Miku
Rejna e Provon Përsëri
Korrik 2024


“Rejna e Provon Përsëri”, Miku, korrik 2024, f. 36–37.

Rejna e Provon Përsëri

“Kjo është hera e fundit që provoj sërish ndonjë gjë të re”, – tha Rejna.

Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.

Rejna i lexoi sërish fjalët në afishen te shkolla e saj. Konkurs për Ese: Fitohet një udhëtim falas për në Nju‑Jork‑Siti!

Ishte një konkurs për nxënësit në shumë shkolla të zonës. Rejna e imagjinoi veten sikur ishte në Nju‑Jork‑Siti, me qiellgërvishtësit si kulla përreth saj dhe Statujën e Lirisë aty pranë. Donte të shkonte!

“Duhet të futesh në konkurs”, – tha Sidni. “Ti shkruan më bukur nga ne të gjithë në klasën tonë.”

Fjalët e Sidnit e bënë Rejnën të ndihej mirë. Nuk dinte shumë rreth shkrimit të eseve. Por donte ta provonte.

Pas shkollës, Rejna u ul tek tavolina e saj. Tak, tak, tak. E trokiste lapsin mbi letër teksa mendonte për idetë e saj. Më së fundi, filloi të shkruante.

Rejnës iu desh një javë e tërë që ta përfundonte. Por me ca ndihmë nga mami, më së fundi ndjeu se ishte gati që ta dorëzonte esenë e vet.

Kaluan disa javë. Rejna mezi priste të shihte se kush fitoi. Ndoshta shpejt do të nisej për në Nju‑Jork.

“Mbi njëqind nxënës u futën në konkurs”, – tha z. Rajt nga kreu i klasës. “Faleminderit ju të gjithëve që shkruat një ese.”

Rejnës i rrahu zemra plot emocion.

“Ndonëse asnjëri nga nxënësit tanë nuk e fitoi konkursin, eseja e Rejnës ishte ndër pesë më të mirat. Përgëzime Rejna”, – tha z. Rajt.

Rejna buzëqeshi ndërkohë që shokët dhe shoqet e klasës duartrokitën. Por brenda vetes ajo po shfrynte. Të qenit mes pesë më të mirëve nuk ishte po aq e mirë sa të fitoje. Ëndrra e saj për të parë Nju‑Jorkun kishte marrë fund.

Kur mbërriti në shtëpi, Rejna u plas në karrige pranë prindërve të saj në kuzhinë. “E humba konkursin”, – tha ajo. “Kjo është hera e fundit që provoj sërish ndonjë gjë të re. Do të bëj vetëm gjërat që e di që i bëj mirë.” E mbuloi kokën me duar.

Pamja
Vajzë e trishtuar me prindërit te tavolina e kuzhinës

“Më vjen keq që nuk fitove. Si mami dhe unë jemi krenarë që ti e provove”, – tha babi. Ai u ul pranë Rejnës. “A të kujtohet kur isha i papunë dy vjet më parë?”

Rejna pohoi me kokë.

“Bëra kërkesa për shumë punë dhe nuk më punësuan në asnjërën prej tyre”, – tha babi. “Po ndihesha tepër i shkurajuar.”

Rejna ngriti kokën. “Vërtet?”

Babi pohoi me kokë. “Por nuk u dorëzova. Pas një kohe të gjatë, gjeta një punë që ishte e përkryer. Por nuk do të kishte ndodhur nëse nuk ta provoja përsëri.”

Mami vendosi një dorë ngushëlluese mbi supet e Rejnës. “A e di se sa shumë shkrime u dërgoj revistave të ndryshme?” – pyeti ajo. “Dhe sa nuk pranohen? Por nuk mund të heq dorë nëse dëshiroj ta shoh të botohet punimin tim. Të shkruarit është i rëndësishëm për mua prandaj vazhdoj ta provoj.”

Rejna kishte menduar gjithmonë se prindërit e saj ishin të mirë në gjithçka që bënin. Nuk e kishte menduar kurrë se edhe ata nuk kishin pasur sukses.

Ajo ishte ende e trishtuar, por iu duk marrëzi që të mos e provonte kurrë diçka të re përsëri. Kjo nuk ishte ajo që Ati Qiellor donte për të. Rejna mori vendim që nuk do të hiqte dorë. Ajo mund të provonte më shumë gjëra, madje gjëra të cilat nuk i bënte mirë menjëherë.

“Mendoj se do të futem në konkurs përsëri vitin e ardhshëm”, – tha Rejna. Humbja e konkursit nuk duhej të ishte fundi i ëndrrave të saj.

Rejna shkoi te tavolina e saj dhe mori lapsin. Të shkruarit kishte qenë shumë argëtues. Tak, tak, tak. Pra, për çfarë gjëje të re mund të shkruante më pas?

Pamja
Vajzë e buzëqeshur, e ulur tek tavolina me laps e letër
Pamja
Historia në formatin PDF

Ilustrimet nga Vivian Mineker

Shtyp në Letër