të mos kem asnjeri pranë, si për shembull në mes të natës? Ithëni u mendua. Zemra i rrihte me të shpejtë. U ndje i frikësuar.

“Babi!” – bërtiti Ithëni.

Babi vrapoi drejt dhomës së Ithënit. “Çfarë nuk shkon?”

“Kam frikë”, – tha Ithëni. “Po sikur të thyej një kockë tjetër dhe të mos kem asnjeri pranë që të më ndihmojë?”

Babi u ul pranë tij në shtrat. “Ky është një mendim i frikshëm”, – tha ai. “Edhe kur përpiqemi të jemi të kujdesshëm dhe të sigurt, gjëra të këqija ende mund të ndodhin. Por pavarësisht nga këto, Ati Qiellor po kujdeset për ty.”

“Pra, kjo do të thotë që Ai është gjithmonë pranë meje?” – tha Ithëni.

“Pikërisht!” Babi e përqafoi butësisht Ithënin.

Ithëni mendoi se sa shpejt kishte ardhur babi që ta ndihmonte. Ai e dinte se babi e donte dhe gjithmonë dëshironte që ta ndihmonte. Ndoshta edhe Ati Qiellor ishte si ai.

Të nesërmen Ithëni lexoi një shkrim të shenjtë në revistën Miku. Aty thuhej: “Merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah”*.

Ithëni u ndje i qetë dhe i sigurt kur e lexoi shkrimin e shenjtë, pikërisht siç u ndje kur foli me babin. Ai e dinte se ishte Fryma e Shenjtë që po e ngushëllonte. Ishte sikur ai po përqafonte përsëri babin.

Ndoshta do të thyej kocka të tjera, mendoi Ithëni, por nuk duhet të jem i frikësuar. E dinte se asnjëherë nuk do të ishte vërtet i vetëm.

alt text
alt text here

Ilustrimet nga Simini Blocker