“Një Bashkëbisedim me Alenin rreth Neneve të Besimit”, Miku, korrik 2024, f. 40–41.
Një Bashkëbisedim me Alenin rreth Neneve të Besimit
Aleni është nga Málaga e Spanjës. Ne i bëmë atij disa pyetje se si i mësoi Nenet e Besimit.
Na trego rreth vetes sate.
Jam tetë vjeç. Kur të rritem, dua të bëhem një shkencëtar i famshëm. Ngjyra ime e parapëlqyer është portokallia dhe ushqimi im i parapëlqyer është tortillas de patatas (omëleta spanjolle) që e bën gjyshja ime.
Si i mësove Nenet e Besimit?
Nisa t’i mësoja në Fillore. Këndonim këngë që na ndihmuan t’i mësonim përmendsh. Nganjëherë mësueset tona i shkruanin në tabelë dhe i fshinin disa fjalë. Vizatonim edhe figura që të shpjegonim se çfarë kuptimi kishte secili Nen i Besimit.
U ushtrova gjithashtu duke ia thënë familjes sime në makinë rrugës për në shkollë. Po ndihmoj edhe motrën time më të vogël, Majën, që t’i mësojë ato. Ajo tashmë i di gjashtë të parat.
Cili Nen i Besimit është i parapëlqyeri yt?
Mua më pëlqen neni i nëntë. “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë.” Ai na mëson se Ati Qiellor ka më shumë gjëra për ne që t’i mësojmë pak nga pak.
Si të ka ndihmuar njohja e Neneve të Besimit?
Një ditë në shkollë shoqja ime, Sofia, më pyeti se në çfarë besoja dhe nëse i përkitja ndonjë feje. M’u kujtua Neni i parë i Besimit, i cili thotë: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë”. Prandaj ia thashë asaj.
Gjithashtu i thashë se isha i krishterë dhe anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo më dëgjoi dhe e kuptoi atë që i tregova.
Si të bëri të ndihesh kjo përvojë?
U ndjeva shumë mirë ngaqë e dija se kisha qenë i guximshëm që t’i tregoja shoqes sime për bindjet e mia. Për shkak të punës sime të madhe për t’i mësuar Nenet e Besimit, unë isha në gjendje ta shpërndaja ungjillin dhe të dija se çfarë të thosha.