Miku
Dëmtimi me Shigjetë
Shtator 2024


“Dëmtimi me Shigjetë”, Miku, Shtator 2024, f. 4–5.

Dëmtimi me Shigjetë

A ishte Danieli aq i guximshëm sa të tregonte të vërtetën?

Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.

Danieli ngriti kapakun e kutisë së vjetër të lojërave të gjyshit dhe hodhi një vështrim brenda. Kushërinjtë e tij u mblodhën përreth që të shihnin. U pëlqente shumë të luanin së bashku në shtëpinë e gjyshit.

Brenda kishte shumë lodra të vjetra me të cilat nëna dhe tezja e Danielit kishin luajtur kur ishin fëmijë.

“Çfarë janë ato?” – tregoi me gisht Noeu, kushëriri i Danielit, drejt gjashtë shigjetave të shndritshme, të vjetra që përdoren në lëndinë. Ato kishin funde me majë dhe flamuj me ngjyra, disa të kuqe e disa të verdha.

Danieli e mori njërën. “Mami më tregoi për këto”, – tha ai. “Vihet një kosh jashtë në lëndinë. Pastaj e bën me radhë duke i hedhur këto në ajër dhe përpiqesh t’i bësh të futen në kosh.”

“Bukur!” – tha Noeu. Tashmë po vraponte drejt oborrit për të bërë gati lojën.

Shpejt Danieli dhe kushërinjtë e vet po i hidhnin shigjetat metalike në ajër nëpër të gjithë oborrin e gjyshit. Danielit i pëlqente kur shigjetat binin me forcë dhe nguleshin në bar.

“E vë me bast që mund ta hedh shigjetën time më lart se shigjetat tuaja”, – tha Lili, kushërira e Danielit.

Fëmijët qeshën dhe i hodhën shigjetat gjithnjë e më lart.

Pastaj Danielit i erdhi një ide. “Vë bast që mund ta hedh shigjetën time nga ana tjetër e parkimit dhe drejt e në kosh!” – tha ai. Shkoi me vrap drejt anës së kundërt të parkimit dhe e hodhi shigjetën me forcë.

Shigjeta fluturoi me forcë në ajër, por nuk ra në bar. Përkundrazi ajo ra mbi makinën e sapoblerë të teze Robëlinit me një zhurmë të madhe BAM.

djalë duke e hedhur shigjetën mbi një makinë

“O, jo!” – bërtiti Noeu.

Danieli e mori shigjetën. Kishte një shenjë të stërmadhe te makina atje ku kishte rënë shigjeta.

Fëmijët vështruan nga njëri‑tjetri me tmerr. Më pas, pa thënë asnjë fjalë, i lanë shigjetat në lëndinë dhe shkuan me vrap brenda.

Më vonë atë pasdite, të gjithë shkuan drejt makinave të tyre për t’u kthyer në shtëpi. Tezja e Danielit e vuri re shenjën në makinën e saj. “Çfarë ndodhi?” – pyeti ajo.

Danielit iu mblodh një lëmsh në stomak. Por nuk tha asgjë. Thjesht hipi në makinë dhe i përshëndeti me dorë kushërinjtë.

Gjatë rrugës për në shtëpi Danieli qëndroi i ulur pa folur në ndenjësen e pasme. U përpoq të lexonte librin e vet. Por nuk mund të përqendrohej. U ndje keq brenda vetes për atë që ndodhi. E dinte se gjëja e drejtë që duhej bërë, ishte të tregohej i sinqertë. Por të tregonte të vërtetën, do të ishte e tmerrshme! Prindërit e tij do të zemëroheshin tej mase me të. Po ashtu edhe tezja.

Atëherë Danieli mendoi për heroin e tij të parapëlqyer nga shkrimet e shenjta. Danielin në Dhiatën e Vjetër e kishin hedhur në gropën e luanëve ngaqë zgjodhi të drejtën. Ai qe guximtar. Ndoshta edhe Danieli mund të ishte guximtar.

“Ej, mami?” – tha Danieli. “Unë hodha një shigjetë loje dhe godita makinën e teze Robëlinit dhe bëra një shenjë. Ishte faji im.”

Mami e hodhi vështrimin tek ai nëpërmjet pasqyrës së mesit të makinës. Nuk ishte aq e zemëruar sa mendoi Danieli se do të ishte. “Faleminderit që më tregove të vërtetën”, – tha ajo.

mami dhe djali në makinë

Danieli mori frymë thellë. “A mund ta marr në telefon teze Robëlinin kur të kthehemi në shtëpi?” – pyeti ai. “Dua t’i kërkoj falje. Dhe do të punoj shumë për të fituar para që të paguaj për rregullimin e makinës së saj.”

Mami buzëqeshi. “Kjo është një ide e mrekullueshme.”

Iu hoq lëmshi i stomakut dhe Danieli ndjeu paqe. Kishte qenë mjaft i guximshëm për të treguar të vërtetën. Për shkak të Jezu Krishtit, ai mund të pendohej dhe t’i ndreqte gjërat.

Alt text

Ilustrimet nga Josh Talbot