“Zgjedhja e së Dielës”, Miku, korrik 2024, f. 4–5.
Zgjedhja e së Dielës
“Çfarë është sakramenti?” – pyeti Anita.
Kjo ngjarje ndodhi në Islandë.
“Më lart!” – i tha Evoleta shoqet së saj, Anitës. Ato po shihnin se sa lart mund të kërcenin në trampolinën e Evoletës.
Pikërisht atëherë, Anita kërceu shumë lart. Kur këmbët e saj prekën trampolinën përsëri, kjo e bëri Evoletën të fluturonte. Që të dyja vajzat u rrëzuan mbi trampolinë. Ato qeshën.
“Qenka kaq qejf”, – tha Anita. “A mund të luajmë edhe nesër?”
Evoleta u lëshua me kurriz në trampolinë. “Po! Do të doja shumë.”
“Mund të luajmë te shtëpia e gjyshes sime.” Gjyshja e Anitës jetonte pak shtëpi më larg nga Evoleta.
Më pas Evoletës iu kujtua që të nesërmen ishte e diel. Donte të shkonte në Fillore. Do të ishte argëtuese të luante me Anitën, por ajo dëshironte të bënte një zgjedhje të mirë.
“Sapo m’u kujtua që nuk mundem”, – tha Evoleta. “Më vjen keq. Nesër do të shkoj në kishë me familjen time.”
Anita u ngrit dhe kërceu përsëri. “Përse?”
Edhe Evoleta filloi të kërcente. “Epo, dua të ndjek Jezu Krishtin. Familja ime shkon në kishë çdo të diel për mësuar rreth Tij dhe për të marrë sakramentin.”
“Çfarë është sakramenti?” – pyeti Anita.
“Është kur hamë një copë të vogël buke dhe pimë një gotë të vogël me ujë për të kujtuar Jezu Krishtin”, – tha Evoleta. “Më pas njerëzit flasin se si Jezusi i ndihmon ata. Dhe pas kësaj, ka një klasë të veçantë për fëmijët!”
“Duket zbavitëse!” – tha Anita. “A mund të vij?”
“Sigurisht!” – buzëqeshi Evoleta.
Anita shkoi me vrap në shtëpi që të pyeste gjyshen nëse mund të shkonte në kishë me Evoletën. Të nesërmen në mëngjes Evoleta dhe familja e saj e morën Anitën me vete rrugës për në kishë.
Kur mbërritën në kishë, Evoleta i tregoi Anitës ambientet rreth e rrotull. I tregoi dhomën e Fillores, palestrën dhe sallën e sakramentit.
Shpejt erdhi koha për mbledhjen e sakramentit. Evoleta dhe Anita u ulën së bashku. Evoleta u përpoq të mendonte për Jezu Krishtin gjatë sakramentit. Më pas dëgjuan bisedat.
Më së fundi ishte koha për Filloren. Evoleta e njohu Anitën me disa prej shokëve dhe shoqeve të saj.
“Kjo është shoqja ime, Anita”, – tha Evoleta.
“Jemi shumë të lumtur që erdhe sot. Unë jam Motra Magnuson”, – tha mësuesja e Fillores.
Teksa Evoleta dhe Anita po dëgjonin mësimin rreth Jezu Krishtit, Evoleta u ndje e lumtur brenda vetes. I pëlqente të ishte në kishë me Anitën. U kthye nga Anita dhe i buzëqeshi. Edhe shoqja e saj i buzëqeshi.
“Faleminderit që më ftove”, – tha Anita rrugës për në shtëpi.
Evoleta ishte e gëzuar që mund ta ndiqte Jezu Krishtin. Ishte gjithashtu e gëzuar që edhe Anita donte të mësonte rreth Tij.
Ishte zbavitëse kur kërcenin mbi trampolinë dhe fluturonin në ajër, por ndjenja e ngrohtë që ndjeu Evoleta brenda vetes, ishte edhe më e mirë.