“Dita e Mërzitshme e Patrikut”, Miku, shtator 2024, f. 10–11.
Dita e Mërzitshme e Patrikut
Vëllezërit më të mëdhenj të Patrikut ishin gjithmonë shumë të zënë që të merreshin me të.
Kjo ngjarje ndodhi në Rumani.
Patriku i ngulte sytë lart në tavan teksa qëndronte i shtrirë në shtratin e vet. Ishte i mërzitur. Tashmë i kishte lexuar librat e tij me kafshë, kishte kërcyer në trampolinë dhe e kishte ngarë biçikletën përreth lagjes. Çfarë mund të bënte tani?
Patriku u ngrit dhe eci drejt dhomës së Danielit, vëllait të tij më të madh. “A do të luash me mua?” – pyeti Patriku.
“Më vjen keq, nuk mundem. Më duhet të studioj”, – tha Danieli. Ai as që i ngriti sytë nga libri që po lexonte.
Patriku u prek në zemër. Danieli gjithmonë ishte duke studiuar. S’mund të bënte pak pushim?
E pra. Danieli ishte shumë i zënë, por Patriku mund të pyeste vëllanë tjetër, Simionin. “U mërzita. A mund të luash me mua?” – pyeti Patriku.
“Jo, jo sot. Do të dal me shokët.” Simioni veshi xhaketën dhe doli jashtë nga dera kryesore.
Sa u inatos Patriku! Zemra i rrahu më shpejt. Vëllezërit e tij më të mëdhenj ishin gjithmonë shumë të zënë që të merreshin me të. Shkoi me vrap te dhoma e tij dhe përplasi derën.
“Nuk është e drejtë!” – mendoi Patriku.
Përplasi këmbët dhe u hodh mbi shtratin e vet. Ndjeu shtrëngim në kraharor. Sa i mërzitur ishte! Por ndihej tepër i inatosur që të mendonte për diçka që mund ta bënte.
Atëherë iu kujtua diçka që e mësoi në shkollë. Mësuesja u kishte mësuar se frymëmarrja e thellë mund t’i ndihmonte që të ndiheshin të qetë.
“Është e vështirë të rregulloni ndonjë gjë kur ndiheni të zemëruar”, – kishte thënë ajo. Ndoshta po të ishte më i qetë, Patriku mund të mendonte për një mënyrë se si ta zgjidhte problemin e mërzitjes së vet.
Prandaj Patriku mori frymë shumë thellë. Më pas mori frymë përsëri. Pas disa frymëmarrjesh të tjera, nuk e ndjeu më aq shumë shtrëngimin në kraharor. Por ende nuk dinte se çfarë të bënte.
Qëndroi i ulur mbi shtrat dhe pa nga figura e Jezu Krishtit në mur. Çfarë do të dëshironte Ai që Patriku të bënte?
Patriku ra në gjunjë. “Atë Qiellor, të lutem, ndihmoje Danielin teksa studion”, – tha ai. “Ndihmoje Simionin që të zbavitet me shokët e vet. Dhe të lutem më ndihmo që të mos jem kaq i mërzitur.”
Kur e mbaroi lutjen, Patrikut i erdhi një ide. Vrapoi me nxitim drejt dhomës së Danielit.
“Daniel, kur të mbarosh, a mund të luajmë bashkë?”
Danieli i ngriti sytë nga libri dhe pa drejt orës në mur. “Mund të bëj pushim pas rreth 30 minutash. Atëherë mund të dalim jashtë. A dëshiron ta bësh këtë gjë?”
“Po!” Patriku buzëqeshi dhe me vrap u kthye në dhomën e tij. Gjeti një libër rreth tigrave që i pëlqente ta shihte. Pasi e lexoi për ca kohë, ai luajti me blloqet. Shpejt koha kaloi dhe ai dhe Danieli shkuan drejt pyllit pranë shtëpisë.
“A dëshiron të luash luftëtarët në hapësirën kozmike apo eksploruesit në xhungël?” – pyeti Danieli.
“Nuk ka rëndësi. Thjesht jam i gëzuar që mund të kalojmë kohë së bashku. Është shumë më mirë se të jem i mërzitur”, – tha Patriku.
Danieli buzëqeshi. “Epo, të luaj me ty është shumë më e këndshme sesa të studioj për një provim.”
Patriku u lumturua ndërsa ai dhe Danieli zvarriteshin nëpër bar. Qetësimi e kishte ndihmuar të mendonte më me qartësi prandaj mundi ta zgjidhte problemin. Ati Qiellor e kishte ndihmuar të ishte më shumë si Jezu Krishti. Në fund të fundit po dilte se ishte një ditë e mirë.