“Brohoritje për të Dyja Skuadrat”, Miku, shtator 2024, f. 30–31.
Brohoritje për të Dyja Skuadrat
Xhejni rrudhi vetullat. Ajo nuk donte që të fitonte skuadra tjetër.
Kjo ngjarje ndodhi në Korenë e Jugut.
Xhejni hëngri fijet e fundit të makaronave. Mmmm. E shijshme!
“Le të luajmë Yut Nori!” – tha daja Ji‑Ho.
Ishte përsëri ajo kohë e vitit! Familja e saj po festonte Chuseok‑un, Ditën koreane të Falënderimeve. Sot familja e Xhejnit ishte mbledhur që të hante plot ushqime dhe që të luante Yut Nori së bashku. Yut Nori ishte loja e parapëlqyer e Xhejnit.
Çdo njeri ulej në rreth në dysheme. Xhejni hodhi vështrimin përreth. Në cilën skuadër donte të ishte? Nxitoi me vrap që të ulej pranë dajës Ji‑Ho. “Dua të jem në skuadrën tënde!” – tha ajo. “Do të jemi fituesit e mëdhenj!”
Daja Ji‑Ho qeshi. “Me ty në skuadrën tonë do të kemi mundësi të mirë.”
Nëna e Xhejnit vendosi tabelën e lojës në mes të rrethit. Xhejni e ndihmoi që të nxirrte gurët. Ata ia dhanë katër shkopinjtë skuadrës që do të fillonte e para.
Ana, kushërira e Xhejnit, pati radhën e parë. Ajo i hodhi shkopinjtë në ajër. Mënyra se si ranë shkopinjtë tregoi se sa shumë hapësira mund të lëvizte ajo skuadër në tabelën e lojës. Që të katër shkopinjtë ranë përmbys, që do të thoshte se Ana mori një Yut. Ajo arriti ta lëvizte gurin e skuadrës së vet përpara katër hapësira dhe i takoi një radhë më shumë.
Por Ana nuk ishte në skuadrën e Xhejnit.
Xhejni i kryqëzoi krahët dhe i rrudhi vetullat. “Po shpresoja që ajo të mos bënte një hedhje të mirë”, – i pëshpëriti ajo dajës Ji‑Ho.
“Mbaje veten!” – tha daja Ji‑Ho. “Loja sapo filloi.” Ai i buzëqeshi për t’i dhënë zemër.
Pas radhës së dytë të Anës, shkopinjtë i hodhi skuadra e Xhejnit. Por ata nuk ia dolën që t’i lëviznin gurët e tyre aq larg sa i lëvizi skuadra e Anës.
Për çdo radhë familjarët e Xhejnit brohoritën dhe qeshën. Xhejni i shihte gurët e lojës të lëviznin përreth tabelës. Që të gjithë po zbaviteshin.
Të gjithë përveç Xhejnit. Skuadra e saj ende po humbte.
Në fund ishte radha e Xhejnit. Ajo i hodhi shkopinjtë në ajër, por vetëm njëri ra përmbys. Guri i skuadrës së saj lëvizi përpara vetëm një hapësirë.
Xhejni kryqëzoi krahët. “Heq dorë!”, – bërtiti ajo. “Doja që të fitonim ne.”
Papritmas, që të gjithë ishin të heshtur. Kur i ngriti sytë, familja e saj ia kishte ngulur sytë. Dukeshin të habitur që ajo ishte kaq e zemëruar.
Xhejnit iu skuq gjithë fytyra. U ndje keq që nuk ishte e lumtur për familjen e saj. Zakonisht ajo nuk zemërohej kaq shumë. U ngrit në këmbë që të largohej nga rrethi.
Daja Ji‑Ho zgjati dorën. “Nuk ke pse largohesh”, – tha ai. “Fitorja nuk është gjithçka. Thjesht përpiqu të zbavitesh.”
“Në rregull.” Xhejni u ul përsëri. Donte të argëtohej si gjithë të tjerët. Mori frymë thellë dhe pa kushëririn e saj, Benin, që hodhi shkopinjtë.
“Goxha radhë, Beni!” – tha daja Ji‑Ho. Nga zëri dukej i lumtur.
Xhejni vështroi nga daja Ji‑Ho duke i hapur sytë shumë. Ai po brohoriste për skuadrën tjetër! Mbase kjo ishte arsyeja pse ai po zbavitej kaq shumë.
Kur filloi radha tjetër, Xhejni vendosi të brohoriste për çdo njeri në të dyja skuadrat. Daja Ji‑Ho kishte të drejtë. Fitorja nuk ishte gjithçka. Jezusi mund ta ndihmonte atë që të ishte e lumtur për familjarët e vet, madje edhe kur humbiste.
Kur erdhi përsëri radha e Anës, Xhejni i buzëqeshi. “Paç fat! Do t’ia dalësh.”
Nga ana tjetër e rrethit edhe Ana i buzëqeshi. Xhejni ndjeu ngrohtësi brenda vetes. Tashmë po zbavitej më shumë.