“Vizita te Gjyshja dhe Gjyshi”, Miku, korrik 2024, f. 30–31.
Vizita te Gjyshja dhe Gjyshi
Ernestoja dëshironte të tregonte atë që mësoi në Fillore.
Kjo ngjarje ndodhi në Indonezi.
Ernestoja vendosi një këmishë tjetër në çantën e vet. Hodhi vështrimin nëpër dhomë. Çfarë tjetër i nevojitej të merrte? Pa Librin e vet të Mormonit mbi një tavolinë. Nuk mund ta harronte atë.
Ishin pushimet e verës. Familja e Ernestos po shkonte për vizitë te gjyshja dhe gjyshi. Ishte kaq i emocionuar që do të shihte gjyshërit e vet.
Kur Ernestoja dhe familja e tij mbërritën, gjyshi e përqafoi fort. “Sa i lumtur jam që je këtu!”
“Na ka marrë malli!” Gjyshja buzëqeshi dhe e përqafoi Erneston gjithashtu.
“Sa e kam pritur këtë ditë. Na pëlqen shumë të vijmë për vizitë”, – tha Ernestoja.
“Le të hyjmë brenda”, – tha gjyshi. “Gjyshja do të bëjë tërë ushqimet e tua të parapëlqyera.”
Ernestoja u fut në shtëpi me gjyshen dhe gjyshin. Ishte shumë i emocionuar që do të kalonte kohë me ta.
Të nesërmen në mëngjes Ernestoja u zgjua nga aroma e orizit që po gatuhej. I gjeti mamin dhe gjyshen të zëna plot punë në kuzhinë. I puthi që të dyja në faqe. Pastaj doli me vrap në oborr.
Babi dhe gjyshi ishin të ulur dhe po flisnin përjashta, duke pirë prej gotave të tyre.
“Mirëmëngjesi! A do pak çaj?” Gjyshi ia drejtoi gotën e tij Ernestos.
Ernestoja i hodhi një sy gotës së çajit dhe pastaj gjyshit. Donte t’i tregonte se çfarë kishte mësuar në Fillore. “Jo, faleminderit, gjyshi”, – tha ai. “Në kishën time mësova se çaji, kafeja dhe duhani nuk janë të mirë për trupat tanë. Dua të ndjek atë që Jezusi do që unë të bëj.”
Babi buzëqeshi. “Familja jonë i bindet Fjalës së Urtësisë, por gjyshi beson ndryshe nga ne dhe kjo është në rregull.”
“Faleminderit që më tregove atë që beson”, – i tha gjyshi Ernestos. “Ti je djalë i mirë. Mund të pish ca ujë të nxehtë si babi yt.” Gjyshi i mbushi Ernestos një gotë me ujë nga ibriku.
Ernestoja piu një gllënjkë. U ndje i lumtur brenda vetes që zgjodhi të drejtën.
Për drekë, Ernestoja hëngri ushqimet e tij të parapëlqyera. Gjyshja bëri nasi goreng, një gjellë me oriz, vezë, mish dhe perime. Ishte kaq e shijshme. Dhe Ernestos i pëlqente të fliste me gjyshen e gjyshin ndërsa hanin.
Pasdite, familja luajti së bashku hapa‑dollapa. Edhe gjyshi me gjyshen luajtën.
“Të shoh prapa asaj peme, Ernesto!” – thirri babi duke vrapuar me të shpejtë drejt tij. Ernestoja qeshi teksa u përpoq të largohej. Ishte argëtuese të luante me familjen e tij.
Atë natë, të gjithë u ulën rreth gjyshit teksa u tregoi disa histori. Kur mbaroi gjyshi, Ernestoja u kujtua se ata nuk i kishin lexuar shkrimet e shenjta.
Ernestoja kërceu në këmbë. “Kthehem shpejt.”
Vrapoi dhe mori Librin e vet të Mormonit. Kur u kthye, ai pyeti: “A mund të lexojmë?”
“Gëzohem që u kujtove.” Mami e mori librin nga Ernestoja dhe e hapi te vargu i saj i parapëlqyer. E lexoi me zë të lartë. Më pas të gjithë ranë në gjunjë.
“A doni të luteni me ne?” – i pyeti Ernestoja gjyshërit e tij.
“Po, është diçka e mirë”, – tha gjyshja. Ajo ra në gjunjë pranë gjyshit.
Babi tha lutjen. Ai e falënderoi Atin Qiellor që shpenzuan kohë si familje.
Pas lutjes, gjyshi e përqafoi Erneston. “Është gjë e mirë që familja jote lutet”, – tha ai. “Gëzohem që dëshiron të jesh pranë Perëndisë. Kjo gjë do ta ndihmojë familjen tënde që të qëndrojë e fortë.”
Ernestoja ndjeu ngrohtësi dhe paqe brenda vetes. Atij i pëlqente shumë që t’i shprehte bindjet e tij – për diçka që e donte – me gjyshen dhe gjyshin – njerëzit që i donte.