2023
Mblidhuni – Mos u Shpërndani
Korrik 2023


“Mblidhuni – Mos u Shpërndani”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2023.

Eja, Më Ndiq

Veprat e Apostujve 10

Mblidhuni – Mos u Shpërndani

Perëndia nuk tregon favorizim mes njerëzve dhe as ne nuk duhet ta bëjmë.

Pamja
njerëz të ndryshëm

Ilustrimi nga Travis Constantine

Disa javë pasi mbërrita në Gjermani si misionar, unë dhe misionari që më trajnoi, trokitëm në derën e një gruaje të moshuar, e cila pranoi të na lejonte t’i jepnim mësim.

Gjatë mësimit tonë të parë, ne e ftuam atë të lexonte një shkrim të shenjtë me zë të lartë. Nëpërmjet syzeve me xham të trashë, ajo lexoi me shumë vështirësi, duke i ngatërruar fjalët. Përgjigjet e saj ndaj pyetjeve tona ishin të shkurtra. Nuk ishim të sigurt se sa arriti të kuptonte.

Ne i kërkuam të lexonte fragmente të caktuara në Librin e Mormonit përpara vizitës sonë të ardhshme. Kur shkuam përsëri, ajo i kishte lexuar, por dukej se nuk i kuptonte. Ne pyetëm veten nëse mund të kishte vështirësi me të mësuarit. Ne pyetëm veten nëse duhej të vazhdonim t’i jepnim mësim. Por vazhduam.

Ne vizitën tonë të radhës, u habitëm kur ajo tha se kishte dëshirë të pagëzohej. Më pas, ndërsa vazhdonim t’i jepnim mësim, vumë re se leximi i saj në të vërtetë u përmirësua. Përgjigjet e saj ndaj pyetjeve tona ishin ende të shkurtra por tingëllonin më të sakta dhe të sigurta.

Shpejt u transferova në një qytet tjetër, por misionari që më trajnoi, më vonë më shkroi për të më thënë se kjo grua ishte pagëzuar dhe ishte mbështetur nga anëtarët e degës. Po të na kishit pyetur javë më parë se kush nga të gjitha kontaktet tona kishte më shumë të ngjarë të pagëzohej dhe të bëhej një anëtar i Kishës, ajo nuk do të ishte në krye të listës sonë.

Kështu morëm një mësim të vjetër, të njëjtin mësim që mori Apostulli Pjetër shumë kohë më parë dhe që secili prej nesh duhet të vazhdojë të mësojë: “Perëndia nuk tregohet i anshëm” (Veprat e Apostujve 10:34).

Një Ndryshim i Madh

Pjetri kryesoi në Kishë në një kohë kritike. Shpëtimtari u kishte thënë Apostujve të Tij: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15). Por deri në atë çast, ata kishin predikuar dhe pagëzuar vetëm mes judenjve.

Më pas, një sërë gjërash të jashtëzakonshme ndodhën. Një centurion romak me emrin Kornel – një johebre, një person që nuk ishte jude, një ushtar që mbante të njëjtën uniformë si ata që kishin kryqëzuar Jezu Krishtin – pa në vegim një engjëll. Engjëlli i tha Kornelit të dërgonte dikë për të gjetur një burrë me emrin Pjetër që t’i jepte mësim. Jo shumë kohë pas kësaj, Pjetri pa një vegim në të cilin pa ushqim që ishte i ndaluar sipas ligjit judeas, megjithatë atij iu tha ta hante, sepse Perëndia e kishte bërë të pastër. Menjëherë pasi Pjetri pati këtë vegim, mbërritën shërbëtorët e Kornelit dhe i kërkuan të vinte me ta. Shpirti i tha Pjetrit të shkonte.

Pasi takoi Kornelin dhe pa se sa i mirë dhe i vërtetë ishte ai, Pjetri e mori vesh domethënien e vegimit të tij. Ungjilli duhej të shkonte edhe te johebrenjtë, si te Korneli. Kjo është koha kur Pjetri tha: “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai” (Veprat e Apostujve 10:34–35). Pjetri i mësoi Kornelit për Jezu Krishtin dhe e ftoi atë dhe shërbëtorin e tij që të pagëzoheshin. (Shih te Veprat e Apostujve 10.)

Çuarja e ungjillit te johebrenjtë shënoi një ndryshim të madh për Kishën e hershme. Disa njerëz e kishin të vështirë ta pranonin këtë ndryshim. Por ishte gjëja e duhur dhe na mësoi një të vërtetë themelore për Perëndinë dhe për bashkëqeniet tona njerëzore.

Asnjë Favorizim

Kur i bekon fëmijët e Tij, Perëndia nuk tregon favorizim të bazuar te kombësia, raca, gjinia, pasuria, arsimimi, aftësia, pamja ose ndonjë dallim tjetër që i ndan njerëzit.1 Ai “i vlerëson tërë mishrat njëlloj; ai që është i drejtë, është i favorizuar nga Perëndia” (1 Nefi 17:35). Të gjithë mund të vijnë tek Ai, pasi “të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (2 Nefi 26:33). Ai “shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7). Ai i pranon ata që “zbato[jnë] drejtësinë, … dua[n] mëshirën dhe … ec[in] përulësisht” (Mikea 6:8).

Kushdo mund të zgjedhë të vijë te Jezu Krishti, të bëjë besëlidhje me Atin Qiellor dhe të ndjekë udhët e Tyre. Kjo e vërtetë do të udhërrëfejë mënyrën se si e shpërndajmë ungjillin e Zotit dhe dashurinë e Tij.

Nuk mund të shohim vetëm karakteristikat e jashtme të dikujt dhe të mendojmë se ai ose ajo nuk është “tip” për ungjillin. Nuk mundemi thjesht të zbatojmë etiketimet e botës për njerëzit dhe të mendojmë se ato etiketime i shkualifikojnë nga përfshirja në kishë. Nuk mundemi thjesht të vendosim që të mos i shërbejmë dikujt vetëm se ka opinione politike, pasione ose shije të ndryshme nga tonat.

Perëndia nuk e sheh një person si një koleksion etiketimesh që përfaqësojnë grupe apo tipare të ndryshme. Ai sheh një individ – fëmijën e Tij. Në këtë mënyrë duhet ta shohim çdo person, si një individ të pashoq me një mundësi dhe aftësi të barabartë për të ardhur te Perëndia.

Ji një Mbledhës

Presidenti Rasëll M. Nelson na ka inkurajuar të marrim pjesë në mbledhjen e Izraelit.2 Por nëse ne, ndryshe nga Perëndia, zgjedhim të jemi “të anshëm ndaj njerëzve” kur bëhet fjalë për shpërndarjen e ungjillit dhe përfshirjen e njerëzve në kishë, mund t’i përndajmë ose ndajmë më shumë sesa t’i mbledhim dhe bashkojmë.

Le të bëjmë të gjithë një zotim: mos t’i përndajmë më. Ji një mbledhës. Duaj, trego dhe fto.

Unë dhe shoku im i misionit nuk ishim të sigurt nëse gruaja që po i jepnim mësim në Gjermani, kishte shumë të ngjarë të pagëzohej. Nuk ia njihnim zemrën, por Perëndia ia njihte. Jam i lumtur që ndiem nxitjen për të vazhduar mësimdhënien me të.

Ndërsa përpiqesh ta ndjekësh Shpirtin dhe përpiqesh të mos jesh i anshëm ndaj njerëzve, do të udhërrëfehesh për t’i ndihmuar ata të cilët të rrethojnë, që të vijnë te Krishti, pavarësisht nga dallimet e tyre.