“Projekti i Shkencës”, Miku, shtator 2024, f. 18–19.
Projekti i Shkencës
“Ati Qiellor dëshiron që ne të vazhdojmë të përpiqemi.”
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Bredli zbrazi një gotë tjetër me rërë në kovën e vet. Do t’i duheshin shumë!
Panairi i shkencës në shkollën e tij do të ishte së shpejti. Bredli po bënte një model që të tregonte se si funksiononin cunamet. Ai mësoi se një cunam është një dallgë e madhe uji e shkaktuar nga një tërmet në oqean. Dëshironte që projekti i tij të ishte i përsosur. Ndoshta do të fitonte një çmim!
Kur kova u mbush plot, Bredli mblodhi disa shkopinj. Më pas gjeti në bodrum një kosh plastik dhe disa shtëpi të vogla lodrash.
Bredli derdhi rërë brenda në kosh për të bërë tokën. Me kujdes vendosi shtëpitë dhe pemët. Pastaj erdhi pjesa emocionuese – uji! Kur e derdhi brenda, ai mund të lëvizte një copë karton nëpër ujë që të krijonte dallgën.
Por pastaj bëri një gabim të madh. Derdhi brenda shumë ujë! Shtëpitë u përmbytën dhe ai nuk e kishte bërë akoma dallgën. Rëra e lagur bëri një rrëmujë dhe u bë ngjitëse.
Bredli thirri mamin e vet që ishte në kuzhinë. “Çfarë duhet të bëj tani? Hodha shumë ujë brenda.”
“S’ka problem. Thjesht mund ta fillosh nga fillimi”, – tha mami. “Le ta bëjmë së bashku dhe ta matim pak e nga pak.”
“Mirë.” Bredli vari kokën dhe doli jashtë që të merrte më shumë rërë.
Këtë radhë e matën me kujdes sasinë e duhur të ujit dhe e derdhën brenda. Bredli e lëvizi kartonin dhe vështroi dallgët që u përplasën ndaj rërës. Funksionoi!
Më pas Bredli dhe mami punuan me afishen e tij. Ai filloi të shkruante disa fakte zbavitëse për cunamet. Por fleta nuk i nxuri të gjitha fjalët.
“Nuk dua ta shkruaj edhe njëherë nga fillimi!” – tha Bredli. Filloi t’i dhembte koka.
“Nuk duhet ta rishkruash të tërën”, – tha mami. “Thjesht mund ta themi pak ndryshe që ta nxërë faqja.”
Bredli shfryu nga inati. Afishja e tij nuk dukej aspak siç donte ai. “Nuk dua ta bëj këtë gjë. Do të duket keq nëse nuk i nxë fjalët siç duhet.”
“Të mësuarit mund të jetë i vështirë.” Mami e përqafoi. “Nganjëherë ne bëjmë gabime. Por e rëndësishme është që të mos dorëzohemi. Ati Qiellor dëshiron që ne të vazhdojmë të përpiqemi. Prandaj le të bëjmë pushim dhe ta mbarojmë në mëngjes.”
Të nesërmen në mëngjes e mbaruan afishen. Nuk ishte e përsosur, por Bredli u ndje pak më mirë për të.
Më në fund erdhi dita e panairit të shkencës. Mami e çoi Bredlin në shkollë. “Mbaje mend”, – tha ajo, – “punove shumë me projektin tënd dhe mësove shumë. Kjo ka rëndësi.”
Bredli e çoi projektin e tij në palestrën e madhe. Ishte plot me projekte dhe afishe. Të gjithë nxënësit e klasës së katërt ishin të ulur dhe prisnin radhën për të treguar projektin e tyre.
Shpejt ishte radha e Bredlit. Zemra i rrihte fort teksa ecte përpara. Po sikur gjithçka të shkonte keq?
Bredli e lëvizi kartonin përmes ujit dhe i tregoi jurisë se si dallgët e goditën tokën.
“Çfarë i shkakton ato dallgë të mëdha në oqean?” – pyeti njëri nga juria.
“Dallgët e mëdha shkaktohen nga ….” Bredlit iu bllokua truri. “Nuk më kujtohet. Por mund t’ju them disa fakte zbavitëse për cunamet.” Ai u lexoi atyre faktet në afishen e tij.
Pas shkollës Bredli hipi në makinë me projektin e tij.
“Si shkoi?” – e pyeti mami.
“Jo ashtu siç doja.” Bredli buzëqeshi. “Por bëra më të mirën dhe vazhdova të përpiqesha.”