“Buçima të Forta dhe Ngjyra të Shndritshme”, Miku, korrik 2024, f. 10–11.
Buçima të Forta dhe Ngjyra të Shndritshme
“Përse Ati Qiellor nuk i largon zhurmat e forta?” – pyeti Sharlota.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Sharlota i urrente zhurmat e forta. Asaj nuk i pëlqente mënyra se si tingujt i rrihnin në veshë ose i kumbonin në kokë. Edhe kur e dinte se ishte e sigurt, ajo ende ndihej e tensionuar kur makinat uturinin, turmat brohoritnin ose daullet binin.
Dhe Sharlotës vërtet nuk i pëlqenin fishekzjarrët.
Familja e vet provonte shumë gjëra për ta qetësuar atë kur kishte zhurma të forta. Babi i bleu kufje të veçanta për veshët që ta ndihmonin për të bllokuar zhurmën. Kur kishte bubullima, mami strukej me të nën batanije. Sharlota lutej gjithashtu për ndihmë që të mos frikësohej.
Të gjitha këto gjëra ndihmonin. Por zhurmat e forta ende e bënin të kishte frikë.
“Do të shkojmë te një shfaqje e veçantë fishekzjarrësh në park sonte”, – i tha mami Sharlotës. “A dëshiron të vish?”
Sharlota rrudhi vetullat. “Po fishekzjarrët bëjnë shumë zhurmë.”
“Tani që je më e madhe, fishekzjarrët mund të jenë shumë më të këndshëm për t’u parë”, – tha mami. “Të gjitha shoqet e tua do të jenë atje. Mund të marrim edhe kufjet e tua të veçanta për veshët. A mendon se mund ta provosh këtë gjë?”
Sharlota psherëtiu. “Mirë. Mendoj se do ta provoj.”
Shfaqja me fishekzjarrë në park filloi siç duhej. Sharlota dhe shoqet e saj vraponin në bar, duke ngrënë ëmbëlsira dhe duke luajtur lojëra. Shpejt qielli u nxi. Sharlota u ul dhe vuri kufjet në vesh, teksa shihte me nervozizëm drejt qiellit.
BUUM! BUUM! KRAK!
Sharlotës po i rrihte zemra më shpejt dhe ndjeu shtrëngim në kraharor. U ngrit dhe u përpoq të largohej nga e gjithë zhurma përreth saj.
Mami vrapoi pas Sharlotës dhe e mori në krahë. Ato u ulën përsëri dhe mami e mbajti të përqafuar. Sharlotës i ranë lot nëpër faqe.
“Më vjen keq që u trembe”, – tha mami. “Jam këtu. Le të përqendrohemi te ngjyrat që të mos e dëgjosh kaq shumë zhurmën. Çfarë sheh me sytë e tu?”
Sharlota mori frymë thellë. “Shoh ngjyrën e artë, të kuqe dhe të gjelbër.”
“Tani përdor hundën”, – tha mami. “Çfarë ere mban?”
“Mund të nuhas erën e tymit dhe të barit”, – tha Sharlota. “Dhe kokoshka!”
“Çfarë shqisash të tjera mund të përdorësh pikërisht tani?”
Sharlota mbylli sytë. “Mund t’i ndiej ato. Kur shpërthejnë fishekzjarrët, mund ta ndiej dridhjen në kraharorin tim.”
“A mund të shijosh ndonjë gjë?” – e pyeti mami.
Sharlota nxori gjuhën. “Nuk mund t’i shijoj fishekzjarrët.” Ajo qeshi.
E gjithë kjo gjë e bëri Sharlotën kureshtare. Si i bëjnë njerëzit ngjyrat e ndryshme? – pyeti veten ajo. Përse shpërthejnë fishekzjarrët? Si i bëjnë format e ndryshme? Fishekzjarrët nuk dukeshin kaq të frikshëm tani.
“Mami, fishekzjarrët janë mahnitës!” – tha Sharlota.
Kur mami e futi në shtrat Sharlotën atë natë, Sharlota e pyeti: “Përse nuk u përgjigjet Ati Qiellor lutjeve të mia kur i kërkoj Atij që t’i largojë zhurmat e forta?”
Mami u mendua për një çast. “Ati Qiellor nuk i largon gjithmonë gjërat e frikshme”, – tha ajo. “Por nganjëherë Ai na ndihmon t’i shohim gjërat në një mënyrë tjetër ose na jep njerëz të cilët ndihmojnë për të na ngushëlluar.”
“Siç më ndihmoi Ai mua sonte!” – tha Sharlota.
“Pikërisht!” Mami buzëqeshi. “Shkove në shfaqjen e fishekzjarrëve edhe pse kishe frikë. Më pas Ati Qiellor të ndihmoi që ta qetësoje frikën tënde. Gjithashtu të ndihmoi që të shihje bukurinë e fishekzjarrëve duke përdorur shqisat e tjera.”
Sharlota mendoi për ngjyrat e shndritshme në qiell dhe buzëqeshi. Ende nuk i pëlqenin zhurmat e forta. Ende e frikësonin. Por e dinte që Ati Qiellor mund ta ndihmonte gjithmonë që të ishte e guximshme.