2023
Kur Zgjedhjet e Njerëzve të Tjerë të Lëndojnë
Korrik 2023


“Kur Zgjedhjet e Njerëzve të Tjerë të Lëndojnë”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2023.

Kur Zgjedhjet e Njerëzve të Tjerë të Lëndojnë

Këtu janë disa gjëra për t’u mbajtur mend kur njerëz të tjerë e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes në mënyra që të lëndojnë.

Pamja
e re duke përjetuar emocione negative

Ilustrimet nga Shana Keegan

Ti bën me mijëra zgjedhje çdo ditë: çfarë të veshësh, çfarë të hash për mëngjes, me çfarë shokësh e shoqesh të shoqërohesh. Liria e zgjedhjes, ose liria për të zgjedhur dhe për të vepruar, është një nga dhuratat më të mëdha që Perëndia na ka dhënë.

Zgjedhjet tona kanë pasoja gjithashtu dhe ndonjëherë zgjedhjet e njerëzve të tjerë mund të na lëndojnë. Nëse ndonjëherë të kanë dënuar për shkak të diçkaje që ka bërë vëllai yt, e di se sa sfiduese mund të jetë kur njerëz të tjerë e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes në mënyra që nuk të pëlqejnë!

Por nganjëherë ka gjëra edhe më të këqija për të cilat njerëzit mund ta përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes. Fëmijët në shkollë mund të të bullizojnë, ose ndoshta një pjesëtar i familjes vendos të largohet nga Kisha. Ka plot raste kur jeta mund të duket e padrejtë. Fundja, ti po përpiqesh ta përdorësh lirinë tënde të zgjedhjes për të bërë zgjedhje të drejta, ndaj pse ata nuk po bëjnë të njëjtën gjë?

Sigurisht që nuk mund t’i kontrollosh të tjerët. Por lajmi i mirë është që ti mund të ndryshosh. Strategjia është ta ndryshosh përqendrimin tënd dhe të bësh zgjedhje të mira edhe kur të tjerët nuk i bëjnë ato.

Ja tek janë disa gjëra për t’u mbajtur mend për të shkuar përpara me besim, edhe kur njerëz të tjerë e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes në mënyra që të lëndojnë:

  1. Satani kërkoi ta shkatërronte lirinë e zgjedhjes (shih te Moisiu 4:3). Ndonëse është e vështirë t’i shohësh të tjerët të bëjnë zgjedhje të këqija, ti gjithashtu je i/e lirë të bësh zgjedhje të mira për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për t’u bërë më shumë si Ai.

  2. Veprimet e tua kanë një efekt. Mbaje mend: “Ne jemi të lirë të zgjedhim, por nuk mund t’i zgjedhim pasojat”1. Duke parë se si zgjedhjet e njerëzve të tjerëve ndikojnë tek ti, ky mund të jetë një kujtues i mirë që të bësh zgjedhje që nuk të dëmtojnë ty vetë ose të tjerët.

  3. Çdokush është përgjegjës për zgjedhjet e veta (shih te Doktrina e Besëlidhje 101:78). Ti nuk ke pse të ngarkohesh me ndjenjën e përgjegjësisë për t’i ndryshuar njerëzit e tjerë ose zgjedhjet e tyre. Në vend të kësaj, mund të përqendrohesh te marrja e vendimeve pozitive dhe ndjekja e Jezu Krishtit.

  4. Mund të zgjedhësh të jesh i/e sjellshëm/me. Dikush mund të sillet keq me ty, por ti gjithsesi mund të jesh i/e sjellshëm/me me të. Duhet guxim për të qenë i sjellshëm me njerëzit dhe për t’i falur kur tregohen të pasjellshëm me ty, por pikërisht këtë do të bënte Jezusi (shih te Lluka 23:34).

  5. Duhet të përqendrohesh tek ajo që mund ta kontrollosh. Për shembull, mund të mos jesh në gjendje t’i ndalosh prindërit që të shkurorëzohen, por mund të zgjedhësh të përqendrohesh tek të qëndruarit në shtegun e besëlidhjeve, te ndihma ndaj vëllezërve e motrave të tua, tek të mësuarit për marrëdhëniet e shëndetshme dhe vendosja e synimeve për familjen tënde të ardhshme. Zgjidh që t’i kthesh sfidat në mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur.

  6. Ti ke një identitet dhe qëllim hyjnor. Kur e kujton identitetin tënd si fëmijë i Perëndisë dhe përqendrohesh te synimet e tua në jetë, mund të shohësh tablonë e plotë. Përqendrimi te qëllimi yt dhe të kuptuarit se këto sfida janë vetëm një pjesë e vogël e historisë së jetës sate, mund të të ndihmojnë të shkosh përpara me besim.

  7. Nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, mund të gjesh paqe vetjake, edhe kur gjërat rreth teje nuk janë paqësore. Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ne mund të ndiejmë paqe dhe gëzim të qëndrueshëm, edhe gjatë kohëve të turbullta”2. Jeta është një det i stuhishëm dhe është e lehtë të dëshirojmë që Perëndia t’i qetësojë ato stuhi për ne. Por ndonjëherë në vend që të qetësojë detin, Ai na qetëson ne, detarët. Drejtohu tek Ai për shqetësimet e tua dhe Ai do të të ndihmojë.

Pamja
e re

Perëndia të dha lirinë e zgjedhjes në mënyrë që ti të mund të zgjedhësh ta ndjekësh Atë dhe si rrjedhojë të bëhesh si Ai. Ndërsa e bën këtë, do të mësosh natyrshëm nga vetë zgjedhjet dhe gabimet e tua dhe nga zgjedhjet e të tjerëve. Ndonëse është e vështirë t’i shohësh njerëzit të bëjnë zgjedhje që të lëndojnë, mund të mësosh nga këto përvoja dhe të shkosh përpara me qëllim, besim e gëzim.