Miku
Teatër nga Shkrimet e Shenjta
Korrik 2024


“Teatër nga Shkrimet e Shenjta”, Miku, korrik 2024, f. 14–15.

Teatër nga Shkrimet e Shenjta

“Po sikur të nxirrnim kutinë e së dielës?” – pyeti Xhoni.

Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.

“Ç’po mërzitem.” Xhoni u shtri në dyshemenë e dhomës së ndenjjes.

Motra e tij, Xhena, hodhi sytë nga dritarja. “S’kemi se çfarë të bëjmë”, – tha ajo.

Xhoni ngriti sytë nga tavani. Përse ndienin se të dielat nuk ishin argëtuese?

Më pas atij i erdhi në mendje diçka. “Po sikur të nxirrnim kutinë e së dielës?” – pyeti Xhoni. Kutia e së dielës ishte një kuti e veçantë, e mbushur me lojëra për t’i luajtur të dielën.

Fytyra e Xhenës shndriti nga një buzëqeshje. “Duket zbavitëse.”

Djalë dhe vajzë duke nxjerrë lojëra nga një kuti

Xhoni dhe Xhena vrapuan me nxitim drejt dhomës së mamit. E tërhoqën kutinë e madhe drejt dhomës së ndenjjes.

“Çfarë duhet të bëjmë në fillim?” – pyeti Xhoni. E hapi kutinë dhe nxori disa libra me figura dhe një lojë me letra.

“Le të luajmë lojën me përputhje të heronjve të shkrimeve të shenjta”, – tha Xhena.

Loja ka karta me figura nga profetët e Librit të Mormonit. Xhena i vuri kartat përmbys në dysheme. E bënë me radhë duke zgjedhur karta dhe duke u përpjekur që të gjenin ato që përputheshin.

Xhoni mori dy karta të ndryshme me kapiten Moronin në to. “Gjeta një përputhje!” – bërtiti ai.

“Edhe unë.” Xhena ngriti dy karta që tregonin Sarian.

Xhoni dhe Xhena luajtën edhe disa herë. Ishte argëtuese që të mendonin rreth historive të tyre të parapëlqyera nga Libri i Mormonit.

Pas pak kohe Xhena tha: “Le të bëjmë diçka tjetër”.

“Mirë. Le të aktrojmë njërën nga historitë tona të parapëlqyera të shkrimeve të shenjta. Do të kemi një teatër nga shkrimet e shenjta.” Xhoni filloi të mblidhte kartat.

“Po!” Xhena ndihmoi që t’i mblidhnin copëzat e lojës dhe t’i futnin në kuti.

Xhoni gërmoi në kuti derisa gjeti disa kostume. Nxori një rrobë ngjyrë kafe të errët të butë dhe e veshi. “Unë jam Samuel Lamaniti.” Kërceu mbi karrige dhe luajti rolin e Samuelit duke dhënë mësim mbi murin e qytetit.

Xhena hapi librin me figura nga Libri i Mormonit. Kërkoi nëpër faqe derisa gjeti Samuel Lamanitin. Ajo e lexoi me zë të lartë historinë ndërkohë që Xhoni e interpretonte atë me gjeste.

Fëmijët e ushtruan historinë disa herë. Xhoni ndjeu ngrohtësi e lumturi brenda vetes. Kur kujtonin profetët që kishin dhënë mësim për Jezu Krishtin kishin një ndjesi të mirë.

Kur u ndien gati, Xhoni vrapoi dhe mori mamin, babin dhe motrën e tyre më të vogël, Mekenën. “Ejani të shihni shfaqjen tonë!”

Xhena qëndroi në mes të dhomës me krahët e saj të hapura. “Mirë se vini në teatrin tonë nga shkrimet e shenjta. Sot do të paraqesim historinë e … Samuel Lamanitit.”

Pastaj nisi të tregonte historinë. “Shumë kohë më parë, një profet i quajtur Samuel erdhi për t’u dhënë mësim nefitëve. …”

Kur erdhi pjesa e Xhonit, ai qëndroi në këmbë mbi karrige. Ai foli me zë të lartë. “Unë jam Samueli dhe Ati Qiellor dëshiron që ju të bëni zgjedhje të mira. Mos bëni më gjëra të këqija. Sepse mbas pesë vjetësh Jezu Krishti do të lindë.”

Djalë dhe vajzë të veshur me peshqirë banjoje, me djalin duke qëndruar në këmbë mbi karrige

“Fuqia e Perëndisë ishte me Samuelin”, – tha Xhena. Ajo vazhdoi të tregonte pjesën e mbetur të historisë. Kur mbaroi, mami, babi dhe Mekena duartrokitën.

“Ishte e shkëlqyer!” – tha mami.

Xhoni dhe Xhena u përkulën. Buzëqeshën shumë.

“Le të bëjmë një shfaqje tjetër”, – tha Xhoni.

“Do të na pëlqente shumë të shihnim një shfaqje tjetër”, – tha mami. Mekena duartrokiti dhe buzëqeshi.

Xhena dhe Xhoni u kthyen me nxitim te kutia e së dielës që të nxirrnin kostume të tjera.

“E diela është argëtuese. Më pëlqen të mësoj për shkrimet e shenjta”, – tha Xhena.

“Dhe Jezusin.” Xhoni buzëqeshi kur gjeti një kostum tjetër. E diela vërtet ishte një ditë e veçantë.

Historia në formatin PDF

Ilustrimet nga Shawna J. C. Tenney