2023
Ndaji me të Tjerët Gjërat që të Pëlqejnë më së Shumti
Korrik 2023


“Ndaji me të Tjerët Gjërat që të Pëlqejnë më së Shumti”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2023.

Ndaji me të Tjerët Gjërat që të Pëlqejnë më së Shumti

Dashuria jote për ungjillin, për të tjerët dhe për Zotin të fuqizon ta shpërndash ungjillin.

Pamja
Jezu Krishti, origam, telefon inteligjent, gjilpërë dhe pe, urë, Libri i Mormonit

For This Purpose [Për Këtë Shkak], nga Yongsung Kim, Havenlight.com

E vizitova për herë të parë lumin Ribëll afër Prestonit në Angli, kur po shërbeja si një misionar në moshë të re në Misionin Britanik. Atje, Apostulli dhe misionari Hibër C. Kimbëll pagëzoi të kthyerit e parë në besim në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit jashtë Amerikës së Veriut, në korrik të vitit 1837.

Ndërsa qëndroja në një urë mbi lumë dhe mendoja për atë që kishte ndodhur atje, mora një dëshmi të fuqishme për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur.

Misioni im ishte një përvojë e mrekullueshme dhe përcaktuese në jetën time. Sot, shpesh reflektoj se çfarë gëzimi ka qenë për mua të kaloj pjesën më të madhe të jetës duke shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit. Nuk mund të mendoj për ndonjë gjë tjetër më të rëndësishme.

Nevoja për ta Shpërndarë Ungjillin

Përfytyro sikur të kishe qenë një dishepull i Jezu Krishtit në kohën e Ringjalljes së Tij. Sa e mrekullueshme do të kishte qenë ta shihje Atë dhe ta dëgjoje mesazhin e Tij?

Mesazhi mbizotërues i Zotit të ringjallur ishte një ftesë dhe një urdhërim për ta shpërndarë ungjillin e Tij. Ai tha: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt” (Mateu 28:19) dhe “dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15).

Presidenti Rasëll M. Nelson ka shpallur se “ungjilli i Jezu Krishtit nuk është dashur kurrë më shumë sesa sot. … Ne kemi përgjegjësinë e shenjtë për t’u treguar për fuqinë dhe paqen e Jezu Krishtit të gjithë atyre që do të dëgjojnë dhe atyre që do ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre.”1

Zoti ka Nevojë për Ty Tani

Ti jeton në një kohë të pashoqe dhe shumë të rëndësishme, në periudhën e fundit ungjillore përpara Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Profeti Jozef Smith profetizoi se përpara se Zoti të vijë përsëri, “e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të futet në çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”2.

Kush do të ndihmojë për ta arritur këtë? Ti!

Nuk ke pse të jesh misionar/e kohëplotë/a për ta shpërndarë ungjillin. Zoti ka nevojë për ty tani për ta bërë shpërndarjen me fjalë dhe vepra të ungjillit të Tij të gëzueshëm, përjetësisht domethënës, një mënyrë jetese dhe një pjesë të personit që je.

Përqendrohu te Dashuria

Arsyeja më e rëndësishme përse e shpërndajmë ungjillin, është se na e ka kërkuar Zoti. Ndonjëherë kjo mund të jetë sfiduese, por të premtoj se ndërsa përqendrohesh te Zoti Jezu Krisht dhe te dashuria jote për Të dhe dashuria e Tij për ty, do të marrësh udhërrëfim gjatë përpjekjeve të tua.

Pamja
xham zmadhues mbi figurën e Jezu Krishtit

He Is Risen [Ai u Ringjall], nga Greg Olsen

Dashuria jote për ungjillin, për të tjerët dhe më e rëndësishmja, dashuria jote për Zotin do të të fuqizojë ta pranosh ftesën e Tij hyjnore për ta shpërndarë ungjillin e Tij.

Duaje Ungjillin

Zoti ka thënë: “Mëso nga unë” (Doktrina e Besëlidhje 19:23; Mateu 11:29). Sa më shumë ta studiosh ungjillin dhe të mësosh për Jezu Krishtin dhe misionin e Tij të shenjtë si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi, aq më shumë do të të shtohet dashuria për ungjillin.

Ti e tregon dashurinë për ungjillin kur e jeton atë. Apostulli Pal dha mësim: “Bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe dëlirësi” (1 Timoteut 4:12). Shpesh njerëzit e pranojnë ungjillin sepse kanë pasur përvoja pozitive me anëtarët e Kishës. Të lutemi, mos jeto në kamuflim shpirtëror. “Ashtu le të shndritë drita juaj” (Mateu 5:16) dhe tregoju të tjerëve se ungjilli është një pjesë e rëndësishme e asaj që je dhe bën.

Duaji të Tjerët

Mendo për miqtë e tu. A u tregon atyre për filmat, muzikën dhe ushqimin që të pëlqen? A i ndan talentet dhe pasionet e tua me të tjerët? Ndoshta e ke pyetur veten a do të reagonin ata ndaj ungjillit po ta ndaje me ta. Asnjëherë nuk do ta dish nëse nuk e provon. Presidenti Nelson dha mësim: “Të gjithë e meritojnë mundësinë që të dinë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit”3.

Afrohu me dashuri me miqtë, familjarët, fqinjët, shokët e shoqet e klasës dhe të tjerët, duke kujtuar se janë vëllezërit e motrat e tua dhe fëmijët e dashur të Atit tënd në Qiell, dhe do ta kesh më të lehtë ta shpërndash ungjillin tek ta.

Duaje Zotin

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mesazhi ynë ndaj botës është se Jezu Krishti jeton! Ai ka bërë të mundur që secili prej nesh të fitojë shpëtimin dhe ekzaltimin.

Do ta ndiesh dashurinë e Zotit për ty ndërsa përsiat për gjithë çka bërë Ai për ty. Shpirti yt do të mbushet me dashuri për Të dhe do të zbulosh se nuk mund të mos i shpërndash të vërtetat e mrekullueshme që ke marrë prej Tij.

Gëzimi Yt do të Jetë i Madh

Përvoja ime frymëzuese shpirtërore në atë urë mbi lumin Ribëll kur isha misionar i ri në moshë, më solli gëzimin e përhershëm që u premtohet atyre që e shpërndajnë ungjillin (shih te Doktrina e Besëlidhje 18:15).

Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, jam edhe më i sigurt sot se shpërndarja e ungjillit është një gëzim dhe një shprehje e thellë e dashurisë sonë për ungjillin e rivendosur, për fëmijët e Perëndisë dhe për Zotin.

Pamja
Kuentin L. Kuku me të rinj

Plaku Kuk bisedon me të rinjtë e shpërngulur prej vullkanit Tal në Batangas të Filipines, më 15 janar 2020.

Unë dëshmoj se, ndërsa e pranon ftesën e Zotit dhe i ndan me të tjerat gjërat që të pëlqejnë më së shumti, ti e ndihmon Atë të ndërtojë Kishën e Tij dhe ta përgatitë botën për kthimin e Vet, kur “Ai do të sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe … Zoti i Zotërve”4. Lutem që ta ndjekësh Atë dhe ta shpërndash ungjillin e Tij gjatë gjithë jetës.